Engel: Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, rruga e saj drejt BE-së është e mbyllur

Periskopi.com Lajme

Ligjvënësi amerikan, Eliot L. Engel, i bëri thirrje të shtunën admiralit amerikan James Foggo, komandant i marinës amerikane për Evropën, që të jetë i kujdesshëm në komentet e ardhshme rreth Serbisë, duke i tërhequr vëmendjen atij në shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për orientimin e Beogradit dhe marrëdhëniet e tij më Moskën.

Zoti Engel që kryeson Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në një letër dërguar admiralit Foggo, i cili është komandant i forcave të NATO-s më seli në Napoli, shpreh shqetësimin e tij rreth komenteve që admirali kishte bërë në një intervistë më 16 dhjetor të vitit të kaluar në Beograd rreth bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Serbisë që “nuk e pasqyrojnë në mnëyrën e duhur politiken e Shteteve të Bashkuara dhe bien ndesh menjë raport të Depatmentit të Mbrojtjes që është dërguar në Kongres më herët gjatë këtij viti.

Zoti Engel citon admiralin Foggo të ketë thënë se ‘unë e shoh bashkëpunimin (NATO-Serbi) duke u përmirësuar në mendjen time’. ‘Tani për tani ato janë partnerë dhe vendi juaj është shumë i lumtur me këtë, dhe kjo është e shkëlqyeshme. Ne jemi në rregull edhe më këtë. Kështu që ju do të zgjidhni dhe merrni atë që dëshironi të bëni dhe sa larg dëshironi të çoni këto marrëdhënie, dhe ne do të jemi atje për ju’.

“Brenga ime ka të bëjë me shmangien e shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara lidhur me zgjerimin e lidhjeve në fushën e sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë që nga viti 2012. Në raportin dërguar Kongresit me 31 maj të vitit 2019, Departamenti i Mbrojtjes shpjegon me hollësi marrëdhëniet e zgjeruara ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, shkruan zoti Engel duke nënvizuar disa prej qëndrimeve në shprehura në raport.

“Serbia siguron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor … Para Partisë Përparimtare serbe të Presidentit Aleksandër Vuçiç që mori pushtetin në vitin 2012, marrëdhëniet dypalëshe ushtarake serbe me Rusinë ishin të pakta”

Pas zgjedhjeve të vitit 2012 në Serbi, Partia Përparimtare serbe ndërmori hapa për të shtuar marrëdhëniet e saj ushtarake me Rusinë, duke çuar në nënshkrimin e një marrëveshje zyrtare të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes në nëntor të vitit 2013 … Stërvitjet e para ndonjëherë ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë, më emrin e koduar, SREM-2014, u zhvillua më vonë atë vit në Serbi, duke përfshirë më shumë se 400 forca ajrore ruse dhe serbe…. Në vitin 2014, Forcat e Armatosura Serbe organizuan një parakalim ushtarak për presidentin rus Vladimir Putin, duke lëvizur ia përshtatur datën e festës të këtyre forcave vizitës së presidenti Putin.

Ritmi i stërvitjeve është rritur që nga viti 2014… Serbia mori një dhuratë prej gjashtë avionësh MiG-29 të përdorur rus në tetor të vitit 2017…. Serbia ka porositur katër helikopterë Mi-35 dhe planifikon të porosis Sistemet e raketave tokë-ajër Pancir S1. Serbia gjithashtu mori një dhuratë prej 30 tankesh T-72 dhe 30 automjeteve BRDM-2 nga Rusia në këtë kohë”, citon zoti Engel raportin e Departamentit të Mbrojtjes.

Në letër zoti Engel shkruan se “Diplomatët e Shteteve të Bashkuara ka kohë që janë shprehur të pakënaqur me gatishmërinë e Beogradit për të kapërcyer kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, me gjithë kërkesat në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe vazhdon të refuzojë një sërë përparësish të përbashkëta SHBA-BE”.

Për më tepër, “Serbia me dëshirë refuzon të ndjekë anëtarësimin në NATO” sipas raportit të lartpërmendur të Departamentit të Mbrojtjes. Ish Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën (Hoyt Yee) në mënyrë të përmbledhur artikuloi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara rreth Serbisë duke thënë, ‘Vendet duhet të zgjedhin se cilën rrugë të ndjekin, pavarësisht se sa e vështirë do të ishte, vendi duhet të bëjë zgjedhjet e tij strategjike, të cilat duhet të jenë pjesë e politikës zyrtare … Ju nuk mund të uleni në dy karrige në të njëjtën kohë. ”Zoti Engel thekson në letër mirëkuptimin për “shpresën” e admiralit që Serbia një ditë të bashkohet me NATO-n, “por ajo ditë nuk është afër. Dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian gjithashtu mbetet e mbyllur nëse nuk e njeh dhe nuk bën paqe me Kosovën. Prandaj, unë ju bëj thirrje që në komentet e ardhshme për Serbinë, ju më me kujdes të drejtpeshoni deklaratat tuaja në mënyrë që shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për orientimin e Beogradit dhe marrëdhëniet e tij alarmante me Moskën, të shprehen me saktësi”, shkruan zoti Engel.

Daçiq: Raportet Serbi-Mal i Zi janë shumë të këqija

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Podgoricës janë shumë të këqija për shkak të miratimit të ligjit malazez për lirinë e fesë duke shtuar se kushdo që e pranon këtë ligj në Serbi e “tradhton vendin e tij”.

“Ai që e toleron këtë ligj, e tradhton vendin e tij, por problemi është se këtu bëhet fjalë për qarqe interesi”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Vojvodinës.

Ai hodhi poshtë akuzat e një grupi intelektualësh nga ish-Jugosllavia, të cilët, përmes një apeli, thanë se Beogradi po kërcënonte paqen dhe stabilitetin “në Malin e Zi dhe rajon”. Në këtë apel i kërkohet komunitetit ndërkombëtar të dënojë fushatat politike, të kishës dhe mediave në Serbi.

“Asnjëherë nuk kemi thënë që duam që Mali i Zi të jetë i bashkuar me Serbinë, e as nuk kemi miratuar ndonjë akt që do të kishte ndonjë lidhje me marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. Malazezët vazhdimisht pretendojnë se Serbia kinse dëshiron të jetë përsëri në të njëjtin shtet me Malin e Zi. Jo se ne nuk duam, por është një histori e mbaruar”, tha Daçiq.

Ai deklaroi se Serbia ka shprehur pakënaqësinë e saj për miratimin e ligjit, për të cilin beson se ishte drejtuar kundër popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe u kërkoi autoriteteve malazeze që të zgjidhin problemin në paqe dhe dialog.

Mali i Zi miratoi Ligjin për Lirinë e Fesë, më 27 dhjetor 2019.

Ligji kundërshtohet fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe, zyrtarë dhe një pjesë e opozitës në Serbi.

Ajo që është e diskutueshme, është formulimi në ligj sipas të cilit “të gjitha objektet fetare që ishin pronë e shtetit të Malit të Zi, para humbjes së pavarësisë së tij më 1918, dhe që më vonë nuk u bë pronë legale e një komuniteti fetar, do të njihen si pronë e shtetit.

Vuçiq: Ka mbaruar koha kur Serbia vepronte si e papërgjegjshme

Periskopi.com Lajme

Aleksandër Vuçiq ka thënë raportet mes tij dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, janë ‘në interes të të dy popujve”.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë për një vizitë zyrtare atje por kam folur me Gjukanoviqin në Tiranë, më vjen keq që partia në pushtet atje është e zemëruar. Jam i lumtur me serbët në Malin e Zi. Koha kur Serbia ka vepruar si e papërgjegjshme ka mbaruar”, ka thënë ai.

Megjithatë, Vuçiq ‘vajton’ shkeljen e të drejtave të serbëve në vende të ndryshme.

“Jo vetëm në Malin e Zi, por gjithashtu edhe në Republikën Serbe shumë njerëz ndjejnë se po u shkelen të drejtat sepse gjithçka që për të tjerët është e lejuar, për ta është e ndaluar. E kam ndarë këtë shqetësim me komunitetin ndërkombëtar”, thotë Vuçiq./Periskopi/

 

Gjykata në Serbi ia cakton 30 ditë paraburgim Nezir Mehmetajt

Periskopi.com Lajme

Nezir Mehmetaj është kosovari i cili u ndalua të premten në Merdare nga policia serbe.

Që nga kjo ditë, Mehmetaj vazhdon të jetë në shtetin serb.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se tashmë Mehmetajt i është caktuar masë e paraburgimit prej 30 ditësh.

Që në momentin e ndalimit, Mehmetaj i është konfiskuar telefoni mobil.

Nëna e Mehmetajt bëri të ditur se i biri jeton në Zvicër, por që asnjëherë më parë nuk kishte kaluar nëpër këtë pikë kufitare.

Pas pesë orë pritjesh, Mehmetaj bashkë me nënën dhe një të afërm kishin kaluar kufirin, ku iu lëshuan disa dokumente për t’iu mundësuar kthimi.

Por pas vizitës që patën tek një doktor në Serbi, familjes i zgjati udhëtimi më tepër se që kishin menduar. Atë e pyetën për emrin e babit dhe 49 vjeçarin policia e morën me vete.

Që nga ajo ditë kosovari vazhdon të jetë në Serbi, pavarësisht se autoritetet kosovare kanë kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tij.

Neziri i cili kishte shkuar si 17 vjeçar për të jetuar në Zvicër, nuk kishte qenë as gjatë luftës në Kosovë. Prandaj familja nuk ka ndonjë ide se pse mund ta kenë ndalur.

E vetmja arsye që mund të ekzistojë sipas tyre është pasi që babai i Nezirit, Mustafa, kishte qenë i arrestuar nga serbët gjatë periudhës së luftës.

 

 

Presidentja e Kroacisë publikon hartën e Evropës me Kosovën brenda Serbisë

Periskopi.com Lajme

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović dhe njëkohësisht kandidatja për presidente, ka shkruar një postim në rrjetin social në Facebook ku në fotografinë e bashkangjitur Kosova është pjesë e Serbisë.

Në postimin e saj, ajo kishte shkruar ‘Kroacia ime nuk ka frikë, Kroacia ime tani po lufton për interesat e saj!’.

Presidentja nuk ka vonuar dhe e ka fshirë fotografinë, por një avokat i cili e ka bërë ‘screenshot’, ka reaguar në Tëitter duke thënë se presidentja e ka shpërndarë hartën e Evropës, ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë.

Tifozët e Crvena Zvezdës protestojnë para ambasadës së Malit të Zi në Beograd

Periskopi.com Sporti

Pas fitores së basketbollistëve të Crvena Zvezdës ndaj Bayernin në Shtark Arena, tifozët e klubit nga Beogradi i janë drejtuar qendër të kryeqytetit serb që ata e quajtën shëtitje në përkrahje të serbëve në Mal të Zi.

Pas ndeshjes “Delijat” kishin bërë thirrje që të mblidhen para sallës, nga ku u nisën në “shëtitjen” derisa të ambasada e Malit të Zi në lagjen Knez Mihajlov, transmeton Telegrafi.

Gjatë rrugëimit të tyre ata kanë kënduar dhe mbajtur flamuj serb, e siç raportojnë mediat në Serbi mbi 5 mijë persona kishin marrë pjesë.

Ata mbanin transparente me mbishkrimet “Mali i Zi dhe Serbia, është një familje”. Gjithashtu kishte parulla edhe për presidentit malazez Millo Gjukanoviq.

Në anën tjetër, tifozët serbë janë munduar ta djegin flamurin e Malit të Zi me fishekzjarre, siç edhe mund të shihet në fotografitë e publikuara më poshtë.

Sllobodan Teshiq, shitblerësi i armëve që blen çnjohjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Dhurimi i traktorëve për tri familje serbe në disa komuna kosovare ishte bërë lajm.

Por ky aksion i Zyrës së Serbisë për Kosovën që u quajt humanitar mban një anë të errët.

Traktorët, përmes zyrës së Marko Gjuriqit, një familjeje në Klinë e dy të tjerave në Leposaviq ua dërgoi Slobodan Teshiq, që në Serbi njihet si “Mbreti i tregtisë ilegale me armë”.

Ky person i afërt me strukturën që e mban pushtetin në Beograd, është në Listën e Zezë të Amerikës, pasi që ka tregtuar armë e municion në vende krize, duke i thyer rregullat ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.

Pos kësaj, Teshiq, po lidhet edhe me blerjen e të ashtuquajturave “Çnjohje të Kosovës” specialitet ky politik kryediplomatit serb, Ivica Daçiq.

 

Figura të njohura nënshkruajnë kundër Serbisë për kërcënim të paqes në Mal të Zi

Periskopi.com Lajme

Dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të mirënjohur, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan, i janë bashkuar një peticioni online, duke paralajmëruar për “kërcënim të paqes” së rajonit nga ana e Beogradit, pas reagimeve që janë parë pas miratimit të një ligji të ri për liritë fetare në Malin e Zi.

Në mesin e 120 nënshkruesve të “Apelit kundër Kërcënimeve të Beogradit ndaj paqes në Malin e Zi dhe rajon”, gjenden ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetë gazetarë.

“Ne kemi parë nevojën e rikujtimit të vetës për disa gjëra që kanë ndodhur në vitet 1990 dhe të theksojmë se ato janë duke ndodhur edhe tani sipas një skenari të ngjashëm”, ka thënë, Sonja Biserko, nënshkruese e apelit të 30 dhjetorit dhe themeluese e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar gjakderdhjes që ka rezultuar me shpërbërje të Jugosllavisë.

Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së kishës nga shteti, andaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi.

Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpër fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbë është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Pas publikimit të letrës së hapur, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar qetësi dhe ka thënë se Beogradi nuk duhet fajësuar pasi nuk ka të bëjë asgjë me ligjin e ri, transmeton rel.

Ai ka thënë se serbët vetëm kanë shprehur shqetësimet e tyre për pozicionin e serbëve dhe kishës serbe në Malin e Zi.

Ish-pjesë e Jugosllavisë, Mali i Zi është pavarësuar nga Serbia përmes një referendumi më 2006.

Përveç tjerash në letër është thënë se Republika e Malit të Zi është shënjestër e tentimeve për destabilizim përmes masave të dhunshme.

Aty janë akuzuar “nacionalistët ekstremë të Serbisë” për “përdorim të ligjit të ri si tjetër tentim për grushtshtet”.

Ende asnjë rezultat nga hetimet për fletëvotimet e helmuara nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Prokuroria e Shtetit ende nuk i ka pranuar rezultatet e mostrave të zarfeve me votat nga Serbia, shkaku i të cilëve mbi 20 zyrtarë të KQZ’së përfunduan për trajtim në QKUK.

Madje, në këtë institucion duket se as që kanë informata se kur do t’i kenë në dorë këto rezultate. Zyrtarë të Prokurorisë thonë se janë intervistuar disa persona për këtë rast, derisa vazhdojnë që ta mbajnë sekret shtetin se ku janë dërguar këto mostra për ekzaminim.

Ishte 13 tetori i këtij viti kur mbi 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve filluan të ankoheshin për gjendjen e tyre shëndetësore, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura.

Plot 26 zyrtarë që për detyrë kishin numërimin e zarfeve, pak minuta pas hapjes së këtyre zarfeve u përballën me reaksione alergjike, si vjellje, skuqje të fytyrës e kruarje.

Të gjithë këta persona fillimisht ishin trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë, derisa ata në gjendje më të rëndë ishin referuar për në QKUK, ku ishin trajtuar për disa ditë.

E për të mësuar arsyen që shkaktoi reaksionet alergjike tek verifikuesit, Prokuroria e Shtetit i ka dërguar mostrat e zarfeve me votat nga Serbia jashtë vendit për ekzaminim. Por, edhe pas gati dy muajsh, ata nuk i kanë në dorë rezultatet.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës deklarojnë se ende janë në pritje të këtyre rezultateve.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj i ka thënë Gazetës Express se janë duke u zhvilluar hetimet për këtë rast dhe se deri tani janë intervistuar disa persona.

Sipas Ulajt, rezultatet e këtyre analizave ende nuk kanë arritur në Kosovë.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se janë duke u zhvilluar hetimet. Deri tani janë intervistuar disa persona lidhur me këtë çështje, ndërsa, sa i përket rezultateve të analizave, jemi në pritje të tyre, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Gazeta Express ka tentuar sërish që të marrë një përgjigje rreth shtetit dhe laboratorit ku janë dërguar për ekzaminim këto mostra, por në Prokurori nuk kanë dhënë detaje.

Ndryshe, të dielën e 13 tetorit teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore. 12 prej tyre përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha, në një konferencë për media, kishte thënë se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv.

“Për momentin me këto rezultate të strishove që janë marrë, përjashtohet që bëhet fjalë për një sëmundje infektive, në të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Biokimisë. Kurse strishot e marra, që i kemi marrë sot rezultatet, edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”, kishte thënë ajo.

Lidhur me këtë rast, autoritetet serbe kishin deklaruar se kjo është përpjekje për manipulim.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se gjatë ditës së diel, anëtarët e kësaj partie janë larguar nga hapësirat e Qendrës për Numërim të Votave në Prishtinë, duke shtuar se aktualisht po ndodh vjedhja e votave serbe, për ta përmbysur vullnetin zgjedhor.

Ndërkohë reagime për rastin ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV kanë kërkuar që autoritetet shtetërore t’i hetojnë shkaqet e helmimit.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, theksohej në reagim.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhej në reagim.

Zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Pacolli: Serbia ua riktheu statusin dy brigadave përgjegjëse për vrasjen e 35 shqiptarëve në Gjakovë

Periskopi.com Lajme

Shefi i diplomacisë së Kosovës në largim, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas njoftimit të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin për kthimin e statusit të Brigadës 63 Parashutiste dhe 72 të Forcave Speciale serbe, duke thënë se të dyja këto brigada kanë kryer krime të tmerrshme në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Brigada 63 Parashutiste është përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 35 shqiptarëve në Gjakovë. Kjo është vazhdimësi e politikës mohuese të Serbisë që është përballur vetëm me heshtjen e komunitetit ndërkombëtar”, shkruan Pacolli në Twitter.

Ndryshe, pas 13 vjetësh, Ushtria e Serbisë u ka rikthyer statusin brigadës 63 Parashutiste dhe 72 për operacionet speciale.

Të dyja këto brigada kanë marrë pjesë në luftërat e viteve ‘90-ta dhe 2006, kur u formua Ushtria serbe, këtyre dy brigadave iu ulën gradat në nivel të batalioneve si pjesë e brigadës speciale.

BE entuziaste me bashkëpunimin e policive të Kosovës e Serbisë në Merdare

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Evropian e vlerësoi si punë efikase atë që po bëhet në kufi nga policia e Kosovës e Serbisë, tash kur janë shtuar lëvizjet në këtë pjesë.

Drejtoresha e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Angelina Eichhorst ka shkruar se në Merdare janë duke funksionuar tre vendkalime, e se kolonat po bëhen shkaku i festave.

E njëjta ka kërkuar që të vazhdojë puna e përbashkët për zgjidhjen e shkaktarëve të krijimit të kolonave.

“Kolegët tanë që punojnë për EULEX-in, Policinë e Kosovës dhe autoriteteve serbe kontrollojnë, monitorojnë dhe raportojnë. Në pikë kalimin kufitar në Merdare, në kohën e pikut, janë duke funksionuar tri vendkalime. Raportohet për bashkëpunim efikas dhe po, ka kolona për shkak të festave. Pa dyshim që ato janë të pakëndshme. PT: Ta intensifikojmë punën tonë të përbashkët për të dhënë ndihmë në verifikimin dhe formimin e fakteve dhe zgjidhjen e problemeve/shkaktarëve të krijimit të kolonave. Uroj që sezoni i festave të sjellë gëzim dhe lumturi për të gjithë njerëzit në Kosovë, Serbi dhe BE. Urime të veçanta!”, ka shkruar në Twitter, përfaqësuesja e BE-së.

“Mini-Shengeni” i pafavorshëm për Kosovën edhe në aspektin ekonomik

Periskopi.com Lajme

Iniciativën për krijimin e “Mini-Shengenit”, njohësit e çështjeve ekonomike po e shohin si të pafavorshme për Kosovën.

Mospjesëmarrja e Kosovës e hidhëroi.

Madje kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se këtij refuzimi për bashkëngjitje në iniciativën për krijimin e “Mini-Shengenit” ballkanik, nuk do t’ia shihje hajërin vendi fqinj.

Por, ndryshe mendojnë disa nga ekonomistët kosovarë, njofton Klan Kosova.

Naim Gashi po konsideron se, një ndër pikat e së cilës është edhe lëvizja e lirë e mallrave në vendet e Ballkanit Perëndimorë nuk është e favorshme për Kosovën.

Ai thotë se Kosova do të humbiste shumë me këtë marrëveshje.

Vuçiq për shkarkimin e Trump: Serbia shumë e vogël të merret me punë të Amerikës

Periskopi.com Lajme

Donald Trump është bërë presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara që është shpallur fajtor nga Dhoma e Përfaqësuesve. Gjykimi i tij në Senat do të vendosë pastaj nëse ai do të mbetet në zyrë ose jo.

Duke folur për këtë, Aleksandër Vuçiq tha se ‘Serbia është shumë e vogël të merret me punët e brendshme të Amerikës ose ndonjë vendi tjetër’.

Vuçiq u ka thënë gazetarëve se ‘Serbia si vend i vogël nuk ndërhyn në çështjet e brendshme por as ato të jashtme të vendeve tjera’, shkruan b92, përkthen Periskopi.

Megjithatë, Vuçiq ka thënë se kjo ‘mund të kthehet në favor të presidentit amerikan”.

“Mendoj se disa nuk e kanë kuptuar se kur bëheni cak i akuzave të ndryshme, ajo mund të kthehet në boomerang për ty, por në të mirën tënde”, ka thënë Vuçiq. /Periskopi/

Sot nis takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kosova s’merr pjesë

Periskopi.com Lajme

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor sot dhe nesër do të zbarkojnë në Tiranë në takimin e tretë rajonal mes këtyre vendeve.

Por, në këtë takim nuk do të jetë e pranishme Kosova.

 

 

Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e nikoqirit të këtij takimi, kryeministrit shqiptar Edi Ramës.

Ai në një postim në Facebook ka treguar disa nga arsyet pse Kosova nuk duhet të jetë e pranishme në këtë takim, njofton Klan Kosova.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.

Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.

Për shkak të rrethanave të njëjta, Kosova e kishte refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake.

Vuçiq: Dreqi s’po më lë rehat

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë pranoi këtë mëngjes se kishte ndjekur debatin e kandidatëve për president të Kroacisë.

Ai u tha gazetarëve se “dreqi nuk i dha paqe”, raportojnë mediat kroate.

“Dy nga gjashtë pyetjet themelore kishin të bënin me serbët ose çirilicën. Unë dëshiroja të shikoja profesionalisht. Mund t’ju tregoja se kë pashë në raundin e dytë dhe kush si fitues. Por nëse do ta bëja, unë do t’i lejoja të tjerët të afroheshin”, tha ai.

Ai thotë se ajo që dëgjoi gjatë debatit nuk ishte inkurajuese. Ai shtoi se në Serbi, nga 60 pyetjet, një mund të jetë në lidhje me situatën në rajon dhe asnjë për Kroacinë.

Krimet e luftës, Nojkiq: Kërkim-falja është e mundshme

Periskopi.com Lajme

Përplasjet verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me të kaluarën, me luftën dhe me pranimin ose jo të krimeve të luftës, shpërfaqin dallimet thelbësore ndërmjet dy vendeve, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen, e cila do të ndikojë shumë në raportet ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Javën e kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “krimi në Reçak ka qenë i fabrikuar”, gjë që ka nxitur reagime të ashpra të autoriteteve të Kosovës, të cilat e kanë cilësuar këtë deklaratë si mohim të krimeve të luftës.

Politologu Ramush Tahiri thotë se bazamenti i përplasjeve verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, është koncepti, të cilin Serbia e ka mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe i cili është i ndryshëm nga ai që kanë ish-republikat tjera, përfshirë edhe Kosovën, e cila në përbërjen e shtetit të kaluar të përbashkët, kishte statusin e krahinës autonome.

Sipas tij, Serbia mendon që luftërat në ish-Jugosllavi kanë qenë civile, separatiste dhe për shkatërrimin e Jugosllavisë. Popujt tjerë, siç thotë ai, mendojnë se ato kanë qenë luftëra të tyre për liri, përfshirë edhe Kosovën, e cila luftën me Serbinë, e sheh si mënyrë për t’i shpëtuar gjenocidit dhe okupimit nga Serbia.

“Nëse kjo çështje nuk zgjidhet, nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse është e drejtë që pa e pranuar Serbia që pikërisht politika serbomadhe dhe pikërisht politika e (ish-presidentit serb, Slobodan) Milosheviqit ishte fajtore për shkatërrimin e Jugosllavisë, nuk mund të ketë përparim. Në këtë luftë nuk mund të ketë dy fajtorë, por njëri do të jetë çlirimtar dhe tjetri okupues”, thotë Tahiri.

Njohësi serb i çështjeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, vlerëson që autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, përmes përplasjeve verbale lidhur me çështjen e krimeve të luftës, janë duke blerë kohë, për rregullimin e problemeve të brendshme.

“Kjo përplasje verbale është blerje e kohës për Prishtinën dhe Beogradin, marrë parasysh se ato nuk janë të gatshme që në këtë moment të bisedojnë. Në atë moment që bashkësia ndërkombëtare e sheh të arsyeshme që duhet ulur në tavolinë, do të harrohen të gjitha këto dhe do t’iu qasen atyre zgjidhjeve që janë të mundshme. Ka zgjidhje, për të cilat duhet biseduar, marrë parasysh që marrëveshjen (e Brukselit) në mënyrë të njëjtë nuk e respektojnë as Beogradi, e as Prishtina”, thekson Nojkiq.

Të dy njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, nuk mund të ketë alternativë tjetër pozitive.

Por, se a do të trajtohen në një marrëveshje të tillë çështja e krimeve të luftës dhe kërkim-falja eventuale për ato krime, sipas tyre, është pak e besueshme.

Politologu Tahiri thotë se kërkim-falja e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, më tepër është çështje emocionale, e cila nuk ka ndonjë peshë të rëndësishme si çështje juridike-penale.

Ndërkaq, sipas tij, çështje juridike është që kriminelët që kanë kryer krime lufte, të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet, si dhe politika, e cila i ka shkaktuar këto krime, të gjykohet dhe të marrë një dënim.

“Kërkim-falje nuk do të ketë dhe as që ka ndonjë tentim që të ketë. Derisa bëhet në politikat gjermane – e patëm edhe (kancelaren) Merkel në Aushvic – pra, ata e kanë futur në ligj, kundër fashizmit në ringjallje dhe kundër atyre që e mohojnë Holokaustin. Por, në Serbi, kjo e fundit konsideron që nga këto luftëra ka pësuar dhe nuk e ndjen veten fajtore”, vlerëson Tahiri.

Nojkiq thekson që shqyrtimi i krimeve të luftës, në një moment, do të vijë në rend dite. Por, sipas tij, tash për tash ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë.

Megjithatë, siç thotë ai, kur palët të pajtohen për një marrëveshje, atëherë ato do të ulen dhe të ballafaqohen me problemet e së kaluarës dhe që secila palë t’i pranojë mëkatet e veta. Por, brenda vetë marrëveshjes, ai nuk pret të përfshihet një kërkim-falje për krimet e luftës.

“Mendoj që kjo nuk do të jetë, përveç në rast se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se një gjë e tillë është e domosdoshme. Fundja, ne kemi marrëveshjet nga luftërat e kaluara të Ballkanit, ku palët janë marrë vesh, por nuk ka pasur kërkim-falje në kuptimin që ajo edhe formalisht të shkruhet në marrëveshje. Kërkim-falja është e mundshme kur të ngrohen marrëdhëniet dhe kur të dyja palët të jenë të gatshme për diçka të tillë. Nuk pres që dikush të insistojë që diçka e tillë të qëndrojë në marrëveshje”, thotë Nojkiq.

Që të dy njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se përplasjet verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, lidhur me krimet e luftës, do të vazhdojnë edhe më tutje.

Deklarata e presidentit serb, Vuçiq, e cila ka nxitur reagimet në Kosovë, ka ardhur pas dënimit me 2 vjet burgim, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të ish-ministrit të Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, për nxitje dhe përhapje publikisht të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë.

Ky i fundit kishte deklaruar më 24 mars të këtij viti se “masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”. /rel/

Krasniqi: Serbia nuk është e gatshme për dialog, duhet të ndëshkohet për politikën e gjenocidit

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, kërkon nga Bashkimi Evropian që ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë pasi kjo e fundit, sipas tij, nuk ka gatishmëri për të arritur marrëveshje dhe marrëdhënie të reja me Kosovën.

Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online tha se Serbia duhet të ndëshkohet për politikën që e ka ndjekur, politikën e gjenocidit.

“Problemi nuk është Kosova, problemi është Serbia me mbrojtjen në mënyrë fanatike të politikave që i ka prodhuar në të kaluarën Serbia ku kanë qenë zyrtarë të lartë edhe shumica e zyrtarëve të tanishëm dhe ato kanë qenë politika të gjenocidit të cilat kanë mbetur pa ndëshkuar jo vetëm nga pala e dy vendeve, por kanë mbetur pa ndëshkuar edhe në rrafshin evropian. Ndëshkimi i Serbisë është dashur të bëhet para sa viteve për gjenocidin që ka shkaktuar në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Duhet një qasje tjetër e Bashkimit Evropian mbase edhe e vendeve perëndimore për ta detyruar Serbinë që të ndryshon qasje ndaj politikave që i zhvillon në raport me Kosovës dhe shqiptarët”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.

“Qasja e Kosovës duhet të jetë e qartë, unë mendoj që jo vetëm e Kosovës, problemi se çfarë politike ishte politika e Beogradit ndaj shqiptarëve, ndaj Bosnjës dhe ndaj Kroacisë, mendoj që është politikë e gjenocidit dhe si e tillë duhet të vlerësohet dhe Serbia duhet të ndëshkohet për këtë politikë që e ka ndjekur. Mendoj që faza e parë dhe më kryesorja nuk është vetëm e shqiptarëve, mendoj që është edhe komuniteti ndërkombëtar i cili ka intervenuar për shkak të gjenocidit që ka ushtruar Serbia në Kosovë”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Krasniqi tha se duhet të krijohen kushte për një dialog të mirëfillte. Ai nuk e sheh problemin të rifillimi apo jo i dialogut, por thotë se duhet një dialog që jep rezultate dhe që përmbyllë konfliktin e Kosovës me Serbinë.

“Nuk është problemi do të fillon apo s’do të fillon dialogu me Serbinë. Unë mendoj që duhet të krijohen kushte për një dialog të mirëfilltë, për një dialog që jep rezultate, për një dialog që përmbyllë konfliktin e Kosovës me Serbinë, një dialog që krijon një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet këtyre vendeve dhe dy popujve dhe hap perspektivën e zhvillimit edhe për njërën palë edhe për palën tjetër”.

“Unë duke e përcjellë frymën e debatit, deklarimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit të Serbisë dhe Presidentit të saj, mund të them që nuk duhet të ngutemi as ne, as ndërkombëtarët te çështja e dialogut apo bisedimeve për faktin që nuk e shoh klimën politike që është qe sa vite në Beograd të gatshëm për të zhvilluar dialog dhe për të përmbyllur një histori të dhimbshme dhe për të krijuar një marrëveshje të re dhe marrëdhënie të reja mes Kosovës dhe Serbisë”.

E duke folur për ftesat e Gjykatës Speciale, thotë se kjo Gjykatë është “Sui Generis” për shkakun se në praktikën ndërkombëtare, siç tha ai, nuk ka ndodh që të ketë një Gjykatë për ndjekje një etnike.

“Nëse diçka në botë ka “Sui Generis” kjo gjykatë është “Sui Generis”, po e them këtë duke pasë parasysh praktikën ndërkombëtare të krijimit të Gjykatave të ngjashme, një Gjykatë e tillë është bërë në Romë, por një Gjykatë e tillë për ndjekje një etnike nuk e di që ka ekzistuar ndonjëherë në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ndërkaq, kur pyetet se nëse kësaj Gjykatë do të duhej t’i ndërpritet mandati, Krasniqi thotë se ajo është dashur të kundërshtohet me kohë derisa krijimin e kësaj Gjykate e lidh me një varg të një kënge popullore.

“E kemi një varg të një kënge popullore që e thotë “Kujtoju punës pa u bë se kur të bëhet mos bë zë”, Gjykata është dashur të kundërshtohet me kohë, unë kam qenë njëri nga ata që e kam kundërshtuar në të gjitha takimet që i kam pasur me ndërkombëtarët kur është biseduar për këtë çështje, megjithatë Kuvendi i Kosovës e ka formuar një Gjykatë të tillë dhe tash duhet t’i presim rezultatet e saj edhe pse vonesat që po bëhen nga kjo Gjykatë për mua është dëshmia më e mirë se ata nuk kanë dëshmi për të ngritur aktakuza dhe gjitha këto ftesa i bëjnë në shërbim të asaj që të përpiqen që dikujt t’ia ngrisin një aktakuzë”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtarë e ka pasë një Tribunal, Tribunalin e Hagës për t’i ndjekur krimet që janë kryer në hapësirat e Ish-Jugosllavisë dhe përderisa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se dikush ka kryer krime të luftës atëherë është dashur ta ruaj Tribunalin e Hagës dhe atje të përgjigjen kriminelët e luftës.

Albin Kurti: Dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioriteti ynë, s’kemi pse ngutemi

Periskopi.com Lajme

Në një intervistë ekskluzive me DW, Albin Kurti, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, flet për programin e qeverisë që Vetëvendosja është duke krijuar me LDK, dialogun me Serbinë dhe integrimin e ardhshëm me Shqipërinë.

Deutsche Welle: Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Vetëvendosja doli fituese në zgjedhjet në Kosovë, e megjithatë nuk e ka marrë ende pushtetin, sepse pret marrëveshjen e koalicionit. Cilat janë pengesat kryesore? Pse nuk përfundon krijimi i koalicionit?

Albin Kurti: Bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës i kemi filluar prej kohësh. Që me mbarimin e zgjedhjeve të 6 tetorit kemi kontaktuar me LDK, dhe kemi filluar që të harmonizojmë programet me ekipet tona. Në këtë mënyrë kemi treguar një kulturë të re të formimit të qeverisë, ku së pari diskutohet për programin. Këtë e kemi përmbyllur në masën 100 përqind. Megjithatë, bisedimet për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv i kemi filluar vonë, pas certifikimit të rezultateve, i cili u vonua me numërime dhe rinumërime të ndryshme. Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër zgjedhjeje më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër.

Deutsche Welle: Që të jemi pak më konkret, bëhet fjalë për postin e Presidentit, apo jo?

Albin Kurti: Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që t’i kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post. Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin. Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë. Është e vërtetë që ka vështirësi, por besoj se me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë do ta tejkalojmë edhe këtë në ditët në vijim.

Deutsche Welle: Le të mos flasim vetëm për politikanët, por të flasim edhe për programin. Megjithëse nuk është krijuar ende qeveria, ju shpesh udhëtoni në Gjermani dhe me sa duket kanë filluar bisedime politike në Gjermani dhe në vende të tjera. Cilat janë kërkesat kryesore të Gjermanisë për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Me Gjermaninë kemi edhe një lidhje shtesë për faktin se atje kemi një diasporë gjysmëmilionëshe, e cila përbën pjesën më të madhe të reminitancave tek ne. Gjermania është motori ekonomik i Bashkimit Europian. Përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka raportet me CDU (kristiandemokratët), ndërsa ne i kemi me SPD (socialdemokratët), e dihet se këto të dy parti në Gjermani janë në koalicion. Prandaj sa herë unë shkoj atje takoj edhe diplomatët e zyrtarët shtetërorë, takoj edhe deputetët e SPD, ku së fundi mora pjesë edhe në Kongresin e tyre. Por, takoj edhe deputetë të CDU dhe CSU (kristiansocialë). Sepse në mandatin tonë, në legjislaturën e shtatë si qeveri e re, duam  t’i zgjerojmë edhe t’i thellojmë marrëdhëniet me Gjermaninë. Aty diskutojmë dy çështje kryesore. Çështja e parë janë reformat e brendshme në Kosovë, si të nxirret shteti i Kosovës nga kriza, si të zbutet papunësia dhe varfëria, si të luftohet krimi dhe korrupsioni…

Deutsche Welle: Cilat janë konceptet tuaja në këto çështje?

Albin Kurti: Ata janë shumë optimistë për programet dhe zotimet tona. Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri. Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë. Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje. Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.

Deutsche Welle: Nuk besoj se në këtë fushë ka ndonjë mosmarrëveshje midis jush, LDK dhe palës gjermane. Por nuk e di për fushën e dytë, për të cilën nuk keni folur ende. Besoj se fusha e dytë është politika e jashtme e Kosovës. Ku është pika më e vështirë këtu, sepse dihet që pozicioni i Gjermanisë është për vazhdimin e dialogut, sa më shpejt, dhe me heqjen e taksave. Çfarë kërkohet prej jush nga pala gjermane në këtë rast?

Albin Kurti: Është e vërtetë  që fusha e dytë e bisedimit është raporti ynë me Serbinë dhe raportet midis shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi dakord me LDK dhe me partnerët tanë gjermanë dhe europianë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, sa më parë aq më mirë. Por e dimë që nuk do të ndodhë së shpejti. Ne nuk shkojmë si shtet në Bashkimin Europian, por e ndërtojmë Europën brenda nesh, prej nesh. Kemi edhe traditë, kulturë e histori, por kemi edhe kapacitete njerëzore të tjera për këtë gjë. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne jemi dakorduar që kemi nevojë të takohemi me pasardhësin e zonjës Mogherini, me Josep Borrell, përfaqësuesin e lartë europian përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë, për të diskutuar përgatitjen e dialogut të ardhshëm me parime të qarta dhe të sakta. Ne nuk mund të dështojmë sërish. Ai ka paralajmëruar tanimë, se vizitën e parë do e ketë në Kosovë dhe unë pres që ta takoj atë kur të jem kryeministër. Në anën tjetër kemi 33 marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011- 2017, dhe është e rëndësishme që ato t’ i shqyrtojmë, jo për t’u obsesionuar me to e për të humbur kohë, por për të ditur shkallën e zbatimit dhe të ndikimit, në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ecur përpara. Dhe me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, siç është aprovuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor të vitit 2011.

Deutsche Welle: Domethënë vendoset recipriciteti dhe pastaj hiqen tarifat?

Albin Kurti: Së pari është reciprociteti, por le të mos harrojmë që edhe faktorët ndërkombëtarë, ambasadortë e Quintit në Kosovë i kanë vënë gjithashtu kushte Serbisë, që të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Pra edhe faktorët ndërkombëtarë nuk e shohin heqjen e tarifës pa një shprehje të vullnetit të mirë dhe pa një ndryshim në sjelljen e Serbisë. Ndërkohë që kemi ca hapa negativë në Beograd, sepse atje kreu i shtetit është deklaruar, se nuk do ta lejojë Kosovën që të hyjë në UNESCO. Nga ana tjetër ka dallime të qarta jo vetëm sa i përket vlerave por edhe sa i përket fakteve. Është mospajtim i thellë, përderisa ne e kemi të qartë qëndrimin karshi Rusisë, Serbia thotë edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Europian. Ne nuk kemi kësi dilemash. Nuk dëshirojmë që siç themi ne shqiptarët, të hamë me dy lugë.

Deutsche Welle: Por një faktor nuk e keni përmendur ende. Amerikën. Ambasadori Grenell në Berlin është një nga personat me të cilin jeni takuar. Cili është mesazhi, apo kërkesa e SHBA për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Unë jam në kontakte të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili është një ambasador aktiv, i cili është angazhuar shumë për emancipimin shoqëror e institucional kundër korrupsionit në Kosovë. Po ashtu kam takime të shpeshta me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin jam takuar për herë të parë 22 vjet më parë në SHBA dhe së fundi kam takuar edhe ambasadorin amerikan në Berlin, zotin Grenell i cili është caktuar si përfaqësues special i Presidentit Trump. Pra kemi bashkëbisedim në disa nivele. Nganjëherë mund të duket se ka dallime, por nganjëherë vëren njeriu edhe kompletaritet, për plotësim. Unë shpreh të qartë qëndrimin tonë.

Gjithashtu e kam kuptuar qëndrimin e zotit Grenell, i cili thotë që ky vend ka nevojë për investime ekonomike dhe investimet ekonomike kanë nevojë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e mohoj një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër besoj se nuk duhet të ngutemi e të dështojmë sërish. Sepse kemi pasur shumë dështime në dialogun e deritanishëm. Dhe në bazë të studimeve që janë bërë në Kosovë theksohen tre faktorë shtesë pse nuk ka investime ekonomike: varfëria e popullsisë, pra kërkesa e ulët agregate apo fuqia e dobët blerëse e popullsisë, e dyta është qasja e vështirë në financa për shkak të kamatave të larta të kredive bankare për bizneset tona, dhe e treta është korrupsioni në institucione. Sipas disa raporteve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore Kosova është një vend ku ka elementë të kapjes së shtetit, që do të thotë se jo vetëm që kemi korrupsion në institucione por kemi edhe institucione në korrupsion. Neve na duhet që t’i rregullojmë këto për të patur investime, sepse nuk ka garanci se një marrëveshje me Serbinë, e ngutshme, shpërblehet sepse sjell investime.

Deutsche Welle: A pajtoheni me mendimin se duhet të arrihet një kompromis sa më shpejt, dhe duhet konsensus, dhe siç është biseduar shpesh veçanërisht nga përfaqësuesit amerikanë, duhet të ketë ndoshta edhe një kompromis me marrëveshje të reja, apo ndryshime të kufijve, si një kompromis që i bëhet Serbisë për të hyrë në dialog dhe për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur?

Albin Kurti: Në fillim të viteve 90-të në një intervistë për mediat gjermane dhe në një intervistë për mediat franceze ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka deklaruar se “Pavarësia është kompromis”.  Pas përfundimit të luftës kemi pasur kompromis me kompromis Planin e Ahtisarit, i cili ka shumë defekte që na pengojnë edhe sot në shtet-ndërtimin demokratik. Tani Serbia kërkon kompromis të ri. Kjo është ajo taktika, që merr çfarë mund të merret, ngel i pakënaqur që të marrësh edhe më shumë së shpejti…

Deutsche Welle: Atëherë me ju nuk ka kompromis për kufijtë…

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës. Kosova i ka kufijtë e vet. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës Jugosllave. Në këto kufi na kanë njohur rreth 110 shtete, përfshirë edhe SHBA dhe Gjermania dhe ne nuk kemi tokë për t’i dhënë Serbisë. Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ne nuk kemi dilema. SHBA janë aleati ynë i pazëvendësueshëm. Menjëherë aty, është Gjermania. Ne nuk do ta zëvendësojmë asnjëherë Gjermaninë me Rusinë, e siç mund të ketë menduar edhe dikush tjetër që është angazhuar në tezën e gabueshme, të dëmshme, dhe fort të rrezikshme të shkëmbimit territorial.

Deutsche Welle: Por, nga ana tjetër kur flasim për ndryshimin e kufijve, në mediat gjermane dhe perëndimore ju shpesh jeni personi që i vini në pikëpyetje kufijtë duke folur për bashkimin e trojeve shqiptare si ultranacionalist. Kjo shpesh po përmendet në mediat e Gjermanisë dhe të Europës. A qëndron akoma kjo si formulë e Vetëvendosjes? A duhet menduar për bashkimin e trojeve shqiptare, apo mbeteni tek “Kosova i ka kufijtë e përcaktuar dhe ato nuk ndryshojnë”?

Albin Kurti: Ne nuk e shohim kufirin karshi Serbisë njësoj si kufirin karshi Shqipërisë. Sepse ne nuk kemi si t’i barazojmë Shqipërinë dhe Serbinë. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi shqiptar, është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë. Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi. Sepse ne duhet të arrijmë së pari që shteti i Kosovës të ketë sukses. Afrimin, integrimin e bashkimin një ditë dikur në të ardhmen me Shqipërinë unë nuk e shoh nëpërmjet dështimit të shtetit të Kosovës, por nëpërmjet suksesit. Ne duhet të bëjmë së pari që ky shtet të ketë sukses. Dhe populli shqiptar i ka ende traumat e Konferencës së Londrës së viti 1913, kur ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, sir Edward Grey pati thënë: “Ia bëmë një padrejtësi të madhe shqiptarëve për të ruajtur paqen në Europë”.  Por pa kaluar viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Afrimi, integrimi, bashkimi me Shqipërinë ne nuk e shohim kurrsesi me mjete jopaqësore dhe me mjete jodemokratike, dhe me mjete jokushtetuese. Por po e them që kjo nuk mund të bëhet së shpejti, me të ardhur unë në zyrën e re të kryeministrit. Së pari duhet të ngremë shtetin e Kosovës, ku përqëndrimi ynë do të jetë tek ekonomia dhe drejtësia. Një ndër prioritetet do të jetë edhe dialogu parimor me Serbinë, por ky nuk do të jetë prioriteti kryesor. Prioritetet kryesore do të jenë drejtësia dhe punësimi.

Deutsche Welle: Me këtë formulë akordoheni edhe me partnerët tuaj në SPD dhe vendet e tjera të Europës?

Albin Kurti: Padyshim. Ata na kanë përkrahur neve edhe në fushatë, sidomos dy deputetë kanë qenë fort aktiv gjatë fushatës sonë, Stefan Schwartz dhe Josip Juratovic. I falenderoj me këtë rast…

Deutsche Welle: Pyetja e fundit. A do të dalë Vetëvendosja në garë kur bëhet fjalë për fushatën e ashpër elektorale në Shqipëri?

Albin Kurti: Aktivistët tanë në Tiranë kanë qendrën e tyre që ka emrin “Lëvizja Vetëvendosje”, por kanë autonominë e qëndrimeve dhe të veprimeve dhe të vendimeve. Besoj që emri Vetëvendosje është shumë demokratik, sepse vjen prej poshtë jo nga lart dhe është e kundërta e shkëmbimeve territoriale që vijnë nga lart, prej krerëve që silleshin në mënyrë monarkike. Vetëvendosja në Tiranë ka për qëllim që të ndërgjegjësojë dhe organizoj sa më shumë popullin atje për aktivitete në frymën e lëvizjes, por jo duke marrë direktiva nga Prishtina.

Veseli për takimin e Sveçlës me Gjuriqin: Ata i mohojnë masakrat, njerëzit tanë iu ulen në tavolinë

Periskopi.com Lajme

Kadri Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës habitet se si Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes u ulë në një tavolinë me Marko Gjuriqin, njeriun i cili po mohon edhe masakrën e Reçakut, sikurse zyrtarë të tjerë serbë, transmeton Periskopi.

Veseli në Info Magazine ka pyetur se cila është mençuria e tyre.

‘’Cila është mençuria e tyre në Tiranë. Ironia e fatit, Vuçiqi e mohon masakrën, kurse njerëzit tanë takohen si pa të keq, ulen në tavolinë. Ku është problemi i tyre. Ata në momentin kur ne jemi të pjekur dhe serioz, ata do ta dijnë peshën e përgjegjësisë si shtet. Krimet e tyre nuk janë spontane dhe pa paramendim’’.

‘’Ne jemi duke heshtur, Kuvendi i Kosovës. Shumica e masakrave kanë dëshmi’’./PERISKOPI/

 

 

Serbia hap një kapitull tjetër me Bashkimin Evropian

Periskopi.com Lajme

Serbia hap një kapitull të ri negociues në konferencën ndërqeveritare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel.

Vendet anëtare të Unionit ranë dakord që Serbia të fillojë negociatat në kuadër të Kapitullin 4 për lirinë e lëvizjes së kapitalit.