Tifozët e Leeds Utd çmenden pas flamurit të Kosovës, flet kosovari që la Barcelonën për këtë ekip

Periskopi.com Sporti

Leeds United ia doli që të rikthehej në Premier Ligë pas 16 vitesh dhe e ka nisur mirë sezonin duke e shënuar fitoren e parë që në ndeshjen e dytë. Por, loja senzacionale e këtij ekipi ka bërë që të ketë ndryshime emocionale mes shumë tifozëve anë e mbanë botës – pa përjashtuar Kosovën. 

Së fundi, një tifoz futbolli nga Kosova ka shpërndarë një fotografi në një nga grupet e tifozëve të Leeds United ku duket me një fanellë të këtij ekipi dhe me flamurin e Kosovës.

Por, ky flamur ishte i veçantë pasi që në hartë në vend të ngjyrës së artë ka emblemën e ekipit që drejtohet nga Marcelo Bielsa.

Tifozi në fjalë, L.B. tregon për Periskopin se është tifoz i këtij ekipi që nga viti 2018, kur si kryetrajner erdhi argjentinasi karizmatik. Leeds në atë kohë kishte rezultate dëshpëruese në kategorinë e dytë angleze, EFL Championship.

Ai thotë se është fascinuar me mënyrën se si luan ky ekip futbolli, me historinë shumë të veçantë dhe me tifozët e flaktë.

L.B. nga Prishtina thotë se para se të binte në dashuri me Leeds United-in kishte qenë tifoz i ekipit të madh katalanas Barcelona.

“Po, unë isha tifoz i Barcelonës, por një shok (tifozi i parë i Leedsit në Kosovë, J.Buja) më tregoi gjithçka për këtë klub dhe menjëherë u dashurova në të. Ishte mahnitës.” – thotë ai.

Ndërkohë që tifozët e Leeds e kanë pëlqyer shumë flamurin e Kosovës me emblemën e Leedsit ngjitur, dhe madje kanë treguar shumë fotografi në këtë grup të kohës kur ishin në Kosovë për ta përcjellë ndeshjen Anglia-Kosova.

Një tifoz i Leeds United në Prishtinë para ndeshjes Angli-Kosovë

 

Tifozët e Leeds lënë shenjën e tyre në rrethojat e stadiumit “Fadil Vokrri”

Leeds United dje fitoi 4-3 ndaj Fulhamit në shtëpi, ndërkohë javën e kaluar kishte humbur po 4-3 nga Liverpooli në Anfield Road. /Periskopi 

Shpërndaje në: