Tahiri: Së shpejti do të rregullohet çështja e zv/ministrave

Periskopi.com Lajme

Kosova së shpejti do të ketë ligj për Qeverinë. E tashmë vendi ynë e ka ligjin për organizimin dhe funksionalizimin e administratës shtetërore dhe ligjin e pagave.

Koordinatori nacional për reforma, Besnik Tahiri, thotë për RTK se ligji për Qeverinë parasheh në detaje rregullimin e të gjitha ministrive dhe zv.ministrave.

Ai konsideron se është e palogjikshme që në zyrën e kryeministrit të jenë 700 punëtorë të agjencive të ndryshme, prandaj kjo çështje do të rregullohet me ligj.

Reformat në Kosovë po vlerësohen si progres i lartë nga qeveritë dhe partnerët më seriozë ndërkombëtarë.

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, theksoi ditë më parë se reformat të cilat janë ndërmarrë nga Kosova janë mbresëlënëse dhe duhet të pranohen.

Ai njëkohësisht ri-konfirmon mbështetjen financiare të Qeverisë Gjermane për Kosovën.

Edhe indeksi i Bankës Botërore e ka radhitur Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor për cilësinë e procesit të polikë-bërjes në Qeveri. Ndërkaq në nivel ndërkombëtar, nga 187 vende të botës Kosova renditet e 24-ta.

Veseli: Trepça ka qenë dhe do të mbetet e Kosovës përgjithmonë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim menaxhmentin e Gjigantit metalurgjik Trepça, pas regjistrimit të kompanisë si shoqëri aksionare, që u bë e mundur pas miratimit të ligjit dhe statutit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Kryeparlamentari Veseli ka thënë se minatorët, menaxhmenti dhe anëtarët e bordit e kanë pritur që dy dekada këtë lajm.

Pas këtij takimi, Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se shndërrimi i Trpçës në shoqëri aksionare është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj.

“Me Ligj e me Statut të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tashmë Trepça është regjistruar si shoqëri aksionare. Minatorët, menaxhmenti dhe anëtarët e bordit e kanë pritur që dy dekada këtë lajm. Trepça ka qenë dhe do të mbetet e Kosovës përgjithmonë. Shndërrimi në shoqëri aksionare është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj. Urime minatorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!”, ka thënë Veseli.

 

 

 

 

 

 

 

Matoshi: Ligji nuk e lejon ndërtimin e hidrocentralit në zona të mbrojtura, të mos shqetësohen qytetarët

Periskopi.com Uncategorized

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se ligjet në fuqi nuk lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Pejës.

Ai ka thënë se ligjet nuk lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura.

“Qytetarët s’duhet të shqetësohen sepse po supozojmë se po tentohet të ndërtohet një hidrocentral brenda parkut të Bjeshkëve të Nemuna. Ligji e ndalon këtë në zonat e mbrojtura”, ka thënë Matoshi në KTV.

“S’besoj që do të ndërtohen. Ose duhet të ndryshohen ligjet, sepse në parqe nacionale s’lejohen. Banorët s’kanë arsye të shqetësohen. Mendoj që protesta e tyre, sado që është e drejtë, është e parakohshme, sepse në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, s’mund të jepet leje për ndërtim hidrocentrali në atë pjesë, apo leje mjedisore. S’na lejon ligji. Neve s’na është thënë se prej ku deri ku do të ndërtohet. Por në bazë të asaj që më ka thënë kryetari i Pejës dhe qytetarët, nëse ky investim bie brenda territorit të parkut nacional s’mund të pajisjet me leje”, ka deklaruar ai.

Matoshi ka thënë se deri tash MMPH-ja s’ka marrë asnjë kërkesë të veçantë për ndërtimin e ndonjë hidrocentrali në Lumbardh në Pejë.

Me Ligjin e ri, Qeveria e ardhshme me më pak ministra e zv/ministra

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, aktualisht ka 21 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe 80 zëvendësministra. Të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politik.

Por, një Qeveri kaq e madhe për një vend me më pak se dy milionë banorë, nuk parashihet të jetë e tillë në mandatin e Qeverisë së ardhshme, pasi që kjo çështje pritet të rregullohet me Ligjin për Qeverinë. Përmes këtij ligji, ekzekutivi në Kosovë, po synon të ulë numrin e ministrive, përkatësisht ministrave, por edhe të zëvendësministrave.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, tha për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Qeverinë, është ligji i dytë më i rëndësishëm për administratën e shtetit, pas miratimit të pakos së reformave shtetërore.Sipas tij, ky ligj, e rregullon funksionimin dhe përgjegjësitë e ministrive si dhe trajton aspektin që lidhet me numrin e resorëve. Në masë të madhe, thekson ai, ligji në fjalë i saktëson detyrat dhe përgjegjësitë e secilit sektor veç e veç.

“Ky ligj nuk do të ketë kuptim nëse nuk sanksionohet, nuk vendoset një tavan për numrin e ministrive, që nënkupton që ky ligj, detyrimisht do të bëj zvogëlimin e ministrive, sikurse që do të bëjë zvogëlimin e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave”, tha Tahiri.

Ai beson se Ligji për Qeverinë, do të kalojë në procedurat e nevojshme në Kuvend në javët në vijim dhe si i tillë të miratohet.

“Ne kemi mbajtur gjashtë takime të komisionit qeveritar, ku unë jam kryesues. Kemi një draft të ligjit, po ashtu kemi tri raporte të shoqërisë civile, të tri instituteve kryesore që merren me këtë temë. Pastaj do të bëjmë diskutime me partitë parlamentare opozitare, për shkak se ky ligj nuk është vetëm për këtë qeveri, por është edhe për qeveritë tjera që vijnë. Mbi këtë bazë, ne jemi të bindur që ky ligj do të jetë ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në funksion të agjendës zhvillimore të vendit”, tha Tahiri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me këtë ligj nuk po bëhet vetëm zvogëlimi mekanik i numrit të të zgjedhurve, por po bëhet një hap shumë më përpara. Me Ligin për Qeverinë sipas shefit të ekzekutivit, saktësohet përgjegjësia e secilit.

Ligji për Qeverinë, është një nga pesë kushtet e Partisë Socialdemokrate për miratimin e buxhetit për vitin 2019, ku ata kërkuan zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, Dardan Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç Ligjit për Administratë Shtetërore, Ligjit për Pagat, duhet të kemi edhe një ligj për Qeverinë.

Në këtë formë, sipas Sejdiut, njëherë e përgjithmonë, duhet të mbyllen mundësitë që të manipulohet qoftë me paga, qoftë me ministra e zëvendësministra.

“Pra që të kemi një sistem në vend, i cili pavarësisht se kush është kryeministër nuk mund të abuzojë apo keqpërdorë pozicionin për të akomoduar pazare partiake parazgjedhore. Ligji për Qeverinë duhet të përcaktojë numrin maksimal të ministrave dhe se numri i zëvendësministrave për ministri nuk duhet të jetë më shumë se dy”, tha Sejdiu.

Por, deputeti opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se ky ligj nuk e ka zanafillën në këtë Qeveri. Sipas tij, Ligji për Qeverinë, por edhe Ligji për Pagat, kanë qenë të përgatitura në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit Isa Mustafa.

“Kjo është e vërtetë, bile edhe Ligji për Qeverinë ka qenë i bashkëngjitur në kalendarin, gjegjësisht agjendën për Kuvend. Normalisht nuk është arritur atëherë. Tash ne si Kuvend, si deputetë ende nuk e kemi shqyrtuar, edhe si LDK po flasë. Normalisht që lirisht mund të themi, që disa ligje që po miratohen më shumë po tentohet – me përgjegjësi e them – më shumë po kanë të kenë efekt politikë dhe elektoral, mbi të gjitha”, tha Beqiri.

Deputeti Beqiri tha se Ligji për Qeverinë, duhet të prek së pari Qeverinë aktuale.

“Nëse themi se po nxjerrim Ligj për Qeverinë ashtu sic kemi dëgjuar, po flas vetëm ashtu siç kemi dëgjuar sepse nuk e kemi parë ende, thuhet se vlen për qeverinë e ardhshme, po ashtu, kjo lë hapësirë për të treguar që Qeveria aktuale – partnerët e koalicionit, e kanë mbushur Qeverinë me zëvendësministra dhe njerëz të tjerë që janë pjesë e Qeverisë. Ndërsa tash mendojnë se gjoja po bëjnë diçka për të ardhmen”, tha Beqiri.

Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate, tha se ligji hyn në fuqi në momentin kur votohet nga Kuvendi.

“Vetëm nëse aty përmendet me ndonjë nen që hyn në fuqi pas një kohe të caktuar, por për ne është me interes që të hyjë në fuqi menjëherë që të reduktojmë këtë qeveri të madhe. Unë besoj që më mirë është të kemi ligj për një çështje, sesa të vazhdojë kaosi në administratën shtetërore. Për 18 vjet kemi kaos në organizimin shtetëror dhe nuk besoj që argumenti që me 31 vota mund të shkruhet një ligj i ri është argument valid për të mos e bërë një ligj të mirë sot”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, anëtarë të shoqërisë civile, që vazhdimisht e kanë kritikuar numrin e madh të zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë të ministrave, e vlerësojnë si të qëlluar iniciativën për të bërë Ligjin për Qeverinë, pasi qëllimi kryesor i ligjit, është të kufizojë numrin e ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve.

Megjithatë, sipas Isuf Zejnës nga Demokraci Plus, kjo iniciativë ngrit dilema në lidhje me nevojën për të pasur këtë ligj, për shkak se aprovohet si ligj i thjeshtë me një shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës.

“Mirëpo dilemat janë tash se një ligj i cili aprovohet me shumicë të thjeshtë, atëherë a do të mund t’i rezistojë këtyre tendencave për të bërë qeveri si kjo aktualja me numër shumë të madh të ministrave dhe zëvendësministrave. Kush mund ta ndalë? Një ligj që aprovohet me shumicë të thjesht edhe ndryshohet me shumicë të thjesht. Kështu që, si i tillë, nuk paraqet kurrfarë garance që koalicioni i ardhshëm nuk do të ketë numër edhe më të madh të ministrave apo ministrive”, tha Zejna.

Zejna ndanë mendimin me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, se Ligji për Qeverinë, duhet të fillojë së zbatuari së pari me Qeverinë Haradinaj. Mirëpo sipas tij, gjithçka do të varet prej Kuvendit dhe grupit punues.

“Aktualisht vullneti është që në dispozitat kalimtare me thanë që ky ligj nuk vlen për këtë mandat të Qeverisë. Mirëpo tash nëse ka mundësi që kur projektligji të sillet në Kuvend, të ndryshohet kjo dhe ligji ta obligojë edhe këtë koalicion dhe këtë mandatar të Qeverisë që t’i bëjë reformat e nevojshme. Për shkak se në një farë forme, është edhe e padrejtë. Të aprovohet një ligj, i cili i ndikon vetëm pasardhësit ose qeverinë e ardhshme, por jo edhe mandatin aktual kur qeveria e cila po e sponsorizon këtë ligj, është duke udhëhequr me një numër të ministrave, sidomos zëvendësministrave”, tha Zejna.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë vlerësuar se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit të Kosovës, deri në tre milionë euro në vit, pasi paga mujore e një zëvendësministri është rreth 1200 euro.

80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj do të vazhdojnë të marrin 70% të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.

SBASHK’u i bie pishman, tani kërkon mosdekretimin e Ligjit për paga

Periskopi.com Lajme

Disa ditë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) hoqi dorë nga greva në arsim pasi në Projektligjin për paga u ngritën koeficientet e disa kategorive të punëtorëve të arsimit, drejtues të sindikatës tash po kërkojnë mosdekretimin e Ligjit nga presidenti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndryshimet e koeficienteve ishin bërë një ditë para se Kuvendi të miratonte Ligjin, ku drejtues të Qeverisë, komisionit për administratë e kryetari i Kuvendit i kishin premtuar SBASHK-ut ngritje rreth 20 për qind të koeficienteve.

Drejtues të Sindikatës po konsiderojnë se Ligji duhet të mos dekretohet dhe kështu të kthehet në pikën zero. Kjo pasi mësimdhënësit e arsimit fillor (1-5) nuk janë të kënaqur me koeficientet e tyre dhe po konsiderojnë se janë diskriminuar në krahasim me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët (6-9). Diferenca në pagë është 35 euro më shumë për këta të fundit.

Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se më e mira është që Ligji të mos dekretohet fare në mënyrë që askush të mos mbetet i pakënaqur.

 

Ndryshimi i Ligjit për financimin e partive politike ia pamundëson VV’së që t’i marrë paratë e deputetëve të PSD’së

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës mbrëmë në orët e vona  e ka miratuar me shumicë votash në shqyrtim të parë ndryshimin e Projektligjit për financimin e subjekteve politike, të cilin e kishte kundërshtuar fuqishëm Vetëvendosje për shkak se nga tash një pjesë e fondeve që merrnin ata,  do t’ju ndahet 12 deputetëve të PSD’së.

Në votim kanë marr pjesë 64 deputetë, por kanë votuar 61 sosh, një ishte kundër dhe dy abstenime.

Periskopi gjatë ditës së djeshme kishte raportuar se si Lëvizja Vetëvendosje kishte tentuar që ta kushtëzojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn për votimin e Projektligjit për buxhet, i cili u miratua me votat e PSD’së.

Zyrtarë të VV’së kishin biseduar me kryeministrin Haradinaj duke i thënë  se do ta votonin Projektligjin për Buxhet, në këmbim të mos ndryshimit të Ligjit për Financimin e partive politike. Gjë që Haradinaj kishte kundërshtuar.

Këtë raportim e ka konfirmuar edhe deputeti i PSD’së, Dardan Molliqaj i cili gjatë seancës u tha zyrtarëve të Vetëvendosjes se është mirë që t’iu tregojnë qytetarët se sot tinëzisht kanë shkuar te kryeministri Ramush Haradinaj dhe kanë kërkuar nga ai që të heq nga rendi i ditës së seancës së sotme ndryshimin e projektligjit për financimin e partive politike .

Mos ndryshimi i këtij  Ligji do t’ia mundësonte Lëvizjes Vetëvendosje që të vazhdonte t’i merrte paratë që në fakt iu takojnë deputetëve që tashmë janë larguar nga kjo parti.

Partia Socialdemokrate përmes ndryshimit të Ligjit për financimin e partive politike, kërkon që të marrin mjete financiare për partinë dhe Grupin Parlamentar të tyre, prej 12 deputetëve.

Me Ligjin pa ndryshime, kësaj partie nuk i mundësohej të merrte buxhet nga Fondi për Mbështetjen e partive.

Vetëvendosje, që nga viti i kaluar ka 19 deputetë, por ka marrë më shumë se 1.1 milion euro në vit, aq sa do të duhej të merrte për 32 deputetë.

Në Projektbuxhetin e këtij viti, është paraparë shuma prej 4.2 milionë eurove për Fondin për Mbështetjen e partive politike, që u ndahet partive, sipas numrit të ulëseve në Kuvend./Periskopi/

 

Ligji i ri i Pagave ua bën pagën mjekëve 1,200 euro

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës me shumicë e ka votuar Ligjin e ri për Paga në bazë të propozimeve të dala nga grupet punuese. E, një nga kategoritë që ka përfituar më së shumti janë profesionistët shëndetësorë.

Kësisoj, sipas Ligjit të Ri për pagat, mjekët specialistë do të paguhen tani plot 1,200 euro në muaj pagë standarde bruto.

Paga e mëhershëme e tyre ishte rreth 600 euro. Këtij lajmi iu gëzua edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Përmes një postimi politik në rrjete sociale, ai shkroi: “U kry. Pagat më të larta në rajon për mjekët dhe infermierët tanë. Dekada e re për shëndetësinë tashmë ka nisur. I gëzofshi. Tani, e gjithë vëmendja te pacienti”.

 

 

Tahiri: Shërbimi Korrektues përfitoi rritjen më të madhe të pagave që prej themelimit

Periskopi.com Lajme

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka siguruar gardianët e Shërbimit Korrektues të Kosovës për ngritjen e pagave, duke hedhur poshtë kështu spekulimet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur me miratimin e Ligjit të Pagave.

Tahiri, në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shpjeguar në detaje rritjen e pagave për Shërbimin Korrektues, duke thënë se kjo është rritja më e madhe e pagave që ka ndodhur ndonjëherë që prej themelimit të këtij institucioni.

Për këtë, ai ka thënë se është angazhuar personalisht.

Ky është postimi i plotë i Ministrit Tahiri:

Të dashur gardianë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sot ka ndodhur rritja më e madhe e pagave ndonjëherë që prej themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. E di që sot jeni dezinformuar nga ata që dezinformimin e opinionit publik e kanë shndërruar në rutinë. Jam kujdesur vetë që nga kjo rritje pagash – të përfitoni edhe ju. Aktualisht, paga më e vogël e oficerit korrektues është 364 euro dhe shtesa 107 euro. Me ligjin e miratuar sot, ndërkaq, formula e re është si në vijim: Paga më e vogël e oficerit korrektues do jetë 442 euro, ose koeficienti 1.85 (një koeficient ka vlerën e 239 eurove) dhe shtesa deri ne 40% e pagës bazë. Pra, klasifikimi i gardianëve do bëhet nga koeficientet 1.85 deri në 2.9 dhe shtesat nuk do jenë më fikse, por deri ne 40 % e pagës bazë, si dhe përvoja e punës. Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm do kenë koeficientin 3.65 dhe shtesa deri ne 40% e pagës bazë. Drejtori i Përgjithshëm do ta ketë koeficientin 4 dhe 40 % të pagës bazë.

 

 

ASHNA u përfshi në Ligjin për Pagat pa qenë në dijeni

Periskopi.com Lajme

Agjencisë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) vlerëson se përfshirja e ASHNA-së në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik i cili u miratua sot nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me praktikat e Komisionit Evropian për pavarësinë e Agjencive që menaxhojnë trafikun ajror, kur dihet mirëfilli së të hyrat e tyre gjenerohen nga shërbimet e navigimit ajror që u ofrohen aviokompanive ajrore.

Po ashtu, vlerëson se përfshirja në Ligjin e Pagave, bie ndesh edhe me Nenin 5.5 të Ligjit Nr. 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku theksohet se, ASHNA ka kapacitet të plotë juridik dhe vepron si një̈ ofrues i shërbimeve jofitimprurëse, i cili mbulon shpenzimet dhe bazohet në performancë.

“ASHNA, nuk ka qenë e njoftuar se është përfshirë në këtë ligj, pasi që deri në dorëzimin në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë e përjashtuar nga ky ligj, mirëpo është përfshirë në ligj nga ana e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike. Andaj, menaxhmenti i ASHNA-së, duke shprehur shqetësimin e tij, shpreson se përfshirja e ASHNA-së në këtë ligj nuk do të ndikoj në mbarëvajtjen e rregullt të punës në ASHNA-së”, thuhet në reagimin e saj.

 

 

Ligji për Pagat hyn në fuqi tek në tetor të këtij viti

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat. Ky projektligj pritet të hyjë në fuqi në tetor të 2019’ës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur deputetja nga radhët e LDK’së, Hykmete Bajrami.

“Kjo Qeveri po thotë se i rriti pagat, por tjetra kur të vjen le t’i bëj pagesat, sepse Ligji nuk hyn në fuqi mënjëherë, shih në foto. Ose thënë ndryshe kur të shkojmë në zgjedhje atyre që ju kanë rritë pagat, rritja u del gjatë fushatës”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami tutje ka thënë se “të gjithë duhet ta dinë se për sa kohë që blehen vota me buxhet të shtetit, kurrë ky shtet nuk ka me përparu.”

 

RTK merr statusin e televizionit shtetëror

Periskopi.com Lajme

Televizioni Publik prej sot e tutje do të ketë statusin e televizionit shtetëror. Pagat në këtë institucion do të rregullohen me Ligjin për Pagat sikurse për secilin shërbyes publik. I vetmi që ka kundërshtuar këtë propozim ishte Memli Krasniqi i PDK’së. E Nait Hasani ka thënë se secili që merr pagë në shtet duhet të rregullohet me Ligj.

“Propozoj që edhe formalisht në Ligjin për RTK’në të shendërrohet ky televizion në shtetëror. Por, dijeni se ky është gabim”, ka thënë Krasniqi.

Televizioni Publik deri më tash i kishte caktuar vetes pagat derisa kishin ndodhur edhe shumë parregullësi e ndarje buxhetore pa mbulesë.

Sidoqoftë, tash me Ligjin për pagat, drejtori i RTK’së do të ketë pagë të definuar sipas ligjit.

 

Pantina tregon synimet tjera të PSD’së pas plotësimit të dy kushteve

Periskopi.com Uncategorized

​Deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina ka thënë se pas votimit të projektligjit për pagat në sektorin publik, kanë synim që të barazojnë pagën minimale në sektorin privat me atë të sektorit publik. Ndërkohë që votimin e projektligjit për pagat në sektorin publik e ka konsideruar fitore.

Pantina tha se me ligjin e votuar për pagat në sektorin privat nuk do të mund të abuzohet më me çështjen e pagave për këtë sektor.

“Ndonëse ligji nuk është më i miri i mundshëm, ka disa mangësi, megjithatë për herë të parë në Kosovë çështja e pagesave nga buxheti i shtetit për të punësuarit në sektorin publik po rregullohet me ligj dhe ai nuk po i lihet siç ka qenë më herët kur secili subjekt politik dhe kryesisht ato që kanë qenë në pushtet e kanë përdorur pretekstin, gjegjësisht rritjen e pagave si instrument për të tregtuar me vota. Tani e tutje ky mjet i është hequr nga dora atyre partive që duna apo kanë dashur të abuzojnë me ceshtj4n e pagave në sektorin publik”, tha ajo.

Ajo tha se fitore tjetër e konsiderojnë uljen e dallimit në mes të pagës më të lartë në sektorin publik dhe asaj më të ulët.

“Fitore të dytë që e konsiderojmë është se ndonëse nuk kemi arritë në masën që e kemi dëshiruar, megjithatë e kemi ulur dallimin në mes pagës më të lartë në sektorin publik dhe asaj më të ulët, tani dallimi është 1 m e1 10 dhe jo siç ka qenë më herët 1 me 17. Beteja jonë nuk do të ndalet këtu, e ardhshmja në fushë ne pagesave është që paga minimale në sektorin privat të rritet dhe të paktën të barazohet me atë të sektorin publik që është 239 euro. Besojmë që gjatë ditës do të plotësohen edhe kushtet tona të tjera, siç është ligji i dialogut që është aktualisht duke u diskutuar në seancë”, tha ajo.

 

Molliqaj: Tash e tutje, asnjë politikan nuk do të mund të bëjë fushatë për rritje pagash

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Partisë SocialDemokrate, Dardan Molliqaj ka shkruar se u plotësua edhe kushti i dytë i  kësaj partie ndaj Qeverisë, e që është votimi i Ligjit për pagat.

Ai tha se falë PSD’së, Kosovë për herë të parë po bëhet me këtë ligj, transmeton Periskopi.

Sipas Molliqajt, tash e tutje, asnjë politikan nuk do të mund të bëjë fushatë elektorale me rritje të pagave.

Ligji për Paga arriti të marrë sot votat e 63 deputetëve.

Kujtojmë që sot më mëngjes u plotësua kushti i parë i PSD’së, ai për shkarkimin e Nenad Rikalos nga posti i ministrit të Bujqësisë.

 

Ja postimi i plotë:

Kushti 2: Ligji i pagave ✅

Falë Partisë Socialdemokrate, Kosova për herë të parë po bëhet me Ligj për Paga.

Tash e tutje, asnjë politikan nuk do të mund të bëjë fushatë elektorale me rritje të pagave.

Asnjë politikan nuk do të mund t’ia rrisë pagën vetëvetes.

Përderisa pagat shumë të larta si ajo e Kryeministrit dhe Presidentit janë ulur, pagat në sektoret tjera publike janë rritur.

Ky është vetëm fillimi i angazhimit tonë për zhdukjen e pabarazisë nëpërmes pagave në sektorin publik. Beteja jonë e ardhshme e cila do të jetë top prioritet i yni është luftimi për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.

Do të ngulim këmbë që pagën minimale që aktualisht është 130€, ta rrisim në 239€. Poashtu, rritja e numrit të inspektorëve të punës duhet të ndodh sa më parë.

Ligji për Pagat ishte një nga 5 kushtet tona ndaj Qeverisë për votimin e buxhetit.

 

Kosova bëhet me Ligj për Paga

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës pas 6 ore maratonike të seancës duke votuar amandamente të ndryshme, ka arritur që të votojë projektligjin  për pagat në sektorin publik.

Me 63 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, Kosova më në fund është bërë me ligjin për pagat, raporton Periskopi.

Kadri Veseli tha se ky është një ndër projektligjet më të rëndësishme, meqë për dy dekada nuk ka ekzistuar.

Ligji për Paga ishte një prej 5 kushteve të PSD’së ndaj Qeverisë, për të votuar Buxhetin 2019./Periskopi/

PSD takim me shefen e BE’së, diskutojnë për Ligjin për pagat dhe dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, Shqipe Pantina dhe Dardan Sejdiu kanë takuar sot shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova.

“Përveç asistencës së BE-së në Kosovë e cila këtë vit do të përqendrohet në arsim, reformë të administratës, energji (përfshirë edhe ndihmë nga BE në zgjerimin e rrjetit të Termokos), sundim të ligjit, e zhvillim lokal, diskutuam edhe për Ligjin për pagat e dialogun me Serbinë”, thuhet në një postim të Sejdiut.

“Ndërhyrjet e PSD-së në përshpejtimin e amandamentimit e votimit te Ligjit për pagat dhe insistimi jonë për ulje të koeficientëve të lartë për krerët institucional e përfaqësuesit politik, ka bërë që të reduktohet hendeku i madh mes pagave në sektorin publik, si dhe në rritjen e pagave për arsim e shëndetësi”, ka shtuar ai.

 

KDI kërkon që Kuvendi t’i respektojë procedurat ligjore me projektligjin për buxhet

Periskopi.com Lajme

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me projektligjin për buxhet, duke thënë se Kuvendi i Kosovës është duke neglizhuar shqyrtimin e këtij projektligjit, një prej projektligjeve më me rëndësi.

Sipas KDI-së, dy muaj është afati i rregullt kohor që Kuvendi e ka në dispozicion që t’i jap miratimin final këtij projektligji që nga data kur është sjellë në Kuvend nga Qeveria.

“Qeveria e ka proceduar në Kuvend, Projektligjin për Buxhetin me 31 tetor të vitit 2018,  mirëpo projektligji ka arritur që të miratohet në parim në Kuvend me datë 21 dhjetor 2018. Meqë Kuvendi nuk ka arritur që të miratojë në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin deri në fund të muajit dhjetor ashtu siç parashihet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë shqyrtimi i tij është shtyrë për muajin janar të vitit 2019. Në këtë rast, Kuvendi ka qenë i obliguar në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike gjegjësisht neni 24.2 të marrë vendim për zgjatjen e Ligjit për Buxhetin të vitit paraprak për muajin janar të vitit 2019. Ndërsa, në rast se Kuvendi nuk do të arrinte që ta miratonte në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin për vitin 2019 në muajin janar, atëherë Kuvendi do të duhej që të marrë sërish vendim për zgjatje të ligjit paraprak edhe për muajin shkurt. Mungesa e një vendimi të tillë nga ana e Kuvendit, e bën të kundërligjshme çdo pagesë dhe shpenzim nga çdo organizatë buxhetore gjatë muajit janar bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike (neni 24.3). Kjo nënkupton që asnjë shërbyes civil ose kompani kontraktuese nga cilado organizatë buxhetore nuk mund të paguhet dhe as të kryhet asnjë shpenzim nga organizatat buxhetore përderisa nuk ka një vendim nga Kuvendi që autorizon zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit paraprak për muajin janar.  Është me rëndësi të theksohet fakti që në rast të zgjatjes së Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit paraprak për tre muajt e parë të vitit aktual, buxheti që mund të shpenzohet për këta muaj është 1/12 pjesë e buxhetit të vitit të kaluar që është shpenzuar në të njëjtën periudhë kohore. Përveç kësaj, me datë 21 janar të këtij viti, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhje të mbyllur për publikun për sh qyrtim të dytë të Projektligjit për Buxhetin për vitin 2019, ku edhe do të duhej të votoheshin amendamentet e komisionit funksional, si dhe komisioneve të tjera për këtë projektligj. Në bazë të Rregullores së Punës, neni 65.1 mbledhjet e komisioneve duhet të jenë të hapura përveç disa rasteve që specifikohen në këtë nen e që asnjë nga ato nuk korrespondon me pikën e diskutuar në këtë mbledhje, atë për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Buxhetin”, thuhet në komunikatë.

KDI thotë se është tejet e rëndësishme që miratimi i projektbuxhetit të bëhet brenda afateve të përcaktuar me ligjin e lartpërmendur, andaj KDI kërkon që të respektohen këto afate dhe që ky projektligj t’i nënshtrohet debatit parlamentar dhe konsultimeve të nevojshme me publikun, si dhe të garantohet transparencë e plotë gjatë këtij procesi.

 

Pse po vonohet në Gjermani Ligji në të cilin po i mbajnë shpresat shqiptarët

Periskopi.com Lajme

Punë në Gjermani? Me ligjin për fuqinë punëtore kjo do të jetë mundur, sikur të mos ishin disa pengesa. Ekspertja Carola Burkert mbi problemet e ligjit, vonesat në ambasada e punëdhënësin që mund ta lehtësojë situatën.

Deutsche Welle: Ligji i ri për fuqinë punëtore që miratoi kabineti gjerman e që hyn në fuqi më 1. janar 2020 për shumë vetë nga Shqipëria e Kosova është si premtim për një jetë më të mirë, punë në Gjermani, e ardhme më e mirë…a mendoni edhe ju kështu?

Dr. Carola Burkert: Ligji i ri për fuqinë punëtore ka njëherë si qëllim përmbushjen e nevojave për fuqi punëtore të ekonomisë gjermane dhe sigurimin e kontrollimin e fuqisë punëtore nga vendet e treta. Ky është sigurisht një sinjal për fuqinë punëtore nga vendet e treta, se tani fokusi është tek punëtorët e kualifikuar, e nëse e ke këtë kualifikim, atëherë vërtet mund të jetë premtuese, një ëndërr që realizohet.

Deri në këtë pikë rruga nuk është e lehtë, ku i shihni lehtësimet për ardhjen e fuqisë punëtore?

Risitë mund të përmblidhen në tre pika – së pari ai barazon personat me shkollim profesional me ata me universitet, më parë ardhja e fuqisë punëtore lidhej vetëm me ata që kishin kryer studime universitare. Së dyti lehtësim do të sjellë vërtet heqja e verifikimit të prioritetit (nuk verifikohet më, nëse për një vend pune ka një kandidat gjerman apo nga BE shën. red.) E reja tjetër është, e kjo mund të konsiderohet si vështirësim, se kërkohet e çertifikuar njohja e gjuhës gjermane si kriter për punën apo për ekuivalentimin e diplomave profesionale të huaja. Pra, dy lehtësime dhe një vështirësim.

Shumë vetë shpresonin për një zbatim të shpejtë të ligjit, ai do të hyjë në fuqi në janar 2020. Pse kjo vonesë?

Kjo vonesë ka arsyet e saj, zbatimi i ligjit kërkon një adoptim të madh të rregulloreve e neneve që lidhen me të; E dyta, – e këtu mund të bëjmë edhe një lidhje me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor-, duhet që të përgatitet administrata. Ka një ide për krijimin e disa autoriteteve qendrore për të huajt, ku do të përqëndrohen procedura të ndryshme. Ardhja e një numri të ri të punëtorëve të kualifikuar do ta vendosë administratën para sfidave të mëdha, sepse do të ketë një shtim të ri të kërkesave për vizë.

E keni fjalën për ambasadat në rajon…

Të dyja… njëherë priten të krijohen në Gjermani disa qendra për të huajt në lande të ndryshme, ku do të centralizohen detyrat, tjetra dihet që do të shtohen kërkesat për viza në ambasada, e gjitha kjo duhet të përgatitet më parë. Ajo që më krijon shqetësim është, se që tani ka probleme për të marrë një orar në ambasadë, ka pritje shumë të gjata, sistemet online funksionojnë vetëm pjesërisht. Situata do të vështirësohet edhe më, sepse vërtet që parashikohet shtimi i personelit e zgjerimi i kapaciteteve në ambasada, por në ligj kjo nuk është përmendur në mënyrë empirike. Aty thuhet vetëm se kjo do të çojë në një rritje të ndjeshme të kërkesave për vizë e shtimin e punës së ambasadave gjermane jashtë.

Po si do ta përballojnë ato këtë fluks të ri, kur që tani ka probleme…

Duhet që të zgjerohen kapacitetet për trajtimin e kërkesave për viza pune, nga ana tjetër duhet që të futen metoda për lehtësimin e procedurave, si përmes digjitalizimit, po ky është vetëm identifikimi i problemit teorikisht.

E praktikisht?

Pikërisht këtu qëndron problemi. Në ligjin për fuqinë punëtore nuk ka deri më tani asnjë përcaktim konkret shifrash, se sa punonjës shtesë duhen për secilën ambasadë, e deri kur duhet të realizohet kjo. Nuk ka asnjë të dhënë për fat të keq. Ka vetëm një vetëdijësim se kapacitetet duhet të shtohen. Por në tekstin e ligjit, thuhet se për shkak të mungesës së prognozave nuk mund të konkretizohet se deri ku shkon shtimi i punës. Kjo do të thotë, se as nuk dihet se çfarë përmasash sasiore e kohore ka e gjitha kjo. Kam frikë se sërish do të kemi probleme si me “Rregulloren e Ballkanit Perëndimor”, do të duhet të kalohet sërish në ngushticën e administratës, sektorit të vizave etj.

A mund të ketë lehtësime, nëse vizat për punë shihen si prioritare…

Ligji parashikon një procedurë të përshpejtuar, në orare dhe procedim, nëse një punëdhënës paguan një shumë të caktuar dhe arsyeton, se pse duhet një procedim i shpejtë, nëse ndodh kjo, atëherë kjo procedurë e përshpejtuar aktivizohet me afate të caktuara. Për këtë do të vihen në dispozicion persona kontakti në zyrat e të huajve, mendoj se persona të veçantë kontakti do të ketë pastaj edhe në sektorët e vizave.

Si do të veprohet konkretisht me procedurën e përshpejtuar?

Sipërmarrja duhet të argumentojë, se ka një nevojë urgjente që të zihet vendi i punës në fjalë, prandaj personi adekuat që do të vijë nga jashtë do të kalojë nëpër një procedurë të shpejtë për kërkesën e marrjen e vizës. Do ta quaja si një sportel urgjence…ku punëdhënësi lidhet shpejt me zyrën e të huajve dhe zyra e të huajve me sektorin e vizës.

Ligji parashikon edhe ardhjen me vizë për 6 muaj me shpenzime personale për të kërkuar punë në Gjermani. Nëse e gjen këtë punë, do duhet të kthehesh në vend për të marrë vizën, apo e merr atë në zyrën e të huajve në Gjermani?

Nuk ka një përgjigje të qartë për këtë dhe praktikisht nuk e kam të verifikuar. Por unë e shoh si problematike ardhjen për 6 muaj për të kërkuar punë. Kujdes! Kjo është e lidhur me disa kushte- si njohja apo ekuivalenca e diplomës profesionale, duhen njohuritë e gjuhës gjermane, të paktën niveli B1, duhet të vërtetosh se këto 6 muaj e siguron vetë jetesën. E duhet thënë, se ky gjashtëmujor si afat ka ekzistuar më parë për ata me shkollim universitar dhe realisht është përdorur shumë pak. Kjo sepse këto kushte nuk janë të lehta për t’u plotësuar.

Pra edhe një vonesë tjetër…

Problemin e shoh tek ekuivalenca e diplomës profesionale. Kemi kohë të gjata pritjeje në sektorin e vizave, por të mos harrojme se problemi tjetër është edhe koha e gjatë që duhet për njohjen e diplomës a çertifikatës profesionale. Pra kemi dy paralele, (viza dhe njohja e diplomës, shën red.) që për mendimin tim janë të pasqaruara si duhet, tjetra se si duhet të zbutet mbingarkesa e punonjësve që merren me këto çështje. Një ligj shkruhet shpejt, por ajo që nevojitet është një zgjerim cilësor, i shpejtë e eficient i administratës. si brenda dhe jashtë Gjermanisë. Nevojitet infrastruktura që suksesi i këtij ligji të bëhet i prekshëm.

Dr. Carola Burkert është eksperte për migracionin në Institutin për Studimin e Tregut të Punës dhe Profesionit, një ent studimor i Agjencisë Federale Gjermane të Punës.Artikulli është prodhim i DW.

Mosrespektimi i ligjeve në Kosovë, burim i shkeljes së të drejtave të njeriut

Periskopi.com Lajme

Kosova ka shënuar përparim të ngadalshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këtë konstatim e ka nxjerr edhe këtë vit organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Sipas kësaj organizate, raportet ndëretnike, respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë, dhuna në familje, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT-i dhe liria e mediave, janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet Kosova në fushën e mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

Duke komentuar të gjeturat e raportit, anëtarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Lirie Kajtazi thotë se Kosova përballet me probleme serioze në respektimin e të drejtave të njeriut, si pasojë e mosrespektimit të ligjeve.

“Kemi shumë probleme të cilat besoj edhe si Komision për të Drejtat e Njeriut duhet të kërkojë më shumë monitorim nga institucionet, agjencionet dhe qoftë nga forume të ndryshme të cilat do të ishin sjell më ndryshe, do t’i kryenin detyrat e veta. Vet fakti që ligjet tona nuk respektohen as 50 për qind e asaj që është e shkruar, flet që ne jemi larg respektimit të disa të drejtave të njeriut në përgjithësi”, tha Kajtazi.

Haradinaj – SBASHK’ut: S’mund t’ua rrisim më shumë pagat, nesër nisjani mësimit

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje sërish  mësimdhënësve që nga nesër të rifillojnë procesin mësimor, pasi sipas tij nuk ka mundësi që të rritën më shumë pagat për ta.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që nga nesër të rifillojnë procesin mësimor, pasi sipas tij nuk ka mundësi që të rritën më shumë pagat për ta.

Kreu i Qeverisë teksa ka folur për grevën e SBASHK-ut,  tha se nëse do të ishte në vullnetin e tij, do t’ua rriste mësimdhënësve pagat edhe më shumë, por se sipas tij, kaq kanë qenë mundësitë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Haradinaj kishte bërë të ditur se do të ketë rritje rreth 20 milionë euro për pagat e mësimdhënësve, megjithatë, SBASHK-u nuk e ka ndërprerë grevën.

“Mirë është ata me u ulë me diskutua, Sindikata, këshilli grevist, të gjithë me e kuptua se çka bëhet fjalë se ndoshta nuk kanë pasur kohë me absorbua mirë atë që ka ndodhur dje. Ajo është një lajm i mirë për arsimin, mendoj më i mirë i mundshmi që ka mundur me iu ardhë. Mendoj që e meritojmë një falënderim prej të gjithëve për një angazhim serioz, për marrjen në kujdes të kërkesave dhe që të fillojmë me mësim nesër. Si do të ndodh nëse ta zëmë në fund të këtij muaji mund të votohet ligji për pagat pa ndryshime dhe pastaj ata do të duhej të kthehen në punë se nuk munden pa kufi, ju kanë humbur fëmijëve shumë ditë mësim. Pra, duhet të mendojnë edhe ata për përgjegjësitë që i kanë në vend, ne kishim pas dëshirë me ua rrit sa më shumë, por realitetet janë këto në vend, nuk kemi mundësi më tutje dhe mundësia që ekziston është shfrytëzuar”, tha Haradinaj.

Mbrëmë Haradinaj ka bërë të ditur se për mësimdhënësit e shkollave të mesme paga është rritur nga 523 në 597.8 euro, që i bie 74 euro rritje nga paga aktuale. Për arsimin fillor nga 479 në 525.8 euro, rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit në arsimin parashkollor nga 447 në 501.9 euro, rritja 54 euro.  E numri i mësimdhënësve  është rreth pesë mijë për arsimin e mesëm.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, përplasjet e para mes partnerëve në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

Javën e ardhshme pritet nënshkrimi i kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, pas të cilit Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias.

Kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë në Maqedoni, Renata Deskoska. Ajo tha se për një hap të tillë ka një përfundim në Qeveri dhe se ka marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së për të përfshirë vërejtjet eventuale në ligj.

“Pajtimi ekziston dhe ky është qëllimi. Pse do dërgonit në Komisionin e Venecias nëse nuk keni vullnet për të zbatuar vërejtjet më pas? Edhe vetë marrëveshja është nëse ajo që është miratuar në ligj konfirmohet nga Komisioni Venecian, në rregull, nëse jo do të ndryshojë sipas udhëzimeve të Komisionit të Venecias”, deklaroi për Alsat-M Deskoska.

Por zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka qëndrim ndryshe. Në pyetje të gazetarëve, ai tha se do ketë shkresë të dërguar deri te Komisioni i Venecias, por jo për ligjin e plotë, por vetëm për dy dispozita që nuk janë miratuar- për gjuhën shqipe tek monedhat dhe uniformat ushtarake.

Në procesverbalin e seancës së qeverisë në të cilën u miratua propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve, që është dokument i kapshëm për opinionin në internet faqen e qeverisë, thuhet:

Procesverbali i seancës së 20 të Qeverisë

“Qeveria vendosi Ministria e drejtësisë përmes Ministrisë së punëve të jashtme të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias për tekstin e ligjit dhe çështjeve të hapura që nuk janë pjesë e këtij ligji, pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”.

Formulim i njëjtë, se në Komisionin e Venecias do të dërgohet edhe ligji i miratuar, është shënuar edhe në planin qeveritarë 3-6-9.