Thellohet tragjedia në familjen shqiptare në Kumanovë, shkon në 4 numri i viktimave

Periskopi.com Lajme

Ka shkuar në 4 numri i viktimave nga shpërthimi bombolës së gazit në fshatin Rramanli të Kumanovës.

Në repartin e Neurokirurgjisë ka ndërruar jetë një 58-vjeçar, i cili ndodhej në gjendje të rëndë pas shpërthimit.

Për jetën po luftojnë edhe dy gra të moshës nga 30 deri 50-vjeç dhe një i moshuar, ndërsa tre të lënduarit e tjerë përfshi edhe një grua shtatzënë dhe një fëmijë janë në gjendje të qëndrueshme.

Të lënduarit janë të shtruar në e Urgjencës Kirurgjikale në Shkup dhe në spitalin e qytetit “ Shën Naumi i Ohrit”.

Në tragjedinë e rëndë të ndodhur në Rramanli, nga shpërthimi i bombolës së gazit në shtëpinë e familjes Alimi, humbën jetën tre fëmijë të moshës nga 8 deri në 11-vjeç, shkruan Alsat.

Familjarët e të lënduarve në gjendje shoku thanë së tragjedia ndodhi ndërsa ishte duke u përgatitur mëngjesi.

Banorët ndërkohë shprehen të tmerruar duke theksuar se fshati i tyre nuk mban mend një tragjedi të këtillë.

Shkupi dhe Kumanova, më ajrin më të ndotur në botë

Periskopi.com Lajme

Sezoni i ngrohjes ende nuk ka filluar plotësisht, ndërsa Shkupi tashmë është në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotur në botë.

Në dy ditët e mëparshme, në krye të listës alarmante të ndotjes në vend  ishte Kumanova, ku grimcat PM 10 ishin 35 herë mbi normën e lejuar, me mbi 1800 mikrogramë për metër kub.

Autoritetet lokale në Kumanovë thonë se arsyeja e ndotjes së madhe atje është spitali që përdor mazut për ngrohje.

Komuna njoftoi se menjëherë kanë filluar me aerosolizimin si masë urgjente për të zvogëluar ndotjen ndërsa ka kërkuar nga pushteti qendror të ndajë fonde për gazifikimin e plotë të spitalit.  Nga Ministria e Mjedisit thonë se janë ndërmarrë masa, ndërsa më shumë informacione paralajmëruan për të hënën.

Ministri resor, megjithatë, të shtunën tha se për të zgjidhur problemin e ndotjes duhet kohë dhe masa afatgjate.

Ka plan, për këtë s’ka dyshim, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se ky problem nuk mund të zgjidhet përnjëherë, por se me strategji afatgjatë. Të gjithë bashkë duhet të punojmë për ta zvogëluar ndotjen e ajrit, e dimë që do të na duhet kohë sepse shumë faktorë kontribuojnë për këtë, ngrohja e amvisërive, efikasiteti energjetik, makinat në transport, industria kontribuon në këtë drejtim dhe duhet të ndërmarrim masa dhe rregullativa.

Do të vazhdojmë të punojmë për të arritur rezultate- deklaroi Naser Nuredinim, Ministër i Ambientit Jetësor.

Problemi me ajrin e ndotur intensifikohet çdoherë gjatë periudhës së dimrit. Vitin e kaluar, pushteti miratoi masa parandaluese gjegjësisht transporti publik ishte falas, u shtrenjtua për dyfish çmimi i parkingjeve, u stopuan të gjitha punimet ndërtimore si dhe u kufizua përdorimi i automobilave zyrtar të institucioneve të shtetit./Alsat.M/

Haradinaj premton përkrahje familjarëve të të dënuarve në rastin “Kumanova”

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar familjarët e të burgosurve të rastit Kumanova.

 

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj, ka shkruar se pasi të merret vendimi përfundimtar, Qeveria e Kosovës, do ta ushtrojë të drejtën që sipas marrëveshjes me shtetin fqinj të burgosurit ta vuajnë dënimin në Kosovë.

“Takova sonte, në shenjë kujdesi për djemtë tanë, familjarët e të burgosurve të rastit Kumanova. Do të vazhdojmë të jemi pranë familjeve të tyre, në pritje që drejtësia në Maqedoninë e Veriut, të bëjë zbardhjen e plotë të rastit, duke i rihetuar të gjitha rrethanat. Ua konfirmova atyre se sa më shpejtë që merret vendimi përfundimtar, ne do ta ushtrojmë të drejtën sipas marrëveshjes me shtetin fqinj, që djemtë tanë ta vuajnë dënimin në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

 

Gjendet i vdekur një 15-vjeçar në një lum në Kumanovë

Periskopi.com Lajme

Një 15 vjeçar është gjetur pa shenja jete në ujërat e lumit Pçinja në Kumanovë, njoftoi policia e Kumanovës.

Sipas informacioneve të para të SPB Kumanovë, djali është lindur në vitin 2004. Ai së bashku me një moshatar dhe dy fëmijë tjerë më të vegjël, gjatë ditës së djeshme rreth orës 16:15 kanë dëshiruar të freskohen në ujërat e lumit Pçinja dhe si pasojë ka gjetur vdekjen.

Për rastin në fjalë është njoftuar edhe prokurori publik.

 

 

Tallje e mjerë me shtatoren e Ismet Jasharit në Kumanovë

Ilir Muharremi Op-Ed

Skulptori shqiptar me prejardhje Dibrane Muharrem Turkeshi kishte punuar shtatoren e heroit Ismet Jashari- komandat Kumanova, e cila ndodhet momentalisht e ngritur në Kumanovë. Turkeshi ishte profesor në Akademinë e Arteve pranë Fakultetit shtetëror të Tiranës. Në internet të klikosh për të, gjen fjalë miradije për profesionin-skulpturën veçanërisht për veprat e heronjve si Gjergj Kastriotin, e ngritur në qendër të Dibrës. Është edhe autor i skulpturës së Sulltaneshës në  Gostivar. Veprat e tij tashmë zënë vend në disa troje shqiptare. Shtrohet pyetja, sa i njihte ligjet proporcionale të trupit të njeriut, apo efektet e shikueshmërisë së një shtatoreje të zmadhuar, që qëndron mbi bazamentin, e cila me shumë kujdes vrojtohet nga poshtë-lartë, herë anash, pastaj prapë lartë e poshtë.

Sa e njehë terrenin e rrafshët ose relievet e tjera si hapësira që shoqërojnë një shtatore. Apo tjetra, sa ishte i vëmendshëm për pjesët e trupit duke filluar nga: koka, krahët, duart, gjoksi dhe këmbët. Kjo tregon një mos njohuri proporcionale me defekte amatore, apo karikaturë e mjerueshme, objekt tallje, e shtatores së heroit Ismet Jasharit. A kështu duhet t’i trajtohem heronjtë? Nëse arti nuk i paraqet realisht si ishin apo nuk i zbukuron, nuk ka arrit asgjë të bëjë. Skulptura i nënshtrohet estetikës, hapësirës, kohës, ndryshueshmërisë gjatë mëngjesit e deri te dritat artificiale që puqet në mbrëmje. Roli kryesor i skulpturës nëse e punojmë figurën e njeriut është pamja dhe materiali, ose harmonia e jashtme proporcionale.

E brendshmja: shpirtëroja, pjesa historike duhet të korrespondoj me të jashtmen, kemi një bashkëlidhje këtu. Ky lloj skulpture kërkon aksent të fortë, dhe proporcione të qarta ndërmjet trupit dhe hapësirës. Kjo më mirë i takon një kthimi në antikë: bukurisë së trupit dhe në barok efekteve iluzioniste.  Në shtatoren e Jasharit nuk vërejmë as aksentë, as formë, e as proporcione, thjeshtë është një karikaturë. Në rastin e kësaj shtatoreje skulptori është dashur të tregoj poetikë akademike të realizmit, qëndrim madhështor, ose real. Këto janë kritere estetike që asnjërën nuk e gjejmë. Nuk mund ta vërejmë në shtatore as tematikën a e ka patriotike  apo nacionale. Nuk e dijë se para zbulimit të kësaj shtatoreje, skulptori para komisionit vlerësues a ka dhënë propozim të maketes ose bucetes, apo skicës të realizuar në fragmente të shtatores. Si duket jo.

Ekzistojnë disa skulptorë të cilët në qendër vendosin materialin e skulpturës dhe vet formën e cila duket sikur vet mendon duke bërë deformime ndonëse në dukje sikur deformohet. Kurse të tjerët përkushtohen vetëm në anën estetike të saj. Përmasat trupore reale të sakta i bëri Leonardo Da Vinçi te “Njeriu Vitruvian”. Ajo është një skicë e trupit të njeriut e fokusuar në qendër të katrorit dhe rrethit, ku njeriu ka këmbët dhe krahët e shtrira. Masat e njeriut si figurë qoftë në letër apo skulpturë janë të ndara në: katër gishta bëjnë një pëllëmbë, dhe katër pëllëmbë bëjnë një këmbë, ose  gjashtë pëllëmbë bëjnë një kubit, katër kubit përbëjnë lartësinë e një njeriu. Skulptori në fjalë si duket nuk i përdori këto te shtatorja.

E para, nëse kërkojmë ta bëjmë një trup njeriu më gjatësi të saktë duhet ta përfillim gjatësinë e krahëve të shpalosura sepse ka të bëjë me gjatësinë totale të trupit të njeriut. Te shtatorja në fjalë, gjatësia e duarve është më e gjatë krahas me këtë matje, duart i ka të lëshuara lehtë, por nëse i shpalos, gjatësia e trupit i kalon të gjitha përmasat. Trupi i “Ismet Jasharit” është shumë i vogël krahas me shpalosjen e krahëve. Matje e kokës fillon nga rrënjët e flokëve e deri te fundi i mjekrës, kjo nxjerrë  një të dhjetën e lartësisë së njeriut.

Kurse nga fundi i mjekrës e gjerë te maja e kokës identifikohet si pjesë e tetë e lartësisë së njeriut. Nga maja e gjoksit gjerë tek rrënjët e flokëve fillon vetëm pjesa e shtatë e njeriut të plotë. Kurse shtatorja në fjalë ka gjatësinë dhe gjerësinë tejet të gjatë të qafës. Dëshmon që koka duhet të jetë më e mbushur. Koka është shumë e vogël e heroit. Tjetra nga thimthat e gjoksit në përfundim të majës së kokës fillon pjesë e katërt e njeriut. Atëherë,  këtu kemi gjatësinë më të madhe të supeve, konkretisht në pjesën e katër të tij. Pjesa e supeve të shtatores është shumë e ngushtë, ngjanë më supet femërore sepse femrat janë më të ngushta në supe.

Pjesa e bërrylit gjerë te maja e dorës identifikon pjesën e pestë të njeriut, kurse nga bërryli gjerë te këndi i sqetullës, përfundon pjesa e tetë e matjeve të njeriut. Kuptohet që përmasat rriten të skulpturës sepse ka të bëjë me bashkëpunimin:  nga toka gjatësia e saktë e njeriut e gjer te rrënjët e flokëve. Kjo rritet për disa në harmoni me pjesët e trupit. Komplet dora identifikon një të dhjetë të trupit të njeriut. Kurse mesi i trupit fillon nga organet gjenitale. Nga këmbët fillon pjesa e shtatë e njeriut, tabani i këmbës gjer të gjuri është pjesa e katërt të trupit. pjesa e poshtme e gjurit që përfundon deri te organet gjenitale është e katërta e trupit. Nëse matim saktë kokën e heroit duhet t’i ketë këto përmasa ideale të saktësisë: fundi i mjekrës deri te hunda, ose nga rrënjët e flokëve gjerë te vetullat duhet të jetë në çdo rast e njëjta, sikurse veshi që identifikon një të tretë të fytyrës.

Lartësinë e ballit te heroi e kem më të madhe krahas këtyre proporcioneve të sakta që i përmenda më parë. Andaj, reagimi jonë si qytetar i thjeshtë t’i bëjmë nder kësaj shtatoreje e cila më parë identifikohet si karikaturë sesa si realizëm. Por, edhe karikatura ka artin e vet e cila e rruan harmoninë e gjymtyrëve me ekzagjerime të qëllimshme. Vetëm një matje profesionale po t’i bëhet shtatores para se të krijohej anatomikisht çdo gjë do ishte korrekte. Kam bindjen se skulptori në fjalë nuk ishte njohuri për anatominë e saktë njerëzore. Duhet ta dimë se skulptura niset nga qendra këtë edhe e dëshmoi Da Vinçi te vepra që u përmend më lartë. Njeriu më parë është simetrik dhe a thua vallë e gjejmë këtë simetri te shtatorja e cila është në disproporcion me shumë pjesë të trupit.  Qëndrimi në këmbë, mimika, asgjë nuk tregon për heroizmin e tij, madje as për natyralizmin.

Autori i tekstit është kritik arti

 

Lagja e shqiptarëve diskriminohet, e vetmja që nuk do të marrë dëmshpërblim në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

Një pjesë e banorëve të Lagjes së Trimave në Maqedoni thonë se u padrejtësisht u lanë jashtë listës për dëmshpërblimin prej 100 mijë denarëve që e kishte premtuar qeveria, për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Ata hedhin dyshime për mënyrën e ndarjes së mjeteve.

“Qeveria e RM-së ka ndarë nga 100 000 denarë për çdo familje që  është shpërngulur. Faktikisht policia na ka shpërngulur prej këtu. Mirëpo ato njerëz që i kanë ndarë paratë, i kanë ndarë edhe njerëzit. Në Qeverinë e republikës jam lajmëruar në telefon, me data i kam shënuar kur jam lajmëruar. Herën e parë më janë përgjigjur, thanë se janë në dijeni për këtë punë. Dhe me siguri për të dytën herë, të tretën dhe të katërtën kur jam lajmëruar iu është shfaqur numri im dhe nuk më janë përgjigjur”

“Ne kemi qenë gjithë ditën në shtëpi nën stres. Atë që Qeveria ndau nga 100 000 denarë si ndihmë për stresin, disa i kanë marrë, disa nuk i kanë marrë. Ana e majtë aspak nuk ka marrë, ana e djathtë ka marrë, pos meje që nuk i kam marrë ato para. Pse?!”.

Banorët pretendojnë se para kanë marrë edhe fqinjtë të cilët jetojnë jashtë vendit.

“Ne jemi ata që kanë vuajtur më së shumti, kjo rrugë dhe rruga tjetër. Pse të mos ketë për ne? Dikush të merr, dikush të mos merr, kjo nuk është mirë! Le të shef Qeveria në listë se kush ka qenë këtu! Pse kush nuk ka qenë këtu, por jashtë vendit të merr?! Pse?!”

“Gruaja ime edhe sot e kësaj dite ka stres, ka fituar edhe sëmundje prej atë ditë. Kështu që dikush të merr, që absolutisht nuk ka qenë në këtë lagje, është shumë larg nga ky vend, ka marrë atë që nuk i ka takuar, ne që jemi këtu që na ka takuar, ne nuk i kemi marrë. Ne e kërkojmë vetëm atë që ne na takon, jo më tepër. Duhet të dihet se ku kanë shkuar ato të holla, kush i ka keqpërdorur, kush i ka marrë, pse neve të mos na i japin?!”

Për shkak se nuk ka marrë përgjigje nga Institucionet kompetente për përbërjen e komisionit dhe listën e atyre që kanë marrë mjete, avokati i angazhuar nga banorët Marko Ilievski ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Për shkak se bëhej fjalë për dyshim se bëhet fjalë për keqpërdorim të mjeteve buxhetore, keqpërdorim të detyrës zyrtare nga persona të caktuar që janë anëtar të atij komisioni, të cilit nuk ia dimë as përbërjen. Është ngritur kallëzim penal deri tek prokuroria kompetente, respektivisht Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shkup”, thotë Marko Ilievski, avokat.

Nga Prokuroria thonë se lënda është në procedurë para-hetimore. /Periskopi

 

Protestë në Pejë, kërkohet nga Haradinaj dhe Rama që të ngrisin zërin për rastin ‘Kumanova’

Periskopi.com Lajme

Përderia po pritet që në çdo kohë të nisë mbledhja e dy qeverive shqiptare, në Pejë po zhvillohet edhe një protestë e qetë ku po kërkohet drejtësi për të dënuarit e rastit ‘Kumanova’ në Maqedoni.

Organizatorët e protestës kanë thënë se duan të ju bëjnë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që ta ngrisin zërin për këtë rast dhe të ketë drejtësi, raporton Periskopi.

‘’Këtë protestëpo e mbajmë me ju kallzu që Peja i ka këta djemë të shenjtë dhe është mirë me bë më shumë me ngritë zërin më shumë. Drejtësi kërkojmë, vec drejtësi. Janë familjarë të Valit, shokë e dashamirë që kanë dalë në protestë.  Le ta shohin të paktën. Është obligim moral’, u tha nga njëri organizator.

Pjesëtarët e “Grupit Kumanova” ishin dënuar  me 746 vjet burg, 7 raste prej tyre  me burg të përjetshëm.

Valdet Zekaj nga Peja po ashtu ishte dënuar me burg të përjetshëm  për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Maqedoni.

Dy qeveritë shqiptare janë mbledhur në qytetin e Pejës, me ç’rast do të nënshkruajnë edhe disa marrëveshje./Periskopi/

 

Gjykata merr një vendim për vrasjen e Almirit 4-vjeçar

Periskopi.com Lajme

Ankesa e familjes së vogëlushit 4-vjeçar Almir Aliu, i cili u shkel me makinë nga personi Boban Iliq, për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës, që u dorëzua në fund të muajit qershor, ka arritur në Gjykatën e Apelit, shkruan Alsat-M, i cili njofton se seanca gjyqësore është caktuar me datë 1 tetor 2018.

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliqi, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Almiri 4-vjeçar, i cili vdiq pasi u shkel me makinë nga kumanovari Bojan Iliq

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Iliq u dënua me 6 vjet burg, babai i Almir Aliut, Sedat Aliu me 6 muj burg ndërsa Sedat Demiri dhe Abdullah Aliu me 9 muaj burg për “dhunë”

Treni përplas veturën, tre të vdekur nga aksidenti në Kumanovë

Periskopi.com Lajme

Tre persona raportohet se kanë humbur jetën në fshatin Ramali të Kumanovës pas një aksidenti.

Ngjarja tragjike ngjau kur e gjithë familja ishin në një rrugëtim, por mos sinjalistika e trenit dhe shenjat parandaluese sipas mediave në Maqedoni, kanë sjell përplasjen mes veturës dhe trenit, transmeton Klan Kosova.

Sipas Albeu, pasagjeri me iniciale I.B ka arritur që të shpëtojë por është në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

Policia e Kosovës mohon se ka përgjuar familjarët e anëtarëve të Grupit të Kumanovës

Periskopi.com Lajme

 

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet e sotme se kanë qenë në përgjim nga AKI dhe policia, familjarët e anëtarëve të Grupit të Kumanovës.

“Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm nuk bën përgjime ndaj askujt, pa poseduar urdhëresë të organeve të drejtësisë”.

“Ndërsa për hir të sqarimit dhe demantimit të këtij shkrimi jo të drejtë, njoftojmë se nuk është ndërmarr asnjë aktivitet, veprim, masë,  apo kryerje e asnjë përgjimi i personave apo familjarëve në rastin e ashtuquajtur të grupit Kumanova”, thuhet në kumtesën e policisë”, thuhet në kumtesë.

“Sigurojmë opinionin e gjerë  se përgjimi i telekomunikimeve realizohet vetëm në pajtim me legjislacionin në fuqi, të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike si dhe gjithherë bazuar në urdhra të ligjshëm të Gjykatës kompetente”.

“Angazhimi dhe përkushtimi i institucioneve të sigurisë së RKS-së do të vazhdojë të jetë besimi i qytetarëve ndaj tyre, dhe në asnjë rrethanë pretendimet si këto nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin e madh institucional për t’i shërbyer vendit”.

Policia e Kosovës thotë se në bashkërendim me institucionet tjera të sigurisë në Republikën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve ligjore dhe kushtetuese.

“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejtë dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme”.

Kush ishte Beg Rizaj të cilit iu ngrit sot shtatore në Deçan dhe si ishte vrarë

Periskopi.com Lajme

 

Beg Rizaj, ishte njëri ndër pjesmarrësit dhe besohet organizator i “Grupit Kumanova”, grup i cili më 9 maj të vitit 2015, kishin zhvilluar luftime me forcat e Sigurisë në të Maqedonisë.

Në këtë konflikt të armatosur u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Kurse, humbën jetën edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Të vrarë në këtë ngjarje kishin mbetur edhe Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, dy ndër anëtarët kryesor të grupit. Rizaj ishte varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Kurse, të burgosur kishin mbetur 31 anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës”.

Autoritetet maqedonase e kishin cilësuar këtë ngjarje, si sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit.

Gjithashtu, Gjykata Penale e Shkupit i kishte dënuar me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës. 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet.

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Ramush Haradinaj , kishte ndarë mjete financiarë në vlerë prej 290 mijë euro, për mbulimin e shpenzimeve për familjet e të dënuarve në rastin “Kumanova”.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në momentin e ndarjes së këtyre mjeteve, kishte thënë që secila familje do t’i marrë nga 10 mijë euro.

Komuna e Deçanit, gjatë ditës së sotme ka përuruar shtatoren e Beg Rizajt. Në inagurimin e saj ishte i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë organizimit për zbulimin e shtatores së Rizajt, ndodhi një incident.

Vëllau i Beg Rizajt, Aliu, ai që nuk dëshironte të lejonte askënd për të zbuluar shtatoren e të vëllait, por dëshironte ta bënte ai vet.

Teksa mediat ishin në një anë, panë vetëm pjesën kur ai po diskutonte me të kryeministrin Ramush Haradinaj.

Vëllai tjetër i Beg Rizajt, Hakiu, deklaroi se Aliu ishte i mërzitur për të vëllain dhe se nuk kanë asnjë problem me kryeministrin e vendit.

“Nuk ka pasur kurrfarë incidenti, ndoshta e ka pasur nga mërzia, ka qenë edhe Aliu në luftë mundet prej mërzie. Jo more, kryeministri është vëlla i joni, familja Haradinaj, Ramushi dhe Dauti janë vëllezër tonë”, tha ai.

Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka sqaruar incidentin.

Ai tha se ishte një konflikt në mes vëllezërve Rizaj dhe që kryeministri ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.

“Refuzoi për vëllezër të vet që të marrin pjesë në zbulim të shtatores, se ata janë tre vëllezër që kanë mbetur dhe njëri prej këtyre vëllezërve nuk i ka lënë këta dy vëllezërit tjerë se janë keq mes vete. U desh me ndërhy kryeministri që me i pajtua në mes veti që me ju thënë se ti ke me zbulua këta dy nuk kanë me zbulua se këta dy pak më të kthjelltë. Ai i thoshte kryeministrit që ti nuk ki faj, por këta të dy nuk kanë qenë mbas Begut kurrë, nuk janë kanë në luftë kurrënjani dhe nuk dëshironte ti lejonte vëllezërit tjerë për me marrë pjesë”, ka thënë ai.

Më vonë sqaroi edhe vet kryeministri. Tha se ndërhyrja e tij ka qenë në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit të lirisë.

“Sot, në 19-vjetorin e çlirimit të Deçanit përkujtuam flijimin për liri të luftëtarëve nga e gjithë shqiptaria. Më këtë rast, disa media kanë spekuluar, se ka pasur reagime të vëllait të Beg Rizajt drejtuar ndaj meje. I siguroj qytetarët e Deçanit dhe publikun e gjerë, se mosmarrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me mua. Ndërhyrja ime ishte në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit tonë të lirisë”, ka shkruar ai.

Shtatorja e tij do të qëndrojë në qendër të Deçanit, është financuar nga bashkëluftëtarët dhe bashkatdhetarët e tij. Ndërsa, komuna e Deçanit e ka ndarë hapësirën ku është vendosur.

 

Një grup i armatosur ka marrë 10 milionë euro për lirimin e grupit të Kumanovës!? (Video)

Periskopi.com Lajme

Policia ka shtuar masat e sigurisë nëpër burgjet ku po mbahen të akuzuarit për rastin e Kumanovës. Motiv i masave të tilla janë tentativat e mundshme për lirimin e të burgosurve.

Alsat mëson nga burime anonime se ka grup të gatshëm i cili mund të merr përsipër lirimin e arrestuarve nga Kosova.

Sipas informatave të pakonfirmuara në lojë janë 10 milion euro. Ministri i brendshëm Agim Nuhiu konfirmon se në burgje janë shtuar masat e sigurisë.

”Burgjet e Maqedonisë kanë raport bashkëpunimi me MPB-në dhe ne e kemi obligim ligjorë që t’i ofrojmë shërbime në pikëpamje të sigurisë kur burgjet drejtohen tek ne për një kërkesë të tillë. Në varësi të vlerësimeve që bëjnë vetë autoritete e burgjeve ne i ofrojmë edhe forcat speciale për t’i siguruar burgjet” – deklaroi Agim Nuhiu për Alsat-M, ministër i Brendshëm.

Megjithatë Nuhiu shton se për momentin shërbimet e MPB-së nuk kanë informacion se në ndonjë rajon të caktuar ka lëvizje të grupeve të armatosura.

”Tani për tani ne nuk kemi të konfirmuara indikacione apo informacione të cilat mund të çojnë në drejtim të çështjes që ju e parashtroni”– shtoi Agim Nuhiu.

Informacione të llojit se grupi i Kumanovës është nën shënjestrën e një grupi i cili ka për qëllim lirimin e tyre kishte edhe më herët. Në muajin nëntor, Byroja për Siguri Publike kishte njoftuar Sektorët për Punë të Brendshme në nivel republikan, ku më pas pasuan masat konkrete.

Të akuzuarit për rastin “Lagjja e Trimave” asaj kohe u larguan nga burgjet në Shutkë dhe Manastir dhe kryesisht u vendosën në burgun e Ohrit. Ministria e Brendshme aso kohë kishte njoftuar se bëhet fjalë për indikacione dhe se largimi i të burgosurve ka për qëllim parandalimin e ndonjë sulmi të mundshëm.

Nga burime brenda MPB-së, Alsat kishte mësuar se dikasteri në fjalë ka pasur dyshime se në malësinë e Likovës për katër ditë ka qëndruar një grup i armatosur nga Kosova. Një gjë të tillë, Alsat M nuk ka arritur ta konfirmojë.

Pas këtyre informacioneve, siguria ndaj të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave” u shtua edhe më tepër.

Edhe në seancat gjyqësore vërehet prezencë e madhe e forcave policore, ndërsa një pjesë e të akuzuarve transportohen me helikopter. Për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm, Ministria e Brendshme ndryshoi edhe trajektoren e transportimit, duke i sjellë të akuzuarit në gjykata përmes qarkores së Shkupit.

Skënder Hyseni e dinte se çka do të ndodhte në Kumanovë, thotë Zekaj

Ismajl Zekaj, babai i luftëtarit Val Zekajt, në Rubikon të KTV-së është shprehur i sigurt se ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka pasur njohuri para betejës dhe e dinte se çka do të ndodhte tutje.

Periskopi.com Lajme

Zekaj shpjegoi se si u përcollën luftëtarët deri në një Kumanovë.

“E di Skënder Hyseni që policia e Gjilanit i ka përcjell njerëzit, kjo është pas Gushincës. I kanë çuar në një qorrsokak, ata janë luftëtarë mirëpo mua nëse më kishin dërgu atje, kisha thënë jo, nuk mund të luftojmë në një vend ku nuk mund të tërhiqem”, ka thënë Zekaj.

Policia e Kosovës dhe Policia e Maqedonisë, thotë Zekaj kanë bashkëpunuar për t’i dërguar luftëtarët atje.

Zekaj bëri të ditur se qëllimi i luftëtarëve ishte implementimi i marrëveshjes së Ohrit për të vazhduar me idenë e Shqipërisë Etnike.

“Nëse bëhet një organizim edhe sot, unë plak jam, por nëse bëhet organizim për Shqipërinë e madhe, unë shkoj”, ka thënë Zekaj.

Zekaj është i bindur se ata janë tradhtuar.

“Sot e kësaj dite jam i bindur se janë tradhtuar dhe janë tradhtuar nga udhëheqësia e Maqedonisë”, ka thënë ai.

Zekaj shpjegoi se nuk është i vetmi të cilin nuk po e lejojnë të marrë pjesë në seancat gjyqësore.

“Po bëj pak probleme”, thotë Zekaj i pyetur se pse nuk po e lënë të futet brenda.

Përveç tij, Zekaj thotë se nuk është lejuar as ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysaj.

Ndonëse e vlerëson përpjekjen e tij për të marrë pjesë në seancë, Zekaj shpjegoi se si ambasadori u largua menjëherë, çka sipas tij, nuk është sjellje e duhur e korrekte për një ambasador.

Komandant Sokoli: Begu e Ndrecaj ishin organizator të ngjarjeve në Lagjen e Trimave

Në seancën e sotme gjyqësore ku po gjykohen të akuzuarit për rastin “Kumanova- Lagjja e Trimave” është rrëfyer Sami Ukshini, i njohur në opinion si “Sokoli”- nofkë kjo e tij që nga konflikti i vitit 2001. Ai në detaje para gjykatës ka folur që nga dita e ardhjes së tij në Kumanovë e deri në ditën e 9 majit, kur shpërtheu përleshja e armatosur mes njësitit special të Maqedonisë me grupin e armatosur në Lagjen e trimave- Kumanovë, raporton gazeta Lajm.

Periskopi.com Lajme

Në pyetjen e avokates mbrojtëse Artene Ademi Iseini se kur, pse dhe për çfarë arsye ka ardhur Sami Ukshini në Maqedoni, ky i fundit u përgjigj:

“Arsye ka shumë. Megjithatë, kryesorja është se: këtu kam qenë edhe në vitin 2001 si organizatorë i UÇK-së. Ushtria atëherë u demobilizua si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, por ajo nuk u respektua asnjëherë e nuk respektohet deri më sot. Në kushte normale duhej të realizohet deri më vitin 2004. Ndodhi e kundërta, ky shtet i fryu nacionalizmit. Kujtoj se unë jam patriot dhe jo shovinist. Arsye tjetër është se i kam njohur disa pjesëtar të grupit. Kam mundur të vijë edhe pas 2004-ës, por këtë e pata lënë si një realitet të hidhur”.

Sami Ukshini – Sokoli në mënyre kategorike ka mohuar se është organizator i grupit.

“Jo! Sikur të kisha qenë organizator, s’do isha këtu. Ka mundur të jetë më keq, ndoshta edhe më mirë, por këtu (në gjykatë) s’do të ishim”, ishte decidiv Sokoli.

Ai ka folur edhe për kontaktin e parë me grupin, duke mohuar se ka qenë në Gushincë, shkruan gazeta Lajm.

“Jo! Kontaktin e parë me grupin e kam pasur me 26 prill. Shoku im, tashmë i ndjerë, Xhafer Zymberi më ka kontaktuar dhe kërkoi që t’i përkrahë. Pas një presioni pranova t’i përkrahë”.

Sokoli rrëfeu rastin nga momenti kur është zgjuar nga krismat. “Rreth orës 5 e mëngjesit jam zgjuar nga krismat. Kam dalë shpejt dhe kam parë se ka gjuajtje nga të gjitha anët, edhe prej ajrit nga helikopteri. Dëgjoja disa policë duke thënë se janë qëlluar nga snajperistë në këmbë. Snajperistët asnjëherë nuk qëllojnë në këmbë. Shpesh policët që kanë dëshmuar kanë thënë se u është bërë pritë. Nuk bëhet pritë atje ku dikush flenë”.

Ai pranon se ka pasur uniformë të gjelbër me emblemë të UÇK-së. Sokoli potencon se policia nuk i ka paralajmëruar aspak.

“Jo! Arsenali që përdorte njësiti nuk ishte për kontrollë. Dua t’i shpjegoj prokurores se sikur të kishte qenë pritë do të ishin vra më shumë policë. Viktimat mund të kenë qenë vrarë nga vet policia e Maqedonisë. Policia e këtij shteti masovikisht ka sulmuar. Më bazë të plagëve shihet se janë vrarë nga kalibër i rëndë, që ne nuk e kemi poseduar. Unë kam pasur kallash timin personal”, shtoi Sokoli më tutje në rrëfimin e tij.

Duke ritheksuar se ai personalisht nuk është organizator, Sokoli kujton se pyetjes “cili ishte qëllimi që qëndroi nga 3-9 maj” nuk po mund t’i jep përgjigje, shkruan gazeta Lajm.

“Këtë pyetje po ia parashtroj vetes tashmë dy vite. Unë s’kam qenë organizator. Më 7-8 maj jam parë me Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecaj u kam thënë se rrezikojmë veten dhe lagjen nëse rrimë këtu. Ata kanë qenë shumë të sigurt në veprimet e tyre. Tre ditët e fundit ka pasur dron, shenj që duhej të lëviznim. Por, ata dy ishin të vendosur se nuk duhet të lëviznim. Nuk më dëgjuan”, pohoi Sokoli.

“Telefonatat që janë prezantuar në gjykatë kanë pasur të ndërruar kohën e kontaktit, disa fare nuk janë prezantuar. Për mua kjo është montim, si i gjithë ky rast. Më keni nxjerrë si të parin. Të kisha qenë organizator nuk kishte me ndodh kjo, s’jam aq naiv.

Shumë prej dëshmitarëve të mbrojtur (policë) kanë zbuluar se 3-4 ditë përpara kanë hyrë në lagje. Policia ka mundur ndryshe ta bëjë operacionin. Policia ka pasur mision për të na likuiduar.”

Kush i ofroi siguri grupit?

Në pyetjen e avokates mbrojtëse Artene Ademi Iseini: “Potencuat se Begu dhe Mirsadi kanë qenë të sigurt, prej nga?”

Sokoli me përgjigje: Kur ju thash se duhet të largohemi më thanë se po frikësohem. Më dhanë një cigare. Më thanë se këtu do të rrimë deri më 19 maj.

Çfarë qëllimi kishin?- vazhdoi me pyetje avokatja.

“Qëllimi ishte Marrëveshja e Ohrit, por jo të kryejmë sulm, siç pretendon policia”

Avokatja: A keni mundur t’i qëlloni policët? Theksuat se i keni parë ditë më parë në lagje.

“Nuk kemi pasur asi qëllimi”, përgjigjet kategorikisht Sokoli.

Avokatja: Kur filloi konflikti a tentuat ta ndalni?

“Unë s’kam pasur telefon sulmi ishte masiv. Kur ndërhyri policia ne mbetëm të ndarë në dy grupe. Mirsadi dhe Begu ishin në grupin tjetër. Në tanë kohën kemi tentuar me mbijetuar. Shefqet Kallaç ka kontaktuar me OSBE. Policia asnjëherë s’ka qenë e interesuar që ne të dorëzohemi. Aty shihet qëlllimi i tyre për të na eliminuar. Ndjej keqardhje për ata që kanë humbur jetën, nga të dy palët.

Në një telefonat është shkëputur pjesa kur Mirsadi thotë që ne të parët të dorëzohemi, e pas 5 minuta edhe grupi tjetër. Dorëzimi, dikur ka ora 19. Pasi që jemi dorëzuar një pjesë policisë deshi të na vrasë, të tjerë të na mbrojnë. Në ndërkohë një polic rastësisht plagos veten dhe një koleg të tij. Pastaj luftimet vazhdonin. Neve na lidhën, na shqelmonin. Më morën mua, Genc Sefaj dhe Valdet Zekaj për t’i thirrur të tjerët që të dorëzohen. Neve na përdorin si mburoja të gjalla. Ne bërtitnim, por kishte krisma dhe s’na dëgjonin. Ora 21:30 janë ndalë gjuajtjet, kam dëgjuar Begun duke bërtitur UçK. Na kanë shtyrë për tokë, na shkelnin nëpër gjithë pjesët e trupit e pastaj na kanë sjellë në Shkup. Gjithë kjo ka ndodhur në një shtet që po pretendon të hyjë në BE dhe NATO”

A do të ishin pasojat më të vogla nëse pranohej paralajmërimi i juaj që të dorëzoheni?- insiston avokatja mbrojtëse.

“Normal, asgjë s’kishte me ndodhë! Pasi që jemi dorëzuar janë vra 5 persona, pastaj ë nesërmen 3 polic. Vet policët janë konfuz, normal gjithë ai sulm, njeriu se kupton se çfarë ka ndodhë. Edhe mua mu ka deshtë kohë që ta kthejë filmin”, u shpreh Sokoli.

Sokoli rikujton se Mirsadi ka qenë kryesori ndërsa Begi zëvendësi i tij.

Sokoli ishte humanist

“Më 2001 kam marrë vendim që të burgosur maqedonas tu dorëzohen ndërkombëtarëve dhe të njëjtit nuk janë keqtrajtuar. Janë respektuar të drejtat e njeriut sipas Konventës së Gjenevës. Të isha kthyer tani në ora 16 të 9 majit, nuk do të isha dorëzuar.

Më 9 maj Valdet Zekaj në ndërkohë më ka thënë se një shtëpie që po i dilte flaka ai kishte parë dy të moshuar dhe më pyeti nëse do të mund të shkonte që t’i shpëtonte. Unë i kam dhënë leje dhe Zekaj i ka shpëtuar që të dy”, tha Sokoli.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Lajm i mirë për “Grupin e Kumanovës”: Avokati i De Niros do të mbrojë Valdet Zekajn

Avokat i aktorit të famshëm amerikan Robert De Niro, do të mbrojë ish-pjesëtarin e UÇK-së të arrestuar më 2015 në Kumanovë, Valdet Zekajn nga Peja.

Periskopi.com Lajme

Se avokat i angazhuar në këtë rast do të jetë Tom Harvey, këtë lajm e konfirmon për Telegrafin, vëllai i Valdetit, Ardet Zekaj.

Sipas tij, kjo u bë pas angazhimit të mikut familjar, Elvir Muriqi.

“Falënderoj lobin shqiptar për kontributin e dhënë”, thotë ai.

Harvey është avokat i shumë personaliteteve publike në SHBA. Ndërkaq, emërimi i i tij do të jetë mbështetje e madhe për pafajësinë e Zekajt e njëherësh edhe të tjerëve nga ajo që njihet si “Grupi i Kumanovës”. /Telegrafi

Rasti “Kumanova”: Zbardhen bisedat e Komandant Sulës me agjentët sekretë

Në seancën gjyqësore kundër njërit nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, Sulejman Osmanit, alias Komandant Sula, që u zhvillua me dyer të mbyllura, prokuroria ka publikuar transkriptat e bisedave telefonike që janë zhvilluar mes Osmanit dhe agjentëve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, në periudhën nga 21 prilli deri më 25 prill të vitit 2015.

Periskopi.com Lajme

Këtë, në një deklaratë për televizionin Alsat të Shkupit e ka bërë të ditur avokati i mbrojtjes Naser Raufi.

Bëhet fjalë për biseda të zhvilluara dy javë para ngjarjeve të përgjakshme në Lagjen e Trimave, ku humbën jetën tetë policë të Maqedonisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur shqiptar.

Pala mbrojtëse insiston që dëshmitarët e propozuar, zyrtarë të lartë të BDI-së dhe VMRO-së, patjetër të paraqiten në gjykatë, pasi që sipas avokatit Raufi ata kanë njohuri shumë të rëndësishme për ngjarjet pasi kanë qenë të involvuar në zhvillimet e Kumanovës dhe Gushincës.

Në seancën e parë e cila u zhvillua me 21 tetor pala mbrojtëse propozoi si dëshmitarë liderin e BDI-së Ali Ahmeti, shefin e kabinetit të tij Artan Grubi, kryetarin e Komunës së Likovës Sadulla Durakun, ish-zv/ministrin e Brendshëm Zemri Qamili, ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov dhe shumë funksionarë tjerë të lartë.