TËRMET POLITIK: Guardian zbulon se Facebook-u lejoi manipulime politike në shtete si Kosova

Periskopi.com Lajme

Një hetim i The Guardian ka ekspozuar gjerësinë e manipulimit të mbështetur nga shtetet në platformën e Facebook.

Facebook-u vazhdimisht ka lejuar liderët dhe politikanët botërorë që të përdorin platformën e saj për të mashtruar publikun apo sulmuar kundërshtarët e tyre pavarësisht se kanë qenë të lajmëruar për provat e keqbërjes së tyre.

The Guardian ka parë dokumentacionin e zgjeruar të brendshëm që tregon se si Facebook-u është marrë me 30 raste në 25 shtete me sjellje manipulative politike që në mënyrë proaktive ishte detektuar nga stafi i kompanisë, përkthen në shqip Periskopi.

Hetimi tregon se si Facebook-u ka lejuar abuzime madhore në platformën e saj te shtetet e varfra, të vogla e jo-perëndimore në mënyrë që të prioritetizonte abuzimet që tërhiqnin vëmendjen mediale apo që e afektonin ShBA-në dhe shtetet e tjera të pasura.

Kompania ka vepruar shpejt në adresimin e manipulimeve politike në vendet si ShBA-ja, Taivani, Korea e Jugut dhe Polonia, por ka vepruar ngadalë apo hiç fare në rastet e Afganistanit, Irakut, Mongolisë, Meksikës dhe shumicës prej shteteve tjera të Amerikës Latine.

“Ka shumë dëme që po bëhen në Facebook e për të cilat nuk ka përgjigje sepse nuk konsiderohet si mjaftueshëm risk i PR-it për këtë kompani,” tha Sophie Zhang, që kishte punuar në Facebook.

Facebook-u është zotuar që të luftojë manipulimet politike të mbështetura nga shteti në platformën e saj pas fiaskos historike të zgjedhjeve amerikane të 2016-s, kur agjentët rusë kishin përdorur llogari joautentike në Facebook për të mashtruar dhe përçarë votuesit amerikanë.

Por, këto dështime për të adresuar manipulimet politike janë bërë edhe ndaj liderëve tjerë botërorë.

Në shtatorin e vitit 2020, Facebook-u e kishte pushuar nga puna Zhangun për “performancë të keqe”. Ajo kishte thënë se “kishte gjetur përpjekje të shumta flagrante të qeverive të huaja për të abuzuar platformën në shkallë madhore në mënyrë që t’i keqinformonin qytetarët e tyre.

“E di se kam gjak në duart e mia deri tash,” kishte shkruar ajo.

Me 2.8 miliardë përdorues, Facebook-u luan rol dominant në diskursin politik të pothuajse çdo vendi në botë. Por, algoritmet e Facebook-ut mund të manipulohen për të shtrembëruar debatin politik.

Një mënyrë për ta bërë një gjë të tillë është të krijosh “angazhim” fals – pëlqime, komente, shpërndarje dhe reagime – duke përdorur llogari jo-autentike dhe të komprometuara të Facebook-ut.

Si shtesë për formësimin e perceptimit publik apo për popullaritetin e liderit politik, angazhimi fals mund të afektojë edhe algoritmat e lajmeve që marrin qytetarët.

Zhang ishte punësuar nga Facebook-u në janarin e 2018-s për të punuar në një ekip që duhej të gjente angazhimin fals në këtë platformë.

Ajo kishte zbuluar që shumica e angazhimit fals paraqitej në postime nga individë, biznese apo brende por që përdorej edhe në atë që Facebook e quante shënjestrat “civile”, apo politike.

Rasti më flagrant ishte ai i Juan Orlando Hernandez, presidenti i Hondurasit, që në gushtin e vitit 2018 po merrte 90 për qind të angazhimit fals politik në këtë shtet tëvogël amerikano-qendror. Në gushtin e 2018-s, Zhangu kishte zbuluar që stafi i Hernandezit ishte i përfshirë direkt në fushatën për të rritur faqen e tij në qindra mijëra pëlqime false.

Zhang ka përmendur se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Shqipëri, por edhe në vende si Meksika, Argjentina, Italia, Filipinet, Afganistani, Korea e Jugut, Bolivia, Ekuadori, Iraku, Tunizia, Turqia, Paraguaji, El Salvadori, India, Republika Dominikane, Indonezia, Ukraina, Polonia dhe Mongolia.

Një hetues i inteligjencës kishte gjetur prova se rrjeti shqiptar, që po prodhonte komente jo-autentike në masë, ishte i lidhur me individë në qeveri, dhe menjëherë kishte tërhequr rastin nga shqyrtimi i mëtejmë.

Edhe në Kosovë ka pasur raportime të shumta për qindra mijëra llogari false të krijuara me motive politike.

Më poshtë e keni artikullin e plotë:

https://www.theguardian.com/technology/2021/apr/12/facebook-loophole-state-backed-manipulation

Shpërndaje në: