Deri në 2021, FSK-së i shtohen 400 pjesëtarë – Edhe kadetët e ushtrive të tjera mund të trajnohen në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) këtë vit planifikohet t’i shtohen edhe 400 pjesëtarë të ri. Po ashtu kadetë të vendeve të tjera,  do të vijnë për tu trajnuar në Komandën e Trajnimit dhe Stërvitjes.

Këtë e ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, transmeton Klan Kosova.

“Ne në fakt kemi planifikuar që në maj të fillojmë kampanjën e rekturtimit. Po do të kemi,  por varet prej situatës. Shpresoj se do ta kalojmë këtë situatë ku jemi aktualisht por,  mund ta bëjmë edhe në pjesën e dytë të vitit. Ne e kemi në plan që edhe 400 rekrut t’i kemi këtë vit, të bëhet rekrutimi i tyre, përzgjedhja, seleksionimi ta kryejnë trajnimin bazik që në janar 2021 të jenë aktiv”, tha Rama.

Ai ka thënë se transformimi në ushtri ka shkuar shumë mirë, madje edhe janë tejkaluar pritshmërinë.

“Deri në këto momente,  për shkak të pandemisë d.m.th janë tejkaluar pritshmërinë tona. Viti i parë ka qenë më shumë administrativ, ndryshimi i rregulloreve, i ligjeve dhe punë administrative që është dashur të merremi por gjithmonë duke ruajtur operacionalitetin që e kemi pasur dhe ngritjen e kapaciteteve bazuar në mandat dhe misionin e ri. Jemi shumë mirë, përveç kësaj periudhe që do të ndikojë në planin tonë të tranzicionit por,  edhe në jetën e përditshme të institucionit tonë. Është diçka e paparashikuar por,  ne do ta bëjmë një rivlerësim, riplanifikm të të gjitha aktiviteteve tona dhe besoj që do ta arrijmë qëllimin dhe synimin”, ka thënë Rama.

Rama është shprehur se janë të kënaqur me të arriturat e deritashme.

“Por,  deri tash jemi të kënaqur me të gjitha të arriturat deri në këto momente. Prapë ne vazhdojmë, në kuptimin administrativ jemi duke punuar por,  në kuptimin teorik dhe praktik dallojnë, në kuptimin teorik jemi duke punuar dhe në atë praktik kurdo që krijohen kushtet”, shtoi Rama.

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, Rama ka folur edhe për angazhimin në FSK të pjesëtarëve të komuniteteve dhe presionet që janë bërë mbi ta për ta braktisur Forcën.

“Të jemi real në kohën që jemi nuk kemi pasur ndonjë problem. Është fakt që ka ekzistuar një presion që paardhur nga jashtë përkundër angazhimit dhe vullnetit tonë. Ne prapë kemi arritur progres në këtë çështje. Nuk jemi në atë nivelin që kemi dëshiruar por ne kemi minoritete, kemi mbi 10 për qind të komunitete.  Fatkeqësisht nga presioni që ka ardhur nga jashtë dhe nga persona të paautorizuar. Disa prej tyre e kanë leshu, jo me dëshirën e tyre”.

“Mua më gëzon fakti që asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë vërejtje sa i përket institucionit tonë prej momentit të rekrutimit të tyre, por edhe në shërbimin profesional, problem ka qenë presioni nga pjesëtarëve tonë dhe familjeve të tyre. Një pjesë e madhe e tyre i kanë mbijetuar këtij presioni . Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet qofshin ato vendore apo ndërkombëtare që ne t’i përkrahim dhe situata është me e qetë. Kanë vazhduar presionet sistematike por një pjesë e tyre janë aktiv”, tha Rama.

Ai  shtoi se janë të kënaqur me punën, angazhimin dhe performancën e tyre.

“Me zor sun i ndalim është sepse kjo ushtri profesionale, vullnetare. Pavarësisht atyre ne duhet t’i zbatojmë ligjet dhe rregulloret pa marrë parasysh se kush është, a është i komunitetit serb, boshnjak ose vet shqiptarët”, tha ai.

Rama ka thënë se prioritet e kanë ngritjen profesionale, e cila po bëhet në bashkëpunim me ShBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë , Turqisë e shumë vendeve të tjera.

“Ne ju kemi bërë ofertë vendeve tjera të jenë pjesë e akademisë sonë.  Janë kryer të gjitha parapërgatitjet, janë akredituar programet dhe është një program shumë profesional por, në të njëjtën kohë edhe përgatitjet për programin do të jetë në anglisht”, shtoi Rama.

Rama tha se në bashkëpunim me  ekipin këshillues të NATO-s, po ndërtojnë kapacitetet e ushtrisë.

“Ne jemi produkt i NATOS dhe çdo gjë është ndërtuar në bazë të standardeve të NATO-s. Krahas kësaj ne kemi dëshmuar me njohjen e kapacitetet plota në 2013 dhe si rezultat i angazhimit tonë jemi këtu ku jemi. A ka nevojë për më shumë? Po. Jemi duke i ndërtuar kapacitetet tona të brendshme. E kemi komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes që jemi duke i rishikuar dhe ndërtuar kapacitetet e reja gjithmonë duke i marrë parasysh ekspertizat që i kemi marrë por edhe njohuritë dhe eksperiencat prej vendeve që i përmenda, specifikisht prej ShBA-së”.

“Ky është qëllimi dhe synimi jonë. E kemi përkrahjen e tyre dhe të gjithë partnerëve tanë, interes i Kosovës është që t’i ndërtojmë kapacitete tona në komandën e trajnimit dhe Doktrinës dhe stërvitjes sepse jemi të obliguar t’i respektojmë ligjet bazuar në mandatin dhe misionin tonë.  Prioriteti i parë kanë qenë ndryshimet administrative . Ministria,  SHP jemi arritur  mbi 70 80 ti ndërtojmë këto kapacitete dhe tash synimi ynë është Komanda e Trajnimit dhe Stërvitjes për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese”, shtoi Rama.

Ai ka thënë se FSK e ka një plan 10 vjeçar me partnerët, raporton EO.

“Varësisht prej situatës dhe prioritete që i kemi si shtet ne do të zhvillohemi por ne e kemi një plan 10 vjeçar që e kemi ndërtuar me partnerët tanë dhe fleksibiliteti, dhe prioritete janë çështje tjera që në vazhdimësi ne i shikojmë planet dhe programet tona. Ne i kemi tejkaluar planifikimet dhe rishikimet tona që i kemi pasur në fazën e parë të tranzicionit dhe këtë e kemi arritur bashkërisht falë angazhimit të gjithë pjesëtarëve qoftë në ministri, qoftë në Forcë”, u shpreh ai.

Rama ka thënë se nuk ka ftohje të raporteve me ShBA-në.

“Unë nuk dua të përzihem në çështje politike. Sa i përket bashkëpunimit që ne e kemi më ushtrinë amerikane, jemi vetëm duke e ngritur bashkëpunimin dhe përkrahjen. E kemi planin tonë të përbashkët vetëm sa e kemi rritur dhe avancuar”, tha ai.

Ai ka folur edhe për krijimin e Gardës Kombëtare, ku ka treguar se janë në fazën e saj fillestare.

“Realisht Garda Kombëtare është një njësi e re në FSK. Garda është në fazën fillestare. Ne e kemi ndërtuar shtabin e Gardës dhe ajo për momentin ka për qëllim që të kujdeset për kapacitete aktuale dhe janë në komandën dhe menaxhimin e tyre. Çështja e gardës është prioriteti i parafundit. Në të ardhmen do të jetë 20 për qind aktiv, pjesa tjetër rezervë, do të jenë 6 komanda regjionale që do të përkujdesen, do të kenë me tepër bashkëpunim ose koordinim të punëve me autoritetet lokale dhe komunitetet. Jemi në fazën fillestare, e kemi krijuar bazën dhe gradualisht do ta zhvillojmë”, tha ai.

Gjenerallejtënant Rama, ka treguar edhe për pajisjet dhe financimin e FSK-së.

“Mjetet nuk janë kurrë të mjaftueshme por mbi bazën e planit dhe deklaratën financiare 5, 5 milionë për çdo vit, e kemi përkrahjen e plotë. Normal që kërkesat tona janë më të mëdha por ne në konsultim me MF dhe akterët tjerë, kresat tona janë më të mëdha por ne gjithmonë e respektojmë zhvillimin ekonomik, mundësitë buxhetore dhe nuk është qëllimi që të bëhemi barrë e buxhetit. Por e imja është të kërkojmë më shumë për ta arritur qëllimin dhe jemi duke e bërë. E kemi pasur dhe do ta kemi përkrahjen duke u bazuar në kërkesat tona reale”, shtoi ai.

Rama tha se FSK ka pajisje të mjaftueshme, por gjithnjë ka nevojë për pajisje më të sofistikuara.

“Pajisjet aktuale i kemi të mjaftueshme, gjithmonë por ne duke e rritur numrin dhe duke u zhvilluar brenda për brenda ne kemi nevojë për pajisje më të sofistikuara, gjithmonë duke u bazuar u bazuar në mandat për të ndërtuar obligimet tona neve na duhet pajisje shtesë”.

“Jemi në rrugë të mirë. Kemi bërë disa kontrata që janë shumë të rëndësishme dhe po jemi krahas zhvillimit profesional edhe në kuptimin administrativ por edhe të pajisjeve jemi mriz bazuar në kontratat që kemi bërë”, tha ai.

Presidenti Thaçi viziton Batalionin e Mjekësisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës, konkretisht Batalionin e Mjekësisë, ku për së afërmi ka parë punën e tyre.

“Për mua ishte kënaqësi e veçantë të shoh një nivel kaq të lartë të përgatitjes profesionale të Batalionit të Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të bindem edhe një herë për kapacitetet e larta, profesionale, mjekësore e logjistike të FSK-së, që janë shembull për rajonin e Ballkanit Perëndimor. FSK-ja është e gatshme që t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës, kurdo që kërkohet, në çdo hapësirë të territorit të Republikës së Kosovës. Është e gatshme që t’i ndihmojë të gjitha institucionet që merren konkretisht me punët, edhe sa i përket preventivës dhe tejkalimit të gjendjes, pas shpërthimit të Coronavirusit. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj çdo ushtar, oficer, nënoficer, gjeneral, që janë angazhuar maksimalisht në këtë rrethanë të re, të rëndë, por në të njëjtën kohë sfiduese dhe sakrifikuese, por me optimizëm, me shpresë dhe besim se do ta tejkalojmë me pasoja sa më të vogla”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat dhe kanë ngritur gjendjen e gatishmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jemi me fat që nuk kemi asnjë prej pjesëtarëve tanë të infektuar. Jemi në kontakt me të gjithë. Unë mund të them që, po shpresoj dhe po besoj që s’kemi nevojë që t’i përdorim këto kapacitetet tona, por jemi në gjendje gatishmërie. Çdo nevojë që paraqitet edhe prej institucioneve, por edhe prej qytetarëve, ne jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment, që t’ju dalim në ndihmë”, ka thënë komandanti Rama.

Presidenti Thaçi ka thënë se pas vizitës së djeshme në QKUK, sot e ka parë edhe profesionalizmin dhe kapacitetet e përgatitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kjo e rritë edhe më tepër besimin, shpresën, optimizmin edhe tek unë si president i vendit, se Kosova do ta tejkalojë me sukses këtë sfidë. Si shtet kemi kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me sfidën e pandemisë Covid19”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se shëndeti i qytetarëve është në duart e profesionistëve dhe ne të tjerët duhet t’i ndihmojmë mjekët dhe të gjithë ata që po përballen me virusin Covid19, duke qëndruar në shtëpi.

Gjenerali i FSK’së: Vendimi i qeverisë nuk vlen për institucionin tonë

Periskopi.com Lajme

Vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili parasheh që nga dita e sotme qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve të bëhet vetëm në kohë të caktuara, e ka kundërshtuar mbrëmë vonë në një konferencë presidenti Hashim Thaçi, duke e quajtur vendim antikushtetues. Madje presidenti ka bërë thirrje që një vendim i tillë të mos respektohet nga qytetarët.

Kallxo.com ka kontaktuar me gjeneralin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i cili ka thënë se do ta respektojnë gjithsecilin vendim në të mirë të qytetarëve. “Ne nuk kemi ndonjë orë policore sot. Ne e respektojmë çdo vendim që vjen, por institucioni ynë është institucion i shtetit dhe kur vlerësohet se kanë nevojë qytetarët, ne s’e pyesim orën policore. Nuk vlen vendimi për institucionin tonë. Ne jemi institucion shtetëror, ne i respektojmë rregullat, ne jemi në gjendje emergjente dhe duhet të veprojmë”, tha Rama.

Në konferencë presidenti Thaçi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është i rrezikshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Sipas tij, vendimi i qeverisë Kurti është shkelje e Kushtetutës dhe qytetarët nuk janë të obliguar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë. “As policia, as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë sepse kështu bëjnë edhe vetë vepër penale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Një pjesëtar i FSK-së futet në karantinë, vëllai i tij është i prekur nga Koronavirusi

Periskopi.com Lajme

Komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Rrahman Rama, ka qenë sot i ftuar në T7 ku ka folur për mobilizimin e ushtrisë në rast se kërkohet nevoja për tu përballur me koronavirusin.

Ai ka thënë se Ushtria e Kosovës është e gatshme të përballojë një situatë të jashtëzakonshme nëse ajo shpallet nga ana e Presidentit të Kosovës.

 

 

Gjatë bisedës, Rama ka treguar se asnjë ushtar i FSK-së nuk është prekur nga virusi Covid 19 por megjithatë tha se njëri prej tyre është në karantinë.

“Nuk kemi asnjë rast deri tash tek pjestarët tanë. Dua ta njoftoj opinionin publik se rasti i fundit në Podujevë, vëllau i atij të infektuarit është pjestarë i FSK-së. Është në karantinë në shtyëpinë e tij. Nuk ka një sinjal ose naj nevojë për tretman të vecnatë jem në kontak por ai nuk ka ndonjë shqetësim nga ai dhe shpresojmë të mos ket”, ka thënë Rama.

​FSK në gjendje gatishmërie për t’u dal në ndihmë qytetarëve të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe ka krijuar Forcën për Detyrë.

FSK njofton se me njësitë e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, ka vendosur në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës nga pandemia “COVID 19”.

Njoftimi i plotë i FSK-së:

FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS NË MBËSHTETJE TË INSTITUCIONEVE DHE QYTETARËVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe ka krijuar Forcën për Detyrë.
Me njësi të e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, ka vendosur në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës nga pandemia “COVID 19”.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, udhëzon qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat, kufizimet dhe udhëzimet e dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe apelon tek të gjithë që të rrisin masat e kujdesit, por në asnjë moment mos të krijojmë frikë dhe panikë.
Respektimi i rregullave dhe kufizimeve është ndihma më e madhe që secili qytetar i Republikës së Kosovës i bën vendit dhe shoqërisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës ju siguron se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ti dale në ndihmë në çfardo situate.

Masat parandaluese për koronavirus, ky është plani i FSK-së

Periskopi.com Lajme

Pavarësisht që në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekur me koronavirus, pas shpalljes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka filluar me masat parandaluese për këtë virus.

Nga Forca e Sigurisë së Kosovës janë kërkuar tre kontejnerë për nevoja të ekipeve mjekësore në pikat kufitare, dhe sigurimi i hapësirave që do të përdorën për karantinë nëse identifikohet rasti i parë i prekur. Ish-spitali i KFOR-it në Prizren, Qendra e Azilit në Vranidoll dhe objekti i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Ferizaj, janë lokacionet që po shqyrtohen si të përshtatshme për karantinë.

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë nga sot nuk pranon vizitorë dhe takimet aty do të mund të zhvillohen vetëm me leje të veçantë nga ministri dhe komandanti i Forcës, pas vlerësimit të rëndësisë së vizitës.

Mjete higjienike të shtuara janë vendosur në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, derisa stafi ka rritur kujdesin duke zbatuar planin e shtetit në ndërmarrjen e masave paraprake kundër koronavirusit.

Madje, në objekt mund të futesh vetëm me leje nga udhëheqësit e institucionit, meqë si masa parandaluese kanë ndërprerë të gjitha vizitat dhe takimet.

Ministria e Mbrojtjes është pjesë e dy komiteteve që janë themeluar në nivel vendi për shkak të situatës së krijuar rreth përhapjes së mundshme të koronavirusit në Kosovë.

FSK është në gatishmëri që të ndihmojë vendin në aspektin logjistik, ndërkohë që i është kërkuar të sigurojë hapësirat që do të përdoreshin si karantinë në rast nevoje.

Këtë e tregon për KosovaPress, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kolonel Xhevdet Tahiraj,

Sigurimi i hapësirave për karantinë të cilat do të përdoren për personat të cilët mund të jenë të dyshimtë për infektim me koronavirus. Në komitet i kemi diskutuar tre lokacione, lokacioni i parë është objekti i ish-spitalit të KFOR-it gjerman në Prizren, objekti i dytë është Qendra e Azilit në Vranidoll si dhe objekti i tretë është një objekt i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik të Kosovës në Ferizaj që ne do të shkojmë të vizitojmë atë objekt dhe të shohim kushtet nga afër se si do të mund ta organizojmë në rast se ka nevojë sistemi për karantinë”, thotë ai.

Ndërsa të mërkurën, pas takimit të komitetit emergjent, FSK-së i është kërkuar të bëjë furnizimin me tre kontejnerë, me elementet bazike të një ambulance, në pikat kufitare, për nevojat e ekipeve mjekësore që shërbejnë atje.

“Kërkesë për furnizimin me tre kontejnerë në tre pika kufitare të vendit tonë për nevoja të ekipeve mjekësore të shërbimit civil të cilët shërbejnë atje”, thotë ai.

Pavarësisht që Kosova nuk ka ndonjë të prekur me këtë virus, ekzekutivi ka vendosur që të ndërmarrë masat paraprake duke mbyllur shkollat dhe universitetet deri më 27 mars.

Në kuadër të masave që i ka parapara Qeveria e Kosovës, është edhe ndalimi i aktiviteteve kulturo-artistike në vend, dhe mbyllja e restoranteve dhe lokaleve në orën 23:00.

Virusi COVID-19 tashmë ka përfshirë edhe Evropën, ku në rajon vetëm në Kosovë dhe Mal të Zi ende nuk është shënuar ndonjë rast i prekur.

Ky virus nisi të përhapjen në Kinë në fund të vitit 2019 dhe është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën ku deri tani mbi 100 mijë persona janë prekur dhe mbi 4 mijë kanë vdekur.

8 MARSI: FSK-ja mban konferencë për fuqizimin e të drejtave të grave

Periskopi.com Lajme

Me rastin e shënimit të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur konferencë me temë “Fuqizimi i gruas në institucione dhe roli i saj në zhvillimin e shtetit”, ku u kërkua mbështetja dhe fuqizimi më i madh i grave, pasi me përfaqësimin adekuat të tyre, institucionet do të jenë më të fuqishme.

Në mesin e shumë grave të dy institucioneve të sigurisë ishte dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se nuk ka profesion në të cilat gratë nuk mund të shkëlqejnë.

“Nuk ka profesion në të cilin gratë nuk mundet të shkëlqejnë, ju e dëshmoni atë në fushën e sigurisë, vajzat tjera, si Majlinda, Distria e dëshmojnë në fushën e sportit dhe në shkenca të tjera në të cilat për një kohë të gjatë kanë pasur sterotipe. Por çdo ditë e më shumë gratë po munden dhe shkëlqejnë”, tha ajo.

Por krahas kësaj, kryeparlamentarja Osmani tha se duhet ende punë për fuqizimin e grave.

Sipas saj, përfaqësimi në institucione aktualisht është më mirë, por jo i mjaftueshëm.

Për këtë, ajo kërkoi edhe forcim të mekanizmave për të mbrojtur nga rastet e dhunës në familje.

“Një ndër sfidat kryesore që duhet të marrim me ju është që të ndërtojmë mekanizma për të mbrojtur gratë nga rastet e dhunës në familje. Një nga letrat e para që kam marrë, me të marrë detyrën është që të kemi një linjë buxhetore për ndihmë dhe strehimore.. ne duhet të sigurohemi që rolin e gruas që e ka sot në shoqëri të bëhet një rol që jo vetëm të bëhet në aspektin e pamjes, po zëri i saj të jetë zë determinues në vendimmarrje”, tha ajo.

Nënkolonelja në FSK, Remzie Zeqiraj tha se angazhimi i grave në FSK, fillet i ka që nga lufta e fundit në Kosovë, ku i kanë thyer paragjykimet e kohës. Derisa theksoi se me mbështetjen e institucioneve, kanë arritur që tash të përfaqësohen denjësisht në pozita, por kërkoi mbështetje të vazhdueshme.

“Rrugëtimi për gratë ushtarake në Kosovë është i njëjti me ngritjen e Ushtrisë së Kosovës që nga ditën e para edhe më sot. Qeveria e vendit, FSK, NATO kanë investuar shumë mund, në ngritjen dhe zhvillimin për secilin pjesëtar e në veçanti për gratë ushtarake…. e drejta për të pasur mundësitë barabarta për burra dhe gra e ka bazën në Kushtetutën e Kosovës si dokumenti më i lartë juridik. Duhet çmuar dhe vlerësuar që ushtaraket tona kanë pasur mbështetjen e tyre në familjet e tyre. Përkrahja e femrave ushtarake është e nevojshme më çdo kohë….Numri i përgjithshëm i femrave është 299 me përqindje 10.80 përqind. Kemi kaluar kuotën prej 10 përqind. Me këtë numër ne kemi treguar që jemi në hap me shumë vende të rajonit, por edhe vende të NATO-s”, tha ajo.

Nënkolonelja tjetër por në Policinë e Kosovës, Zylfije Krasniqi tha se me përfaqësimin adekuat të grave, të gjitha institucionet do të jenë më të fuqishme.

“Tani rekrutimi i femrave në Polici është bërë gjë e zakonshme. Policia tani ka 1555 femra ose 12.7 përqind. Ato punësojnë në sektorë të ndryshme. Kosova si shtet është liderë në përfaqësimin e femrave në gjitha strukturat e saj. Femrat police përveç që punojnë në shumë sektorë ato mbajnë edhe pozita udhëheqëse”, tha ajo.

Mbështetje për gratë kërkoi edhe përfaqësuesja e ambasadës amerikane në Prishtinë, Deb MacLEan.

Kurti: Nëse nuk jemi unik në politikën e jashtme, humb Kosova

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para të pranishmëve në manifestimin qendror që është mbajtur në kazermën “Adem Jashari”.

Duke folur për sakrificën e familjes Jashari, Kurti ka thënë se para 22 viteve, kishte ndodhur diçka që as bota nuk e kishte parë, shkruan lajmi.net.

“Sot, 22 vite më parë, madje edhe në të njëjtën ditë, 5 marsi i 1998 ishte e enjte, po ndodhte kulmimi i një situate të re. Po ndodhte diçka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë.  Familja Jashari po luftonte me një shtet fashist. Ishte kjo familje, ishte Adem Jashari e Hamëz Jashari e baca Shaban që njëherë e përgjithmonë  na treguan se kur është liria në pyetje nuk ka asnjë forcë që mund t’i zbrapsë”, tha ai.

Kurti tha se Jasharajt e kishin vënë popullin para familjes me flijimin e tyre, dhe kështu sipas tij e ndryshuan edhe popullin.

Ai tha se Kosova dëshiron një ushtri të fortë e profesionale, dhe në këtë formë do të investojë në të.

“Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen, dhe kështu e ndryshuan popullin sepse  e bashkuan atë. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Ne duam një ushtri të fortë e profesionale që mbron tërësinë tonë territoriale, e kështu do të rrisim investimet në ushtri. Ne jemi një popull liridashës, që nuk nënshtrohemi, ushtria është nevojë e kohës.  Aleanca jonë më NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi jonë në NATO dhe BE duhet përshpejtuar për ta parandaluar ndikimin e fuqive të huaja”, tha ai.

Kurti nga kazerma “Adem Jashari” dha edhe mesazhe politike, teksa bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike në politikën e jashtme.

“ Ne nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse cenon integritetin tonë. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme humbin liderët dhe partitë. Kur nuk pajtohemi në politikën e jashtme, humb Kosova. SHBA-të e duan një Kosovë të fortë e të pavarur, që mbron e avancon interesat e saj. FSK mund të ngjajë një fuqi e vogël, por ajo është partnere e denjë e NATO-s dhe SHBA-ve. Jasharajt na mësuan se asgjë nuk mund ta arrijmë pa vetëmohim dhe unitet. Borxhi ndaj tyre shlyhet vetëm me vetëmohim. Unë kërkoj unitet, përkundër dallimeve që kemi”, tha në fund kryeministri Kurti.

Ushtarëve të FSK-së sot iu drejtohen presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentarja

Periskopi.com Lajme

Sot nis Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

22 vjetori i kësaj epopeje, mbahet këtë vit nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në orën 09:00 do të mbahet Seanca Solemene e Kuvendit, drejtuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ndërsa deputetëve do t’u drejtohet kryeministri Albin Kurti, përcjell lajmi.net.

Ndërsa, me fillim nga ora 12:00 do të bëhet parakalimi i Ushtrisë. Trupave të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, do t’iu drejtohen me fjalime, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Aktivitetet do të vazhdojnë deri me ndezjen e zjarreve më 7 mars, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, ku do të mbahet edhe një koncert artistik-kulturor në sheshin “Adem Jashari”, në Skenderaj.

Miratimi i ligjeve nuk ia ka hequr FSK-së kufizimet territoriale

Periskopi.com Lajme

Kufizimet territoriale në letrën e ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013, nuk janë zhvleftësuar as pas votimit të ligjeve për Forcën e Sigurisë (FSK) në Kuvend. Pakoja ligjore ishte votuar më 18 tetor të vitit 2018 me shumicën e votave të deputetëve, me përjashtim të Listës Serbe.

Në një përgjigje që ka marrë gazeta nga selia qendrore e NATO-s demantohet ish-kryeministri Haradinaj, i cili një ditë më herët tha se FSK-së i janë hequr kufizimet për veriun e populluar me shumicë serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.

Haradinaj e mbështeti qëndrimin tek një letër njoftuese për sekretarin e NATO-s, Anders Fog Rasmusen, se FSK-ja tashmë ka ndryshuar misionin. NATO-ja ka thënë se ende janë duke e rishikuar angazhimin e ardhshëm në raport me FSK-në.

“Misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pas vendimit për transicionin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, ne tani po rishikojmë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Ky diskutim po vazhdon”, thuhet në përgjigjen e selisë së NATO-s në Bruksel. Kësisoj, ata kanë përsëritur se FSK-ja në veri mund të shkojë vetëm nëse u jep leje komandanti i KFOR-it.

Amerika ia konfirmon presidentit Thaçi mbështetjen për FSK’në dhe për dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Zëvendëssekretari i Mbrojtjes i SHBA’së, David Norquist, ka folur pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaci ka vizituar SHBA’në, dhe atje është pritur edhe nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

“Ishte një nder që të takohem me Presidentin Hashim Thaçi në Pentagon”, thotë Norquist.

“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të mbështesë zhvillimin e FSK’së dhe përpjekjet që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar ai në rrjetin social Tuitter.

Ndërkohë, Thaci pas takimit me Pompeon tha se Kosova është e bekuar pasi ka ndihmën e SHBA’së për vazhdimin e rrugës Euro-Atlantike dhe krijimin e ushtrisë.

 

Kurti tregon se pse do ta bëjnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm

Periskopi.com Lajme

Me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Vjosa Osmani kryeparlamentare dhe Albin Kurti, kryeministër, vizituan sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë të veçantë ka nderin dhe kënaqësinë në emër të Kuvendit të Kosovës t’i drejtohet ushtrisë së Kosovës, e cila është i sinonim i shtetësisë dhe mbrojtjes.

“Në këtë kazermë që mban emrin e Adem Jasharit, shembullit të sakrificës dhe pavarësisë që gëzojmë sot, amaneti është i çuar përpara, sepse kemi ushtrinë dhe shtetin tonë. Ju jeni përkrahësit më të mëdhenj të paqes. Sot unë dua të ju them që ju keni sakrifikuar në momentin që e keni vendosur uniformën. Nuk ka sakrificë më të madhe se sa të luftosh për vendin dhe për të mirën e tij. Forcat tona do të konsolidohen si forca ndërvepruese me forcat ushtarake të NATO”, tha Osmani duke shtuar se do të punojnë pa reshtur që të bëjnë Kosovën vend të sigurt, si dhe anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti foli për idenë e tij për shërbimin ushtarak.

“Detyra që ju e bëni më përkushtim dhe dashuri, uniforma juaj është mishërimi i sakrificës kombëtare. I keni bërë krenarë qytetarët dhe keni lartësuar vendin me atë që keni bërë në Shqipëri. Do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, sepse përvojat në shërbimin ushtarak na duhen. Shërbimin ushtarak nuk e po e bëjmë për të sunduar, sepse asnjëherë nuk kemi pushtuar tokat e huaja, por çdo herë do të mbrojmë çdo cep të vendit tonë”, tha ai.

Po ashtu edhe Kurti tha se prioritet i qeverisë mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE.

 

 

 

Kurti në FSK: Ju zgjoheni kur të tjerët flenë, rregulloni shtratin, pastroni dhomat, shkëlqeni këpucët

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vazhdën e aktiviteteve në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kurti foli për sakrificën e ushtarëve duke i përmendur obligimet ditore të një ushtari.

“Sakrifica që ju bëni dhe trajnimet që ju kaloni janë të vështira. Çdo  mëngjes ju zgjoheni herët kur të tjerët, flenë, rregulloni shtratin, pastroni dhomat, shkëlqeni këpucët dhe stërviteni me orë të tëra në diellin përvëlues në acarin e dimrit në shi e në baltë. Stërvitjet janë të mundimshme sa shpeshherë ju bën të dyshoni të vetja nëse mund të ia dilni, Por vitet kalojnë e ju bëheni më të fortë sepse ju rreh zemra për atdhe”, tha Kurti.

Ai tha se më të drejtë synojnë që të rrisin buxhetin për Forcën e Sigurisë, pasiqë sipas tij, investimi në mbrojtje është detyrë që të forcohet shteti. /Periskopi/

Vjosa Osmani: Si bashkëshorte e një ushtaraku, mbaj me krenari uniformën në shtëpinë tonë

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, gjatë vizitës që i ka bërë FSK-së në 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se vajzat dhe djemtë e forcave tona, janë krenaria e vendit tonë.

Ajo përmendi që është edhe bashkëshortja e një ushtaraku, ndërsa tha se uniformën e FSK-së e mbajnë në shtëpi me krenari.

“bashkëshorte e një ushtaraku mbaj me krenari uniformën e forcave tona në shtëpinë  tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për ti shërbyer vendit”, tha Osmani, përcjell Periskopi.

Ajo ka vlerësuar lart kapacitetin e djemve dhe vajzave të FSK-së duke thënë se ushtarakët tonë posedojnë kualitet dhe profesionalizëm të lartë. /Periskopi/

Ushtarët e Kosovës dhurojnë vullnetarisht gjak

Periskopi.com Lajme

Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes sot filloi aksioni tradicional për dhurimin vullnetar të gjakut.

Aksioni realizohet sipas planit vjetor të Departamentit për Çështje Mjekësore të MM-së në realizim të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së.

Përkundër angazhimeve tjera, interesimi i stafit civil dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes  për dhurimin vullnetar të gjakut, që në ditën e parë ishte i madh.

Pjesëtarët e FSK-së përveç dhurimit në formë të organizuar së paku dy herë në vit, gatishmërinë për dhurimin vullnetar të gjakut e shfaqin gjatë tërë vitit në rast të kërkesave të qytetarëve.

Nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut vlerësohet se FSK-ja  është dhuruesi më i madh i gjakut për qendrën e tyre.

Sikur edhe viteve tjera, ku brenda vitit pjesëtarët e FSK-së kanë dhuruar mbi 1 mijë doza gjak, pritet që ky aksion të përmbyllet suksesshëm.

Aksioni për dhurim të gjakut do të vazhdojë në Shtabin e Përgjithshëm dhe në të gjitha njësitë e FSK-së deri më 7 shkurt 2020.

‘Jam babë i një martiri të luftës’ – Togeri i FSK’së përlotet nga telefonata e 70-vjeçarit nga mërgimi

Periskopi.com Lajme

Djemtë tanë, çdo herë e më shumë po na bëjnë krenar.

Talenti, përkushtimi dhe atdhedashuria për popullin e tyre tashmë është dëshmuar.

I tillë është edhe Xhevahir Hasanaj nga komuna e Drenasit.

Hasanaj është toger në FSK, një nga më të dalluarit që ka shënuar edhe suksese të mëdha.

Togeri ishte sot mysafir në emision Radar, ndërsa foli për sukseset e FSK-së dhe punën e tyre të palodhshme.

Por, ai u emocionua tej mase, ndërsa dëgjoi fjalët e një 70 vjeçari që jeton në mërgim, që thirri në telefon drejtpërdrejt në emision.

“E falënderoj togerin dhe i përkulem edhe pse jam 70 vjeçar, jam babë i një martiri të luftës, por vërtetë kur vij në Kosovë, dëshira ma e madhe është mi pa këta djem edhe gjithmonë qaj pas. Veç i përgëzoj, ishallah don Zoti këta djem i kemi shqiponja, i kemi diell, i kemi dritë, i kemi gja për Kosovë”, janë disa nga fjalët e 70 vjeçarit, Osman Cakaj, që ia mbushi sytë me lot Xhevahirit.

Këto janë fjalët emocionuese të dëgjuesit Osman Caka për Ushtrinë e Kosovës.Mysafir në emisionin Radar me Edita Doli ishte Toger Xhevahir Hasanaj nga Ushtria e Kosovës.

Gepostet von Radar – Radio Dukagjini am Dienstag, 21. Januar 2020

11 vite nga shndërrimi i TMK-së në FSK

Periskopi.com Lajme

Ishte viti 1999 ku nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Nuk shkoi shumë dhe në vitin 2000 përfundon edhe transformimi i UÇK-së në TMK. Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjenerallejtënant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së dhe krijimi i një force të re.

“Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

Por më 2009 kjo forcë prapë u shpërbë për t’u shndërruar në një forcë tjetër, tash Forca e Sigurisë së Kosovës.Më 20 janar 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë në FSK. Forca e Sigurisë së Kosovës, fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018 ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Rama: FSK-ja tani është shumë më e trajnuar dhe përgatitur

Periskopi.com Lajme

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka bërë me dije se në vitin 2020 kjo forcë ka disa objektiva para vetës.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky vit do të jetë më shumë i fokusuar në trajtimin dhe zhvillimin profesional të të gjithë njësive të FSK-së, duke marrë parasysh mandatin dhe misionin e ri

“Edhe për vitin 2020 i kemi objektivat e qarta. Ne kemi një plan gjithëpërfshirës të zhvillimit. Pra, kemi planin në detaje për secilën njësi se çfarë detyra dhe obligime ka si në kuptimin e ngritjes profesionale, të pajisjeve, infrastrukturës dhe të gjitha elementeve të tjera. Domethënë, prioritetet tona do të jenë të bazuar në objektivat strategjike të ministrisë dhe ne jemi të obliguar që ato objektiva strategjike t’i realizojmë, duke u bazuar në planin tonë gjithëpërfshirës. Ky vit do të jetë më shumë i fokusuar në trajtimin dhe zhvillimin profesional të të gjithë njësive, duke marrë parasysh mandatin dhe misionin e ri. Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (TRADOK) do të jetë prioriteti yni sepse do t’i ndërtojmë ato kapacitete trajnuese që janë të nevojshme për misionin dhe mandatin e ri.

Për këtë do të kemi përkrahje edhe nga ana e partnerëve tanë dhe nuk shoh ndonjë sfidë”, ka thënë Rama.

“Ndërsa në vitin 2020 pritet të arrijnë ato pajisje, sepse pajisjet e mbrojtjes janë pak më specifike dhe kanë procedura kohore të posaçme që marrin kohë deri të prodhohen duke u bazuar në kërkesat tona. E rëndësishme është që në 2019 i kemi përmbushur nevojat dhe kërkesat në bazë të mundësisë buxhetore. Pra, kemi nënshkruar kontrata të rëndësishme dhe rezultatet do të shihen këtë vit”, ka deklaruar komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ai ka theksuar se tanimë FSK-ja është shumë më e përgatitur, më e trajnuar dhe shumë më mirë e pajisur.

Rama ka shtuar se një e arritur tjetër që kanë pasur në vitin që lamë pas ka qenë rekrutimi i 700 ushtarëve të rinj, ku janë kryer edhe trajnimet bazike. “Kemi arritur që edhe 200 të tjerë t’i kthejmë nga komponenti rezervë në atë aktiv. Pra, FSK-ja vitin 2019 e ka përmbyllur me 900 ushtarë të rinj”, ka bërë me dije Rama.

​Presidenti Thaçi e pret ndërrimin e moteve në mesin e ushtarëve të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ndërrimit të moteve ka qëndruar në Kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Komandanti suprem tha se Ushtria e Kosovës është nderi i vendit dhe shtoi se ka besim të plot tek ta.

“Në këto momente kur gjithë qytetarët e Kosovës po festojnë ndërrimin e moteve, Ushtria e Kosovës është në krye të obligimeve. Nderim dhe respekt për çdo ushtar dhe ushtare, ju jeni nderi. Kam besim të plot në angazhimin tuaj maksimal, në aksionet tuaja kudo që është nevoja”, tha presidenti Thaçi.

Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtnant Rrahman Rama garantoi Presidentit Thaçin se do t’i kryejnë punën me nder she përkushtim.

FSK realizon trajnimin ‘Simboli i Ujkut’

Periskopi.com Lajme

Komanda e Forcave Tokësore e Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë muajit dhjetor ka realizuar trajnimin taktik dhe të mbijetesës “Simboli i Ujkut”.

Siç njofton FSK, “Simboli i Ujkut” është njëri prej trajnimeve më të avancuara dhe me sfiduese me të cilat përballen pjesëtarët e FSK-së, dhe tanimë, kjo është gjenerata e 5-të që realizon këtë trajnim.

Trajnimi zhvillohet në dy faza, në fazën teorike dhe atë praktike. Njohuritë e fituara në fazën teorike pjesëtarët kanë mundësinë që t’i testojnë edhe në atë praktike në shumë tema si: navigimi ditën dhe natën, lidhjet, repelimi, kalimi i pengesave ujore, marshime me pesha të rënda, marshime të gjata, evakuim i viktimave, shkëputja e kontaktit dhe formacionet e lëvizjes, ngritja e kurtheve dhe strehimoreve si dhe mbijetesa në kushte të dimrit.

Gjatë fazës finale të gjitha temat e mësuara duhet të aplikohen me saktësi nga pjesëtarët në operacionin final, i cili në fillim zhvillohet në ujin e akullt të Liqenit të Radoniqit dhe më pas vazhdon me marshime të gjata dhe me detyra të shumta përgjatë gjithë operacionit.

Në trajnimin “Simboli i Ujkut” pjesëtarët përballen me vështirësi të mëdha, duke bartur pesha të rënda me mbi 40 kg dhe vetëm me nga një racion ushqim në 24 orë.

Trajnimi ka për qëllim testimin dhe avancimin e kapaciteteve taktike, fizike dhe psikike të pjesëtarëve të FSK-së.

Trajnimi përfundon me sulmin në objektiv, i cili përcillet me marshimin tradicional në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog, që simbolizon përfundimin me suksese të një përballje mjaft të vështirë treditore në një gjatësi prej 100 kilometrash, e përcjell edhe me një ndjenjë të papërshkruar krenarie.

Në fund të trajnimit u mbajt edhe ceremonia e përfundimit të këtij trajnimi, ku të gjithë pjesëtarët u pajisen me certifikata dhe me simbolin e ujkut, simbol ky të cilin do ta bartin gjatë gjithë karrierës së tyre ushtarake.