Gratë kurde i bëjnë thirrje botës: Na ndihmoni, do të luftojmë deri në fund

Periskopi.com Lajme

Lufta në Siri po merr tone gjithnjë e më dramatike. Kurdët njihen për luftëtaret e tyre femra, të cilat luftojnë në mënyrë të barabartë me meshkujt.

Tani ato i bëjnë thirrje të gjithë botës: “Ne si gra jemi të vendosura të luftojnë derisa të arrijmë fitore e paqe, liri e drejtësi”, thonë ato.

“Ne, gratë e kulturave dhe besimeve të ndryshme nga tokat e lashta të Mesopotamisë, u bëjmë thirrje gjithë popujve të botës që e duan lirinë”, është titulli i letrës së hapur që ato i kanë shkruar gazetave ndërkombëtare.

Ato bëjnë thirrje që të ndalohet sulmi nga Turqia, në mënyrë që të shmangen krime të tjera lufte dhe spastrime etnike.

“Ju shkruajmë nga mesi i luftës në Sirinë verilindore, të detyruara nga shteti turk, në tokën ku jemi autoktonë”, thonë ato.

“Kemi tri ditë që u rezistojmë bombardimeve dhe kemi parë se si nënat janë shënjestruar nëpër shtëpitë e tyre nga bombardimet, teksa kanë qenë duke dalë nga shtëpia për të blerë bukë. Kemi parë bombën të shkërmoqë këmbën e një vajze shtatë vjeçe, bombë që vrau vëllain e saj 12 vjeç”, thonë ato.

“Po shohim se si kishat e krishtera po bombardohen e po vriten motrat e vëllezërit tanë të krishterë, paraardhësit e të cilëve u mbijetuan gjenocidit të vitit 1915, e tani vriten nga ushtria e perandorisë së re osmane të Erdoganit. Dy vite më parë pamë se si shteti turk ndërtoi një mur 620 km të gjatë përgjatë kufirit, për të detyruar ndarjen e vendit tonë e për të mos i lejuar refugjatët të futen në Europë”, thonë ato, teksa u bëjnë thirrje vendeve perëndimore për ndihmë, duke thënë se vetë do të vazhdojnë të luftojnë deri në fund.

Trump: Lufta në Siri s’na intereson

Periskopi.com Lajme

Uashingtoni nuk është i interesuar për t’u përfshirë ushtarakisht në konfliktin që rebelët kurdë dhe Turqia po zhvillojnë në Sirinë Veriore. Beteja mes palëve është cilësuar si pushtim nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që bilanci i viktimave brenda tri ditëve po afron në 300.

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se nuk duan të jenë më palë e betejës mes forcave kurde dhe turke në Siri.

Operacioni turk “Pranvera e Paqes” që ka hyrë në ditën e tretë dhe deri tani ka lënë mbi 10 civilë e rreth 280 luftëtarë kurdë të vrarë, ka detyruar dhjetëra mijëra qytetarë të braktisin banesat dhe qytetet.

“Jam munduar ta shmang këtë konflikt që kurdët dhe Turqia e vijojnë prej tri dekadash, por tani është koha të tërhiqemi nga këto luftëra qesharake pa fund. Do luftojmë atje ku na intereson dhe vetëm për të fituar. Turqia, Evropa, Siria, Irani, Iraku, Rusia dhe kurdët duhet ta zgjidhin vetë situatën dhe se si do veprojnë me luftëtarët e kapur të ISIS që kanë në lagjet e tyre,” reagoi presidenti amerikan Donald Trump në Twitter.

Bashkimi Evropian dhe kongresmenë republikanë në SHBA po vlerësojnë ndëshkimin e Turqisë me sanksione, pasi vendi sipas tyre po vepron si pushtues duke sulmuar edhe zonat e banuara me popullsi kurde.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, pretendon se marrja nën kontroll e një korridori prej 30 kilometra në brendësi të Sirisë do mundësonte ngritjen e kampeve për refugjatë që tani strehohen nga Ankaraja.

Kryeshtetari turk ashpërsoi gjuhën të enjten duke kërcënuar me vërshimin e 3,6 milionë refugjatëve të vet në portat e Bashkimit Evropian nëse ky i fundit vijon t’i referohet Turqisë si pushtues.

Intensifikimi i konfliktit mes forcave kurde dhe atyre turke po dënohet ndërkombëtarisht, ndërsa vijon apeli për vetëpërmbajtje dhe dialog për të dyja palët.

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi që ishte nisur për në Siri

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.D, në drejtim të veprës penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës në luftën në Siri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri R.D., më 26.05.2017, me vullnet dhe vetëdije të plotë është nisur që të udhëtoj për në Siri, me qëllim që ti bashkohet Organizatave Ushtarake në Siri.

Pas shkuarjes së tij në Republikën e Turqisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë bërë kërkesë për kthimin e tij në Kosovë. I pandehuri R.D., më datë 02.06.2017, është nxënë në Turqi, ndërkaq, më datë 14.05.2017, është kthyer për në Kosovë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës nga neni 3 paragrafi 3, të Ligjit për parandalimin dhe bashkimin në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit L-05/002.

Ky është djaloshi, shkaku i të cilit nisi lufta civile në Siri (Video)

Mouawiya Syasneh nuk dëshiron të kthehet e të kujtojë momentin e gjashtë viteve më parë. Thotë se i sjell vetëm dhimbje e trishtim. Ndjehet fajtor për atë që po ndodh në Siri.

Periskopi.com Lajme

 

Syasneh është djali që nisi revolucionin në Siri. Ai, së bashku me një grup studentësh, shkruan disa grafite në mur me mbishkrimin “Ejak el door, ya doctor” (Është radha jote doktor), që i referohej Bashar al – Assadit, shkruan Mirror.

Nuk shkoi shumë kohë e gjatë dhe policia sekrete kishte trokitur në derën e tij.

Pasi ai dhe shokët e tij u arrestuan, qytetarët e Deraa’s dolën në rrugë për të protestuar dhe për të kërkuar lirimin e tyre. Ata marshuan çdo ditë derisa Stasneh dhe shokët e tij u kthyen te familjet e tyre, megjithëse të rrahur brutalisht nga policia.

“Ata na godisnin me shufra metalike dhe na linin në ujë të ftohtë si dhe na fusnin në elektroshok”, rrëfen ai.

Më 15 mars, protestues paqësorë vërshuan nëpër sheshet e qyteteve kryesore të Sirisë. Protestës së tyre paqësore, policia e Assadit iu përgjigj me topa uji e gaz lotsjellës.

Syasneh thotë se në një farë mënyre, sot ndjehet fajtor. Një grafiti që ai dhe shokët e tij shkruan në një mur, nisi luftën civile e cila ka lënë të vdekur qindra mijëra njerëz, janë zhvendosur miliona sirianë nga vendi i tyre dhe Siria është shkatërruar. /Periskopi/

Kriza e refugjatëve është çështje feministe. Nuk mundemi që thjeshtë të ulemi dhe të shikojmë

Helen Pankhurst Op-Ed

Me afrimin e samitit global për refugjatë, liderëve botëror duhet t’iu bëhet presion që t’i lehtësojnë vuajtjet e grave.

Kjo krizë e refugjatëve është njëra nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare që ka përshkuar botën e kohës moderne. Në mesin e një grumbulli tmerresh globale, kjo krizë paraqet kërcënime dhe sfida të veçanta për miliona gra refugjate; dhe sikurse të gjitha çështjet feministe, zgjidhja e saj mbështetet në solidaritet.

Samiti Global për Refugjatë dhe Emigrantë i kësaj jave është moment kyç për feministët që të ftojnë liderët botëror me parullën e kahmotshme: vepra, jo fjalë.

Përderisa bota kthen shikimin në anën tjetër, Care International dhe Women for Refugee Women kanë punuar së bashku para samitit, për t’u ofruar grave refugjate një platformë për të treguar rrëfimet e tyre – rrëfime të pikëllimit dhe vuajtjes të cilat vënë dritë në faktin se kjo krizë është një krizë e gruas.

Merreni shembullin e Nadias. E detyruar që të largohet nga vendlindja e saj, Iraku, në kohën kur ishte katër muaj shtatzënë, ajo zgjodhi sigurinë relative përtej kufirit në Siri. Sa i pashpresë duhet të jetë një person që ta vlerësojë hyrjen në Siri si të keqe më të vogël? Në rastin e Nadias, ajo ishte shtyrë nga pamjet e një veture përplot me vajza Jazidi që digjeshin të gjalla nga ekstremistët, një fat të cilin ajo frikësohej se po e priste familjen e saj.

Pas një eksperience dëshpëruese në Siri, Nadia mori udhë për në Greqi, në një barkë të shfryer e të pa denjë për det, kur ajo ishte nëntë muaj shtatzënë. Fëmija i saj i pa lindur vdiq gjatë udhëtimit, rezultat ky i pashmangshëm i mosushqyerjes dhe stresit.

Me të arritur në Greqi, Nadia iu nënshtrua një prerjeje cezariane të ngutshme. Kujton ajo: “Ata as që më lejuan ta shoh fëmijën tim. Vetëm e larguan dhe e varrosën në një varr masiv… kam qarë pa pushim me ditë të tëra. Nuk mundem as ta vizitoj varrin e birit tim.” Kur Care dhe Women for Refugee Women ftojnë për trajtimin e drejtë dhe me dinjitet të refugjatëve, fjalën e kanë për gratë sikur Nadia.

Një grua tjetër, Dana, u shpreh shkurtimisht: “Në Siri, mund të vdesësh një ditë nga ndonjë bombë, por në këtë udhëtim vdisni çdo ditë.” Dana – nënë e dy fëmijëve – për momentin jeton në një kamp refugjatësh në Sërbi. Ajo kishte arritur me shumë pak gjësende personale, por me një mori vuajtjesh, të cilat asnjë njeri nuk duhet t’i përjetojë.

Dhe tregime si këto ka me shumicë rreth e përqark Evropës këto ditë. Kur situata e një gruaje është aq e pashpresë sa që është e detyruar që të kryejë “marrëdhënie seksuale mbijetese” për të siguruar një mbrojtës mashkull për udhëtimin e saj – kjo bëhet edhe çështje feministe. Kur një grua është e detyruar që të ecë në këmbë për qindra kilometra, në fazat e fundit të shtatzënisë dhe me fëmijë të paushqyer në krahët e saj, kjo është një çështje feministe.

Kur vajzat e reja martohen në moshë aq të re sa që të copëtohet zemra për shkak se kjo vlerësohet si mundësia e tyre më e mirë për mbijetesë; kur gratë abortojnë skaj rruge në një vend të panjohur; kur nënat detyrohen që të dërgojnë fëmijët e tyre në barka gome në errësirë, të bindura se nuk do t’i shohin më të gjallë; kur gratë të cilat vijnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe keqtrajtohen dhe poshtërohen, apo arrestohen përderisa janë shtatzëna për krimin se kërkojnë strehim: këto janë çështje feministe. Çështje urgjente, të skajshme, skandaloze, feministe. Dhe si feministë, ne duhet të veprojmë.

Para samiteve globale për refugjatë, ne po bëjmë disa kërkesa shumë të qarta ndaj liderëve botëror. Së pari, siguroni më shumë mbështetje në vendet në zhvillim për gratë refugjate; së dyti, siguroni rrugë të sigurta, ligjore për gratë refugjate të cënuara ashtu që ato të mos kenë nevojë që të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme në duar të trafikantëve; së treti, ndërmerrni veprime për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna seksuale dhe trafikimi. Dhe së katërti, veçanërisht qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, u ofroni grave refugjate në Mbretëri të Bashkuar dinjitet dhe trajtim të drejtë.

Kriza e refugjatëve është kontraverse, dhe në këto kohë të turbullta këto kërkesa për ofrimin e mbrojtjes së shtuar për refugjatët priten me kundërshtime. Por unë shoh se si mediat i portretizojnë refugjatët – objektivizimin dhe dehumanizimin – dhe shoh historinë të përsëritet; historia e njëjtë e cila i detyroi paraardhësit e mi që të largohen për të shpëtuar jetën. Për shkak se unë jam vajza dhe mbesa e refugjatëve. Nga ana e Pankhurst të njohur për aktivizmin për të drejtat e grave, partneri i gjyshes sime Silvia ishte një anarkist italian, i cili erdhi dhe u vendos në Mbretëri të Bashkuar; dhe nëna ime fillimisht erdhi nga Rumania më 1938, për të ikur nga ngritja e fashizmit.

Sa herë që shohim në histori turma njerëzish të detyruar të largohen – apo më keq, të zhduken – mund të garantoni se kjo shoqërohet, diku, me propagandë që lë të kuptohet se këto jetë janë të pavlera. Si shtet kemi qenë çdoherë në anën e drejtë të historisë kur fashizmi dhe nazizmi hodhën rrënjët. Duhet të sigurohemi se e njëjta aplikohet edhe sot.

Turpi i kësaj krize nuk do të shlyhet nga librat e historisë; do të lërë mbresa në kujtesën tonë kolektive për gjenerata. Kemi përgjegjësi individuale dhe kolektive që të veprojmë tani.

Guardian| Periskopi