Situata ndërkombëtare, Erdogan telefonon Merkel

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angel Merkel.

Sipas burimeve diplomatike, raporton agjencia turke e lajmeve, në bisedën telefonike dy liderët kanë këmbyer mendime rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjeve rajonale me në krye Sirinë.

Në bisedë, në të cilën janë diskutuar zhvillimet aktuale, është përmendur edhe takimi që do të realizohet në Berlin në fund të shtatorit mes presidentit Erdogan dhe kancelares Merkel.

Erdogan dhe Merkel kanë rënë dakord për një takim mes ministrit turk të Thesarit dhe Financave Berat Albayrak dhe ministrit gjerman të Financave dhe Ekonomisë në ditët në vijim.

Po ashtu, Merkel ka theksuar se është e rëndësishme për Gjermaninë që ekonomia e Turqisë të jetë e fuqishme.

Liderët kanë konfirmuar vendosmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok mes Turqisë dhe Gjermanisë përmes vizitave dhe kontakteve të nivelit të lartë.

Gjermania kufijtë e Serbisë i ka caktuar qëkur e ka njohur Kosovën

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar sot ndaj deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel e cila ka kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve të Serbisë me Kosovën.Vuçiq ka theksuar se qëndrimi i Merkelit për Kosovën tash e pesë vjet është i pandryshueshëm dhe se ajo e ka bërë kufizimin e Serbisë duke e njohur Kosovën e pavarur.

“Atë që e tha Angela Merkel, nëse guxoj ta përkthej për qytetarët tanë, kur theksoi se është kundër ndryshimit të kufijve, ajo i ka bërë kufijtë tanë duke e ndarë Kosovën nga Serbia ashtu që e tërë Kosova është e pavarur”, citon agjencia e lajmeve beta të ketë thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se për asgjë nuk është fajtor dhe se çdo herë pas takimit me kancelaren gjermane ka theksuar se kanë këndvështrime të ndryshme për çështjen e Kosovës.

Vuçiqi ka shtuar se jo vetëm për Merkelin, por për tërë botën perëndimore, Kosova është e pavarur, sovrane dhe territor i pandashëm që u përket vetëm shqiptarëve në Prishtinë dhe se ajo nuk ka kurrfarë lidhjesh me Serbinë.

Ai ka thënë të jetë i zhgënjyer me reagimin e një pjese të opinionit për shkak se ai është përpjekur që qytetarët e Serbisë të fitojnë më shumë lidhur me çështjen e Kosovës.

“Që Angela Merkel të ketë thënë se kufijtë kanë marrë fund, këtë përgjigje e kemi marrë për të njëmijtën herë,dhe çfarë mund të bëj unë i vogli, si të veproj kundër Merkelit, Rada Trajkoviqit, Sava Jovanoviqit, Dragan Gjillasit, Vuka Jeremiqit”, është ankuar në fund ai.

Merkel ia kundërshtoi qëllimet, Thaçi: Deklaratat e saj, shumë pozitive

Periskopi.com Lajme

Presidenti Hashim Thaçi, në një intervistë për RTV21 ka deklaruar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të hedhet në referendum dhe qytetaret do të deklarohen për apo kundër bashkimit me Luginën e Preshevës.

Ai poashtu ka paralajmëruar ndryshimin e kushtetutës pas marrëveshjes së paqes me Serbinë.

Ai ka folur edhe për deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila kundërshtoi synimet e Thaçit për marrëveshje të reja për kufijtë. Megjithatë, ai këto deklarata të Merkel i ka quajtur pozitive.

 

Plani i Merkelit për Kosovën: Asociacioni plus?

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përgatitur një plan për Kosovën që parashikon formimin e Bashkësisë së komunave serbe plus, verifikimin e situatës në terren dhe mbajtjen e referendumit për shkëputje të asociacionit pas 20 vjetësh, shkruajnë mediat serbe duke iu referuar pretendimeve të burimeve të paemëruara në Partia Popullore Evropiane (PPE).

Sipas Telegraf, Merkel paraqiti planin e saj për kolegët nga Ballkani dhe, sipas tij, ndarja në fund të gjithë procesit është e mundur.

Kërkohet përfshirja e Merkelit në dialogun Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dalë me idenë për përfshirjen e kancelares gjermane Angela Merkel në zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

Ai konsideron se Merkel përveç se një udhëheqëse e madhe, është edhe një grua gjeniale dhe se konstruktiviteti, korrektësia dhe fuqia e saj në zgjidhjen e problemeve, e bën të domosdoshëm përfshirjen e saj në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.

Këto komente numri dy i Qeverisë së Kosovës i bëri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

SHBA-ja dhe Gjermania përplasen ashpër për NATO-n

Periskopi.com Lajme

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute e përligj plotësisht kërkesën e Donald Trumpit për shtimin e kontributeve të aleatëve në aleancën më të madhe ushtarake të botës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u dërgoi një letër Gjermanisë, Belgjikës, Norvegjisë, Kanadasë e partnerëve të tjerë, duke u treguar rritjen e zhgënjimit të amerikanëve, për shkak se të tjerët nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre për një kontribut më të madh financiar për NATO-n.

Më i ashpër, Trump tregohej me Merkelin.

“Gjermania, – kujtonte ai, – jep fare pak parà për mbrojtjen dhe kjo e cenon sigurinë e aleancës. Të tjerët e shohin si shembull, – shkruan Trump, – e ndihen të konfirmuar, duke mos iu përgjigjur detyrimeve të tyre. Kjo gjendje nuk mund të pranohet gjatë, as nga qeveria amerikane dhe as nga Kongresi”, vazhdonte letra e tij.

Lute thotë se nga 29 anëtarë të NATO-s, vetëm 8 e përmbushin realisht detyrimin e shpenzimit të 2% të GDP-së në buxhetin e mbrojtjes. Ashpërsimi i tonit nga Trumpi vjen përpara Samitit të NATO-s, i cili zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel.

Pas dështimit të takimit të G7-s në Quebec, aleatët druhen se mosmarrëveshjet me presidentin amerikan mund të shtohen edhe më shumë. Se në çfarë drejtimi do të shkojë NATO, në këtë moment askush nuk mund ta thotë me siguri.

Nuk përjashtohet ndërkohë mundësia që Trump të mund të shfrytëzonte luftën e nisur tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për t’i detyruar vendet evropiane që të paguajnë më shumë për aleancën atlantiko-veriore. TCH

Konflikti SHBA-Kinë fatal për Gjermaninë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Shoqatës gjermane për Tregti të Jashtme (BGA), deklaroi se një përshkallëzim i konfliktit tregtar mes SHBA-së dhe Kinës do të ishte fatal për Gjermaninë.

“Për eksportet gjermane do të ketë pasoja fatale, që as nuk mund të përllogariten në euro”, tha sot presidenti i BGA-së, Holger Bingmann për gazetën “Rheinische Post”, shkruan ATSH.

“Nëse ky konflikt do të rritet, kjo nuk do të ishte e rrezikshme vetëm për palët që kundërvihen, Kina dhe SHBA-ja, por për të gjithë botën”, theksoi Bingmann.

Presidenti i BGA-së kërkoi negociata dhe një debat për të ardhmen e tregtisë botërore. Në fillim të kësaj jave presidenti amerikan, Donald Trump i kërkoi përfaqësuesit të tij të Tregtisë, Robert Lighthizer që të shqyrtojë një rritje të taksave doganore për 200 miliardë dollarë pordukte kineze nga 10% në 25%.

Mediat serbe: Bërnabiq e Merkel flasin për arrestimin e serbëve në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka biseduar në Londër me kancelaren gjermane Angela Merkel rreth arrestimit të pesë serbëve dy ditë më parë në Kosovë.

Kështu shkruan Blici serb duke iu refereruar burimeve të paidentifikuara.

Gazeta beogradase shkruan më tutje se shefja e qeverisë së Serbisë tërhoqi vëmendjen e Angela Merkelit ndaj aksioneve si ai i fundit në të cilin “pa asnjë arsye u arrestuan dhe më pas liruan pesë serbë”.

“Ajo theksoi se incidente të tilla po rriten dhe se autoritetet në Beograd frikësohen se do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta”, i ka thënë burimi Blicit.

Trump akuzoi Gjermaninë se kontrollohet nga Rusia, Merkel i kthen përgjigje

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania bën “politikë të pavarur” dhe merr “vendime të pavarura”.

Merkel i bëri këto komente pak orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Berlini “kontrollohet tërësisht nga Rusia”.

“Unë vetë e kam përjetuar kohën kur një pjesë e Gjermanisë ka qenë e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik”, tha Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore komuniste.

“Jam shumë e lumtur që sot jemi të bashkuar në Republikën Federale të Gjermanisë dhe mund të bëjmë politikë të pavarur dhe të marrim vendime të pavarura”, tha Merkel teksa arriti në samitin e NATO-s në Bruksel.

Ajo po ashtu mbrojti kontributin e Gjermanisë në NATO, i cili është cilësuar si i pamjaftueshëm nga Trump.

“Gjermania bën shumë për NATO-n”, tha Merkel.

“Gjermania është ofruesi i dytë më i madh i trupave; pjesa më e madhe e kapaciteteve tona ushtarake i ofrohet NATO-s dhe po ashtu kemi një angazhim të fuqishëm në Afganistan. Një gjë e tillë mbron edhe interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Merkel.

Ajo do të takojë Trumpin pasditen e së mërkurës, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

 

Trump me tone të ashpra: Gjermania e marrë peng nga Rusia

Periskopi.com Lajme

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur me tone të ashpra samitin dy-ditor të NATO-s në Bruksel, duke kritikuar Gjermaninë për marrëveshje në vlerë të “miliarda dollarëve” me Rusinë rreth tubacioneve të gazit natyror, derisa pret që Shtetet e Bashkuara “ta mbrojnë atë kundër Rusisë”.

Duke folur në mëngjes, teksa është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Trump ka thënë: “Ne jemi duke mbrojtur Gjermaninë. Ne jemi duke mbrojtur Francën. Jemi duke mbrojtur secilin. Kjo është e padrejtë ndaj shtetit tonë. Është e padrejtë ndaj taksapaguesve tanë”, tha Trump.

Trump ka thënë se Gjermania është “e kontrolluar plotësisht nga Rusia” për shkak të varësisë së gazit natyror dhe marrëveshjes për tubacione të gazit me Moskën.

Samiti pritet të jetë një nga mbledhjet më të vështira të aleancës në disa vjet, pasi Trump vazhdon të bëjë presion te aleatët për të rritur shpenzimet në mbrojtje.

Trump ka kritikuar vazhdimisht anëtarët e aleancës për nivelet e tyre të shpenzimeve edhe para nisjes së takimit. Samiti mbledh më shumë se 40 krerë të qeverive, duke përfshirë 29 aleatë dhe partnerë që nuk janë anëtarë të NATO-s, nga Finlanda deri në Afganistan. E themeluar më 1949 për të luftuar kërcënimin sovjetik, NATO-ja është e bazuar në bashkëpunim të thellë me SHBA-në, e cila krijon siguri për Evropën përmes arsenalit të saj bërthamor. Mirëpo aleanca ka krijuar mision të ri prej vendimit të Rusisë për të aneksuar Krimenë më 2014, duke dërguar batalione në Baltik dhe Poloni për të luftuar ndonjë sulm të papritur rus.

Duke kujtuar takimin e shtatë shteteve më të industrializuara në qershor, ku Trump pati refuzuar deklaratën finale të samitit, të dërguarit e NATO-s, nuk i kanë lënë asgjë rastit, duke negociuar deklaratën e samitit të Brukselit me përpikëri disa ditë përpara dhe duke treguar vendosmëri në politikat mbi Rusinë dhe Irakun.

Pozicioni i Trumpit vazhdon të jetë i paqartë. “Ai mund të shfuqizojë gjithçka me një postim në Twitter”, ka thënë një diplomat i NATO-s.

Haradinaj takohet me Merkelin, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për vizat

Periskopi.com Lajme

Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim bilateral me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Në takimin ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe Kancelares Merkel është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me shtetin gjerman, për proceset e përgjithshme në Kosovë, për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Haradinaj vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës.

“Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit. Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë partneritet. Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren është një dëshmi e radhës, që vendi ynë është i përkushtuar për prezencën ekonomike, krahas asaj politike”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke falënderuar Kancelaren Merkel për mbështetjen e fuqishme të saj dhe të shtetit gjerman, kryeministri Haradinaj tha se qeveria e Kosovës me përkushtim dhe vendosmëri të lartë është duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, agjendës së reformave evropiane dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me fqinjët.

“Lidershipi juaj ka qenë vendimtar për shumë procese nëpër të cilat po kalon Ballkani Perëndimor, andaj kërkojmë mbështetjen tuaj që edhe në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave, të jeni zë i fuqishëm për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luaj rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit.

Në takimin e kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Vuçiq e telefonon Merkelin, flasin për çështjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se në bisedën telefonike, që kishte sot, me kancelaren gjermane Angela Merkel, kishte rastin t’ia shpjegojë pozicionin serb lidhur me çështjen e Kosovës. Vuçiq, gjithashtu ka treguar se sot është takuar sot në Ankara edhe me Hashim Thaçin.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka shprehur kënaqësinë që në Beograd, në një bisedë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Pete Marocco, ka parë se administrata amerikane dëshiron ta dëgjojë edhe Serbinë.

“Sot në mëngjes kisha një bisedë telefonike me kancelaren Merkel. E kuptova cilat janë kërkesat dhe pyetjet e kancelares Merkel, dhe mua më duket se kam pasur mundësi për të shpjeguar se cili është pozicioni serb lidhur me çështjen e Kosovës, si dhe për disa çështje të tjera shumë të rëndësishme”, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se e falënderoi kancelaren Merkel për numrin gjithnjë e më të madh të investitorëve gjermanë, që po vijnë në Serbi.

Merkel tani mund të marr frymë lirisht, arrinë marrëveshje me CSU-në

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer ka rënë dakord për një marrëveshje pasi kërcënoi të japë dorëheqjen pas një çarje për politikën e azilit me konservatorët e kancelares Angela Merkel.

DW ka zbuluar pikat kryesore, ku dy liderët kanë rënë dakord. Seehofer është njëkohësisht kreu i partisë së koalicionit CSU.

Guri themeltar i të ashtuquajturit “master plan” i Seehofer insiston në refuzimin e hyrjes për emigrantët, të cilët tashmë janë regjistruar në një vend tjetër të BE

Masa shihet nga shumë njerëz si një shkelje e ligjit të BE dhe Konventës së Gjenevës për të Drejtat e Refugjatëve.

Merkel dhe Seehofer janë takuar në zyrën e presidentit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble, dhe ishte ky i fundit që është përpjekur të ndërmjetësojë dhe me sa duket ia ka arritur.

Ata bënë një marrëveshje të minutës së fundit, duke rënë dakord që Seehofer të qëndronte në detyrën e tij dhe të ngriheshin qendra tranziti në kufirin gjermano-austriak për emigrantët.

 

Thellohet kriza në Gjermani, ministri i Brendshëm i del kundër Merkelit

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Zehofer, tha sot se nuk do të lejojë ta shkarkojë personi i cili është në postin e kancelarit të vendit duke iu falënderuar atij.

Ai kritikoi kancelaren Angela Merkel përpara një takimi që duhet të zgjidhë mosmarrëveshjen e tyre lidhur me politikën e emigrantëve.

Zehofer shkoi në Berlin pasi dha dorëheqjen mbrëmë në takimin e partisë së tij CSU, pjesë e koalicionit qeveritar me CDU e Angela Merkel.

Merkel dhe Zehofer janë në konflikt për shkak të planit për të mbyllur pjesërisht kufijtë gjermanë për emigrantët, gjë të cilën kancelarja gjermane e refuzon duke insistuar për një zgjidhje të përbashkët në nivel të Bashkimit Evropian.

Zehofer u tha mediave gjermane se ndodhet në situatë “të paimagjinueshme”.

“Nuk lejoj të më shkarkoj personi që është kancelar falë meje,” tha ai, duke aluduar në Merkel.

Rënia e qeverisë gjermane mund ta lëkund edhe Ballkanin

Periskopi.com Lajme

Rënia e mundshme e qeverisë gjermane do të kishte një ndikim të keq në dinamikën e procesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kështu tha profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd Dragan Gjukanoviq nën jë prononcim për agjencinë e lajmeve serbe BETA.

Ai tha se shpërbërja e koalicionit qeverisës në Gjermani “në një farë mënyre ngadalësoi momentin mjaft të rëndësishëm që procesi ka marrë tani”.

“Do të ishte shumë keq në dinamikën e procesit në vazhdim në rajon, kryesisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, në të cilin qeveria gjermane ka një rol shumë konstruktiv”, tha ai.

Mbijetesa e qeverisë së koalicionit gjerman është dëmtuar nga politika ndaj migrantëve, përkatësisht mosmarrëveshjeve në lidhje me këtë çështje ndërmjet CDU të kancelares Angela Merkel dhe CSU të ministrit të brendshëm Horst Zehofer.

Merkel dëshiron vazhdimin e bashkëpunimit me CSU

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se dëshiron që partia e saj CDU të vazhdojë bashkëpunimin me CSU.

Mosmarrëveshja në lidhje me zgjidhjen e krizës së emigrantëve e shtyu koalicionin e madh të Merkelit për tre muaj në një krizë dhe e dobësoi qëndrimin e kancelares, duke e detyruar atë të përpiqet të arrijë marrëveshje me anëtarët e Unionit individualisht, transmeton Reuters.

Merkel dërgon forcat kufitare gjermane në Bullgari

Periskopi.com Lajme

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel planifikon të dërgojë policinë Gjermane në Bullgari, për të forcuar kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Merkel kërkon gjithashtu masa të forta ndaj njerëzve që abuzojnë nga lëvizja e lirë në zonën Schengen, shkruan ATSH.

Në vitin 2017 dhjetëra azilkërkues rezultonin se kishin lëvizur drejt vendeve të tjera të BE-së.

“Me procedura strikte, mund të reduktojmë ndjeshëm abuzimet me vizat dhe me këtë edhe numrin e azilkërkuesve në Gjermani”, deklaroi Merkel që planifikon të implementojë këto masa në fund të gushtit.

“Ne duhet të jemi gjithashtu të përgatitur që të ndihmojmë me mbështetje Slloveninë dhe Kroacinë për kontrollimin e kufijve nëse do të jetë e nevojshme”, shtoi kancelarja.

 

Merkel ia uron fitoren Erdoganit

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përgëzoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për rizgjedhjen e tij.

“Jam e gatshme për të vazhduar punën me ju për të mbështetur dhe thelluar më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, deklaroi sot Merkel.

“Turqia ka treguar pergjegjësi të madhe gjatë krizave në Lindjen e mesme dhe valës së refugjatëve që prekën ndjeshëm dy shtetet tona”, tha kancelarja gjermane, përcjell Atsh.

“Ne duam gjithnjë dhe më shumë një partner stabël dhe pluralist në Turqi, ku pjesëmarrja demokratike dhe respektimi i shtetit të së drejtës janë të fuqishme”, shtoi ajo.

 

Gjermania fitoi 2.9 miliardë euro nga kriza e borxhit të Greqisë

Periskopi.com Lajme

Kreditë dhe obligacionet që Gjermania kishte blerë që nga viti 2005 për të ndihmuar Greqinë i sollën fitim Berlinit prej 2.9 miliardë eurosh, ka konfirmuar qeveria gjermane në përgjigje të kërkesës së parlamentarëve nga radhët e të Gjelbërve.

Ky është një fitim që rrjedh nga një seri e transaksioneve, duke përfshirë programin e mbyllur ndërkohë për tregun e letrave me vlerë, duke blerë programin për blerjen e obligacioneve, të cilin e kishte iniciuar Banka Qendrore Evropiane (BQE) në vitin 2010, ndërsa Gjermania dhe anëtarët e tjerë të eurozonës shmangën falimentimin e Greqisë.

Shuma gjithashtu përfshin 400 milionë euro në fitim nga Banka Gjermane e Zhvillimit të Shtetit KfW, e miratuar në vitin 2010.

Sven-Christian Kindler nga Partia e Gjelbër tha se fitimet për Gjermaninë garantuan një reduktim të borxhit për Greqinë. Ai gjithashtu shtoi se është e papranueshme që “qeveria federale korrigjon bilancin në buxhetin e miliarda të fituara mbi normat e interesit nga Greqia”,

Vjen reagimi i Merkelit pas fitores së Gjermanisë ndaj Suedisë

Periskopi.com Lajme

 

Gjermania sonte arriti të mposht Suedinë me rezultat 2 me 1.

Reagimi i menjëhershëm ishte i  kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila ka shprehur urimet e saja për ekipin e Gjermanisë.

‘Urime për Ekipin e Futbollit të Gjermanisë’, shkruan Merkel në Facebook.

Në minutën e fundit të ndeshjes së sontme, Toni Cross arriti të shënoj golin e dytë ndaj Suedisë./Periskopi/