SHBA shton në listën e zezë edhe 9 persona nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Zyrës së Jashtme amerikane ka zgjeruar sot ‘listën e zezë” edhe me nëntë persona dhe disa kompani nga Serbia.

Ata janë shtuar në listë pasi janë duke u lidhur me Slobodan Tesiq, një tregtar armësh që ka qenë në listë që nga fillimi i vitit.

Lista e zgjeruar përfshin përfaqësuesin e Tesiq në tregtinë ndërkombëtare, Goran Andriq, i cili drejton drejtpërdrejt ose tërthorazi Velcom Trade Beograd dhe i cili përveç nënshtetësisë serbe,  mban nënshtetësi edhe të Bosnjës dhe Britanisë së Madhe.

Në listë bëjnë pjesë edhe drejtori dhe sekretari i Finrost në Qipro dhe përfaqësues i kompanisë Falcon Strategies, Esad Kapidziq, menaxheri i përgjithshëm i Partizan Tek, Nebojsha Sarenac Tehnoglobal sistem Beograd dhe drejtori i Partizan Tek Zoran Petroviq.

Po ashtu, në listë janë edhe pronari i kompanisë “Vektura trans” Milan Subotiq, përfaqësuesi i kompanisë “Araneks” Zelimir Petroviq, pronari i 50 për qind i kompanisë “Falcon strategies” Sreten Cvjetkoviq dhe drejtori i “Tehnoglobal sistems” Lubo Mariçiq.

Lista përfshin gjithashtu ndërmarrjet Munstorm dhe Tardigrade Limited nga Qipro, si dhe Divert Limited Business të Hong Kong-ut.

Pasuritë e këtyre individëve dhe kompanive të vendosura në Shtetet e Bashkuara janë bllokuar.

Të rinjtë nga Serbia e Kosova bëhen bashkë dhe e dënojnë retorikën e Vuçiqit për masakrën e Reçakut

Periskopi.com Lajme

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Kosovo) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Serbi (YIHR Serbia) dënojnë ashpër deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me mohimin e masakrës në Reçak.

Me 15 janar 1999, forcat serbe vranë 44 shqiptarë civilë në fshatin Reçak. Misioni i Verifikimit i OSBE-së, i udhëhequr nga ambasadori amerikan William Walker, e quajti atë “një krim kundër njerëzimit”.

Masakra e Reçakut ishte gjithashtu pjesë e aktakuzës së Slobodan Milosheviqit para Tribunalit të Hagës, por asnjë aktgjykim i formës së prerë nuk ishte nxjerrë për shkak të vdekjes së tij gjatë procesit gjyqësor.

Vuçiq deklaroi se “gjithçka ishte sajuar nga ai mashtrues botëror, fabrikues dhe oportunist,Walker”.

“Kjo deklaratë është e papranueshme. Një retorikë e tillë mohuese shkel dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre, ndërsa është kundër vlerave të paqes, pajtimit dhe drejtësisë. Ne i bëjmë thirrje presidentit Vuçiq të kërkojë falje dhe të ndalojë mohimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë dhe në rajon nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre dy nismave.

Po ashtu, YIHR Kosova dhe Serbia bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë në Serbi dhe liderëve politikë serb në Kosovë që të distancohen nga deklarata të tilla ekstremiste dhe t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të njohin, respektojnë dhe angazhohen në arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat, të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe personat e pagjetur nga lufta në Kosovë.

“Ne, si të rinj nga Kosova dhe Serbia, do të qëndrojmë gjithmonë kundër mohimit të krimeve të luftës. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të kundërshtojmë narrativat nacionaliste dhe vazhdimisht do të punojmë për ndërtimin e paqes dhe pajtimit midis Kosovës dhe Serbisë”, përfundon komunikata.

Në Serbi përmbyset autobusi nga Maqedonia

Periskopi.com Lajme

Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Prokuplje- Bllace në Serbi.

Një autobus nga Maqedonia i cili ka transportuar udhëtarë drejt Koapanikut në është përmbysur. Nga aksidenti ka të lënduar. Siç njoftohet ka disa të lënduar prej të cilëve njëri më rëndë.

Ekipet serbe të Ndihmës së Shpejtë menjëherë kanë dalë në terren për të transportuar të lënduarit në spitalet më të afërta.

Për momentin nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa mësohet se rruga ku ka ndodhur aksidenti është në fazë rikonstruktim për më shumë se një muaj./Alsat.M/

​MPJ: Bota demokratike ta ndalë qasjen mohuese të Serbisë për krimet e dokumentuara

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për qasjen antihumane dhe antinjerëzore të liderëve shtetërorë serbë në raport me krimet dhe gjenocidin që shteti i tyre ka kryer gjatë luftërave të fundshekullit të kaluar në njësitë e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.

MPJ nëpërmjet një komunikate thotë se mohimi i Masakrës së Reçakut (15 janar 1999) prej liderëve shtetërorë serbë, në krye me presidentin  Aleksandër Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, që të dy ish bashkëpunëtorë të ngushtë të Kasapit të Ballkanit, ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, nuk përbën asgjë as politike dhe as diplomatike, por është thjeshtë qasje fashiste e një shteti fqinj që nuk ka ndryshuar as pas 20 vjetësh.

“Në luftën e Kosovës (1997-1999), forcat ushtarako policore serbe kanë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, prej tyre 1133 fëmijë; kanë dhunuar rreth 20 mijë femra; kanë varrosur nëpër varreza masive në Serbi rreth 6000 trupa (disa qindra i kanë djegur në furra të shkrirjes së metaleve), me synim për të shlyer gjurmët e krimit; kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi, kanë deportuar rreth një milion qytetarë dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur, para, ari dhe deri te traktorët dhe bagëtitë e bujqve shqiptarë.

Për luftërat në ish-Jugosllavi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Krime Lufte ka dënuar Serbinë për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa dhjetëra drejtues të saj, politikë, ushtarakë, policorë dhe paramilitarë, janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë kryer në Kroaci dhe Kosovë. Lideri i këtyre kriminelëve, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krimet e kryera në Kosovë dhe njësitë tjera të federatës ish-jugosllave”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton institucionet relevante të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos botën demokratike – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ushtrojnë presion ndaj liderëve institucionalë të Serbisë për ndaljen e gjuhës së urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të dëshmuara edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse gjuha aktuale e tyre pamundëson ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, dhe si rrjedhojë rrezikon edhe paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës./KosovaPress/

Haradinaj: Serbia e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga Millosheviqi

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka theksuar se urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999, është e fabrikuar”.

“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i  Haradinajt në Facebook:

Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj.

Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon.

Palmer: Duke e njohur njëri-tjetrin, do të zgjidhen problemet Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila do të nënkuptonte njohje reciproke.

“Kur do të njihnin njëri-tjetrin, do të mund të zgjidhnin çështje kontestuese si fqinj”, ka thënë Palmeri në televizionin sarajevas, N1.

Sipas fjalëve të tij, nevojitet që Kosova dhe Serbia “të ulen në tavolinë, të arrijnë marrëveshje dhe së bashku të hartojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, transmeton Koha.net.

Palmeri tha se arsye për bisedime është fakti që edhe Kosova edhe Serbia synojnë Evropën dhe është e domosdoshme të shihet se çfarë kompromisesh janë të nevojshme në mënyrë që të shkohet tutje.

“Nevojitet marrëveshje të cilën publiku në të dyja palët do ta pranojë dhe mbështesë si rrugën më të mirë përpara”, tha ai, dhe shtoi se është me rëndësi që ajo marrëveshje të jetë “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Ai tha se ka bashkëpunim shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe se ky nuk është rasti i parë që SHBA-ja emëron dy përfaqësues specialë për të njëjtën çështje.

 

Danielsson: Marrëveshja Kosovë – Serbi të arrihet sa më shpejt

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Përgjithshëm për bisedimet e pranimit dhe fqinjësisë në Komisionin Evropian, Christian Danielsson thotë se është e rëndësishme që përderisa debati për reformimin e politikës së zgjerimit është duke u zhvilluar në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të shkojnë më pranë Bashkimit.

“Përveç zbatimit të reformave, e cila është thelbësore për rajonin, është e nevojshme të gjendet një zgjidhje në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo do t’i jepte energjinë e nevojshme Ballkanit Perëndimor”, vlerësoi ai, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Serbia mbetet larg BE-së nëse nuk arrinë marrëveshje me Kosovën

Periskopi.com Lajme

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se Serbia dëshiron të hap kapituj të rinj në bisedimet e pranimit duke theksuar se çështje kyçe është edhe arritja e marrëveshjes me Kosovën.

Vuçiq ka deklaruar se dëshiron një shpjegim më të qartë të asaj që vendet e Bashkimit Evropian e shohin si të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka theksuar se kishte diskutime të mira me zyrtarë të Parlamentit Evropian për tema të rëndësishme, duke nisur nga Kosova dhe situata ekonomike në Serbi, transmeton lajmi.net.

“Një zgjidhje kompromisi me Kosovën është diçka me të cilën kemi shumë probleme dhe nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat në të ardhmen, por ne jemi gjithmonë të gatshëm për të eksploruar”, ka deklaruar presidenti serb.

Tuje, ai ka thënë se Serbia ka bërë punën e saj por nuk varet më nga ta dhe se BE po bën një vlerësim politik për të vendosur sa kapituj dhe me çfarë shpejtësie do hapen negociatat.

Vuçiq ka  shtuar se Serbia nuk do të shkojë në drejtim të Rusisë edhe pse janë krenarë që kanë marrëdhënie të mira me këtë vend, mirëpo tani janë drejt rrugës për në Bashkim Evropian.

Vlen të theksohet se negociatat Kosovë-Serbi, janë bllokuar një vit më parë që nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe, ndërsa zyrtarë serbë kanë deklaruar se do rikthehen në tavolinën e bisedimeve nëse kjo marrëveshje shfuqizohet. 

Pasi përfunduan misionin e tyre, ekipi zviceran nuk u kthyen vetëm, por me flamurin shqiptar

Periskopi.com Lajme

Tërmeti i së martës në Shqipëri, goditi dhe sensibilizioi të gjitha shtetet mike.

Kosova, Maqedonia, Greqia, Rumania, Serbia, Mali i Zi e shumë të tjera, u nisën drejt shtetit shqiptar, për të kërkuar dhe shpëtuar banorët të cilët mbeten nën rrënoja.

 

 

Fatkeqësisht u shënuan 51 viktima, derisa arritën të shpëtuan dhjetëra të tjerë.

Një ndihmë të madhe dha edhe Zvicra, pikërisht skuadra e qenve të shpëtimit REDOG.

Skuadra kjo e përbërë nga tre ekipe të qenve të specializuar për kërkim të njerëzve të ngujuar nën gërmadha. Krahas tyre, në skuadër bënte pjesë edhe një mjeke.

Pas misionit të shenjtë që kryen, kjo skuadër, dje u kthye në Zvicër, ku u pritën si heronj, por ajo që u vërejt tek ta ishte pikërisht se secili nga ta kishte marrë me vete edhe nga një flamur kuq e zi.

Rama njofton se Vuçiq ka nisur nga Serbia një ekip shpëtimi

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se shtetet fqinje, Mali i Zi e Serbia kanë nisur ekipet shpëtimtare.

Këtë ia kanë konfirmuar dy kryeministrat e vendit, Markoviq e Vuçiq.

“Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, njoftoi se një skuadër speciale mbështetje për të dëmtuarit po niset drejt Shqipërisë dhe po njësoj, një tjetër skuadër mbështetëse nga Serbia e specializuar në raste emergjencash, po niset drejt vendit tonë, më komunikoi Presidenti Vuçiç” shkruan Rama në njoftim.

Rukiqi: Nuk e shoh Serbinë të rikthehet fuqishëm pas heqjes së taksës

Periskopi.com Lajme

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka vlerësuar se aktualisht ka një klimë të favorshme të biznesit në vend.

Rukiqi në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës komentoi gjendjen e ekonomisë në vend, gjatë periudhës së qeverisjes së Ramush Haradinajt.

“Sa i përket Qeverisë Haradinaj, konsideroj se ka pasur një fokus më të madh të prodhimit vendor, ka vazhduar me një praktikë të mirë të politikave fiskale dhe normalisht ishte edhe vendimi i taksës, që në një formë ka qenë sinonim një periudhë të madhe të Qeverise Haradinaj, efektet e të cilit janë parë disa dhe të tjerat mund te shihen në periudha afatgjate”.

Rukiqi gjithashtu shprehu dyshimet për rikthimin e Serbisë ne tregun kosovar pas heqjes potenciale të taksës.

“Për t’i parë efektet tek produktet e caktuara ne duhet të dimë saktë çfarë kemi importuar nga Serbia. Produkti kryesor ka qenë energjia elektrike, pastaj vijnë gazra të ndryshme, lëndën e parë për një pjesë të madhe të prodhimeve – duke përfshirë edhe miellin, produktet ushqimore, material higjienike, material ndërtimore. Këto janë gjerat kryesore që kemi importuar nga Serbia”.

“Çdo import i këtyre produkteve pas vendosjes së taksës ka kushtuar më shtrenjtë, ka pasur koston e transportit dhe të kontratave që nuk janë negociuar lehtësisht dhe janë afatshkurtra. Këto kanë bërë që të kenë ndikim ne çmimin final të produkteve”.

“Pozitive e shoh që një pjesë e madhe e kompanive kanë filluar ta riorientojnë tregun. Nuk e shoh Serbinë të rikthehet fuqishëm pas heqjes së taksës. Tek produktet e konsumimit të gjerë ka vetëdijesim më të madh të konsumatorëve si dhe kompanitë tona tani furnizohen nga vendet tjera. Por, tek produktet ku kostoja është më e ulët p.sh gruri apo metali, nuk besoj se nëse hiqet taksa dikush do ta shoh vetëm elementin patriotik”.

Kreu i OEK-ut gjithashtu potencoi se nëse vendoset të hiqet taksa duhet të kemi një listë të qartë të çështjeve ekonomike karshi Serbisë.

Analisti gjerman: A ra interesimi i Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi gjatë këtij viti? 

Periskopi.com Lajme

Analisti gjerman, Bodo Weber thotë se ‘nuk i duket që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndonjë iniciativë të re rreth Ballkanit’.

Sipas tij, siç e citojnë mediat serbe të ketë thënë, ‘dërgimi i dy zyrtarëve amerikanë për Ballkanit, tregon se Amerika nuk ka ndonjë vizion të qartë’.

Sipas tij, dërgimi i Richard Grenell si i Derguar Special nga Shtëpia e Bardhë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk ‘nënkupton ivolvim të madh të Amerikës në çështjen e Kosovës’.

“Për Kosovën, Serbinë dhe rajonin në përgjithësi, Amerika ka dy të dërguar, Mat Palmer për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Richard Grenell për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është interpretuar si rritje e interesimit amerikan për Ballkanin. Por ky fakt, pra dërgimi i dy emsiarëve paralel dhe të cilët duken të pakoordinuar, Mat Palmer – si i dërguar nga Departamenti i Shtetit dhe Richard Grenell si i dërguar nga administrate Trump, për mendimin tim tregon se vëmendja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë më e vogël për rajonin këtë vit sesa viteve të kaluara. Mua më duket sikur nuk kanë ndonjë iniciativë të re”, thotë ai, shkruan B92, përcjell Periskopi.

Weber ka kritikuar edhe Federica Mogherinin, e cila, thotë ai ‘si Përfaqësuese e Lartë për politikë të jashtme, ka privatizuar komplet politikën e jashtme të BE’së’./Periskopi/

 

 

 

 

Serbia paralajmëron një “ligj lufte” me Kosovën

Periskopi.com Lajme

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka thënë se së shpejti në parlamentin serb do të paraqitet një strategji mbrojtëse, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, një dispozitë që, duke kërcënuar sigurinë e popullit serb, kudo ku ai jeton, rrezikohet dhe siguria e Serbisë automatikisht.

Vulin i tha Radio Beogradit se shteti i Serbisë tani është mjaft i fortë për të mbrojtur njerëzit e tij, dhe se një Serbi e fuqishme dhe e fortë është gjithashtu garantuesi i paqes në Ballkan.

Ky ligj i paralajmëruar, përbën një sinjal “lufte” të Beogradit me Kosovën, ku politika zyrtare serbe i mëshon fort tezës se serbët e Kosovës ndihen të kërcënuar në territorin e kësaj të fundit.

Ndodh kjo ndërsa bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht SHBA me dy të dërguar të posaçëm, po tentojnë të betonojnë stabilitetin në Ballkan, i cili duhet të vuloset me marrëveshjen Serbi-Kosovë.

 

Nuk ndalen serbët: Më shumë e më shumë shtete do ta çnjohin Kosovën

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komisionit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Milovan Drecun, ka paralajmëruar numër të madh të tërheqjeve të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Ai ka thënë se vendimi i Nauru “për ta korrigjuar gabimin  e njohjes së shtetit të rremë të Kosovës nënkupton se do të ketë më tepër e më tepër shtete që do ta ndjekin këtë rrugë të respektimit të ligjeve ndërkombëtare”.

“Për fatin e keq shtetet fqinje që e kanë njohur Kosovën pa asnjë kuptim, duhet ta ndjekin këtë rrugë, ta tërheqin njohjen”, ka thënë Drecun në RTS.

Sipas Drecun këmbëngulja se Kosova është shtet i pavarur vështirëson zgjidhjen e problemit me Serbinë.

 

Rusia deklarohet për aferën e spiunazhit

Periskopi.com Lajme

Kremlini zyrtar është deklaruar rreth aferës së spiunazhit.

Zyrtarët në Kremlin u shprehën të bindur të enjten se marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë nuk mund të dëmtohen nga asgjë, pavarësisht që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar hetimin e raportimeve për një aferë të dyshuar spiunazhi, pas postimit në rrjetet sociale të një video regjistrimi, ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur të enjten nga gazetarët për këtë çështje tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror. Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”.

Në Beograd, presidenti serb priti ambasadorin, Alexander Bocan Harchenko, por nuk u dhanë hollësi pas takimit, ndonëse zyra e presidentit tha se takimi ishte pjesë e përgatitjeve për vizitën e tij në Moskë, në fillim të muajit të ardhshëm.

Autoritetet serbë thanë se më shumë informacione mund të jepen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që do të mbahet në orët e mbrëmjes.

Të mërkurën një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, tha se video regjistrimi i postuar me 17 nëntor në kanalin YouTube është autentik. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxori një zarf me para. Zyrtari i BIA-s serbe, Rela Zhelski, pohoi se në video shihet agjenti rus i zbulimit, Georgij Kleban, por nuk dha asnjë hollësi për agjentin e dyshuar serb.

Rusi Kleban ishte ndihmës i atasheut ushtarak në ambasadën ruse në Beograd deri në qershor të këtij viti.

Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë, shkruan VOA.

Serbët e shohin Rusinë si mbrojtëse të tyre edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Skandali me spiunin rus në Serbi: Rusia thotë se nuk prishen ‘raportet vëllazërore’ mes dy vendeve

Periskopi.com Lajme

Serbia ka thënë se është duke hetuar raportimet për një incident me një spiun ku përfshihet Rusia, pasi në një video të postuar në rrjetet sociale shihet një diplomat rus duke i dhënë ryshfet një personi, që është thënë se është anëtar i lartë i Shërbimit sekret të Sigurisë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërbiq ka thënë më 20 nëntor se agjencia ushtarake e inteligjencës është udhëzuar që të hetojë pretendimet se një person që është incizuar duke dhënë ryshfet është agjent i inteligjencës ushtarake ruse.

Videoja e postuar në YouTube më 17 nëntor nga një llogari me emrin, ‘Kdjuey Lskduf’ është titulluar “Zyrtari i inteligjencës ruse duke takuar një spiun serb”.

“Po pres informacione të reja. Unë jam në kontakt me presidentin (Aleksandar Vuçiq). Nëse është e vërtetë, është problem serioz”, ka thënë ajo.

Në pamje shihet diplomati rus duke i dhënë agjentit serb një qese plastike gjatë takimit në Beograd. Më vonë serbi shihet duke nxjerrë një zarf me para nga qesja e njëjtë.

Ndërkohë, nga Kremlini janë prononcuar për mediat serbe lidhur me këtë skandal.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ‘raportet vëllazërore nuk prishen nga kjo aferë’.

“Raportet vëllazërore që karakterizojnë Serbinë dhe Rusisë nuk do të preken nga kjo. Nuk e dimë ende se çka ka ndodhur me këtë incident dhe presim t’i qartësojmë gjërat”, ka thënë ai, përkthen Periskopi.

Ndërkohë, për këtë çështje, Aleksandër Vuçiq ka takuar ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko. Kabineti i Vuçiqit, u ka thënë mediave serbe se ‘gjatë ditës, pritet të bëhen të ditura detajet e takimit’. /Periskopi/

 

Serbia falënderon Rusinë për pengesën ndaj Kosovës në Interpol

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë në Moskë se Serbia po vazhdon siç tha ai “një luftë të vendosur për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial”.

Ai në një takim me Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse shprehu falënderime ndaj Rusisë për siç tha mbështetjen dhe ndihmën që i jep këtij vendi  “veçanërisht në parandalimin e pranimit të Kosovës në Interpol, transmeton Klan Kosova.

Stefanoviq po qëndron për një vizitë dyditore në Moskë.

Shefi i Doganës: Për shkak të taksës importi nga Serbia e Bosnja ra për 514 milionë euro

Periskopi.com Lajme

Vetëm gjashtë milionë euro është vlera e produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina që janë importuar në Kosovë për një vit, që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind për produktet e këtyre dy shteteve.

Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës, Bahri Berisha.

Ai ndërkaq ka treguar se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar importi nga këto dy shtete ka qenë 520 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Berisha, po mbushen një vit nga vendimi për taksën 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës u ka vënë të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Cilat janë efektet kryesore të kësaj takse, nga pikëpamja e juaj si drejtor i Doganës?

Bahri Berisha: Ne kemi pasur rreth 450 milionë euro vlerë të importit të produkteve nga Serbia dhe 85 milionë nga Bosnje e Hercegovina. Tashmë po bëhen një vit nga vendosja e masës mbrojtëse ndaj këtyre vendeve dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne kemi pasur rreth 99 për qind vlerë të importit më pak nga këto dy vende.

Nëse e përkthejmë në vlerë nominale, tregon se kemi rreth 440 milionë euro më pak import nga Serbia dhe 80 milionë euro import më pak nga Bosnja Hercegovina.

Do të thotë, krejt importi që kemi pasur gjatë kësaj periudhe është rreth 6 milionë euro nga këto dy vende. Ndërkaq, para vendosjes së taksës kemi pasur 520 milionë euro nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Nga aspekti i Doganës nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh sepse ky import është zëvendësuar nga shtet tjera. Ka qenë fillimisht e vështirë, në fund të vitit të kaluar, për arsye se ishte fundi i viti dhe për bizneset ndoshta ishte më e vështirë derisa t’i rinegociojnë kontratat e reja, t’i gjejnë kanalet e reja të furnizimit, zëvendësimit të produkteve. Por, pastaj nga muaji janar i këtij viti, këto produkte kanë ardhur nga vendet tjera, qoftë të rajonit apo vende të Bashkimit Evropian.

A ka ende import të mallrave nga Serbia që i nënshtrohen taksës 100 për qind?

Bahri Berisha: Kosova ka një import të vogël, për një vit kemi 6 milionë euro import nga këto dy vende. Janë produkte të cilat i sjellin në sasi të vogël sepse shumë biznese ndoshta nuk kanë mundësi për shkak të kostos së lartë të transportit të shkojnë në vendet e BE-së, të sjellin atë produkt. Shpenzimet e transportit janë shumë të larta nga vendet e BE-së dhe i sjellin nga Serbia dhe Bosnja. Por, janë në masë të vogël. Ka disa produkte ushqimore, disa pjesë të automjeteve, ndonjë produkt i cili është shumë i qasshëm në treg, por i paguan masat mbrojtëse 100 për qind.

Megjithatë, në komunat e banuara me shumicë serbe, në veri dhe zonat tjera, mund të hasen pa problem produkte nga Serbia. A keni ju të dhëna doganore rreth atij malli që futet në Kosovë?

Bahri Berisha: Është e vështirë të thuhet se sa është shifra e kontrabandës, vetë fakti që të hyrat janë në trend pozitiv, marrë parasysh shumë politika fiskale që janë në zbatim dhe lirojnë shumë produkte nga taksa edhe vazhdimisht janë përtej rritjes ekonomike, tregon se nuk është një kontrabandë që dëmton ekonominë sepse të hyrat doganore, por edhe rritja ekonomike varet kryesisht nga importi. Jemi një vend që importojmë nga rreth 90 për qind. Ato produkte siç e ceka më herët, ka raste kur tentojnë që produkte në sasi të vogla të futen në dyqane të vogla, por asnjëherë të prishet rrjeti i furnizimit dhe tregtia e ligjshme në Kosovë. Mund të ketë produkte në pjesën veriore në Kosovë, ne jemi prezentë edhe më institucione tjera, kemi veprime në atë pjesë, kemi arrestuar kontrabandistë të cilët kanë tentuar të kontrabandojnë, kemi konfiskuar edhe automjetet edhe mallrat e tyre. Por, këto janë në baza të përditshme, këto tentime janë në sasi shumë të vogla të cilët tentojnë të hyjnë nga pjesa malore.

Kur kemi parasysh që Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA), a janë rritur të hyrat doganore pasi importi i mallrave në Kosovë vjen nga vendet e Bashkimit Evropian?

Bahri Berisha: Është e vërtetë se kemi Marrëveshjen për Tregti të Lirë dhe jemi pjesë e CEFTA-s, por në të njëjtën kohë, Kosova ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) e cila parasheh shumë produkte me taksa të ndryshme doganore, duke përfshirë produkte që kanë vetëm Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Gjithashtu nga muaji shtator i këtij viti është në fuqi Marrëveshja e Tregtisë se Lirë me Turqinë. Çka do të thotë se shumica e produkteve edhe nga CEFTA edhe nga shtetet e Bashkimit Evropian tashmë edhe me Turqinë nuk i nënshtrohen taksës doganore, i nënshtrohen vetëm taksës për TVSH dhe akcizës për produkte që i nënshtrohen taksës së akcizës.

A është vërejtur rritja e kontrabandës së mallrave gjatë këtij viti të zbatimit të taksës?

Bahri Berisha: Çdo herë kur ka ndryshim të politikave fiskale apo kur ka norma të reja, grupet kriminale shprehin interes të kontrabandojnë ato produkte sepse potencialisht sjellin fitim më të lartë për ta. Mirëpo, menjëherë, edhe pse është detyrë e jona në baza të përditshme edhe para vendosjes se masave, Dogana ka bërë organizime shtesë, qoftë me njësitë tona operative, por edhe me agjencitë tjera të zbatimit të ligjit. Kemi bërë plane të përbashkëta operative, kemi krijuar edhe Taskë Forcë për luftimin e grupeve kriminale që tentojnë të kontrabandojnë produkte me origjinë nga këto dy vende pas vendosjes së masave mbrojtëse. Gjithmonë duke kontrolluar të ashtuquajturat ‘pika më të nxehta’ nga aspekti i kontrabandës, siç janë ato të vijës së gjelbër kufitare, e sidomos në pjesën veriore të Mitrovicës.

Falë këtij koordinimi të mirë në mes agjencive të zbatimit të ligjit, kemi arritur të parandalojmë produkte që të hyjnë në tregun e Kosovës. Kemi pasur tentime me dhjetëra ose qindra raste, por të gjitha këto kanë qenë në sasi të vogla, në bagazhet e automjeteve ose me transporterë kombi të cilët kanë tentuar të sjellin përmes rrugëve malore në drejtim të tregut të Kosovës. Por, nuk është hasur në produkte, duke i marrë të dhënat edhe nga Ministria e Tregtisë, Inspektorati i brendshëm edhe Dogana që është në brendi, kontrollojmë nuk janë hasë produkte të cilat janë në marketet (shitoret) e Kosovës që e dëmtojnë edhe ekonominë e ligjshme dhe që kanë hyrë në mënyrë joligjore.

Kur flasim te kontrabanda e produkteve, përpos çështjes së masës mbrojtëse kemi të bëjmë edhe me shëndetin. Nëse produktet futen në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore edhe kontrolli fito- sanitar, veterinar nuk është bërë ndaj atyre produkteve, çka përbën rrezik edhe për shëndetin publik të qytetarëve.

Kohëve të fundit është ngritur si çështje iniciativa për krijimin e një “Mini-Shengeni” ballkanik. A është Kosova e gatshme t’i përshtatet kësaj iniciative?

Bahri Berisha: Kjo i takon më shumë nivelit të lartë politik, qeverisë dhe kuvendit pasi është projekt madhor dhe i cili kërkon një dakordim të plotë edhe në aspektin ligjor edhe politik të Qeverisë së Kosovës. Deri më sot për “Mini-Shengenin” asnjëherë nuk është pyetur Dogana dhe nuk është marrë ndonjë mendim lidhur më diskutimet e fundit lidhur më këtë ide. Ne para dy vjetësh kemi pasur kërkesë nga Qeveria e Kosovës kur ka qenë ideja për Unionit Doganor, për atë kemi dhënë këndvështrimin doganor se cilat janë dobitë ose cilat janë anët pozitive dhe negative në raport me idenë e Unionit Doganor të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa për çështjen e “ Mini-Shengenit” nuk kemi pasur ndonjë kërkesë për ndonjë qëndrim tonin dhe besoj se kjo është çështje më shumë politike. Nuk jemi të njohur as me detajet e “Mini-Shengenit” sepse më shumë është folur për aspektin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Por, nuk kemi hasur në deklarata publike që flitet për lëvizjen e lirë të mallrave ose çështjen e taksave apo unionit doganor.

Dogana vlerësohet burim i rëndësishëm për buxhetin e Kosovës. Cilat janë të hyrat deri më tani?

Bahri Berisha: Deri më sot kur po flasim ne kemi arritur të kalojmë mbi një miliard të hyra që kemi mbledhur gjatë këtij viti. Është një projeksion jashtëzakonisht ambicioz, janë të hyra që Dogana ka arritur t’i tejkalojë. Në bazë të gjendjes faktike jemi rreth 35 milionë euro më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ose rreth 4 për qind më shumë. Kjo është një performancë shumë e mirë në aspektin e të hyrave duke marrë parasysh që në të njëjtën kohë kemi në zbatim shumë politika fiskale, të cilat i lirojnë nga të gjitha taksat.

Nëse marrim vetëm lirimet nga prodhuesit, ku çdo prodhues kosovar për çdo lëndë të parë, çdo imput që përdorët për procesin e prodhimit, i ka taksat zero në import. Vetëm vlera e taksave ka shkuar rreth 70 milionë euro për këtë periudhë të këtij viti. Ndërsa në vlerën totale të mallit, janë rreth 300 milionë euro vlerë e mallit që është liruar për prodhuesit kosovarë. Kur kësaj ia shtojmë edhe MSA-në, e cila është 60 milionë euro, tregon se kemi 130 milionë euro efekt në taksa te Dogana për shkak të politikave fiskale.

Efekti shumë i madh është për prodhuesit kosovarë për ekonominë, produktet kosovare që vërehet një rritje e lehtë e eksportit kosovarë të disa produkteve pas këtyre politikave fiskale në tregun evropian. Tash së fundmi kemi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë e cila parasheh që norma doganore të reduktohet për vitet në vijim. Edhe aty është një efekt, por ende efekti nuk është i lartë, pasi marrëveshja është duke u zbatuar nga muaji shtator. Por, sigurisht që deri në fund të vitit do të këtë deri në 3 milionë euro efekt në taksën doganore. Marrë parasysh të gjitha këto, Dogana prapë vazhdon të performojë me përqindje rreth 4 për qind më shumë se viti i kaluar dhe ky është një trend shumë pozitiv i të hyrave.

75 përqind e ndërmarrjeve mendojnë se Serbia ka ndikuar negativisht në zhvillimin e bizneseve kosovare

Periskopi.com Lajme

Bizneset kosovare e mirëpresin arritja e marrëveshjes paqësore me Serbinë duke besuar që kjo do ndikojnë në rritjen e investimeve direkte të huaja në Kosovë, rritjen e eksportit, si dhe shtimin e fokusit të politikës kosovare te bizneset.

Kështu thotë hulumtimi i Odës Ekonomike të Kosovës me temën “Prezantimi i hulumtimeve rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se 41 përqind e ndërmarrësve të Kosovës, konsiderojnë se arritje e një marrëveshje me Serbinë do rriste eksportin e Kosovës.

Sipas tij, mbi 63 përqind vlerësojnë se arritje e kësaj marrëveshje do ndikonte edhe në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

“Në përgjithësi për 41 përqind e ndërmarrjeve të Kosovës konsiderojnë se në rastin e arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë diku 41, 6 përqind do rriten eksportetë, ndërsa, 33.33 përqind përgjigjen me ndoshta. Gjithashtu, 66.67 përqind e bizneseve konsiderojnë se ulen kostot e transportit që janë të njohura apo pengesat që i ka bërë Serbia për transitin…3;64 përqind mendojnë se do rriten investimet e huaja në këtë rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, 90.91 përqind vlerësojnë se do kemi një fokus më të madh të qeverisë në zhvillim ekonomik”, theksoi Rukiqi.

Në bazë të këtij hulumtimi ku të targetuara kanë qenë ndërmarrjet vendore del se 75 përqind e bizneseve mendojnë se Serbia ka pasur ndikim negativ në zhvillimin  bizneseve kosovare.

Dhe si barriera kryesore, ata i kanë renditur humbjen e tregjeve, konkurrenca e padrejtë, dëmtimi i imazhit të Kosovës.

“Sa ka ndikuar Serbia negativisht në zhvillimin e bizneseve kosovare 75 përqind e bizneseve konsiderojnë se ka pasur ndikim negativ është një shumicë dërrmuese që besojnë që në komplet këtë periudhën kur Kosova ka pasur mundësi për një zhvillim shumë më të shpejt ekonomik Serbia ka pasur ndikim negativ dhe arsyet kryesore që i theksojnë bizneset janë kufizimi i eksportit si rezultat i barrierave, humbja e tregjeve, konkurrenca e padrejtë, dëmtimi i imazhit të prodhuesit kosovar nga vetë dëmtimi i imazhit të vendit. Mbi 66.77 përqind konsiderojnë se ka ndikuar në kufizim të eksportit, mbi 66 përqind konsiderojnë se ka ndikuar në konkurrencë të padrejtë, 33 përqind konsiderojnë që ka ndikuar në humbje të tregjeve, 44 përqind konsiderojnë se ka ndikuar në dëmtim të imazhit”, u shpreh ai.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi  tha se në bazë të këtij hulumtimi del se mbi 33 përqind e bizneseve konsiderojnë se mungesa e marrëveshjes me Serbinë ka ndikuar në nivelin e ulët të eksportit të mallrave kosovare.

Lidhur me gjendjen e të bërit  biznes në Kosovë gjatë muajit korrik, gusht, shtator, sipas bizneseve gjendja është e kënaqshme dhe ka rritje të indikatorit të besueshmërisë, derisa shkalla e papunësisë mbetet stabile.

Si barriera me të cilat bizneset janë ballafaquar gjatë këtyre tre muajve, janë konsumatorët nuk paguajnë me kohë, konkurrenca jolojale, mungesa e mjeteve financiare etj.

 

Nëse nuk përgjigjet Serbia, pensionistët e Kosovës do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut

Periskopi.com Lajme

Avokati Ismet Shufta, ka folur lidhur me aplikimin e pensionistëve të Kosovës për pensionet në Serbi.

Ai ka thënë se nëse Serbia nuk përgjigjet për pensionet, ai do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

Shufta ka thënë nisma për aplikim të pensionistëve për të marrë pensionet në Serbi nuk ishte mashtrim.

Sipas tij, edhe Prokuroria ka gjetur që në veprimet e tij nuk ka elemente të mashtrimit në kuptim që nuk ka paraqitje të fakteve të rrejshme.

“Unë nuk kam njohuri se a kanë pasur përpara iniciativa, por kjo iniciativë ka filluar prej meje. Unë pasi që kam shqyrtuar lëndën kam konstatuar se mund ta kryejë këtë punë, pensionistët mund të marrin pensionet të cilat iu janë ndaluar padrejtësisht”, ka thënë ai në KTV.

Ai thotë se këtë lëndë e ka marrë për shkak se ai ka gjetur vendimin e avokatit të popullit të Serbisë i cili pasi është marrë aktgjykimi ka kërkuar nga Serbia të ndërmarrë të gjitha masat të ekzekutohet aktgjykimi i Gjykatës se Strasburgut për të gjithë pensionerët.

“Sipas tij aty i tërhiqet vërejtja Serbisë sepse sipas tyre nëse nuk paguhet, kamata do të rritet”, ka thënë ai.

Sipas tij ekzekutimi i aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane, është konfirmim i efikasitetit evropian për të drejtat e njeriut.

Ai thotë se Këshilli Evropës konsideron se Kosova është në juridiksion të Serbisë, duke shtuar se për shkak të kësaj është sjellë vendimi për pensionistët.

Duke folur për bashkëpunimin e pensionistëve, ai ka thënë është bërë një shpallje e cila është vu në përdhesen e Grandit dhe njerëzit e kanë kuptuar se është thirrje publike.

Sipas tij, përmes asaj shpallje janë lajmëruar shumë njerëz, 23 pensionistët kanë aplikuar dhe kanë paguar 50 euro.

“Lidhja ime me pensionistët kanë qenë vetëm me Halim Kastratin. Policia atë ditë dhe ata të cilët e kanë lajmëru, ata kanë bërë dy vepra penale. Zyrtarët policorë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, kurse këta kanë shkelur të drejtat e barabarta të qytetarëve të Kosovës. Ata kanë mëndu që meqenëse janë dhënë 50 euro këtu është mashtrimi, por këto 50 euro janë dhënë për shpenzimet që ai do t’i ketë”, ka thënë ai.

Ai thotë se ka zyrtarë që kanë thënë se pensionistët e Kosovës nuk mund të aplikojnë në Gjykatën e Strasburhgut. Sipas tij asnjë pensionist nuk ka nevojë të aplikojë në Strasburg sepse ajo është e rregulluar sepse vetëm do të kërkohet ekzekutimi i tyre nga Serbia

“Deri në fund të muajit në zyrën e Hilmi Kastratit do të bëhet grumbullimi i dokumenteve të pensionistëve. Atë ditë kanë aplikuar 32 pensionistë por kanë paguar 23. Sa më shumë pensionist do të bëhen unë do të bëjë kërkesë për ekzekutimin e pensioneve. Pastaj do të shoh a do të përgjigjën, nëse jo do ta bëjë urgjencën e parë dhe të dytë. Pastaj do të vazhdojë në Gjykatën e Strasburgut”, ka thënë ai.