Idetë për korrigjim të kufijve nxisin hartimin e Ligjit për referendum

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është duke punuar që çështja e Ligjit për referendum të dërgohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për miratim. Thaçi ka thënë se referendumi mund të përdoret për t’i pyetur qytetarët e Kosovës nëse ata janë pro korrigjimit të kufirit, që do të bashkonte Luginën e Preshevës me Kosovën.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 1, pika tre, thuhet se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se referendumet në Kosovë mund të ndodhin, pasi të nxirret një ligj i veçantë. Ai thotë se një ligj i tillë nuk ka ndodhur për mungesë të vullnetit politik.

“Për t’u realizuar një çështje me referendum, siç është propozimi konkret i presidentit i këtyre ditëve, do të duhej paraprakisht të kemi Ligj për referendumin. Ky ligj, në bazë të nenit 81 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk parashihet që të hyjë në mesin e atyre ligjeve të ashtuquajtur të legjislacionit vital dhe nuk ka nevojë që me dy të tretat, as me dy të tretat e dyfishta, pra mund të kalohet edhe me shumicë të thjeshtë”, tha Baraliu.

Presidenti Thaçi ka folur për rëndësinë që duhet të organizohet një referendum në përfundim të procesit të dialogut që do të duhej të përfundonte, sipas tij, me marrëveshjen e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti i çështjeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, thotë për Radion Evropa e Lirë se një ligji i tillë mund të bëhet nëse do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet subjekteve politike, pasi që për miratimin e tij, duhet një numër i konsiderueshme i votave pro.

Murati thekson se në këtë drejtim duhet të punohet kujdesshme dhe nuk duhet të ndiqen agjendat e ngushta politike, por duhet të shikohet në aspekte më të gjera.

“Unë problemin e shoh në aspektin përmbajtjesor dhe mënyrën se si do të përkthehej mandej në implementimin e vet në praktike ky projektligj, kur do të shndërrohet në ligj. Dhe cili do të ishte rezultati i tij dhe si do të silleshin pastaj edhe subjektet politike nëse do të miratohet ligji dhe do të hidhej në referendum, për shembull çështja e shkëmbimit te territoreve ose bashkimi i Luginës së Preshevës. Sepse atëherë do të kishte mundësi që të luhet edhe me fjalë dhe mënyra se si do të parashtrohej pyetja. Faktikisht edhe qytetarët do të t’i vinte në pozitë të palakmueshme. Kështu që unë konsideroj që ky veprim duhet të mendohet mirë”, tha ai.

Murati tha po ashtu se deputetët e opozitës tash e një kohë kanë ndërmarrë nisma për miratimin e një ligji të tillë, por jo për çështjen që është duke e përmendur presidenti Thaçi.

“Kemi grupe parlamentare nga opozita, të cilët faktikisht kanë iniciuar një projektligj të tillë në Kuvend. Dhe kjo shumë lehtë mund të përkthehet në një përballje politike të më vonshme mes presidentit dhe pikërisht këtyre grupeve parlamentare, të cilat e kanë shtyrë përpara projektligjin për referendum. Mirëpo, në anën tjetër e kundërshtojnë një referendum të tillë çfarë po e kërkon vet presidenti”, tha Murati.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se në muajt në vijim do të prezantojë idenë e, siç thotë ai, korrigjimit të kufirit me Serbinë.

(Video: Presidenti Thaçi gjatë një konference me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, deklaroi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës)

Thaçi ka thënë se nëse partitë politikë në Kosovë dështojnë të merren vesh dhe mos ta përkrahin iniciativën e tij, ai mendon ta arrijë një gjë të tillë përmes referendumit.

“Në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, ka thënë Thaçi javën e kaluar.

Kërkohet fuqizimi i ligjit për punë vullnetare

Periskopi.com Lajme

MKRS do të ndryshojë pjesën e kornizës ligjore për vitin 2019, në mënyrë që të gjitha programet e saj të përfshijë strategjinë, por edhe programet e realizuara nga Departamenti i Rinisë për mbështetje të projekteve të ndryshme rinore në të gjitha fushat.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri Kujtim Gashi në një konferencë me temën “Rinia në ndërtimin e paqes dhe sigurisë” në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, me ç’rast bëri të ditur se tashmë kanë filluar procedurat për ndryshimin e ligjit për rininë.

Ai tha se po bëhen ndryshime në kornizën ligjore dhe ligjin për rininë për t’i mundësuar asaj pjesëmarrje më e madhe në vendimmarrje të shtetit.

“MKRS duke e pasur gjithmonë në fokus rininë dhe gjitha problemet që kanë ndodh viteve të fundit, edhe problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë ka vendosë të ndryshojë pjesën e kornizës ligjore dhe programet për vitin 2019,  në mënyrë që të gjitha programet tona të përfshijë strategjinë, por edhe programet që realizohen nga departamenti i rinisë për mbështetje të projekteve të ndryshme rinore në të gjitha fushat. Jemi të interesuar që programet tona brenda ministrisë t’i përshtaten nevojave dhe kërkesave të rive në këtë fazë”, tha ai.

Ministri Gashi shfaqi shqetësimin edhe rreth shkuarjes së të rinjve në luftëra të huaja,  për çka tha se duhet krijuar mekanizma parandalues me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të rinisë sonë.

“Të rinjtë tanë nuk janë ballafaquar me konflikte të armatosura në vende të ndryshme të botës, kurse sot kemi një realitet të ri. Ka të ri tanë që janë pjesë e luftërave, konflikteve pa qëllim, luftërave që nuk kanë motiv. Të rinjtë tanë ndoshta shpesh herë kanë ra pre e thirrjeve të ndryshme për këto luftëra dhe ne si Departamenti i rinisë në ministri jemi të shqetësuar. Edhe këtu duhet të vendosim mekanizma parandalues dhe në këtë kontest ne tashmë kemi bërë thirrje për projektet që kanë për qëllim vetëdijesimin e rinisë sonë, për parandalimin e rinisë sonë që mos të jenë pre e thirrjeve të ndryshme që ata të jenë pjesë e luftërave”, u shpreh ministri Gashi.

Presidentja e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, Lorela Marku, tha se të rinjtë në Shqipëri dhe ata në Kosovë kanë probleme të ndryshme, dhe se fakti që jemi një komb ka bërë që të harrojmë se jemi shtete të ndryshme.  Ajo ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes dyja vendeve për ta fuqizuar rolin e rinisë.

“Fatkeqësisht për fakte dhe për arsye të jashtme dhe që nuk janë të varura as nga Shqipëria e as nga Kosova, historia dhe problematikat e mëdha që kanë hasur këto dy vende në 100 vitet e mëparshme ka bërë që paraardhësit tanë, politikanët që ishin problemet para nesh t’i zgjidhin problemet e tyre pa mbështetjen e njëri- tjetrit. Mirëpo, në këtë moment që jemi aktualisht kur rinia jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor, janë një faktor shumë i rëndësishëm, sepse shikohet edhe nga institucionet evropiane si jo vetëm e ardhmja, por ndër faktorët elementarë dhe garantues në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme që këto politika që po hartohen dhe pritet të hartohen të jenë të përbashkëta jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Besmir Kokollari, drejtor i institutit “iCHAT”,  kërkoi nga ministri Gashi ta fuqizojë rolin e rinisë dhe ta zgjerojë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje. Sipas tij, Kosova ka shumë nevojë për Ligjin për Punë Vullnetare i cili do t’u mundësonte të rinjve kosovarë marrjen e përvojave jashtë vendit dhe sjelljen e tyre në Kosovë.

“Sot publikisht dëshiroj në këtë ditë të rinisë të kërkoj nga ministri i MKRS-së për të fuqizuar rolin e rinisë dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së rinisë në vendimmarrje të kërkojë, ku është që është iniciuar pra të krijohet ligj për vullnetarizëm, ku jemi me këtë proceduar, sepse më 5 dhjetor të vitit 2017, sipas disa hulumtimeve është marrë kjo iniciativë nga kryeministri, mirëpo ende nuk e dimë ku është kjo punë”, tha Kokollari.

Ministri Gashi bëri të ditur se Ligji për Punë Vullnetare është duke u trajtuar nga Zyra e Kryeministrit. Ai shtoi se kanë dilema nëse ky ligj do t’i përfshijë vetëm të rinjtë apo të gjitha moshat.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet çdo vit më 12 gusht dhe synon promovimin e aktivitete për të rinjtë, ndërsa u aprovua me një rezolutë të posaçme nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1999.

Qëllimi i kësaj dite është të pranojë dhe njohë përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve në mbarë botë për përmirësimin e shoqërisë. Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Rinisë, komuna të ndryshme në Kosovë kanë planifikuar aktivitete.

 

Gashi premton ligj funksional për të rinjtë e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Ligji aktual për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë ka nevojë për plotësim-ndryshim në mënyrë që të përfshijë këta të fundit në vendimmarrje dhe t’iu mundësoj atyre që të jenë në ballë të proceseve.

Kështu deklaroi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në një takim me shoqërinë civile ku u diskutua lidhur me ndryshim-plotësimin e këtij ligji.

Ministri tha se ligji aktual ka pasur disa përparime, por ka edhe shumë ngecje, sidomos në çështjen e punësimit. Porse i siguroi të pranishmit se gjërat do të ndryshojnë pozitivisht.

Ministri i Kulturës kujtoi edhe largimin e të rinjve, që ndodhi një vit më parë, me ç‘ rast tha se para brengosjes, duhet të ofrohen kushte më të mira për të rinjtë.

Ai tha se deri në fund të këtij viti, ka hapësirë dhe mundësi të mjaftueshme të debatohet për ligjin për të parë kërkesat reale të të rinjve. Teksa shtoi se përgjatë kësaj periudhe, do të ketë edhe hulumtime të përgjithshme për nevojat e të rinjve.

Eksperti ligjor, Blerim Burjani propozoi ndryshimet dhe plotësimet që sipas tij duhet të bëhen në ligjin e fuqizimit të të rinjve.

Burjani shpalosi para të pranishmëve idenë për krijimin e një fondi për përkrahje të të rinjve, fond ky i cili do të menaxhohej nga MKRS. Ai propozoi që mosha rinore në Kosovë të përfshijë individët deri në moshën 30 vjeçare, e jo siç ka qenë deri më tash deri në 24 vjet.

Ndërsa pati pyetje dhe komente të shumta nga shoqëria civile.

Kështu, Arbër Ademi nga Hendikos në Ferizaj, u shpreh i kënaqur me propozimin e ministrit për të sjellë avancime te reja. Derisa kërkoi që roli i kuvendit të rinisë të rregullohet me ligj.

Edhe Vesa Ibrahimi nga Këshilli Qendror i të Rinjve të Kosovës, kërkoi që Kvr-të dhe qvr-të të mos implementojnë projekte.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve ka organizuar një numër aktivitetesh.

Për gjashtë muaj, 3 mijë euro gjoba për shkelësit e Ligjit antiduhan

Periskopi.com Lajme

Mungesa e efikasitetit të inspektorëve dhe mospërfillja e Ligjit konsiderohen shkaktare për mosrespektimin e ligjit për kontrollimin e duhanit. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për 6 muaj të këtij viti bëjnë të ditur se janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 3 mijë eurosh për shkelësit e Ligjit antiduhan, shkruan sot Koha Ditore.

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), e cila merret me monitorimin e ligjit për kontrollimin e duhanit, ka bërë të ditur se monitorimin e pirjes së duhanit në vende publike e kanë nisur që nga vitit 2015.

Drejtori Shkumbin Spahiu ka thënë se më pas kanë kryer pilot- monitorime.
“Pilot-monitorimet kanë marrë për bazë një numër të vogël mostrash, por që rezultatet kanë qenë të përafërta me monitorimin e vitit 2015”, ka theksuar Spahiu. Sipas tij, rezultatet nga terreni flasin se shkelësit më të mëdhenj janë lokalet hoteliere.

“Prijnë kafenetë me 71.6%, klubet e natës me 85.0% dhe restorantet me 53.8%”, ka bërë të ditur Spahiu.

Por, ndër shkelës janë radhitur edhe institucionet publike.

 

Rikthehet blerja ‘paushall’ përmes prokurimit

Periskopi.com Lajme

Një nga nenet më të rëndësishme të Ligjit të Prokurimit Publik, që rregullon planifikimin e blerjeve ka marrë kah tjetër të funksionimit pas një interpretimi ligjor që i ka bërë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa në ligj është specifikuar që kur një tender nënshkruhet nga institucioni, duhet të blihen më së paku 70 për qind e planifikimit ose më së shumti 130 për qind, në mënyrë që institucionet do të “edukoheshin” që të bënin mirë planifikimin si pasojë që të mos e dëmtojnë buxhetin publik nga planifikimi i produkteve joreale, tjetër interpretim ka dhënë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).

KRPP-ja e ka rikthyer mundësinë për institucionet publike që të planifikojnë “paushall”. Mosobligimi i institucioneve që të paguajnë më së paku 70 përqindëshin e nevojave të planifikuara për blerje mund të çrregullojë blerjet përmes prokurimit public.

 

Krasniqi: Thaçi po bën ligjin, Kuvendi veç spektator

Periskopi.com Lajme

Njohësi i rrethanave politike në vend, Albert Krasniqi nga KDI, ka vlerësuar se në Kosovë po ndodh e kundërta e asaj që është e përcaktuar me kushtetutë sa u përket ndarjes së kompetencave.

Sipas Krasniqit, edhe pse Presidenti ka vetëm kompetenca ceremoniale, dhe jo ekzekutive, ai në fakt është duke e bërë ligjin.

“Kosova, për nga forma e qeverisjes, konsiderohet të jetë republikë parlamentare. Kushtetuta ka përcaktuar për Presidentin kompetenca ceremoniale dhe jo ekzekutive. Çfarë po ndodh në praktikë është pikërisht e kundërta. Kuvendi spektator. Presidenti po e bënë ligjin”, ka shkruar Krasniqi.

MPB synon të fusë në buxhet Ligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, vizitoi policinë rajonale të Gjilanit, ku u prit nga drejtoresha e këtij rajoni, Elmina Mahmuti dhe bashkëpunëtorët e saj, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në këtë takim u bisedua për Ligjin e Policisë, për pensionim të parakohshëm, objektin e Policisë së këtij rajoni i cili ende nuk ka përfunduar, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftimin e trafikimit me narkotikë si dhe për problemet me trafikun në nivel të regjionit të Gjilanit”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, Zeka theksoi se, “MPB do të përpiqet që vitin e ardhshëm të fusë në buxhet Ligjin për pensionimin e parakohshëm të Policisë si dhe objektin e pa përfunduar të Policisë në Gjilan”.

Gjithashtu, theksoi se MPB do të jetë e pa kompromis në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimet e fundit të MPB-së sa i përket trafikut në nivel të Kosovës u vlerësuan se kanë sjellë rezultate të prekshme edhe në nivele të regjioneve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Paralajmëron Ministria e Punëve të Brendshme: Veprimet e jashtëligjshme përballen me vendosmërinë ligjore

Periskopi.com Lajme

Ndonëse ishte paralajmëruar se mund të ketë trazira në Veri të vendit, pasi sot duhej të dorëzohej draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, në këtë pjesë tanimë janë pozicionuar edhe pjesëtarët e KFOR-it për ta vënë nën kontrolle situatën aktuale.

Lidhur me këtë çështje, për planin operativ të institucioneve të sigurisë ka folur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.

Ai ka thënë se askush nuk do të tolerohet që të bëjë veprime të cilat s’janë në përputhje me infrastrukturën ligjore.

Sipas Shkodrës, ata që tentojnë t’a bëjnë një gjë të tillë, do të ballafaqohen me forcën e vendosmërisë së ligjit.

“Të gjitha institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe po përcjellim me vëmendje zhvillimet në veri dhe mund të konfirmojë se nuk do të tolerohet askush që të tentojë të bëjë veprime të cilat nuk janë në përputhje me infrastrukturën ligjore dhe kushtetutën. Të gjithë ata që tentojnë të sfidojnë rendin dhe ligjin në  hapësirat  e territorit të Kosovës do të ballafaqohen me forcën dhe vendosmërinë e ligjit”, ka thënë Shkodra për Indeksonline.

Më tej, ai ka shtuar se PK së bashku me të gjitha institucionet e sigurisë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme. Sipas Shkodrës, do të veprohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndryshe, për situatën aktuale në Kosovë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtar. Derisa në Veri sipas mediave serbe, ushtarët e KFOR-it kanë bllokuar pjesën e Gazivodës në Zubin Potok në veri të Kosovës.

Ngrihet aktakuzë për personin që theri ish të dashurën

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit V.H. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer vepër “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179 par. 1 nën par. 1.8 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës i pandehuri V.H. pasi ishte në lidhje dashurie me viktimën/të miturën M.M. e cila ndahet nga i njëjti dhe më pas kërkon që t’i largojë nga rrjetet sociale fotografitë dhe videot incizimet nudo të saj, të cilat i pandehuri i kishte postuar, ashtu që ky i fundit e fton viktimën që të takohen dhe kjo vet t’i shlyej.

“Janë takuar me datë. 21.06.2018 rreth orës 08:30 min. në fsh. Orroberd K. Istogut, i pandehuri fillon t’i bërtas viktimës, e kap për dore dhe nxjerr një thikë nga xhepi, me të cilën e godet në qafë, fytyrë, gjoks dhe barkë dhe më pas arratiset nga vendi i ngjarjes për tu arrestuar më vonë”, thuhet në komunikatë.

I pandehuri me veprimet e tij, me dashje duke tentuar ta privoj nga jeta viktimën për motive të ulëta, ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar sikur më lart, për çka prokurori i propozoj gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ligji për Obiliqin pritet të implementohet nga janari i vitit të ardhshëm

Periskopi.com Lajme

Ligji për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, me rëndësi të veçantë për këtë komunë, pritet të implementohet nga janari i vitit 2019, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kjo është thënë sot në takimin e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Grupit Parlamentar me kryetarë të Komunave që kishte për qëllim mbështetjen profesionale, teknike dhe politike të kryetarëve të komunave në procesin e hartimit të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe mundësive të ridestinimit, projektet strategjike të komunave të cilat financohen nga buxheti i Qeverisë së Kosovës paraqitja dhe realizimi i tyre, shqyrtimi i mundësive të zgjidhjes së sfidës të stafit të kufizuar të komunave e veçanërisht në shëndetësi dhe arsim.

Haradinaj me stafin e tij kërkoi nga kryetarët të paraqesin këto kërkesa që atakohen me buxhetin 2018/2019, në Ministri dhe Qeveri. Ndërsa përveç stafit shtesë, ridestinimit, projekteve që duhet të përfundojnë këtë vit dhe projekteve të reja për vitin e ardhshëm, kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi para kryeministrit dhe të pranishmëve potencoi Ligjin për Obiliqin, implementimin e tij dhe rëndësinë që ka për qytetarët në të gjitha fushat e parapara me këtë ligj.

“Kryeministri dhe zëvendësministri i financave u dakorduan se Ligji do të implementohet nga muaji janar 2019”, thuhet në komunikatë.

Basha e kërcënon me luftë Edi Ramën

Periskopi.com Lajme

Nga Lindita Bushgjokaj

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me mediat, ditën e djeshme, tha se opozita do t’i përgjigjet me luftë aktit të qeverisë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Kyredemokrtati ka paralajmëruar se ky është një projekt i fituar me paratë e drogës, ndërsa ligjin e miratuar nga qeveria e cilëson antikushtetues dhe kundër vlerave të Trashëgimisë Kulturore. “Nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, të jeni të sigurte që minat do t’jua vëmë dhe kullave tuaja me ligj. Ky paralajmërim vlen edhe për një bankë që mendon se mund të investojë në këtë projekt, edhe pse kam bindjen se janë paratë e “Toyota Yaris” apo makinave të Spanjës. Akti i kalimit të ligjit është shpallje lufte ndaj interesit publik, shpallje lufte ndaj Kushtetutës, shpallje lufte ndaj kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore.

Nëse kryetalebani dhe aksesorët e tij, në këtë krim, nuk tërhiqen, do i përgjigjemi me luftë totale”, tha Basha. Në këtë bisede për mediat, Basha teksa shpreh vendosmëri për ta mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar. Në mënyrë metaforike ai tha se pema e lirisë po kërcënohet, për këtë arsye opozita do të ndjekë të gjitha hapat institucionale për ndaluar aferën korruptive të qeverisë. “Jam i sigurte që populli do të bëjë atë që bën për të mbajtur gjallë pemën e lirisë, sepse ajo po kërcënohet. Po përdor një metaforë amerikane dhe amerikanët dinë se si mbahet gjallë pema e lirisë, dhe ne si opozitë do të ndërmarrim të gjitha hapat institucionale, ligjore sot dhe nesër për t’u siguruar që kjo aferë të mos përfundojë ashtu siç e ka nisur, dhe nëse vërtet duan ta çojnë deri në fund, t’i marrë me vete në gropën që duan të ndërtojnë në zemër të Tiranës”, thekson kreu i PD-së.

Afera korruptive

Kujtojmë se opozita e ka akuzuar vazhdimisht projektin e dyshimtë të qeverisë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, pasi ajo ka refuzuar që të japë informacion specifik për hartën dhe pronarët që e kufizojnë. Në këtë aspekt, edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ka sjellë në vëmendje të gjithë aferën korruptive që karakterizon këtë vepër të qeverisë, e akuzuar prej tyre. Ai tha se afera në fjalë, përfshin 80 milionë euro tenderë publike dhe 125 milionë euro koncesion. “Afera kishte një vlerë prej 5 milionë eurosh. Ne i kërkuam se si i bëri këto punë dhe Rama nuk dha asnjë përgjigje. Nga informacionet tona këto punime u kryen nga “Fusha SHPK”. Pas kësaj ai ka marrë 80 milionë euro tendera publike dhe 125 milionë euro koncesion. Ky është fakti i parë. Fakti i dytë është: Në shkurt 2016 “Fusha SHPK” u bë pronar i një prone afër teatrit. Pak me vonë Edi Rama e përgjysmoj vlerën e tokës tek teatri, nga 1 milionë e 200 mijë për metër e çoi tek 600 mijë lekë. Në vitin 2000 teatri ka qenë pjesë e Ansamblit Monumental të Tiranës. Me 12 prill 2017 e ka hequr teatrin nga zona e mbrojtur, dhe se fundi zbulohet mashtrimi tjetër se prona e marrë në Shkurt 2016 nuk është kufitare me teatrin, siç pretendohet në ligj për të justifikuar grabitjen e pronës publike”, tha Basha.

Punonjësit shëndetësor kundërshtojnë pagat sipas draft Ligjit

Periskopi.com Lajme

Përfaqësuesit e Odës së Mjekëve, Infermiereve, Farmacistëve dhe Fizioterapistëve të Kosovës, përmes një deklarate të përbashkët kanë reaguar ndaj draft Ligjit për Paga.

Në dokumentin dërguar mediave, kryetarët e odave të mjekëve, infermierëve , farmacistëve dhe fizioterapistëve kanë thënë se “çdo propozim që bie ndesh me propozimet e harmonizuara mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odave të Profesionistëve Shëndetësor do të jetë i papranueshëm për komunitetin e profesionistëve shëndetësor”.

Projektligji për pastërtinë e figurës zyrtare i dorëzohet Kuvendit

Periskopi.com Lajme

Grupi i deputetëve nënshkrues për nismën legjislative për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve, ka dorëzuar sot projektligjin për këtë nismë në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur deputetit i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha.

“Në bazë të nenit 79 të Kushtetutës së Republikës, nenit 53 të rregullores së Kuvendit, të nenit 5, paragrafi 1, pika 2, dhe të nenit 8 të Ligjit nr 04/-L-025 për nismën legjislative. I procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim, Projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve”, ka njoftuar ai në profilin e tij në Facebook.

Deputeti Berisha, i autorizuar i Grupit të deputetëve nënshkrues, do ta prezantoj dhe arsyetoj projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve në seancën plenare të Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet ky projektligj.

Oda Amerikane kërkon shtyrjen e ndryshimit të Ligjit për Automjete

Periskopi.com Lajme

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me anë të një komunikate për media shpreh shqetësimin lidhur me ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 mbi Automjetet, respektivisht ndryshimin e dispozitave me të cilat lejohet importimi i automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, pavarësisht thirrjeve nga Oda Ekonomike Amerikane dhe shoqatat e tjera të biznesit kundër kësaj iniciative.

“Oda Amerikane beson se ligji është në kundërshtim me përpjekjet e promovuara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të ndërmarra brenda Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimeve të gazrave të liruara nga automjetet e lehta dhe të rënda”, thuhet në komunikatë.

Oda Amerikane, beson se iniciativat dhe ndryshimet e këtyre përmasave që kanë implikime të gjera në mjedis, siguri në trafik dhe shëndet, duhen diskutuar më gjerësisht, ndërsa anëtarët e Kuvendit duhen marrë parasysh rëndësinë e një qasje më gjithëpërfshirëse vendimmarrëse.

“Oda Amerikane rekomandon shtyrjen e ndryshimit të ligjit , deri në publikimin e të gjeturave të vlerësimit të shkaktarëve të ndotjes në vend, proces ky tashmë i iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me ekspertë japonezë”.

Oda Ekonomike Amerikane, edhe një herë përsërit thirrjen e saj ndaj politikbërësve që të reflektojnë dhe kuptojnë rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe shoqërinë civile, si mënyra e vetme që siguron se ligjet dhe aktet e tjera ligjore janë në shërbim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

 

Iniciativë për ndryshimin e Ligjit për TVSH’në

Periskopi.com Lajme

Ministria e Financave ka marrë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për TVSH-në,dhe kjo për ta cilësohet si ndër reformat më të mëdha në këtë sektor, pasi për herë të parë mbledhja e të hyrave nga TVSH-ja në pikat doganore, do të kalojë në brendi të vendit, raporton KTV.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit po e shohin këtë si një hap të madh në ekonomi, pasi, sipas tyre, kjo gjë do të mundësojë rritjen e investimeve, si dhe hapjen e vende të reja të punës.

Mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në pikat doganore gjatë importit të mallrave, vazhdimisht është parë si pengesë për bizneset.

Kjo ngase mbledhja e TVSH-së në kufi ka shtjerrë likuiditetin e kompanive importuese dhe ka pamundësuar që paratë të qarkullojnë para se të derdhen në buxhetin e shtetit. Për t’i evituar këto pengesa, është iniciuar edhe ndryshimi i Ligjit për TVSh-në.

Këshilltari i ministrit të Financave (MF), Lulzim Rafuna, tha se me ndryshimin e këtij Ligji mbledhja e TVSH-së nuk do të bëhet gjatë importit të mallrave, por do të bëhet vetëm pasi produkti të plasohet në treg.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se do të duhen edhe trajnime shtesë për zyrtarët e këtij institucioni që të menaxhohet me sukses mbledhja e TVSH-së.

Për drejtorin Ekzekutiv të Odës Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, mbledhja e TVSH-së në brendi të vendit, do të thotë më shumë likuiditet dhe investime për biznese, si dhe më shumë vende të reja të punës për qytetarët.

Qeveria ka iniciuar ndryshimin e Ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe ky projektligj nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

 

Abelard Tahiri nuk e di nëse nënkryetari i Listës Serbe ka probleme me Ligjin

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar dje një takim pune me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin e këtij subjekti Milan Radojçiq.

Takimi sidomos me këtë të fundit ka ngritur shumë reagime në vend.

Ka qenë Presidenti Hashim Thaçi që duke iu referuar këtij takimi ka thënë, se “në Presidencë nuk mund të zhvillojnë takime ata që kanë probleme me drejtësinë”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot në Info Magazine nuk ka dashur ta komentojë këtë takim dhe as deklaratën e Thaçit.

Ai ka thënë madje se nuk e di nëse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ka probleme me Ligjin.

“Kjo është çështje e Prokurorisë dhe gjykatave”, ka thënë ai në Info Magazine të Klan Kosovës.

 

Haradinaj: Statuti i Trepçës të përfundojë sa më shpejt

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar grevën e minatorëve të Trepçës dhe kërkesat e tyre për rregullimin e statutit të ndërmarrjes, ka thënë se nuk ka nevojë të vonohet në bazë të ligjit regjistrimi i kësaj kompanie.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas kthimit nga Samiti në Londës.

“Sa i përket minatorëve, ju e dini se kemi respektin më të madh për ta, unë mendoj se Kosova shumë shpejt duhet të kryej statutin e Trepçës. Nuk ka ende Trepçë të Kosovës, ligj ka , por Trepçë jo, sepse kompania ende nuk është regjistruar në bazë të ligjit. Ligji ia ka mundësuar, parlamenti e ka krye ligjin, por kompania ende nuk ekziston. Kompania është ende një mbetje e një kompanie që ende ka borxhe. Nuk guxojmë pa kufi ta vonojmë këtë”, ka thënë Haradinaj.

Dhuna në familje, Shqipëria ashpërson ligjin për burrat agresorë

Periskopi.com Lajme

Parlamenti shqiptar do të ashpërsojë me ligj masat kundër personave që ushtrojnë dhunë në familje apo ndaj çdo personi tjetër, me të cilin dhunuesi është në lidhje afektive, ndërsa shton kategoritë që përfitojnë mbrojtje të menjëhershme.

Nisma ligjore, e cila pritet të miratohet në fund të këtij sesioni parlamentar, ndryshon ligjin e vitit 2006 për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.

Me anë të ndryshimeve të rëndësishme, projektligji synon që të parandalojë dhe reduktojë rastet e dhunës, përmes rritjes së bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse, shpejtësisë dhe ashpërsimit të masave, të një roli më të fuqishëm të policisë e pushtetit vendor, ofrimit të avokatit falas, heqjes së të gjitha tarifave gjyqësore etj.

Riedukim ose burg për burrat

Për herë të parë, projektligji parashikon ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje si dhe ngritjen e strukturave trajnuese për dhunuesit, të cilët kryesisht janë burrat. Këto struktura trajnuese duhet të ngrihen nga pushteti vendor. Nisma ligjore parashikon që gjykata urdhëron dhunuesin apo dhunuesin që të marrë pjesë në programe të aftësimit prindëror, rehabilitimi dhe psiko-sociale, të organizuara nga subjekte publike ose private.

Për herë të parë, përgjegjësit e programit të rehabilitimit raportojnë përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij, progresivisht, por jo më pak se një raport në përfundim të programit, në të cilin të përfshihen rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit. Nëse dhunuesi refuzon të marrë pjesë në këtë program të aftësimit prindëror, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e Kodit Penal, për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës për urdhrat e mbrojtjes.

Gjithashtu, projektligji parashikon marrjen e masave për të parashikuar programe për arsimimin parauniversitar e profesional të të miturve dhe të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç, që janë dhunues, dhe të të miturve që janë viktima, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre.

Mbrojtja e menjëhershme

Projektligji parashikon shtimin e një neni të ri për mbrojtjen e menjëhershme për viktimat e dhunës në familje. Nisma parashikon që organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit, kur vlerësojnë se, dhuna që ushtrohet paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe lirinë e anëtarëve të familjes, si dhe kur dhuna ushtrohet ndaj fëmijëve, marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës dhe, kryesisht, nxjerrin urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme.

Kjo masë merret menjëherë para se të vendosë gjykata, për shkak se në mjaft raste, kjo hapësirë kohore është përdorur nga dhunuesi për të vijuar dhunën. Ndërkaq, brenda 24 orëve, nga lëshimi i urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme, organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit paraqesin përpara gjykatës kërkesë për vërtetimin e urdhrit dhe lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Projektligji parashikon që vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe nuk mund të ankimohet. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga organet e policisë, në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit dhe zyrën e shërbimeve sociale të njësisë vendore ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë, të përmendur në vendim.

Kërkesa për mbrojtje

Kërkesën për urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme e kanë vetë viktimat e dhunës, përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës, policia, prokuroria, prindi ose kujdestari i të miturit. të afërmit, përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale dhe qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.

Në rast të dhunës, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (bashki), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës në familje mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve të mësipërme për të ndërmarrë masat e nevojshme.

Kategoritë që përfitojnë nga parashikimet e projektligjit

-Bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja

bashkëjetues;

-Vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave, nëse janë anëtarë të njësisë shtëpiake;

-Paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet birësimit;

-Prindërit dhe fëmijët e bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë edhe fëmijët e birësuar prej tyre.

-Gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es;

-Vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;

-Fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues;

-Personat, të cilët janë në lidhje afektive në çift, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;

-Kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi të miturit dhe personit që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes./shqiptarja.com

Reagojnë 1700 gardianë të Kosovës: Nuk u përfshimë në Ligjin për paga

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Shërbimit Korrektuese te Kosovës, ka shprehur shqetësimin lidhur me Ligjin mbi Pagat.

Sipas kryetarit të kësaj sindikate, që përfshinë diku 1770 punonjës të shërbimit korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, këta nuk u përfshinë fare në këtë ligj.

“Ne jemi pjese e uniformës sikurse FSK, Policia, Doganat, Zjarrfikësit që të gjithë janë të përfshirë në ligjin për pagat kurse në shërbimi korrektues nuk figurojmë fare”, ka thënë për KosovaPress, Sadikaj.

“Kërkojmë nga organet përgjegjëse që te ligji mbi pagat të rishqyrtohet që mos të anashkalohemi ne si shërbim korrektues e që nuk jemi të pakët në numër , jemi rreth 1700 pjesëtarë të shërbimit korrektues, ka thënë ai  duke shtuar se sipas informatave, koeficienti është 1.5 siç është përfolur, dhe nuk janë të kënaqur as me këtë koeficientë ë ulët, por edhe faktin se nuk janë përfshirë fare në ligjin për paga si staf civil i burgjeve.

 

Ligji për Obiliqin peng i vullnetit politik

Periskopi.com Lajme

Janë bërë gati dy vjet prej kur ka hyrë në fuqi ligji për qytetin e Obiliqit, por ai nuk po gjen zbatim.Qytetarët shprehen të zhgënjyer me mosimplementimin e tij, raporton KTV.

Ata thonë se banorë nga zona tjera po punësohen në Korporatën Energjetike, pavarësisht se me ligj ata kanë përparësi në punët që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë.

Banorët janë të indinjuar që ende nuk është ulur edhe çmimi i energjisë ashtu siç parashihet me ligj.

Iniciuesi i këtij ligji, ish-deputeti në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, thotë se moszbatimi i tij është mungesë e vullnetit politik.

Por kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, në anën tjetër, thotë se ligji nuk po gjen zbatim shkaku i implikimeve buxhetore.

Gashi po pret miratimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale, ku parashihet që 20% e buxhetit nga inkasimi i rentës minerale të rialokohet nga Buxheti Qendror për buxhetin e komunës.

Projektligji për Miniera dhe Minerale ishte në rend të ditës në seancën e Kuvendit që u mbajt të enjten, por është shtyrë për seancën e radhës.