KQZ-ja nuk shtyn mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë për shkak të Coronavirusit

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për mosshtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të Podujevës, pas konfirmimit të dy rasteve me Coronavirus, raporton Ekonomia Online.

Edhe materiali i ndjeshëm është nisur nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve drejt Podujevës.

Të premten je rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me Coronavirus në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77 vjeçare nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

Daka: Nesër do të vendoset se a do të mbahen zgjedhjet të dielën në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Kosovë, nesër ata do të mblidhen për të marrë një vendim nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet e caktuara të dielën për kryetar të Komunës së Podujevës .

“Nesër do të takohemi dhe do ta shqyrtojmë situatën përsëri dhe do ta konfirmojnë se a do të mbahen ose jo. Do t’i njoftojmë qytetarët e Podujevës dhe ata që do të jenë ditën e diel të angazhuar lidhur me zgjedhjet”, ka thënë Daka për Klan Kosova.

Personalisht ajo ka thënë se mendon që ky proces duhet të mbahet siç është caktuar – më 15 mars.

“Konsideroj se zgjedhjet duhet të mbahen sepse situata nuk është alarmante. Nuk ka pasë mundësi që të kenë kontakt me qytetarët nga Podujeva ata që janë konfirmuar si të prekur.  Do të jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë nesër do të flasim edhe me ta edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë  dhe pasi të konsultohemi me ta do të jem në gjendje që ta dimë saktësisht se a do të kemi zgjedhje ose jo. Kjo do të ndodhë nesër gjatë ditës sepse ende ka mundësi që të bisedohet”.

 

KQZ’ja akrediton rreth 67 vëzhgues të tjerë për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të së dielës në komunën e Podujevës.

Ky institucion akreditoi në mbledhjen e sotme 67 vëzhgues të tjerë të cilët do të mund të përcjellin procesin e votimit këtë të diele. Të akredituarit e sotëm janë përfaqësues të mediave të ndryshme të Kosovës. Deri më tani numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për këto zgjedhje, sipas KQZ-së është: 1 mijë e 554 vëzhgues.

Vëzhguesit e akredituar deri më tani përfaqësojnë 3 subjektet politike që garojnë në këto zgjedhje, OJQ vendore dhe ndërkombëtare si dhe media të ndryshme.

Sipas KQZ-së vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procedurat tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

​KQZ-ja akreditoi edhe 602 vëzhgues tjerë për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi në mbledhjen e sotme 602 vëzhgues të cilët do të mund të përcjellin procesin zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020. Në këtë mënyrë numri i deritashëm i vëzhguesve të akredituar për këto zgjedhje shkon në 610.

Vëzhguesit e akredituar, sipas KQZ-së, u përkasin një subjekti politik, disa OJQ-ve vendore dhe një OJQ-je ndërkombëtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur ditë më herët për KosovaPress, se afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars.

Po sipas Elezit, vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numë rimit dhe Rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve në komunën e Podujevës për zgjedhjet e 15 marsit është 86 mijë e 610 apo 1 mijë e 356 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit, ato për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ndërsa, si votues jashtë vendit kemi të regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit 227 votues.

Elezi ka bërë të ditur se në komunën e Podujevës janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, derisa janë 4 vendvotime më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2019.

KQZ-ja ndan 350 mijë euro për partitë politike

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë 350 mijë euro për mbështetjen e subjekteve politike për muajin mars. Kjo shumë ndahet sipas numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu janë akredituar edhe akredituar edhe 602 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 15 mars në komunën e Podujevës. Ndërsa, 8 vëzhgues të tjerë janë akredituar më herët.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj tha se këtë javë janë paraqitur  602 vëzhgues nga dy OJQ dhe organizata ndërkombëtarë.

Ai ka bërë edhe një përmbledhje të shkurtër për aktivitet e sekretariatit.

“Fletëvotimet janë shtypur në bazë të kritereve që ka miratuar KQZ-ja. Qytetarët duhet të informohen si të plotësohet fletëvotimi. Po shtojmë masa të sigurisë për shkak të gabimeve në formularë.”, tha ai.

Qytetarët e Podujevës do ta kenë mundësinë që të zgjedhin kryetarin e ri të komunës së tyre, me 15 mars. Për zgjedhjet  e jashtëzakonshme në këtë komunë, do të garojnë tri subjekte politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat tashmë janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kandidatët në garë për të parin e Podujevës janë: Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi -VV dhe nga Naim Fetahu – PDK.

Interesim i ulët për t’i vëzhguar zgjedhjet në Podujevë, deri më tani vetëm tetë persona të akredituar

Periskopi.com Lajme

Dje është hapur fushata elektorale për zgjedhjet lokale në qytetin e Podujevës.

Partitë politike të Kosovës do të garojnë për të udhëhequr me Podujevën e mbetur pa kryetar pasi kryetari i kaluar i kësaj komune, njëherit nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu ka marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës janë akredituar kandidatët që synojnë udhëheqjen e Komunës së Podujevës, por është vërejtur një interesim minimal për t’i vëzhguar zgjedhjet në këtë qytet, shkruan lajmi.net.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për lajmi.net ka treguar se Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon të përgatitet për ditën e zgjedhjeve në Podujevë.

Elezi është shprehur se duke marrë parasysh planifikimet dhe datat e përcaktuara për planin operacional të KQZ-së, ky institucion do të përkujdeset që qytetarët me të drejtë vote të kryejnë detyrën e tyre më 15 mars.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me realizimin e të gjitha aktiviteteve përgatitore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, sipas planifikimeve dhe datave të përcaktuara me planin operacional. Natyrisht se deri në ditën e zgjedhjeve do të përmbushen të gjitha detyrimet ligjore në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote të komunës së Podujevës të mund të votojnë më 15 mars.”, tha Elezi për lajmi.net.

Por, për zgjedhjet në Podujevë, nuk është treguar interesim për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Elezi është shprehur se deri më tani janë akredituar vetëm 8 vëzhgues nga një media dhe nga një ambasadë.

“Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar vetëm 8 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë një media dhe një ambasadë. Aktualisht jemi duke proceduar me disa kërkesa të tjera dhe besojmë se gjatë kësaj jave KQZ-ja do të ketë mbledhje ku do të akreditojë vëzhgues të tjerë”, tha Elezi.

Zëdhënësi Elezi për lajmi.net ka treguar se afatet për aplikim të subjekteve politike dhe OJQ-ve për t’i vëzhguar zgjedhjet e Podujevës është 10 mars, ndërsa për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediat deri më 12 mars.

Gjithashtu vlen të theksohet se vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor dhe procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars. Pra, deri në këto data ne do të presim aplikimet dhe pastaj KQZ-ja bën akreditimin e tyre nëse janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi për lajmi.net.

Ndërkohë, vlen të theksohet se qytetarët e Podujevës do të mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar më 15 mars, ndërkohë që fushata është hapur.

Zgjedhjet në Podujevë, KQZ miraton sloganin

Periskopi.com Lajme
“Voto për komunën tënde”!, ky është slogani që do të shoqërojë fushatën e informimit publik për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u diskutuan edhe çështje të tjera lidhur me përgatitjet e këtij procesi zgjedhor.

KQZ-ja s’ka pranuar ende asnjë aplikacion për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Ende asnjë vëzhgues, qoftë nga partitë politike, apo edhe OJQ nuk kanë aplikuar për akreditim në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Ekonomia Online, bëri të ditur se afati për aplikim ka filluar para 10 ditësh, por që ende nuk kanë pranuar asnjë aplikacion për akreditim.

“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, edhe pse afati për aplikim ka filluar prej para 10 ditësh. KQZ inkurajon për aplikim pasi roli i vëzhguesve është i pazëvendësueshëm për faktin se ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor”, tha ai.

Elezi më tutje theksoi se afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar është deri me 12 mars.

“Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars. Pra, deri në këto data ne do të presim aplikimet dhe pastaj KQZ-ja bën akreditimin e tyre nëse janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Duhet ta specifikojmë se vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, tha Elezi për EO.

Elezi tha se të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare.

“Të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja. Gjithashtu, edhe mediat duhet të akreditohen në mënyrë që të mund të përcjellin procesin e votimit dhe procedurat tjera në QNR. Aplikimet pranohen nëse bëhen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me përjashtim të aplikimeve me e-mail që vijnë nga jashtë Republikës së Kosovës”, bëri të ditur zëdhënësi Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Tri parti, PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja, kanë caktuar kandidatët me të cilin do të kandidojnë për të marrë postin e të parit të Podujevës.

Kelmendi: 393 mijë euro po bëhen rrush e kumbulla veç pse Agim Veliut iu ka tekë me u bë ministër

Periskopi.com Lajme

Qytetarët e Podujevës së shpejti pritet që të shkojnë në zgjedhje të parakoshme për ta zgjedhur të parin e komunës, shkruan Periskopi.

Agim Veliu i cili mbante pozitën e kryetarit të kësaj komune për vite tëra, me të ardhur LDK në qeverisje, është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme.

Gazetari Adriatik Kelmendi, nëpërmjet një reagimi në Facebook, 393 mijë euro aq sa do t’i kushtojnë KQZ-së zgjedhjet në këtë komunë, i vlerëson si shpenzim të kotë për zgjedhjet në Podujevë.

Shkrimi i plotë:

Qitjani lapsin. 393 mijë euro të buxhetit do të bëhen rrush e kumbulla veç pse Agim Veliut ia ka tekë të bëhet ministër dhe Podujeva të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ma mirë t’i kishin bërë nja 5 koordinatorë nacionalë, sa rrogat e tyre për 4 vjet mandat, po i bjen përafërisht. 🤔

Daka: Ministri Besnik Bislimi na ofendoi, angazhimet jashtë orarit paguhen

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se ndjehet e ofenduar nga deklaratat e ministrit të Financave, Besnik Bislimi. Ajo ka thënë se stafi i KQZ-së punon jasht orarit të punës gjatë zgjedhjeve dhe për këtë, duhet të paguhen.

“Nuk kisha dashtë të merrem me atë që a është plotësu kërkesa buxhetore apo jo, e cila sa për hir të informimit edhe sot nuk kemi vendim nga Qeveria as mjete të alokuara, por kisha dashtë të ndërlidhem me deklaratat e ministrit të Financave, të cilat kanë qenë ofenduese, jo vetëm për mua personalisht, si gjyqtare e Gjykatës Supreme por për tërë stafin e KQZ-së të cilët më duhet të them punojnë dhe kanë punu jo vetëm për këto zgjedhje por që nga pavarësia e Republikës së Kosovës, për më tepër se ndoshta 30 parë zgjedhje dhe janë marrë shembull për tërë rajonin e Ballkanit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm pavarësisht a organizohen për një komunë apo për gjithë Kosovën, sepse operacionet zgjedhore nuk janë të ndryshme për një komunë dhe angazhimi i stafit është i jashtëzakonshëm dhe kërkon angazhim jasht orarit të punës dhe sipas ligjeve, u garantohet të gjithë punëtorëve që cdo angazhim jasht orarit të paguhet”, ka thënë Daka gjatë mbledhjes së KQZ-së./Periskopi/

KQZ: S’ka ende asnjë aplikim për t’u certifikuar për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Të hënën është dita e fundit kur partitë politike do të kenë mundësi për aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Megjithatë, një ditë para përmbylljes së këtij afati, asnjëra nga to nuk ka dorëzuar aplikimin për certifikim me kandidatët e tyre për zgjedhjet në Podujevë.

Një gjë të tillë ka bërë të ditur, zyrtari për informim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai për KosovaPress, thotë se subjektet politike kanë afat deri nesër në orën 18:00 për të dorëzuar në KQZ aplikimin e tyre.

“Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pranuar ndonjë aplikim zyrtar nga ana e subjekteve politike, pra aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahet me datë 15 mars. Dihet që afati për të aplikuar, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje mbyllet ditën e hënë, pra me 17 shkurt. Dhe deri në orën 18:00 subjektet politike kanë afat për të dorëzuar në KQZ aplikimin e tyre dhe së bashku me të edhe emrin e kandidatit për kryetar të kësaj komune”, thotë ai.

Pasi të përmbyllet afati i aplikimit për t’u certifikuar për këto zgjedhje, Elezi thotë se zyra për regjistrimin të partive politike dhe certifikim i shqyrton të gjitha aplikimet që bëhen dhe paraqet në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të një ndonjë subjekti politik apo kandidati. Ai tregon se kur do të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore.

“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat, bëhet edhe e mundshme që KQZ të organizoj tërheqjen e s hortit për renditjen e subjekteve politike që bëhet me datën 2 mars, pra me këtë datë është planifikuar. Dhe kjo pastaj jep mundësinë që duke filluar një ditë më pas, nga data 3 mars subjektet politike dhe kandidatët të fillojnë fushatën e tyre zgjedhore. E cila sipas vendimit të KQZ-së përfundon me datë 13 mars. Pra, janë 11 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve për të zhvilluar fushatën e tyre zgjedhore për këto zgjedhje”, shton Elezi.

Elezi thotë se nuk mund të flasin ende me shifra se sa qytetarë kanë të drejtë vote në komunën ku do të mbahen zgjedhjet, pasi që KQZ ende nuk ka certifikuar lista e votuesve. Megjithatë, sipas tij, janë 87 mijë qytetarë me të drejtë vote në Podujevë.

Më 15 mars 2020, banorët e Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këto zgjedhje vijnë pas emërimit të Agim Veliut, mi nistër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

KQZ-ja ndan 350 mijë euro për partitë politike që përfaqësohen në Kuvend

Periskopi.com Lajme

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ndarë 350 mijë euro për partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Këto mjete janë ndarë për muajin shkurt për financimin e aktiviteteve të partive dhe mbështetjen e punës të secilit deputet.

Kjo shumë u ndahet partive varësisht nga numri i deputetëve në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje do të marrë 76 mijë e 125 euro për nevojat e partisë, kurse 8 458.34 euro për aktivitetet e deputetëve.

LDK-ja 73 mijë e 500 euro për subjektin politik dhe 8 1666.68 për deputetët. PDK-së i janë ndarë 63 mijë euro dhe 6 999.94 për nevojat e deputetëve.

Për AAK-në, KQZ-ja ka nda 34 mijë e 125 euro, kurse për deputetët e kësaj partie 3 791.68 euro.

Nisma morri 15 e 750 euro, deputetët 1 750.06 euro. Listës Serbe iu ndan 26 mijë e 250 euro, përderisa 10 deputetëve të kësaj partie 2 916.70 euro.

Zgjedhjet në Podujevë – mblidhet KQZ

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 10:00.

Në mesin e pikave të rendit të ditës së këtij takimi është edhe aktiviteti i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim.

Më poshtë rendi i ditës: 

  1. Hyrje – znj. Valdete Daka, kryesuese e mbledhjes së KQZ-së;
  2. Aktivitetet e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim:

–        Caktimi i lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështretjen e subjekteve politike për muajin shkurt 2020.

  1. Shqyrtimi dhe miratimi i Udhëzimit për Komisionin Komunal të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimeve për indetifikimin e votuesve në vendvotim për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës;
  2. Të ndryshme;

Fushata për zgjedhjet në Podujevë fillon më 3 mars, KQZ-ja miraton planin operativ

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi para pak momentesh Planin Operacional të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen me 15 mars 2020.

Disa nga afatet kryesore të këtyre zgjedhjeve janë vendosur nga KQZ-ja në mbledhjen e ditës së sotme, e shtunë.

Sipas KQZ-së koha se kur subjektet politike dhe kandidatët duhet të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje fillon nga sot (e shtunë, 8 shkurt) dhe përfundon më 17 shkurt.

Tërheqja e shortit, pra dita kur subjektet politike dhe kandidatët do të mësojnë renditjen e tyre në fletëvotim, është planifikuar të bëhet më 2 mars. Ndërkaq, një ditë më vonë, pra duke filluar nga 3 marsi është vendosur data e fillimit të fushatës zgjedhore, e cila përfundon më 13 mars.

Në vazhdim janë disa nga afatet kryesore të këtij procesi zgjedhor:

  • Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe më 17 shkurt 2020;
  • Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020;
  • Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020;
  • Periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020;
  • Periudha e apklikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020;
  • Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020;
  • Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020;
  • Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020;
  • Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020;
  • Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020;

Mblidhet KQZ, diskutohen përgatitjet për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror Zgjedhor sot do të mbajë mbledhjen e radhës lidhur me procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës.

Përmes një komunikate për media, KQZ-ja ka njoftuar se mbledhje do të mbahet në ora 14:30.

 

 

“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 8 shkurt, ora 14:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës lidhur me procesin e përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës”, thuhet në njoftim.

KQZ sot vendosë për kohëzgjatjen e fushatës për zgjedhjet në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror Zgjedhor do të mblidhet sot për të marrë vendime për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë që do të mbahen me 15 mars, shkruan Gazeta Express.

Këtë e ka konfirmuar  zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se një nga vendimet do të jetë shkurtimi i afatave kohore të aktiviteteve zgjedhore.

“Gjatë ditës së shtunë do të mblidhet KQZ-ja dhe do të marrë disa vendime për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020. – Një ndër vendimet e para do të jetë shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët që janë në dispozicion për organizimin e tyre”, ka thënë Elezi.

Elezi poashtu ka thënë se KQZ-ja në mbledhjen e sotme pritet të marrë vendim edhe për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

“Po ashtu, KQZ-ja pritet të miratojë planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet e këtij procesi zgjedhor. – Edhe sa i përket kohës se deri kur mund të paraqiten subjektet politike për të marrë pjesë në këto zgjedhje apo edhe sa do të jetë kohëzgjatja e fushatës zgjedhore, do ta dijmë në këtë mbledhje”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës janë caktuar të mbahen më 15 mars me vendim të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës u shpallën pasi Kryetari i Komunës, Agim Veliu dha dorëheqje nga ky post për ta marrë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në qeverinë e re.

​KQZ mblidhet për herë të parë me anëtarët e rinj

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban mbledhjen e parë pas emërimit të anëtarëve të rinj nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këtë institucion tashmë e presin disa punë që lidhen me procese pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme si pikë të rendit të ditës është miratimi i rekomandimit për Presidentin e Kosovës lidhur me kandidatët e radhës për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Si dhe shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal në Podujevë dhe Vushtrri.

Ndryshe, KQZ duhet të fillojë përgatitjet edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë.

KQZ-ja deklarohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës

Periskopi.com Lajme

Komuna e Podujevës pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për të zgjedhur kryetarin e ri, pasi qe Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është deklaruar lidhur me procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor që pritet të shpallet së shpejti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për EO se deri më tani nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje, ndërsa ka treguar se kur KQZ-ja fillon përgatitjen e një procesi zgjedhor.

“E kemi shpjeguar edhe në rastet e kaluara të ngjashme, pra në rrethana të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ-ja fillon me përgatitjet instensive pasi të shpallet data e zgjedhjeve”, tha Elezi.

I pyetur se kur do të bëhet emërimi i anëtarëve të KQZ-së, pasi që kjo është e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve, Elezi tha se lidhur me procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së përgjigje mund të japin në Presidencë.

Se sa do të kushtojnë këto zgjedhje, Elezi nuk dha ndonjë shifër pasi tha se planifikimi do të bëhet me kohë.“Viti 2020 nuk është vit zgjedhor. Pra për çfarëdo procesi të mundshëm zgjedhor gjatë këtij viti, KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje.

Ashtu siç kemi vepruar edhe në të kaluarën, pra në raste të ngjashme, KQZ-ja bën planifikimin dhe kërkesën buxhetore e përcjellë në Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Elezi.

Reforma zgjedhore – KQZ-ja e sheh të nevojshme, s’dihet nëse do të ndodhë në vitin 2020

Periskopi.com Lajme

Në Kosovë ende mungon një reformë zgjedhore edhe pse një e tillë është tentuar që të bëhet kohë më parë.

Ishte Presidenti Hashim Thaçi i cili gjatë vitit 2016 pati nisur takimet me partitë politike për reformën zgjedhore, por kjo nismë e tij mbeti pezull.

Mungesa e një reforme zgjedhore, sipas ekspertëve, do të sjellë përsëri situata të paqarta të sistemit zgjedhor.

Ata thonë se parregullsitë që e përcjellën procesin e fundit zgjedhor në Kosovë, treguan për domosdoshmërinë dhe nevojën e zbatimit të reformës zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vlerësuar për organizim të mirë të zgjedhjeve, por stërzgjatja e këtij procesi me rinumërim të vendvotimeve pjesa më e madhe e të cilave pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta.

Në institucionin që merret me organizimin e zgjedhjeve, në KQZ për Ekonomia Online, reformën zgjedhore e shohin të nevojshme, por siç thotë zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi nuk e dinë nëse këtë vit do të fillojë reforma zgjedhore pasi kjo nuk varet nga ta.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të jap një përgjigje nëse këtë vit do të ketë reformë zgjedhore pasi kjo nuk varet nga KQZ-ja. Ajo çka mund të themi është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e sheh të nevojshme reformën zgjedhore, çka nënkupton përmirësimin e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve”.

“Sigurisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i cili ka për detyrë kryesore zbatimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjit për zgjedhjet lokale, është i gatshëm për të dhënë kontributin e vet profesional që do t’i shërbente proceseve të ardhshme zgjedhore”.

Sipas Elezit, KQZ-ja është e gatshme për të ofruar opsionet e veta për aspektet teknike të procesit zgjedhor të cilat duhet të përmirësohen.

“Në kohën kur do të kemi reformë zgjedhore KQZ-ja do të paraqesë këndvështrimet dhe opsionet veta lidhur me aspektet teknike të procesit zgjedhor, të cilat besojmë se duhet të përmirësohen. KQZ-ja organizon zgjedhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjin për zgjedhjet lokale të miratuara në vitin 2008 dhe gjatë kësaj kohë më shumë se një dekadëshe KQZ-ja është ballafaquar me shumë sfida nëpër procese të ndryshme zgjedhore”.

“Sa për rikujtim, në kohën kur kishte filluar procesi i reformës zgjedhore, KQZ-ja kishte hartuar disa rekomandime për ndryshimin e ligjit dhe të njëjtat janë përcjellur tek komisioni përkatës. Që nga ajo kohë janë organizuar edhe disa procese tjera zgjedhore, prandaj edhe mund të bëjmë përditësimin e atyre rekomandimeve”.

Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu në një prononcim për Ekonomia Online tha se reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i qeverisë në ardhje, por duke mos lënë anash opozitën.

“Ndër prioritetet e para do të duhej pikërisht të ishte një dakordim i qeverisë së ardhshme me opozitën sepse pa dakordim me opozitën nuk mund të bëhet asgjë e mirëfilltë dhe e pranueshme dhe të fillohet menjëherë të bëhet reforma zgjedhore dhe të punohet në kodin zgjedhor sepse Kosovës i duhet një kod zgjedhor ku do të përfshiheshin edhe dispozitat e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ligji për zgjedhjet lokale, ligji për financimin e subjekteve politike dhe rregullave zgjedhore që janë të shumta dhe janë edhe ato një barrë e rëndë sepse hera herës interpretohen në mënyra të ndryshme dhe kontradiktore dhe do të duhej në një kod zgjedhor të punohet intensivisht sikur zgjedhjet të ishin pas 2-3 muajsh”.

“Ka shumë gjëra në fakt që duhet ti  nënshtrohet reformës zgjedhore. I gjithë legjislacioni që përmenda më sipër duhet të rishkruhet sepse ligji për zgjedhjet e përgjithshme është vërtetuar edhe në zgjedhjet e fundit  së është jo funksional dhe është i dëmshëm dhe me pasoja”, tha Baraliu për Ekonomia Online.

Baraliu tha se duhet të spastrohen listat zgjedhore dhe duhet të ndryshohet votimi me kusht.

“Pastaj janë zonat zgjedhore është pragu zgjedhor dhe sistemi i tillë proporcional me lista të hapura apo sistem me lista të mbyllura dhe do të duhej diskutuar apo të kishte analiza dhe debat publik nga shoqëria dhe institucionet e vendit në mënyrë që të ndryshohet votimi me kusht, spastrimi i listës një mekanizëm duhet të gjetur një instrument që të spastrohet lista nga personat që nuk kanë të drejtë vote”

Sipas tij, reforma zgjedhore do të duhej të ndodhte para shumë viteve sepse është bërë një trashëgimi ligjore dhe pa analiza të shumta.

“Reforma zgjedhore ka qenë e nevojshme që shumë vite sepse kemi një trashëgimi ligjore pra të një legjislacioni të UNMIK-ut i cili është marrë pa shumë analiza që i kërkojnë rrethanat e vendit dhe kemi një legjislacion të pa kompletuar të mangët kontradiktor dhe të dëmshëm”.

“Është bërë më herët përpjekje përmes një komisioni që të bëjë reformë zgjedhore mirëpo nuk u pranua në propozimet që ishin të formuluara mirë edhe nga ekspertët vendor e ndërkombëtar e KQZ-ja dhe dhanë ndihmën e tyre të gjithë për ta bërë reformën zgjedhore mirëpo nuk u përqafuan nga partitë politike”, thotë ai.

KQZ i çregjistron tetë parti politike

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se KQZ-ja ka marrë vendim për çregjistrimin e 8 partive politike të cilat nuk kanë rezultuar si të certifikuara për të marrë pjesë në tri palë zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Ky vendim është marrë në  zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka marrë vendim për të çregjistruar 8 parti politike. Ky vendim është marrë në zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike. Rregulla në fjalë specifikon qartë se çregjistrimi ndodh, ndër tjerash, kur partia politike nuk është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Prandaj, këto 8 parti politike janë çregjistruar sepse nuk rezultojnë të jenë certifikuar për të marrë pjesë në të paktën tri palë zgjedhjet e fundit (2014; 2017 dhe 2019), as si parti politike për të marrë pjesë vetë në zgjedhje dhe as si pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor”, tha Elezi për Ekonomia Online.

Ai ka treguar se 3 parti janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për çregjistrim në PZAP dhe 1 nga këto parti ka vazhduar procesin në Gjykatën Supreme.

Partitë që janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së janë: Nova Snaga, Partia e të Gjelbërve, Partia Republikane e cila ka vazhduar me ankesë edhe në Supreme.

“Tri nga këto 8 parti politike janë ankuar kundër vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ky institucion ka konfirmuar vendimin e KQZ-së, ndërsa njëra nga këto parti ka vazhduar procesin edhe në Gjykatën Supreme, e cila poashtu ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe rrjedhimisht të KQZ-së”.

Në bazë të të dhënave nga KQZ-ja, Elezi ka njoftuar se numri i partive politike që janë të regjistruara në është 47.

“Sipas të dhënave të fundit, do të thotë pas vendimit për çregjistrimin e këtyre 8 partive politike, numri i partive politike të cilat janë të regjistruara në KQZ është gjithsej 47”, tha ai për EO.

Nga 47 parti politike që janë pjesë e regjistrit të partive funksionale në Kosovë, 24 janë shqiptare, ndërsa nga komunitetet 6 janë serbe, 7 boshnjake, 3 gorane, 2 rome, 2 turke, 3 ashkali dhe 2 egjiptiane.