Asnjë rast pozitiv me koronavirus te Kombëtarja e Kosovës

Periskopi.com Sporti

E gjithë ekspedita e kombëtares së Kosovës ka rezultuar negativë në testet për Covid 19, të kryera dje në Kukës.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin dhe mediat se gjatë ditës së djeshme futbollistët dhe stafi i Kombëtares, por edhe zyrtarët e FFK-së që do të udhëtojnë në Itali i kanë kryer testet PCR në laboratorin e licencuar të UEFA-s dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ në Covid-19”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kësisoj, ekspedita e Dardanëve sot do të udhëtojë e kompletuar për në Parma të Italisë.

Ndeshja me Moldavinë do të luhet nesër me fillim prej orës 20:45.

Kosova mbyll stërvitjen e fundin në “Fadil Vokrri”, ja kur niset për në Itali

Periskopi.com Sporti

Kosova e ka mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në “Fadil Vokrri” para udhëtimit në Itali.

Djelmoshat e Bernard Challandes të enjten më 3 shtator do të ballafaqohet me Moldavinë, në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, në kuadër të grupit 3 të Ligës C.

Edhe në këtë stërvitje përzgjedhësi Challandes ka pasur në dispozicion lojtarët që i kishte edhe një ditë më parë.

Ai ka punuar më shumë në lojën në hapësira të ngushta dhe në lojën sulmuese, por edhe në skema të ndryshme taktike, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Atmosfera në ekip është si zakonisht shumë e mirë, derisa dëshira e futbollistëve për ta nisur mbarë ciklin e ri të ndeshjeve është e madhe.

Nesër në mëngjes ekspedita e Dardanëve do të udhëtojë për në Parma, ku do të zhvillojë edhe një stërvitje para ndeshjes së të enjtes.

Challandes ka arsye për t’u shqetësuar, ja lista e lojtarëve të cilët do të mungojnë

Periskopi.com Sporti

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes tani ka arsye për t’u shqetësuar.

Lista e futbollistëve që do të mungojnë ndaj Greqisë është shumë e gjatë.

Gjithsej, 10 futbollistë do të mungojnë për ndeshjen e dytë të Kosovës ndaj Greqisë.

Lista e plotë:

Milot Rashica

Idriz Voca

Hekuran Kryeziu

Benjamin Kololli

Arbenit Xhemajli

Florent Muslija

Elbasan Rashani

Herolind Shala

Florian Loshaj

Vedat Muriqi

Zyrtare: Zurich lejon Kolollin dhe Kryeziun t’i bashkohen Kosovës por vetëm për një ndeshje

Periskopi.com Sporti

Ashtu siç pritej skuadra zvicerane, Zurich, ka liruar Benjamin Kolollin dhe Hekuran Kryeziun, vetëm për një ndeshje të Kosovës.

Bëhet fjalë për takimin e 3 shtatorit me Moldavinë që zhvillohet në Parma.

Lojtarët nuk do të udhëtojnë fare për ndeshjen me Greqinë që luhet në stadiumin Fadil Vokrri, më 6 shtator.

“Në konsultim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe autoritetet shëndetësore të Zvicrës, kemi liruar Kolollim dhe Kryeziun për ndeshjen me Moldavinë dhe nuk kemi dashur të rrezikojm për ndeshjen me Greqinë që luhet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Zurichut.

Pamje nga stërvitja e Kombëtares mbrëmë, zbulohet pse nuk u stërvit Arbër Zeneli

Periskopi.com Sporti

Kombëtarja e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, para ndeshjes me Moldavinë.

Të enjten më 3 shtator, Kosova takohet me Moldavinë në Parma të Italisë, në kuadër të fazës në grupë të Ligës C, grupit 3 në Ligën e Kombeve.

Në stërvitjen e djeshme të Kosovës ishin të pranishëm 15 lojtarë, por nuk u stërvit edhe Arbër Zeneli i rikthyer.

Sipas FFK, Zeneli nuk është stërvitur ditën e djeshme pasi arriti në orët e vona të pasdites në Kosovë.

Më poshtë mund t’i shihni sekuencat nga stërvitja e fundit e Kosovës. Stërvitja e radhës do të jetë sot në 18:00.

Ja çka ndodhë nëse ndonjë lojtar i Kosovës rezulton pozitiv me koronavirus para ndeshjes me Moldavinë

Periskopi.com Sporti

UEFA ka konfirmuar se çfarë ndodh me ndeshjet e Ligës së Kombeve nëse kombëtare të ndryshme do të kenë futbollistë pozitivë për COVID-19. Është paralajmëruar edhe shorti.

Ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen mes 3 dhe 8 shtatorit. Këto janë ndeshjet e para ndërkombëtare në Evropë që nga shpërthimi i koronavirusit dhe UEFA ka thënë se e kupton që për përgatitje shtetet kanë pasur shumë vështirësi.

Të gjitha ndeshjet pritet të zhvillohen në stadiumet e caktuara më herët, pos ndeshjes Moldavia-Kosova, që do të luhet në Itali, pasi Moldavia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

UEFA ka thënë se kur të ketë raste pozitive të konfirmuara me COVID-19 kjo do të mund të çojë që të karantinojë një grup lojtarësh, zyrtarësh apo të gjithë ekipin.

Nëse karantinohen lojtarët, UEFA ka thënë se ndeshja do të luhet nëse skuadrat kanë nga 13 futbollistë në dispozicion, duke përfshirë së paku një portier.

Nëse ekipet s’do të kenë nga 13 futbollistë, UEFA ka shtuar se do të provojë të caktojë orarin e ri për ndeshjen.

Gjithsesi, nëse kjo s’mund të bëhet, komiteti disiplinor do të vendosë për rezultatin dhe skuadra e konsideruar përgjegjëse për shtyrje të ndeshjes do të llogaritet humbëse me rezultat zyrtar.

 

Kosovë-Greqi mund të luhet në Itali

Periskopi.com Sporti

Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjen e parë si vendase në kuadër të Ligës së Kombeve mund ta zhvillojë jashtë vendit.

Kosova e nis fushatën kualifikuese për në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve më 3 shtator teksa do të përballet me Moldavinë në stadiumin “Enio Tardini” në Parma të Italisë, raporton zëri.info, transmeton Periskopi.

Tri ditë më pas (6 shtator), Kosova pritej që ta sfidonte Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, mirëpo edhe kjo ndeshje mund të luhet jashtë Kosovës.

Në fakt, edhe kjo mund të zhvillohet në Itali.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim për Zeri.info deklaron se FFK-ja po përgatitet që ndeshja me Greqinë të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, por si mundësi mbetet edhe Italia.

“Për shkak të pandemisë COVID-19, është parë si solucion që ndeshja me Greqinë të zhvillohet në Itali. Gjithsesi, ne jemi duke u përgatitur dhe shpresojmë që të zhvillohet në Prishtinë. Ndeshjet me Moldavinë dhe Greqinë luhen brenda tri ditëve dhe duke e ditur situatën me pandemi në vendin tonë, është parë si solucion edhe Italia. Unë shpresoj shumë se do të luhet në Prishtinë dhe jemi duke u përgatitur për Prishtinë”, ka thënë Agim Ademi të martën për Zeri.info.

Me ndeshjen në Parma nis paraqitja e Kosovës në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Për dallim nga edicioni i parë, në të cilin garoi në Ligën D (niveli më i ultë), Kosova tani do të garojë në Ligën C.

Kosova në grupin e tretë së bashku me Greqinë, Slloveninë e Moldavinë.

Por të gjitha ndeshjet duhet të konfirmohen pas situatës së rëndë të krijuar nga pandemia COVID-19.

Moldavia nuk e njeh Kosovën si shtet – UEFA tregon se ku do të zhvillohet përballja

Periskopi.com Sporti

UEFA ka konfirmuar se përballja mes Moldavisë dhe Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve, do të zhvillohet në stadiumin ‘Ennio Tardini’ në Parma të Italisë.

Ballafaqimi i dy Përfaqësueseve nuk është i mundur të zhvillohet në Moldavi, shkaku që moldavët nuk e njohin ende shtetin tonë.

Takimi që parashihet të zhvillohet më 3 shtator në ora 20:45, u refuzua të organizohej nga Moldavia në njërin prej stadiumeve të tyre.

Duke mos dashur të shkaktohet më shumë tollovi, UEFA vendosi që kjo sfidë të luhet në teren neutral, pra në Itali.

Përveç me Moldavinë, përfaqësuesja e Kosovës është në grup edhe me Slloveninë dhe Greqinë.

Kujtojmë se Kosova bënte pjesë në Ligën D në sezonin e kaluar, gjersa në këtë edicion të dytë të Ligës së Kombeve garojnë në Ligën C.

‘Dardanët’ për këtë takim cilësohen si favoritë, pasi Moldavia të pesë ndeshjet e fundit ka pësuar disfatë.

Katër vjet që kur Kosova shkroi historinë me debutimin historik në Lojërat Olimpike

Periskopi.com Sporti

Ekipi Olimpik i Kosovës shkroi historinë duke parakaluar për herë të parë në cermoninë hapëse të Lojërave Olimpike, sot katër vite më parë.

Ekipi Olimpik i Kosovës për herë të parë e kishte bërë këtë parakalim në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, në stadiumin Marakana dhe ishte paraqitur me tetë sportistë dhe trajnerë, me bajraktaren Majlina Kelmendi.

Vlen të theksohet se në këto lojëra, Majlinda Kelmendi kishte arritur ta fitonte medaljen e artë në xhudo

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka kujtuar këtë ditë, duke shkruar: “Sot katër vjet më parë ekipi Olimpik i Kosovës shkroi historinë duke parakaluar për herë të parë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.

Ekipi prej tetë sportistëve dhe trajnerëve me bajraktaren Majlinda Kelmendi, defiloi në stadiumin Marakana të Rios ku u hapën LO Rio201.

 

E konfirmojnë gazeta maqedonase: Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë sigurt luhet pa tifozë

Periskopi.com Sporti

Edhe dy muaj kanë mbetur deri te ballafaqimi historik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në kuadër të gjysmëfinales së Play-off-it të Ligës së Kombeve në futboll.

Në këtë ndeshje do të luftohet për finalen e play-off-it e pastaj fituesi i këtij takimi ndeshet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë, për të siguruar një vend në Kampionatin Evropian.

Maqedonët lëshojnë alarmin, duke treguar se çfarë i pret në takim me Kosovën.

“Ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kombeve kundër Kosovës luhet në tetor – pa spektatorë.

Megjithëse pritet ende një vendim zyrtar nga UEFA, është e sigurt që gara historike për Maqedoninë në rrugën drejt Kampionatit Evropian, gjysmëfinalja e play-off-it të Ligës së Kombeve kundër Kosovës do të luhet në Shkup pa praninë e shikuesve”, shkruan mes të tjera portali maqedon “Ekipa”.

Zbulohen datat e ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve

Periskopi.com Sporti

Këtë vit Përfaqësuesja e Kosovës do të luaj në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Kosova ndodhet në Ligën C – së bashku me Slloveninë, Greqinë dhe Moldavinë, kjo pas sukseseve në edicionin e fundit kur doli e para në grup.

Ndeshjen e pare Kosova do ta luaj në udhëtim ndaj Moldavisë, kurse vetëm tri ditë më vonë në “Fadil Vokrri” pret Greqinë.

Takimi i parë ndaj Sllovenisë luhet në Prishtinë me 10 tetor, ndërsa pas këtij takimi “Dardanët” kanë dy ndeshje në udhëtim ndaj Greqisë dhe Sllovenisë.

Në xhiron e fundit, Kosova e pret në shtëpi Moldavinë.

Kosova ka shënuar një sukses të madh në sportin e shahut – lë prapa Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Periskopi.com Sporti

Kosova ka shënuar një sukses të madh në sportin e shahut.

Ata janë renditur të tretët në kategorinë “Bullet” të turneut mesdhetar që po mbahet në Turqi.

Turqia zuri vendin e parë me 3.310 pikë, pas tyre doli Greqia me 2.991 dhe Kosova pati 2.950 pikë.

Garuese të tjera ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Algjeria, Siria dhe Libani.

Ky turne u mbajt në kuadër të projektit “Checkmate Coronavirus”.

Eurostat: Kosova ka çmimet e rrymës më të ulëtat në Evropë

Periskopi.com Lajme

Konsumatorët shtëpiak të Kosovës sipas raportit më të fundit të agjencisë zyrtare të statistikave të BE-së, Eurostat, paguajnë çmimet e energjisë elektrike më të ulëtat në Evropë. Raporti i publikuar së fundmi që merret me analizimin e pjesës së dytë të vitit 2019, thekson se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë për amvisëri ishin 6.1 euro për 100 kilovatë/orë. Madje, Kosova ka diferencë të madhe me vendin e dytë, ku është renditur Serbia, që kishte çmime 7.2 euro apo 18 për qind më shtrenjtë.

Ndërkohë, vendet tjera të rajonit kanë çmime shumë më të shtrenjta. Konsumatorët shtëpiak në Bosnjë paguan 8.71 euro për 100 kilovatë/orë apo 44 për qind më tepër se në Kosovë, ndërsa në Shqipëri 9.1 euro apo 50 për qind më tepër se ne.  Ndërkohë, Mali i Zi është më i shtrenjti në rajon me 10.1 euro. Pra, malazezët paguajnë çmime të energjisë elektrike 65 për qind më të larta se kosovarët.

Eurostat në vazhdimësi përcjell ndryshimet e çmimeve të energjisë elektrike si brenda ashtu edhe jashtë Bashkimit Evropian dhe është përgjegjëse për publikimin e statistikave me cilësi të lartë në mbarë Evropën që mundësojnë krahasime midis vendeve dhe rajoneve.

​Në tabelën e mëposhtme shihet se cmimet më të larta për konsumatorë shtëpiak i kanë Danimarka, Gjermania dhe Belgjika, ndërsa cmimet më të ulëta Kosova. Pra, cmimet janë rënditur nga më të lartat tek më të ulëtat dhe Kosova rënditet e fundit me kodin shtetëror me të cilën njihet ndërkombëtarisht, XK.

Kur mund të hapen kufijtë e Kosovës?

Periskopi.com Lajme

Pas 1 qershorit, kur edhe fillon faza e tretë e lehtësimit të masave në Kosovë, pritet që të vendoset për hapjen ose jo të kufijve tokësorë dhe Aeroportit.

Nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim, kanë thënë se e gjithë kjo varet nga situata e krijuar gjatë kësaj kohe me pandeminë COVID-19.

Sipas Sami Ukës, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, izolimi prej 14 ditësh, për personat që do të hyjnë në Kosovë, do të mund të vazhdojë edhe pas hapjes së kufijve, varësisht nga situata dhe mundësitë e krijuara, raporton KTV.

“Hapja e kufijve tokësorë dhe ANP-së është planifikuar tek pas fazës së tretë varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike. Kjo bashkë me karantinimin e mundshëm natyrisht do të bëhet bazuar në praktikat më të mira nga vendet që janë para nesh në këtë proces, situata epidemiologjike, si dhe mundësitë tona”, ka thënë Uka.

Që nga 18 marsi, janë pezulluar të gjitha fluturimet në aeroportin “Adem Jashari”, përveç atyre të veçanta që po realizohen për kthim të kosovarëve nga vende të ndryshme.

Zv. ministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani, ka thënë se ende nuk kanë ndonjë informacion se kur do të mund të realizohen fluturimet e rregullta, por që do të veprojnë në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së e Ministrisë së Shëndetësisë.

Zogiani ka shtuar se fillimi i udhëtimeve ajrore varet edhe nga situata e krijuar në vende të tjera, dhe se fluturimet për dhe nga shtetet më të prekura nga COVID-19 mund të vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme përmes telefonit kanë thënë se hapja e kufijve tokësorë mund të bëhet vetëm atëherë kur e parasheh Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Shpend Nuhiu, shef i kabinetit të ministrit, shkurt ka thënë se janë duke punuar për realizimin e një plani, se si do të veprohet pas hapjes së kufijve.

BE jep pjesën e parë të ndihmës prej 5 milionë eurove për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dorëzoi sot pjesën e parë të ndihmës së BE-së për Kosovën prej 5 milionë eurosh për luftimin e Covid-19.

Ndihma u pranua nga Arben Vitia, ministri në detyrë i Shëndetësisë, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

Kjo ndihmë, e bartur me 5 kamionë, përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje një përdorim dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha ambasadorja Apostolova pas dorëzimit të pajisjeve.

Furnizimet e tjera medicinale do të përfshijnë ventilatorë, pompa infuzioni, automjete ambulancë, oksimetra pulsi, shtretër spitalorë, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë, maska, teste, epruveta, barna dhe artikuj të tjerë të nevojshëm.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.

Mjekët: Kosova nuk ka teste për gjithë popullatën

Periskopi.com Lajme

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin e ri.

Por, ata që merren me luftimin e pandemisë thonë se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët si të dyshuar.

Megjithatë, ata shprehen se në ditët në vazhdim do rrisin nivelin e testimeve të personave, por kërkojnë nga qytetarët dhe organizata të ndryshme që të mos bëjnë presion në personelin mjekësor që t’i nënshtrohen testeve.

Nga 8 shkurti i këtij viti rreth 7,000 persona në Kosovë janë testuar si të dyshuar me koronavirusin e ri.

Kurse, aktualisht Kosova ka mbi 7,300 teste në dispozicion, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë. Si rezultat i kësaj, Hoti thotë se ditëve të fundit është rritur numri i testimeve dhe pritet që nga java e ardhshme kjo shifër të rritet edhe më shumë.

“Gjatë fundjavës që shkoi, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) është furnizuar me 7,300 teste për diagnostifikimin e COVID-19. Nga këto, 4,100 nga kontrata e Ministrisë se Shëndetësisë, 3,000 donacione nga Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe 200 të tjera donacione”, thotë Hoti.

Kosova dhe Shqipëria me më pak teste në Ballkan

Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duket se qëndrojnë më mirë në procesin e testimit. Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 28 prill, Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100.

Kosova nuk figuron në këtë ueb-faqe, por sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 6,955 teste, që i bie se janë testuar mbi 3,970 persona në një milion banorë. Më keq qëndron Shqipëria, me 2,603 persona të testuar në një milion banorë.

Një punëtor shëndetësor duke kryer teste të shpejta për koronavirusin në Gjermani. Fotografi nga arkivi.

Ndërkaq, mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë se numri i mostrave varet nga numri i testeve që janë në dispozicion.

Pasi Kosova nuk ka mundësi të prodhojë teste dhe varet nga importi, Raka thotë se është shumë vështirë furnizimi me to për shkak të kërkesës së madhe globale për këtë produkt.

Sipas tij, Instituti vendos se cilët persona duhet të testohen pasi nuk ka mundësi për të gjithë.

“Problemi kryesor është vështirësia në furnizimin me teste, sepse për kërkesa për teste është kërkesë globale. Është shumë vështirë të sigurohen, kjo është arsye pse testet janë bërë aq sa janë bërë edhe pse ditëve të fundit kjo shifër është rritur. Normal që nuk kemi mundësi ta testojmë krejt popullatën e Kosovës, kjo është e kuptueshme”, tha Raka.

Edhe zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, theksojnë se numri i testimeve në nivel vendi është i vogël, por sipas tyre, kjo varet nga kapacitetet ekzistuese.

Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në këtë Organizatë, i tha Radios Evropa e Lirë, se vetëm testimi nuk është zgjidhje për parandalimin e koronavirusit. Sipas saj, qytetarët e Kosovës duhet të zbatojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për izolim.

“Asnjë shtet nuk mund të testojë secilin person. Por, bëhet seleksionimi në bazë të kritereve që i përcakton OBSH-ja dhe miratohen nga autoritetet shëndetësore në Kosovë. OBSH potencon se domosdoshmërisht duhet të testohen personat me simptoma, persona të kontaktit. Kurse Instituti e ka shtuar edhe personat të cilët janë edhe në karantinë. Po mendoj se kjo është e mjaftueshme”, tha Humolli.

IKSHPK: Mos na bëni presion!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.

“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet, pasi që një përgjegjësi e tillë i takon IKSHPK”, thuhet në njoftim.

Instituti nuk emërton asnjë institucion apo individ që ndërlidhet me këto presione të pretenduara.

Deri më tash, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar se 790 persona janë infektuar me koronavirus, 232 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur./REL

Çitaku: Kosova është storie suksesi për të cilën të gjithë amerikanët duhet të jenë krenarë

Periskopi.com Lajme

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova është një storie suksesi për amerikanët, për të cilën duhet të jenë krenarë.

Ajo ka shkruar një opinion në Ëashington Times si një përgjigje ndaj një opionisti amerikan Michael Ëaller, që tha se UÇK është një organizatë terroriste islamike dhe se eksporti më i famshëm i Kosovës janë xhihadistët. Në shkrimin e tij të publikuar në po këtë gazetë thuhet se SHBA nuk ka asnjë interes në Kosovë dhe se taksat e amerikanëve janë çuar dëm, njofton Klan Kosova.

Por, Çitaku iu kundërpërgjigj duke e nisur shkrimin me festën e Krishtlindjeve në vitin 1992, që sipas saj, Kosova mori dhuratën më të mirë nga SHBA.

“Ishte festa e Krishtlindjes në vitin 1992, kur populli i Kosovës mori dhuratën më të mirë që dikush mund të dëshironte. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.Ë Bush, i dërgoi një mesazh Serbisë duke thënë se: “Në rast konflikti në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi.” Kur pak njerëz mund të shihnin Kosovën në hartë, ishte Bush ai që tërhoqi vijën e kuqe dhe Shtetet e Bashkuara që nga ajo kohë kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”.

“Vitet 1990 ishin një kohë e errët për Ballkanin Perëndimor. Kur shumica e njerëzve mendojnë Ballkanin, ata mbajnë mend luftërat rrëqethëse të viteve 90-ta. Sidoqoftë, ajo që shpesh është anashkaluar janë dekadat e shtypjes, ndarjes sistematike dhe shfrytëzimit sistematik të kryer nga regjimi serb. Vite vuajtjesh të papërshkrueshme kur popullit të Kosovës iu morën të drejtat e tyre dhe iu nënshtruan një trajtimi dehumanizues. Tmerret e viteve të 90-ta arritën kulmin me fushatën brutale të spastrimit etnik, e cila u krye nga forcat serbe. Një milion kosovarë u dëbuan nga vendi i tyre, më shumë se 10,000 prej tyre u vranë, afër 20,000 gra u dhunuan dhe 1,600 ende janë të zhdukur”.

“Më 24 mars, 1999 Shtetet e Bashkuara udhëhoqën ndërhyrjen humanitare të sulmeve ajrore të NATO-s, e cila i dha fund sundimit të terrorit në Kosovë. Presidenti Bill Clinton shpalli: “nëse ne dhe aleatët tanë do të lejonim që kjo luftë të vazhdonte pa përgjigje, presidenti Millosheviq do të lexonte hezitimin tonë si një licencë për të vrarë”. Edhe njëherë, ishin miqtë tanë amerikanë që erdhën në shpëtimin tonë. Kur trupat amerikane arritën në Kosovë në vitin 1999, ata ishin në shtëpi. Ata u përshëndetën me buzëqeshje, brohoritje dhe lule. Që nga ajo kohë, Kosova ka qenë nikoqire e amerikanëve të panumërt, ushtarakë e civilë. Ata janë miqtë tanë, mentorët tanë, familja jonë”.

Çitaku shkroi se “plagët e luftës nuk shërohen lehtë dhe ato kurrë nuk zhduken me të vërtetë. Por, liria ka fuqi rikuperuese. Kështu, ngadalë por me siguri, populli i Kosovës u rindërtua. Ne morëm forcë nga njëri-tjetri dhe kishim shpresë sepse nuk ishim vetëm në luftën tonë. Amerika ishte në mbështetjen tonë. Kur erdhi koha që ne të përfundonim përpjekjen tonë për pavarësi, ishte presidenti George Ë. Bush ai që në vitin 2007 tha: “Ne duhet të themi, mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Është e panevojshme të thuhet, Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008”.

“Demokracia nuk është e lehtë, por Kosova ka dëshmuar se është për këtë detyrë. Me ndihmën e administratës Obama, vendi ynë bëri përpjekje të mëdha për t’u integruar më shumë në bashkësinë ndërkombëtare. Kosova ka punuar shumë për të demonstruar gatishmërinë e saj për të përmbushur përgjegjësitë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Sidoqoftë, askush nuk u befasua që kur Kosova ishte e gatshme të kalonte nga një konsumator në një kontribuues të sigurisë duke themeluar forcat e saj të armatosura, ishte administrata Trump ajo që kryesoi këtë përpjekje”.

“Që nga shndërrimi i saj, FSK tashmë ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në ndërtimin e kapaciteteve, modernizimin dhe harmonizimin me standardet e NATO-s. Qoftë në luftimin e ISIS-it apo Hozbollahut, Kosova ka mbetur gjithmonë në vijë me Shtetet e Bashkuara. Si një shenjë e angazhimit për paqen e qëndrueshme dhe prosperitetin afatgjatë në rajon, NATO vazhdon të mbajë një prani në Kosovë. Sot, misioni i saj është të shërbejë si një qendër parandaluese dhe e ngritjes së kapaciteteve”.

“Kosova është një vend laik dhe multietnik që është e pasur nga larmia e saj. Në Kosovë, ju do të gjeni qytete ku kisha katolike, kisha ortodokse dhe xhamia myslimane, të gjitha kanë të njëjtin oborr. Toleranca dhe harmonia fetare që kemi kultivuar gjatë shekujve është një simbol i nderit, të cilin ne e veshim me krenari. Kosovarët e vlerësojnë historinë dhe trashëgiminë e tyre por është pa diskutim që eksporti më i famshëm shoqëror i Kosovës pro-amerikanizmit”.

“Një vend kampion në liri të mediave, qendër për inovacion e njohur ndërkombëtarisht, Kosova deri diku jeton në reputacionin e saj të vërtetë. Nuk kam dyshim se një ditë, profesionalizmi i institucioneve tona do të përputhet me integritetin e mediave tona, suksesin e artistëve dhe sportistëve tanë, forcën e grave dhe rezistencën e shoqërisë tonë civile”.

“Kosova dëshiron paqe me fqinjët e saj dhe është e gatshme ta vazhdojë dialogun me Serbinë. Sidoqoftë, ne jemi vigjilentë ndaj lirisë tonë të fituar vështirë. Është një ideal për të cilin jemi përgatitur të vdesim dhe të cilin do të luftojmë për ta ruajtur. I detyrohemi atyre që kanë paguar çmimin përfundimtar. Shtëpia e Bardhë ka marrë përgjegjësinë dhe ka emëruar dy të dërguar specialë që kanë injektuar rajonin me energji të reja. Ambasadori Grenell tani është duke udhëhequr pa frikë konfliktin e papërfunduar shekullor midis Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje përfundimtare. Ndërsa forcat e paqëndrueshme përpiqen të nënvlerësojnë këtë proces, presidenti Donald Trump e ka përcaktuar mënyrën duke e bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen e ndërsjellë si themelin e marrëdhënies së normalizuar dhe bazën e çdo marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.

“Kosova gjithmonë ka gëzuar përkrahje dypartiake në Shtetet e Bashkuara. Një shprehje popullore në Kosovë thotë: “Nëse nuk e dini politikën e SHBA-ve, ju do të humbisni rrugëve”. Në Prishtinë, kemi një statujë të Bill Clintonit. Menjëherë pranë bulevardit “George Bush”, sheshi “Madeleine Albright” është 5 minuta larg nga rruga “Bob Dole”. Kur bëhet fjalë për ravigimin, kosovarët e dinë saktësisht se ku është ylli i veriut, dhe kjo është në flamurin, menjëherë ngjitur vijave”.

“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë një lidhje vërtetë të veçantë të ndërtuar mbi historinë që na bashkon dhe vizionin e përbashkët që na çon në të ardhmen. Kjo marrëveshje është baza e demokracisë tonë. Kjo pikërisht është arsyeja pse në kohën e COVID-19, kur bota kaplohet nga ndenja e pasigurisë është një gjë që mund të them me siguri, Kosova është një histori suksesi për të cilën të gjithë amerikanët mund të jenë krenarë”, përfundon Çitaku.

KE propozon 3 miliardë euro ndihmë financiare për vendet fqinje, përfshihet edhe Kosova

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, ka treguar se është propozuar një ndihmë mikro-financiare nga institucioni që ajo drejton për të gjitha vendet fqinje të BE’së në një kohë kur është përhapur pandemia e Covid-19.

‘’Komisioni Europian propozon 3 miliardë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë, B&H, Gjeorgjinë, Jordaninë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Tunizinë dhe Ukrainën për të zbutur ndikimin e #koronavirus. BE qëndron pranë fqinjëve tanë ballkanikë dhe të tjerëve’’, sa thënë ajo.

Këto do ishin ndhma shtesë për këto vende pas valës së parë të ndihmave financiare muajin që shkoi.

 

Paralajmërohet rikthimi i motit të ngrohtë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ditëve në vijim intervale më të gjata me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Temperaturat në rritje. Nga dita e diel mundësi për reshje lokale shiu

Në ditët e ardhshme mbi vend do të shtrihen fusha të presionit të lartë që do të kushtëzojnë mot më stabil, me intervale më të gjata me diell dhe vranësira të ndryshueshme, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se nga perëndimi do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore që do të rrisin temperaturat edhe mbi 20C.

Sipas PW, nga e diela fusha të presionit të ulët nga verilindja e kontinentit do të depërtojnë në lindje të rajonit.

“Nën këto kushte priten mundësi për reshje lokale shiu, temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë, por nga dita e hënë sërish do të shënojnë rritje”, thekson PW.

Parashikimi për periudhën 23-27 prill:

23.04 – Pjesërisht vranët. Në mbrëmje me kthjellime.

24.04 – Më ngrohtë, kryesisht me diell. Gjatë ditës pak vranësira lokale.

25.04-26.04 – Të shtunën ngrohtë, pjesërisht vranët. Ditën e diel vranësira dhe intervale me diell. Vende-vende priten reshje lokale shiu.

27.04 – Ngrohtë, pjesërisht vranët. Ditën zhvillime të vranësirave lokale, me mundësi për reshje lokale shiu.

Temperaturat në rritje në të dy vlerat ekstreme. Minimalet nga 2C deri në 6C, e maksimalet nga 16C deri në 21C.

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme 1-8m/s.

Shtypja atmosferike me tendencë të rënies përreth vlerave normale.

Situata me koronavirus, rreth 50 mijë veta kanë humbur punën në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Qamil Shala nga Fushë-Kosova ka një muaj që ka mbetur pa punë, për shkak të masave emergjente, që kanë shtyrë shumë biznese të mbyllin dyert. Masat emergjente kanë nis së zbatuari që prej paraqitjes së koronavirusit të ri.

“Kam qenë punëtor në një market, por para një muaji më kanë larguar nga puna dhe tani jam i papunë; jo vetëm unë, aty ka pas shumë punëtorë, por janë larguar shumica dhe nuk e di çka do të bëhet pasi të përfundojë pandemia. Nuk besoj që do të kthehemi aty për një kohë të gjatë, por do të kemi vështirësi edhe pas përfundimit të pandemisë, nuk e di me çka do të jetojmë”, thotë ai.

Kosova ka një shkallë papunësie prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasysh numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë i publikuar më 21 mars, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla – rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.

Qeveria e Kosovës në Pakon Emergjente Fiskale, e cila kap vlerën e rreth 180 milionë eurove, në një nga masat ka paraparë për punëtorët që kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave nga qeveria, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajit e ardhshëm.

Rritet numri i punëkërkuesve

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët regjistrohen si të papunë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj Agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm brenda pesë ditëve në zyrën e punësimit janë regjistruar mbi 6 mijë persona si të papunë.

Më 16 prill, Qeveria e Kosovës ka filluar të aplikojë masën 15 të Pakos Emergjente Financiare, masë kjo e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

“Një nga kriteret për të marrë një ndihmë nga Pakoja Emergjente është regjistrimi si i papunë. Që prej nisjes së kësaj mase kemi të regjistruar mbi 6 mijë veta si të papunë, por kjo shifër do të jetë më e lartë, sepse në zyrat që janë nëpër të gjitha komunat, ka një numër të madh të aplikimeve fizike dhe online. Në ditët në vazhdim të gjitha këto do të vendosen në sistem dhe ky numër do të jetë shumë më i lartë”, thotë Haraçia.

Deri më datën 15 mars të këtij viti, numri i të papunëve të regjistruar në Agjencinë e Punësimit ka qenë 75 mijë punëkërkues.

Oda e Afarzimit: Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani më në Kosovë kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë për shkak të ndërprerjes së obliguar të disa veprimtarive ekonomike.

“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’ju ndihmojnë finaciarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa që është tani. Ne mendojmë që së paku 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”, thotë Krasniqi.