Meta nuk dekretoi ndryshimet për ligjin e deklarimit të pasurisë sepse do të hetohej edhe pasuria e tij

Periskopi.com Lajme

Sipas këtij ligji, mbi 7 mijë zyrtarë të gjitha niveleve duhet të deklarojnë nga fillimi pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur me ta, që nga viti 1991 deri në fund të vitit 2018, ndërsa dosjet e tyre të pasurive do të bëhen publike në mënyrë elektronike. Pikërisht zbardhja e pasurisë që nga viti 1991 deri më 2018 e ka tmerruar Metën, pasi do të duhet të tregojë për abuzimet që nga vagonat austriakë, tenderat e rrugëve, bllokun dhe 700 mijë eurot e ryshfetit e të gjitha maskarallëqet e tjera, si dhe pasurinë marramendëse që ka, që nga vila në Lalz, pallatet dhe bizneset.

Ilir Meta është shprehur me heshtjen e tij kundër ndryshimit të ligjit për deklarimin e pasurisë.

Ligji i ndryshuar është botuar në fletoren zyrtare pa firmën e Metës dhe vetëm me firmën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ajo që ka trembur më shumë Metën aq sa ta detyrojë të mos e dekretojë këtë ligj të ndryshuar është fakti se nëse ILDKP kërkon të dhëna nga një bankë për një subjekt, ajo është e detyruar t’i vërë në dispozicion të gjitha informacionet për llogari apo transferta të dyshimta.

“Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm apo inspektorëve të autorizuar prej tij, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim”, thuhet në ligj.

Po ashtu aty janë dhënë detaje dhe se çfarë janë të detyruar të deklarojnë pushtetarët shqiptarë.

Dhe këtë deklarim do ta bëjnë zyrtarët e të gjitha niveleve, duke nisur nga Presidenti i Republikës, Kreu i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e kabineti qeveritar, deputetët, e deri tek ata të nivelit më të ulët. Pra janë të detyruar të bëjnë transparencën e pasurisë dhe deklarimin do ta bëjnë përmes sistemit elekronik.

Ky ligj i ndryshuar i punuar dhe koordinuar si proces ndërmjet të dy donatorëve kryesorë USAID/Këshilli i Evropës, në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale lidhur me asistencën e dhënë në ngritjen dhe vënien në funksionim të sistemit elektronik të deklarimit të interesave private, pritet të dorëzojnë produktet brenda muajin mars 2019.

Në këtë mënyrë mbi 7 mijë zyrtarë të gjitha niveleve duhet të deklarojnë nga fillimi pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur me ta, që nga viti 1991 deri në fund të vitit 2018, ndërsa dosjet e tyre të pasurive do të bëhen publike.

Pikërisht zbardhja e pasurisë që nga viti 1991 deri më 2018 e ka tmerruar Metën, që do të duhet të tregojë për abuzimet që nga vagonat austriakë, tenderat e rrugëve, bllokun dhe 700 mijë eurot e ryshfetit dhe të gjitha maskarallëqet e tjera. Por dhe pasurinë marramendëse që ka./Pamfleti

 

 

Paralajmërohet ndryshimi i ligjit për marrjen e patentë shoferit

Periskopi.com Lajme

Interesimi për marrjen e patentë shoferi vazhdon të jetë i lartë dhe i vazhdueshëm.

Gjatë vitit 2018, për patentë shoferë kanë aplikuar 88 mijë e 402 persona, përderisa Ndërsa, 87 mijë e 980 patentë shofer janë prodhuar.

Zyra e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se janë në proces edhe 378 patentë shoferë, përderisa janë refuzuar vetëm 35.

“Gjatë këtij viti kanë aplikuar 88 mijë e 402 persona, janë prodhuar 87 mijë e 980, në proces 387, ndërsa të refuzuara 35”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ka bërë thirrje të vazhdueshme nga organet kompetente për mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të denoncohen rastet e dyshimta.

“Segmenti i patentë-shoferëve është një nga segmentet me të ndjeshme sa i përket sigurisë së trafikut rrugor. Thirrjet e mia të vazhdueshme kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë që të denoncohet secili rast i dyshimtë në këtë drejtim dhe janë organet tjera që merren me luftimin e dukurisë së korrupsionit nëse ai ekziston vërtetë, jemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjithë për të forcuar sundimin e ligjit në çdo segment”, ka thënë ai.

Ndërsa, ai ka paralajmëruar edhe ndryshime të ligjit, mirëpo nuk ka treguar kohën se kur.

“Ndryshimet ligjore janë të domosdoshme në çdo kohë për t’u përshtatur me standardet e BE-së, prandaj duhet të ndodhin, sidomos në licencimin apo rilicencimin e vozitësve, sidomos të atyre vozitësve që shfaqen të papërgjegjshëm gjatë vozitjes. Se cilat do të jenë, opinioni i gjerë publik do të informohet me kohë”, ka thënë Lekaj.

Përderisa, eksperti i komunikacionit Nol Dedaj konsideron se ka mangësi të shumta tek ligji për patentë shoferë. Gjatë një prononcimi të mëparshëm për Indeksonline ai ka thënë se “fakti që nuk kemi ende një databazë për evidentimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit do të thotë shumë”.

“Ligji për patentë shofer ka mangësi të shumta, jemi në shekullin 21 dhe jetojmë në territor të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne ende testohemi në mënyrë manuale, nuk e kemi testimin, nuk e kemi mbikëqyrjen e instruktorëve, në mënyrë që të lejohet instruktori me dhënë përgjegjësi për secilin kandidat i cili shkon dhe testohet në mënyrë praktike. Se shteti nuk i ka krijuar organet që mundet të bëjë mbikëqyrje të sigurt. Nuk ka ndonjë testim, për shkak të zhvillimit të korrupsionit. Që e zënë 2-3 herë me shpejtësi dhe me alkool dhe i eliminohen pikët në patentë shoferë, ne ende nuk kemi data-bazë për ediventimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit. “, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Ndryshe, duhet cekur se shkelja e rregullave të trafikut ndodh shpesh në Kosovë, si pasojë e të cilave po ndodhin edhe aksidente  të shumta rrugore, madje të shpeshta po janë edhe ato me fatalitet.

Kujdes: Në këto vende mund të dënoheni me vite për gjëra që nuk ua merr mendja

Periskopi.com Lajme

Blerja e midhjeve, ushqimi i peshkut dhe mbajtja e letrave të bixhozit, konsiderohen të paligjshme në Tajlandë.

Turistët rusë që blenë midhje në një dyqan lokal u arrestuan dhe u dënuan me një vit burg, dhe ata paguan 2.000 dollarë kaucion për t’u kthyer në Rusi.

Përveç ndalimit të turistëve për mbledhjen dhe blerjen e butakëve, ata gjithashtu nuk duhet të ushqejnë peshqit, pasi mund të marrin një vit burgim. Një turiste u arrestua derisa po ushqente një peshk dhe po fotografohej njëkohësisht, por më vonë u lirua pasi pagoi një gjobë të madhe.

Tajlanda ka rregulla të rrepta në lidhje me mbajtjen dhe letrat e bixhozit. Ligji i miratuar në vitin 1935 ndalon posedimin e më shumë se 120 letrave. Nëse ju kapeni me më shumë se dy palë letra bixhozi ose luani në një vend publik, do të arrestoheni.

Në Australi, është më mirë të kontrolloni veten nëse jeni të shqetësuar dhe doni të shani në vend publik, pasi mund të dënoheni deri në 6 muaj burg.

Në Singapor, është e ndaluar lidhja në çfarëdo rrjeti  WiFi të hapur të dikujt pa e njoftuar pronarin, pasi do të dënoheni për një sulm hakerik dhe do të merrni të paktën tre vjet burg për këtë vepër penale.

Në “tokën e lindjes së diellit” është e ndaluar të ecësh pa kartë identiteti. Nëse policia ju arreston dhe nuk keni ndonjë dokument, do të merrni të paktën 23 ditë burg.

Nëse vizitoni Emiratet Arabe, mos mbani gjëra të rrezikshme, pasi mund të fitoni disa ditë burg edhe për detajet më të vogla. Një zviceran u arrestua në Dubai dhe u dënua me katër vjet pasi policia gjeti tre pirunë të ëmbëlsirave që kishte ngrënë në një aeroport tjetër.

Amerikanët kanë një ligj që thotë se është e paligjshme t’u jepet ushqim njerëzve të pastrehë në rrugë. Ky ligj është aq serioz sa edhe është arrestuar një prift dhe ishte dënuar me dy muaj burg, pasi kishte gatuar dhe shpërndarë ushqim për të uriturit.

Sipas bindjeve të qeverisë amerikane, nëse dikush dëshiron të bëjë punë humanitare, ata duhet të kërkojnë lejen e administratës së qytetit për ta bërë këtë në vendet që janë të parapara për këtë qëllim, jo në mënyrë të pavarur.

 

600 zyrtarë “supermenë” të shtetit janë duke shkelur ligjin

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, ku është publikuar raporti lidhur me përputhjen dhe ushtrimin e funksioneve publike të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në përputhje me Ligjin mbi Konfliktin e Interesit, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se shumë zyrtarë janë bërë “supermenë” që mbajnë shumë pozita zyrtare.

Ai ka kërkuar me këtë rast të ndalohet ky fenomen për konflikt interesi.Në këtë tryezë u tha se rreth 600 zyrtarë të lartë publikë shfrytëzojnë më shumë se dy pozita për punë, prej tyre ka që mbajnë deri në shtatë pozita. Ehat Miftaraj nga IKD tha se nga 4 mijë dokumente të analizuara që janë marrë nga deklarimet, 563 zyrtarë të lartë publikë shfrytëzojnë më shumë se dy pozita. 63 më dy të ardhura, 10 pranojnë katër të ardhura, 19 të tjerë pranojnë pesë paga nga burime të buxhetit të Kosovës.

Miftaraj ka thënë se nga 631 zyrtarë në këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, prej tyre 420 në KGJK, 38 mbajnë dy funksione, dhe 203 zyrtarë të Këshillit Prokurorial, prej tyre 53 zyrtarë mbajnë dy funksione.

Shaip Havolli nga Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se kanë trajtuar një numër të madh të rasteve për konflikt të interesit.

Kjo agjenci sipas tij, gjatë këtij viti ka trajtuar 78 raste për konflikt interesi, prej tyre dy raste janë për hetime dhe një është proceduar në gjykatë. Havolli ka elaboruar vetëm një rast, se si buxheti i Kosovës keqpërdoret dhe keqmenaxhohet nga ana e zyrtarëve të lartë. Ndërsa, Lana Owens OPDA, pjesë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, ka thënë se një nga gjërat e rëndësishme që duhet pas parasysh në sistemin e drejtësisë është transparenca.
Ajo ka shtuar se sistemi gjyqësor nuk është i njohur për publikun e përgjithshëm se nëse një zyrtar gjyqësor apo prokurorial, është në konflikt interesi. Ndryshe, edhe pse ishin të ftuar, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë nuk kanë marrë pjesë në këtë tryezë.

Gardianët kërkojnë të përfshihen në projektligjin për pagat

Periskopi.com Lajme

Punonjësit e sistemit të drejtësisë, veçanërisht ata të Shërbimit Korrektues, po ndihen të diskriminuar me projektligjin e ri për pagat, kjo pasi mbi 1 mijë e 700 punëtorë nuk janë përfshirë në këtë projektligj.

Në këtë rast, bëhet fjalë për gardianët e burgut të Dubravës, të cilët i mbikëqyrë Shërbimi Korrektues.

I zhgënjyer me këtë është edhe kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, i cili thotë se përkundër faktit se kaherë kanë paraqitur kërkesat e tyre, ende nuk është bërë asgjë për të përmirësuar pozicionin e tyre.

Në një intervistë për KosovaPress, Sadikaj ka shpalosur disa nga kërkesat kryesore të kësaj sindikate.

“Ndër kërkesat më kryesore është Ligji i Shërbimit Korrektues, ku kemi pasur si premtim nga ish-ministri Hajredin Kuçi, i cili deri më tani nuk është bërë dhe, sipas mendimit tonë, shumë pak është bërë në këtë drejtim. Një kërkesë e dytë dhe me shumë rëndësi është që ne Shërbimi Korrektues nuk jemi të përfshirë në ligjin për paga, do të thotë të gjithë janë të përfshirë, Policia, FSK-ja, doganat, zjarrfikësit e të tjerë, ne nuk jemi fare të përfshirë”, tha ai.

Tutje, ai thotë se është e papranueshme që të jenë staf civil, e jo staf i uniformuar.

“Sipas Ministrisë të Shërbimeve Publike, po del se ne nuk jemi fare staf i uniformuar, por jemi staf civil. Sipas nesh, është e pranueshme që ne të jemi staf civil e jo uniformues. Pra, këtu është bërë një e padrejtë ndaj Shërbimit Korrektues, për këtë jemi të mllefosur dhe kemi bërë kërkesa me shkrim”, theksoi ai.

Sipas tij, krahas njohjes së punonjësve të këtij shërbimi, si staf i uniformuar duhet rregullohet edhe mosha e pensionimit të gardianëve.

“Si kërkesë tjetër del që mosha e pensionimit të jetë 55 vjet sikurse parashihet të jetë Policia, dhe si është për momentin FSK-ja. Dua t’iu informojë se mosha mesatare e shërbimit korrektues është 48-49 vite. Për këtë, stafi është i mplakur dhe nuk mund t’i kryej detyrat në Shërbimin Korrektues… Në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, qe 10 vite askush nuk është pranuar si punëtor i ri dhe mbi 190 veta e kanë lëshuar, kanë vdekur ose janë suspenduar e nuk është pranuar asnjë punëtorë i ri, gjë që dëshmon se me të vërtetë stafi është shumë i vjetruar”, u shpreh Sadikaj.

Sadikaj shton se Shërbimi Korrektues përballet me një mori problemesh, përkundër raportimit të tyre tek institucionet përkatëse.

“Në shërbimin korrektues paraqiten një mori problemesh, të cilat ne si sindikatë jemi munduar që t’i zvogëlojmë apo t’i përmirësojmë, por nuk kemi arritur. Për problemet tona janë të informuar edhe zyrtarët e lartë, si Ministria, Drejtoria Qendrore dhe Drejtoria jonë këtu në Dubravë”, tha ai për KosovaPress.

Krejt në fund, Sadikaj tha se janë duke bërë përpjekje të pareshtura që problemet që dalin në këtë institucion të zgjidhen sa më parë. Porse shton se deri më tani nuk kanë arritur që të zgjidhin problemet aktuale.

 

 

Të burgosurve u ndalohet të vijojnë studimet në arsimin e lartë

Periskopi.com Lajme

Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Republikën e Kosovës, nuk u garanton shkollim në arsimin e lartë të burgosurve që vuajnë dënimin nëpër qendrat korrektuese. Mundësinë e studimeve për personat e interesuar mund ta bëjë vetëm drejtori i qendrës përkatëse përmes programeve të veçanta.

Mirëpo, një gjë e tillë nga Avokati i Popullit po shihet si s’përputhje në mes të ligjit në fjalë dhe të drejtës njerëzore për shkollim.

Legjislatura aktuale në Kosovë, nuk ua mundëson të burgosurve nëpër qendrat korrektuese që t’i vijojnë studimet në arsimin e lartë.

Neni 84 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, këtë kompetencë ia jep drejtorit të qendrës përkatëse, mirëpo pa mbulim të shpenzimeve për studim. Sipas këtij neni: “Përmes programeve të veçanta, drejtori i institucionit korrektues i mundëson personit të dënuar vijimin e shkollimit fillor, të mesëm, universitar, apo ndonjë shkollim tjetër. Shpenzimet e shkollimit të tillë mbulohen nga personi i dënuar”.

Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën edhe drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Heset Loku. Ai ka thënë se këtë vit akademik vijimin e studimeve ia ka mundësuar vetëm një studenti, i cili e ka arritur një të dytën e dënimit dhe iu ka mundësuar shfrytëzimi i beneficioneve për shfrytëzim të vikendit në shtëpi.

Në të kundërtën, Loku ka thënë se për mundësinë e shkollimit të lartë nuk ekziston baza ligjore.

“Ka kërkesa të tilla por aty duhet të plotësohen disa kritere ligjore për mundësinë e vijimit në arsimin e lartë, por për momentin mungon edhe një udhëzim administrativ, i cili do ta rregullonte mundësinë e shkollimit universitar.”

Por, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka deklaruar se ka kërkesa të shumta të të burgosurve për të vijuar studimet, për çka ka kërkuar edhe interpretim ligjor nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

“Kemi pasur një peticion nga një nënë, për edukimin e të burgosurve në Kosovë, edukimin e lartë, është për fakultet, dhe bëhet fjalë për një numër serioz, a kanë bazë ligjore apo si qëndron gjendja.”

Jashari është shprehur se të burgosurve nuk do të duhej t’u merrej asnjë e drejtë tjetër përveç asaj të lëvizjes gjatë qëndrimit në burg.

“Prandaj, çdo pretendim për kufizimin e një të drejte tjetër sepse po t’i merrej një e drejtë tjetër ajo do të duhej të ishte pjesë e aktgjykimit. Mirëpo, përderisa si standard gjithkund në botë është që personi privohet vetëm nga liria e lëvizjes, derisa gëzon të gjitha të drejtat e tjera, atëherë në këtë kuadër bie edhe e drejta e edukimit që sistemi do të duhej t’ua mundësonte këtyre njerëzve, sepse në fund të fundit edhe ideja e vetë sistemit ndëshkues është që, këta njerëz t’i kthejë një ditë në shoqëri dhe të jenë persona që kontribuojnë dhe integrohen një ditë në shoqëri.”

Statistikat e Shërbimit Korrektues në Kosovë tregojnë se në shkollimin e lartë aktualisht nuk i vijon studimet asnjë i burgosur. Kjo pasi që ky shërbim nuk ka bazë ligjore t’ua lejojë një gjë të tillë.

 

Kosova s’ka ligj për transplant megjithëse ka kapacitet për ndërhyrje të tilla

Periskopi.com Lajme

Ligji për transplantim që nuk e ka Kosova po u shkakton telashe shumë pacientëve që kanë nevojë për një gjë të tillë.

Mbi 40% nga 890 pacientë që aktualisht janë në dializë kanë nevojë imediate për transplantim, kurse nga SHSKUK thonë se ata kanë kapacitet të kryejnë një ndërhyrje të tillë.

Megjithatë kryetarja e komisionit për shëndetësi, Besa Baftiu ka bërë të ditur se ky ligj nuk është në agjend për këtë vit.

 

Blerta Deliu reagon për raportimet se ajo s’e kishte votuar Ligjin për viktimat e dhunës seksuale

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar ashpër pas disa raportimeve se ajo dhe disa bashkëpartiakë të saj nuk kishin votuar Ligjin që mbronte dhe kërkonte drejtësi për gratë e përdhunuara gjatë luftës së fundit.

Deliu ka thënë tërë këto janë gënjeshtra dhe se dikush po do personalisht që t’i dëmtojë ata, transmeton Periskopi.

Deputetja e PDK’së e ka publikuar në Facebook edhe një listë e cila tregon se deputetët në fjalë kishin votuar pro këtij Ligji në vitin 2014.

Deliu e cila sot tregon përkrahjen e saj për gratë e përdhunuara gjatë luftës dhe merr pjesë në konferenca ku mbështeten viktimat e dhunës seksuale dikur mendonte ndryshe.

Ajo dhe disa deputetë të tjerë të PDK-së kishin bërë bashkë forcat – kryesisht me deputetë serbë – në tentimin për ta penguar ndryshimin e Ligjit.

Por, vetëm një vit më vonë, deputetja Deliu kishte ndërruar mendje dhe në vitin 2014 votoi ‘për’ ndryshimin e këtij ligji.

 

Ja postimi i plotë në Facebook:

Nje fushatë e ultë shpifëse, e inicuar dhe e shpërndarë nga disa oponentë politikë, kryesisht nëpër rrjete sociale dhe portale partiake, po mashtron opinionin publik se kinse unë dhe disa nga kolegët e mi deputetë kemi votuar kundër Plotësim Ndryshimit të Ligjit që rregullon statusin e viktimave te dhunës seksuale gjatë luftës.

Është skajshmërisht e turpshme kjo qasje linquese, që mbi te gjitha është një gënjeshter e qëllimshme që ka tendencë kryesore për të na denigruar neve përsonalisht.

Si dëshmi që krejt kjo fushatë e orkestruar është nje shpifje e qëllimshme, këtu po e postoj të plotë mënyren e votimit të të gjithë deputetëve për Ligjin në fjalë, gjatë seancës së mbajtur me datë 20
Mars 2014.

Si dëshmi e keni edhe mënyren e votimit të deputetëve të cilen si të tillë e gjeni edhe ne ëeb faqen e Kuvendit të Kosovës!/Periskopi/

 

 

Ministri i FSK’së u kërkon deputetëve që ta votojnë ligjin për ushtrinë

Periskopi.com Lajme

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar nga deputetet që ta votojnë atë.

Berisha tha se kjo është bërë sipas Kushtetutës.

“Kjo është bërë në kuadër të Kushtetutës që do të mundësojë riorganizimin e Ministrisë. Ky projektligj parasheh riorganizimin e MFSK-së. Ministria e Mbrojtjes do të jetë e përbërë nga shërbyesit civil dhe personeli ushtarak”, tha Berisha.

Ai tha se të gjitha ndryshimet do të bëhen sipas rishikimit të sektorit të sigurisë që janë të dhe që janë të parashikuara në planin e tranzicionit.

“Nëse ndryshon ligji për FSK-në, rishikohet angazhimi i NATO-s në Kosovë”

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës do të procedojë ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa ia ndryshuar asaj emërtimin. Ky ndryshim mund ta detyrojë NATO-n të rishikojë angazhimin e vet në Kosovë.

“U përket autoriteteve të Kosovës që të vendosin për ndryshimet në mandatin dhe strukturën e FSK-së. NATO përkrah FSK-në nën mandatin aktual. Nëse mandati ndryshon Këshilli i Atlantikut Verior do të rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”, deklaron një zyrtar i NATO-s i pyetur nga Deutche Welle.

Në pyetjen se cilat mund të jenë këto ndryshime, organiznata më e fuqishme botërore shpejgoi se ato nuk mund të parashikohen tani. “Ne nuk mund të parashohim vendimet e Këshillit të Atlantikut Verior”, dekalron zyrtari.

Këshilli i Atlantikut Verior është forumi më i lartë vendimmarrës i Aleancës së Atlantikut Verior e krijuar qysh në vitin 1949 dhe “vendimet e këtij këshilli janë shprehje e vullnetit kolektiv i të gjithë vendeve anëtare të aleancës, pasi vendimet bëhen në bazë të unanimitetit dhe pajtimit të përbashkët”, shkruhet në nenin IX e Traktatit të Atlantikut.

Transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë një çështje e debatuar në radhët e institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi kjo e fundit ka kërkuar që këto ndryshime të bëhen në nivelin e Kushtetutës së Kosovës, gjë për të cilën kërkohet edhe aprovimi i pakicave duke përfshirë edhe Grupin Parlamentar (GP)Lista Serbe.

Për shkak të kundërshtimit të GP Lista Serbe ndryshimet kushtetuese kanë qenë të pamundura. Kështu të enjten (18.10) do të vendosen në votim tre ligje, që kanë të bëjnë me FSK-në.

Më herët gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo, pati thënë: “Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, kjo duhet të realizohet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë gjenerali Fogo.

Rishtasi edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë thënë se ata e kanë përkrahjen e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për këtë transformim.

“Kosova e ka përkrahjen e Amerikës për Ushtrinë e Kosovës. Kjo është konfirmuar nga sekretari i Mbrojtjes James Mattis. E kemi bekimin e Amerikës për Ushtrinë”, është shprehur Haradinaj, duke përsëritur se “kjo do t’i kontribuojë paqes në rajon”.

Nga ana tjetër Serbia zyrtare dhe deputetët e Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, pati deklaruar se “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e tij kështu do të jetë edhe për Serbinë”, citojnë mediet në Serbi, ministrin serb të Mbrojtjes.

Vendos kryesia: Të enjten Ushtria në Kuvend

Periskopi.com Lajme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e rradhës.

Në rendin e ditës janë 44 pika, ku në mesin e tyre është edhe shqyrtimi në lexim të parë i tri projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Gjithashtu në seancën e radhës është planifikuar që të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për pagat në sektorin publik dhe shqyrtimi i parë Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.

Ligji më jonjerëzor miratohet në Hungarinë e Viktor Orban

Periskopi.com Lajme

Një ligj që i ndalon personat të cilët nuk kanë një banesë fikse të flenë në hapësirat publike në Hungari, u miratua nga qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe pritet të hyjë në fuqi të hënën, një masë e cilësuar “mizore” nga një raportuese OKB-së për strehimin.

Një amendament kushtetues i miratuar nga parlamenti hungarez më 20 qershor ndalon “qëndrimin e vazhdueshëm në një hapësirë publike”. Ky amendament e forcon një ligj të vitit 2013 që e bën atë një vepër penale të dënueshme me gjobë.

Policia është autorizuar tashmë për të larguar të pastrehët dhe për të prishur kasollet dhe ambjentet e improvizuara për strehim.

Ligj i ri për personat me probleme të shëndetit mendor

Periskopi.com Lajme

Mijëra njerëz me probleme mendore në gjithë botën janë të privuar nga të drejtat e tyre njerëzore, ka tërhequr vërejtjen Organizata Botërore e Shëndetësisë. Edhe në Kosovë, kjo kategori e shoqërisë është në një gjendje jo të lakmueshme.

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta në nivel vendi se sa njerëz vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. Ndërkaq nga aspekti lokal, në Komunën e Prishtinës, sipas shifrave të prezantuara, numri i personave me dëmtime intelektuale është 195 veta.

Bajram Morina është 30 vjeçar. Ai vuan nga problemi i shëndetit mendor. Megjithatë, ai tash e 19 vjet pikturon. Ka kryer fakultetin në Universitetin e Prishtinës dhe tani po vazhdon edhe masterin në Degën e Artit. Morina thotë se ka shumë shokë e shoqe që i ndihmojnë dhe e kanë inkuadruar në shoqëri. Ka piktura të ndryshme, disa prej të cilave edhe i shet.

“Unë kam vizatuar qytetet e vjetra, gjelbërime, natyrën e qetë, vazo me lule, kam përdorur shumë ngjyra dhe i dua ngjyrat. Qe 19 vjet unë vizatoj. Tani po shkoj edhe në master”.

“Unë edhe i shes pikturat, por nuk më shiten shumë, zakonisht ndërkombëtarët mi blejnë pikturat. Njëri ka ble shumë piktura dhe i kanë pëlqyer shumë. Unë zakonisht vizatoj në shtëpi. Jetoj me prindërit dhe vëllezërit”, tha Morina.

Janë disa organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave dhe kujdesen në baza ditore.

Klubi “Dëshira”, është një prej atyre organizatave që shërben për rehabilitimin e personave me probleme në sferën e shëndetit mendor.

Morina thotë se shkon në klubin “Dëshira”, dhe se shoqërimi me njerëz të kategorisë së tij si dhe ndihma nga psikiatri aty i ka ndihmuar shumë.

“Unë shkoj në klubin “Dëshira” dhe ndihem shumë mirë. Kam shumë shoqe aty dhe janë shumë të mirë”, tha ai.

Armenda Berani, nga zyra për qeverisje të mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit, i tha Radios Evropa e Lirë, se aktualisht ka në fuqi një ligj për aftësinë e kufizuar. Ai mundëson edhe ndarjen e ndihmës prej 75 eurosh në muaj për këta persona.

Por, ajo thotë se këto mjete janë të pamjaftueshme, dhe janë duke pritur që të analizohet nevoja reale e personave me problem mendor dhe më pas të procedohet ligji i ri i cili tashmë është në përpunim e sipër.

“Qeveria e Kosovës ka vazhduar përpjekjet e saj që të krijojë një legjislacion të mirëfilltë e që i mbështet të gjithë personat me aftësi të kufizuar, përfshirë edhe personat me problem të shëndetit mendor varësisht nga nevoja që kanë”.

“Bëhet fjalë edhe për një mbështetje financiare, për qasje të mirëfilltë për një jetë normale, pra për një kujdestar e që është shumë e nevojshme për këtë kategori”, thotë Berani.

“Më pas edhe në arsim, shëndetësi, aktiviteteve të tyre jetësore e kështu me radhë. Zyra jonë është pjesë e hartimit të dokument-konceptit dhe pritet miratimi i tij. Më pas neve na pret një punë intensive në hartimin e ligjit, dhe do t’ju jep një shtytje personave më aftësi të kufizuar”, theksoi Berani.

Ndonëse ka iniciativë për punësimin e personave që kanë probleme me shëndetin mendor, punësimi i tyre në numër është simbolik.

Nusret Shillova drejtor i qendrës rehabilituese “Dëshira”, thotë se kanë arritur t’i punësojnë kohë pas kohe disa persona, por që kanë qenë punë sezonale. Ai thotë se kryesisht punojnë si rrobaqepës, krijojnë kartolina të ndryshme, të cilat më pas edhe i shesin.

Njëra nga të punësuarat është Lumnie Demolli. Ajo tha se po punon me kartolina të cilat po i vizatojnë ose punojnë me materiale të ndryshme. Nga shitja e tyre, ajo thotë se paratë e fituara po i shfrytëzojnë për nevoja të qendrës rehabilituese.

“Unë që nga viti 2004 kam filluar të dal nga shtëpia dhe të shkoj në klubin ”Dëshira”. Aktualisht po punoj me kartolina. Çmimet që ne i kemi caktuar janë nga 2 euro e më lartë. Kartolinat i bëjmë me zemra, me lule, katrore varësisht”.

“Materialin na e blejnë klubi, por ndonjëherë edhe Komuna e Prishtinës na ndihmon. Paratë po i mbledhim për nevojat e qendrës rehabilituese ku ne e kalojmë ditën. Jam shumë e lumtur që po punoj”, tha Demolli.

Sidoqoftë sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi fillon me ndërgjegjësimin lidhur me kuptimin e shenjave dhe simptomave të para të problemeve të shëndetit mendor.

Prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë në krijimin e aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve për jetën, për përballimin e sfidave të përditshme në shkollë apo familje dhe mbështetja psikosociale që mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet. (REL)

 

Këto do të jenë pagat e reja në sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Paga më e lartë në sektorin publik të shëndetësisë parashihet të jetë 1195 euro. Kjo pagë u dedikohet mjekëve specialistë, përkatësisht ekspertëve të mjekësisë ligjore apo atyre që kanë pozita të ngjashme në shëndetësi. Ky standard pagash është përcaktuar në Projektligjin për Paga, të cilin qeveria e ka proceduar në Kuvend dhe i njëjti tash pritet t’i kalojë procedurat e shqyrtimit dhe miratimit

Nën pagën më të lartë e cila është llogaritur me koeficientin 5, vijnë pagat me koeficient 4.80, e të cilat u përkasin drejtuesve të lartë në shëndetësi. Aty hyjnë:  drejtori në QKUSK, drejtori i QKUK, drejtori i IKSHP-së, drejtori i QKTGJ-së dhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm. Të gjithë këta parashihet të marrin 1147 euro në mua, shkruan AktivPress.

Pas tyre vijnë: drejtori i klinikave, drejtori i QKMF-së, drejtori i Qendrës së Mjekësisë së Punës, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Sportive, drejtori i  Telemjekësisë dhe drejtori i Qendrës në Shtime. Paga e tyre parashihet të bëhet 1099 euro.

Pak më të ultë pagën do ta kenë udhëheqësit në Qendrën e Ortoprotetikës në QKUK, ata në barnatoren qendrore të QKUK-së dhe në repartet e shërbimet të tjera shëndetësore në QKUK, si dhe udhëheqësi i qendrave regjionale dhe i departamenteve në IKSHP. Me koeficient 4.60, ata parashihet të marrin 1099 euro në muaj.

Fill pas tyre vijnë mjekët specialist të mjekësisë  familjare. Koeficienti i pagës së tyre është përcaktuar të jetë  4.50. Duke marrë parasysh se vlera e një koeficienti është 239 euro, atëherë i bie që paga e tyre të jetë 1075 euro.

Mjeku i përgjithshëm, psikologu klinik dhe farmacisti në institucionet shëndetësore janë përfshirë në një kategori. Koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 3.40, që po të shprehet në para i bie 812.6 euro.

Në listë vijnë kryeinfermieret. Paga e tyre është llogaritur 669 euro, shkruan AktivPress. Kryepunëtorët do të marrin 525.8 euro, po aq sa parashihet të marrin edhe infermierët, mamit dhe teknikët mjekësor të shkallës së parë, pasi ata të shkallës së dytë parashihet të marrin 454 euro, kurse ata në shkallën e tretë-  406 euro.

Të fundit në listë janë teknikët farmacistë dhe asistentët e infermierisë. Të parët parashihet të marrin 382.4 euro, ndërsa këta të fundit 346,5 euro.

Pavarësisht këtij standardi të pagave, mjekët nuk janë të kënaqur në sektorin publik.

Ata kanë thënë se nëse Qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, atëherë do të ketë kolaps në sektorin e shëndetësisë dhe se ata do ta bojkotojnë punën.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, para disa ditësh ka deklaruar për media se janë duke punuar në atë drejtim që të gjitha pagat në sektorin e shëndetësisë të ngriten, por gjithashtu të ketë edhe kategorizime.

 

Ligji për regjistrimin e automjeteve pritet të ndryshohet

Periskopi.com Lajme

Grupi punues për Ligjin e Automjeteve në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar iniciativën për plotësim ndryshimin e Ligjit, në mënyrë që të hiqen masat ndëshkuese ndaj qytetarëve që sipas ligjit aktual, automjetin e blerë duhet ta regjistrojnë nga e para.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se shumë shpejt, me bartjen e pronësisë së automjetit, shoferët bartin edhe regjistrimin, pa pasur nevojë të paguajnë taksat shtesë.

Ky është njoftimi i tij:

Në Grupin Punues për Ligjin e Automjeteve, kalon iniciativa për plotësim ndryshimin e Ligjit dhe të hiqen masat ndëshkuese ndaj qytetarëve që sipas ligjit aktual, automjetin e blerë duhet ta regjistrojnë nga e para!

Shumë shpejt, ata me bartjen e pronësisë e bartin edhe regjistrimin, pa pasur nevojë të paguajnë taksa shtesë.

Deputetët në shërbim të qytetarit, ky është misioni i tyre!

MN

 

Ritestimi i shoferëve po konsiderohet i paligjshëm

Periskopi.com Lajme

I paligjshëm dhe shkelje e të drejtave të njeriut po konsiderohet përpjekja e Ministrisë së Infrastrukturës për t’i ritestuar për patentë shofer të gjithë qytetarët që e posedojnë këtë dokument.

Kjo, pritet të bëhet e obligueshme nëpërmjet një udhëzimi administrativ që Ministria është duke e përgatitur, shkruan sot “Koha Ditore”. Këtë e ka pohuar edhe vetë ministri, Pal Lekaj.

Por kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se përveçqë është shkelje ligjore, është edhe zhvatje e qytetarëve, pasi këtë proces pritet ta udhëheqë një kompani private.

Shala ka theksuar se nëse një qytetar është pajisur me patentë shofer, ai nuk ka nevojë të hyjë më në ritestim nëse paraprakisht nuk ka shkaktuar kundërvajtje të rënda dhe nuk e ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Të dielën ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke e arsyetuar këtë nismë, ka vënë në dyshim aftësitë e qytetarëve pasi sipas tij përnjëherë nuk mund të mësohen të gjitha rregullat e komunikacionit.

 

Qeveria nuk ka paraparë me ligj si ta armatosë FSK’në

Periskopi.com Lajme

Betohem solemnisht se do te jem i përkushtuar dhe do t’i qëndroj besnik Republikës së Kosovës, se do t’u bindem urdhrave të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe oficerëve të tjerë mbi mua”.

Ky do të jetë betimi që ushtarakët e rinj të Kosovës do ta bëjnë në ditën kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësinë të transformohet në ushtri.

Ky betim është në projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që Qeveria ka proceduar në Kuvend.

Por, megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë se si do të armatosë FSK-së, me artileri ushtarake. Bashkë më të, ajo ligjvënësve u ka dërguar edhe projektligjin për FSK-në, dhe atë për Ministrinë e Mbrojtjes.

KTV-ja posedon të tria këto projektligje, por vetëm në nenin 7 të projektligjit për FSK-në përmendet armatimi. Përkrahje projektligjeve u ka ofruar PSD-ja, por që sipas tyre, pasi të analizojnë projektligjet të cilat nuk i kanë marrë ende.

Zv. kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, ka garantuar se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim të plotë me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Britania synon ndryshimin e ligjit për divorc

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Britanisë së Madhe synon të bëjë më të lehtë ndarjen e çifteve të martuara, duke u bazuar në rastin e një gruaje, e cila është detyruar të jetë pjesë e asaj që e ka cilësuar si martesë pa dashuri.

Gjykata Supreme ka udhëruar në muajin korrik se Tini Owmes duhet të vazhdojë martesën me burrin e saj, pavarësisht dëshirës së saj për divorc.

Gjyqtarët e kanë cilësuar këtë rast “shumë problematik”, mirëpo sipas tyre, duart i kanë të lidhura nga ligjet shtetërore për divorc.

Ligjet angleze kërkojnë që nga pala që kërkon ndarjen, të vërtetojë sjellje të paarsyeshme, shkelje të kurorës apo pjesë vjet ndarje, përveç rastit kur të dyja palët pajtohen për divorcim.

BuzzFeed News ka raportuar të premten se ministrat pritet të nisin konsultimet për reforma.

Zëdhënësja e Dhomës së Lordëve, Charlotte Vere ka thënë se, “ne kemi duke kërkuar mënyra si të ulim konfliktin në një divorc”.

 

Qeveria procedon për Kuvend Ligjin për Paga

Periskopi.com Lajme

Kabineti qeveritar ka proceduar për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për Paga.

Procedimi i Projektligjit është bërë pa asnjë votë kundër dhe me një abstenim nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar e ka arsyetuar këtë projektligj, ndërsa ministri i  Financave  Bedri Hamza tha se  voton pro projektligjit, por sipas tij ndikimi buxhetor nuk duhet rrezikuar stabilitetin makrofiskal.

Në lidhje me këtë Projektligj ka reaguar edhe  ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi , i cili tha se  gradimi ose koeficienti i pagave të mësimdhënësve nuk duhet të jetë më i ulët se në sektorët tjerë, ngase mund ta degradojë sistemin arsimor.

Sipas tij, koeficienti për pagat në arsim është më i ulët se në sektorët tjerë, për çka ka abstenuar me votë. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me këtë projektligj nuk ulje të pagave, përveç pagës së kryeministrit.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka proceduar  për në Kuvend edhe propozim – vendimin në lidhje me  Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Kosovë.

 

 

Delegatët e të 90-ve të pakënaqur me 300 mijë eurot e ndara nga qeveria, kërkojnë ligj

Periskopi.com Lajme

Mungesa e ligjit të veçantë që njeh kontributin e delegatëve të viteve 1990 ka bërë që për të dytin vit qeveria, përmes një vendimi, të ndajë nga 300 mijë euro për këtë kategori.

Ish-kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Ilaz Ramajli, pret që kryeministri Ramush Haradinaj ta mbajë fjalën dhe ta procedojë në Kuvend projektligjin, përmes të cilit do t’u njihej kontributi 111 delegatëve të asaj kohe, raporton KTV.

Por, megjithatë, Ramajli thotë t’u jenë falënderues institucioneve që kanë gjetur një zgjidhje kalimtare, derisa të nxirret ligji, duke marrë parasysh se një numër i delegatëve që janë gjallë janë në gjendje të vështirë ekonomike.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, thotë se një ligj i tillë do t’iu jepte dinjitet e garanci atyre që e kanë rrezikuar atëkohë jetën e tyre.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje se kur ky projektligj do të hidhet në diskutim dhe i njëjti të procedohet në Kuvend.