FFk Archives - Periskopi

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mban mbledhjen e radhës: U fol për VAR-in dhe shumëçka tjetër

Periskopi.com Sporti

Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin  e Kosovës.

KE analizoi garat e deritashme të stinorit pranveror duke konstatuar, se me gjithë disa lëshime të vogla, ka një ngritje të cilësisë sikur edhe një rivalitet të mirë të skuadrave në suaza të “Fair-play”-t.

KE analizoi edhe punën e deritashme të komisioneve dhe kërkoi nga to që të jenë në nivel të detyrave dhe syçelë në punën e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e garave.

KE po vazhdon me përgatitjet që sa më parë të instalojë sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave.

KE iu bënë thirrje edhe njëherë klubeve dhe personave zyrtarë në ndeshje që në përpikëri t’i zbatojnë masat e Udhëzimit të IKSHPK-së për Covid-19 .

KE diskutoi edhe për përkrahje në zhvillimin e futbollit të femrave që do të reflektonte dhe në ngritjen e Kombëtareve. Kështu që FFK-ja me një Projekt që e ka miratuar edhe UEFA do të vazhdojë mbështetjen e klubeve të femrave.

KE shqyrtoi dhe miratoi raportin e Auditorit të pavarur dhe pasqyrat financiare për vitin 2020.

KE mori vendim që Kuvendi i rregullt i punës të mbahet më 8 prill 2021.

KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.

‘Laureatët e vitit’: Agim Ademi, nuk kemi shpallë futbollistë të vitit, ky çmim ju takon të gjithëve

Periskopi.com Sporti

Federata e Futbollit të Kosovës po vazhdon sot traditën e shpalljes së Laureatëve 2020, shkruan Periskopi.

Për shkak të pandemisë Covid 19, nuk ka ceremoni dhe shpallja e më të mirëve për këtë vit po bëhet drejtpërdrejt në Klan Kosova.

Ceremoninë e ka hapur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili tha se: ‘Kemi pas një kampionat të vështirë, por gëzohem që nuk ka pasur të lënduar”

“Nuk kemi shpallë ‘futbollistë të vitit’ për këtë vit, pasi ky cmim ju takon të gjithë juve”.

 

Klubet kosovare dhe FFK po përdoren për mashtrime me futbollistë afrikanë (Dokument)

Periskopi.com Sporti

Klubet kosovare dhe FFK po përdoren si subjekte për mashtrime me futbollistë afrikan, shkruan Periskopi.

Dokumenti i mëposhtëm, i siguruar nga Periskopi, potencon se KF Liria kërkon nga autoritetet që futbollistit t’i kompletohet dokumentacioni për kinse një periudhë testuese te klubi prizrenas, teksa thuhet se futbollistit do t’i mbulohen të gjitha shpenzimet e biletës së udhëtimit, akomodimit dhe mirëqenies nga KF Liria.

No photo description available.

 

E gjitha inskenim nga mashtruesi i cili, sipas palës së dëmtuar, nuk është shqiptar por jeton në Kosovë.

Për më tepër, personi i cili është paraqitur si agjent ka kërkuar para nga futbollisti afrikan si paradhënie. Kjo nuk është hera e parë që ndodhë dicka e tillë, pasi edhe në të kaluarën janë përdorur dokumentet e tilla, kinse nga klubet kosovare dhe FFK, me qëllim të përfitimeve personale.

Periskopi mëson se autoritetet tashmë janë njoftuar në lidhje me këtë rast. /Periskopi

Ademi paralajmëron shkarkimin e Challandesit, kaq para i kushton FFK-së shkarkimi i tij

Periskopi.com Sporti

curia e 10 ndeshjeve pa fitore duket se do t’i kushtojë me shkarkim selektorit të Kosovës, Bernard Challandes. 

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim për ”Kanal 10” e ka paralajmëruar indirekt shkarkimin e Challandes.

”Trajneri matet me rezultate. Jo vetëm Challandes, por të gjithë trajnerët e secilës grupmoshë te Kosova maten me rezultate”, tha Ademi kur u pyet për shkarkimin e mundshëm të trajnerit zviceran.

”Nuk jemi të bindur plotësisht ta shkarkojmë atë, por pas shortit për kualifikimet e Botërorit, ne do të ulemi dhe të diskutojmë, për të marrë vendimin final”, shtoi ai.

Por nëse FFK-ja vendos për shkarkimin e tij, një problem i ri do të shfaqej.

Kjo pasi organizata e futbollit kosovar vetëm pak muaj më parë vendosi t’ia vazhdonte edhe për dy vite kontratën Bernard Challandesit, i cili pati ecuri fantastike në Ligën D dhe në kualifikimet për EURO 2020.

Kjo kontratë ka vlerë 600 mijë euro, dhe kjo do ishte një humbje e madhe për organin tonë të futbollit, nëse veç vendoset shkarkimi i tij.

Drejtuesit e FFK-së qëndruan për vizitë në LRF të Prizrenit dhe në komunën e Dragashit

Periskopi.com Sporti

Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarët e KE-së, Ismajl Ajeti e Mirsad Çollaku dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu kanë qëndruar sot për vizitë në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prizren.

Në këtë takim përfaqësuesit e këtij regjioni i dhanë përkrahje presidentit Ademi dhe KE të FFK-së për reformat, strategjinë e re të futbollit dhe digjitalizimin, derisa e mbështeten edhe mbajtjen e Kuvendit të Punës nëpërmjet platformës online.

Drejtuesit e FFK-së më pas kanë qëndruar edhe në komunën e Dragashit, ku u pritën nga nënkryetari Selami Sahiti me strukturat e tjera të komunës, derisa më pas vizituan klubet dhe infrastrukturën sportive të kësaj komune.

Me këtë rast u arrit pajtueshmëria që të ndihmohet kjo komunë  me 36 fshatrat e saj me projekte të ndryshme për fëmijët dhe klubet e kësaj ane.

Presidenti Ademi theksoi se FFK nuk do ta lë asnjëherë anash këtë komunë, pasi ajo është pjesë e rëndësishme dhe piktoreske e Kosovës me shumë talente të futbollit.

Njëherësh, ai ftoi drejtuesit e kësaj komune që të angazhohen edhe me MKRS-në për realizimin e projekteve të përbashkëta, e që për qëllim kanë ofrimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë që ata ta shfaqin talentin e tyre në sport, e veçmas në futboll.


Batatina takohet me presidentin e FFK-së, Agim Ademi: Merret vendimi nëse Llapi do t’i vazhdojë garat në Superligë

Periskopi.com Sporti

Klubi i futbollit Llapi do t’i vazhdojë garat në Superligën e Kosovës në futboll.

Një vendim i tillë ka ardhur pas një takimi që krerë të klubit nga Podujeva e kishin me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe nënkryetarin Agim Dibrani.

Llapi ditën e djeshme kishte paralajmëruar tërheqjen nga garat pas pretendimeve se është dëmtuar në ndeshjen me Dritën nga gjyqtari Visar Kastrati, transmeton Periskopi.

Llapi e humbi këtë takim me rezultat 1:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

“E kishim një takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetarin Agim Dibrani. Ata premtuan se do të marrin masa rigoroze ndaj gjyqtarëve dhe premtuan se nëse përsëriten gabimet, do të penalizohen gjyqtarët dhe do të përjashtohen. U tha se nuk do të ketë më skena të tilla ndaj Llapit”, ka thënë Tahir Batatina për Zeri.info duke konfirmuar vazhdimin e garave.

“Në mënyrë që mos të humb mundi shumëvjeçar dhe mos të humbin shpresat e tifozëve dhe qytetarëve të Llapit, kemi vendosur që t’i vazhdojmë garat. Ne nuk kërkojmë favore, por vetëm drejtësi. Cila skuadër është më e mirë le të shpallet kampione”, theksoi Tahir Batatina.

Llapi pas javës së dhjetë në Superligë, ndodhet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm pesë pikë të grumbulluara.

FFK ndëshkon rëndë klubet që thyen rregolloren: Gjashtë dhe tre ndeshje moslojë në fushat respektive

Periskopi.com Sporti

Komisioni Disiplinor i Regjionit të Prishtinës i cili njeherit është edhe Komesar i Ligës së Tretë i ka treguar “dhëmbët” duke i dënuar dy klube pas ekseseve të ndodhura së fundmi në dy ndeshje të Ligës së Tretë të Kosovës në futboll.

Në takimin e Ligës së Tretë, skuadra e Matit ishte nikoqire e KF Elite derisa në raportin zyrtar thuhet se persona të paautorizuar janë futur në teren.

Për këtë motiv, skuadra e Matit dënohet me gjashtë ndeshje mos-lojë në fushën e saj.

Pa dënim nuk ka shpëtuar as skuadra Hajvalia 2020 e cila në ndeshjen ndaj Ulpianës ’92 kishte lëshime në organizim.

Hajvalia 2020 është dënuar që tri ndeshjet e radhës si vendas mos t’i zhvillojë në stadiumin e saj në Kizhnicë.

Presidenti i UEFA-s dërgon mesazh ngushëllimi në FFK

Periskopi.com Sporti

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentit të FFK-së, Agim Ademi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të parë të FFK-së, Agim Bytyqi.

Në nderim të figurës dhe veprës së tashmë të ndjerit Bytyqi mbrëmë është mbajtur një minutë heshtje para ndeshjes së Ligës së Kombeve, Kosovë – Slloveni.

Në telegramin e ngushëllimit të presidentit Çeferin thuhet:

I dashur President, i dashur Agim,

Në emër të UEFA-s dua t’ju përcjell ngushëllimet më të thella për humbjen e Agim Bytyqit, Presidentit të parë të FFK-së.

Duam t’ia shprehim falënderimin dhe mirënjohjen për gjithë vitet që i ka shërbyer futbollit si President i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ai do të mbahet mend për kontributin e jashtëzakonshëm për ngritjen e futbollit në Kosovë.

Ju lusim që t’ua përcillni ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të dashurve të tij.

Sinqerisht i juaji,

Aleksander Çeferin, president i UEFA-s

Agjenda e Kombëtares së Kosovës sot para ndeshjes me Slloveninë nesër

Periskopi.com Sporti

Pas zhgënjimit në gjysmëfinalen e playoffit për Kampionatin Evropian kundër Maqedonisë së Veriut, Kombëtarja e Kosovës vazhdon me ndeshjet e Ligës së Kombeve në Ligën C.

Djelmoshat e Bernard Challandesit luajnë nesër, më 11 tetor, kundër Sllovenisë në ‘Fadil Vokrri’, shkruan Periskopi.

Takimi luhet në kuadër të xhiros së tretë të Grupit 3 dhe fillon nga ora 20:45.

Sidoqoftë, Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar agjendën e Kombëtares ‘Dardane’ dhe sllovene për ditën e sotme dhe është ashtu si vijon më poshtë:

17:00 – Konferenca e Sllovenisë
17:30 – Stërvitja e Kombëtares së Sllovenisë
18:30 – Konferenca e Kosovës
19:00 – Stërvitja e Kombëtares së Kosovës

Kosova gati të provojë përsëri: Kryesia e FFK-së mban mbledhjen dhe diskuton si do të vazhdohet tutje

Periskopi.com Sporti

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri, kanë mbajtur mbledhje të veçanta me shtabin teknik, por edhe lojtarët.  

Aty është kërkuar që të jenë të bashkuar siç kanë qenë deri tani.

Më poshtë e gjeni komunikatën e lëshuar nga FFK-ja për këto takime, që vjen pas humbjes ndaj Maqedonisë me rezultat 2-1.

Përkundër humbjes së dhimbshme në ndeshjen e “Play-Off”-it për Euro 2020, të zhvilluar mbrëmë, ekipi kombëtar i Kosovës është i gatshëm për të vazhduar tutje, në tentim që ëndrrën e ndërprerë ta arrijë sa më shpejtë.

Në këtë aspekt, Presidenti i Federatës, Agim Ademi pati sot takime të veçanta, fillimisht me futbollistët e pastaj me shtabin teknik të ekipit, e ku i pranishëm ishte edhe nënkryetari Bakir Burri.

Në takim me lojtarët, Presidenti Ademi i falënderoi ata për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ekipin kombëtar, duke shfaqur besimin e fuqishëm të tij, Komitetit Ekzekutiv por edhe të gjithë Federatës së Futbollit kundrejt ekipit. Njëherësh Presidenti Ademi kërkoi nga futbollistët që të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të luajnë me përkushtim e përgjegjësi më të madhe sepse e përfaqësojnë shtetin tonë, që u krijua me sakrificë dhe mund të madh, prandaj edhe duhet ta ruajnë dhe ta prezantojnë atë me dinjitet e përgjegjësi, duke mos u ndalur asnjëherë së luftuari për të arritur ëndrrën tonë të përbashkët.

Po ashtu, Presidenti Ademi u shpreh në mbrojtjen e të gjithë atyre futbollistëve që nuk kanë mundur të jenë kësaj radhe me ekipin, edhe pse FFK ka qenë shumë e përkushtuar, duke mos kursyer asgjë për t’i sjellë ata në Kosovë.

Presidenti Ademi me këtë rast falënderoi edhe institucionet shtetërore për angazhimin e tyre për ta sjellë Amir Rrahmanin në Kosovë, si  Ministrinë e Sportit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadën italiane në Prishtinë, ambasadoren e Kosovës në Romë, Federatën e Futbollit të Italisë si dhe UEFA-n e FIFA-n që kanë qenë të involvuara në këtë rast, pas vendimit të autoriteteve shëndetësore të Regjionit të Napolit për të mos e lejuar atë të udhëtojë në Kosovë. Prandaj, kritika ndaj këtyre futbollistëve është krejtësisht e padrejtë, sepse ata futbollistë janë vlerë e Kosovës.

Presidenti Ademi kërkoi nga futbollistët që ta mirëkuptojnë opinionin e drejtë të njerëzve dashamirës dhe të tifozëve sepse ata e duan rezultatin e tyre dhe të Kombëtares tonë dhe në çdo humbje dëshpërohen, ngase secili nga ta e ka nga një pjesë të Kosovës dhe të suksesit të saj.

Në anën tjetër edhe futbollistët u shprehën se pavarësisht zhgënjimit të madh të të gjithëve, nuk ka vend e as kohë për dorëzim apo hap prapa. Futbollistët tashmë kanë lënë prapa tyre rezultatin e mbrëmshëm dhe janë fokusuar për ndeshjet e radhës në kërkim të maksimumit që nga ndeshja e së dielës ndaj Sllovenisë.

Atmosferë e njëjtë ishte edhe në takim me shtabin teknik. Presidenti Ademi shfaqi besimin e tij ndaj përzgjedhësit Bernard Challandes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë.

Në anën tjetër përzgjedhësi Challandes në këtë takim tha se ai e merr përgjegjësinë për rezultatin e djeshëm, por po ashtu u shpreh i gatshëm dhe entuziast për të vazhduar punën me këtë ekip dhe për të provuar të marrë maksimumin nga ky grup i lojtarëve ndaj të cilëve ai shprehu besim të plotë.

Futbollistët bashkë me shtabin teknik premtuan që me përkushtim dhe duke e dhënë maksimumin do të vazhdojnë ta bëjnë krenar popullin e Kosovës, tifozët tanë Dardanët dhe Presidentin Ademi. Ata po ashtu e falënderuan Presidentin Ademi dhe FFK-në për përkrahjen dhe kushtet krijuara.

Krerët e FFK-së në Budapest: Marrin lavdata për menaxhim të situatës, do të përcjellin edhe ndeshjen e Superkupës evropiane

Periskopi.com Sporti

Delegacioni i FFK-së në krye me presidentin Agim Ademi, anëtarin e KE-s, Mirsad Çollaku dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu kanë arritur në Budapest, ku po qëndrojnë me ftesë të presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe do të ndjekin nga afër ndeshjen e Superkupës së Evropës ndërmjet Bayernit dhe Sevillas, që zhvillohet të enjten në orën 21:00.

Me të arritur në Budapest krerët e FFK-së janë takuar me zëvendësdrejtorin e asociacioneve kombëtare dhe njëherësh drejtuesin e programit ‘HatTrick’, Thierry Favre,  e ku ishte i pranishëm edhe menaxheri i programit ‘HatTrick’, Denis Bastari.

Në këtë takim u bisedua për gjendjen dhe ecurinë e projekteve të FFK-së në kuadër të këtij programi, me ç’rast zyrtarët e UEFA-s u shprehën të kënaqur me punën e bërë sidomos në përmirësimin e infrastrukturës.

Po ashtu, ata u shprehën të lumtur që tashmë edhe në Kosovë ka filluar të rrokulliset topi në fushën e gjelbër dhe përgëzuan drejtuesit e FFK-së për menaxhimin të mirë të situatës së pandemisë.

Krerët e FFK-së do të marrin pjesë edhe në takimin që UEFA do ta mbajë me 55 federatat anëtare.

Ademi intervistë ekskluzive në Shqipëri, flet për bojkotin e futbollit atje

Periskopi.com Sporti

Futbolli në Shqipëri vazhdon bojkotin, teksa në horizont ende nuk shihet një zgjidhje e shpejtë. Liga Profesioniste nuk tërhiqet nga kërkesat e saj, ndëra qeveria ruan pozicionin. Kërkesat nuk ndryshojnë, ndërsa si model për zgjidhjen e tyre janë ndryshimet ligjore nën shembullin e Kosovës.

Jo shumë larg, qeveria në Prishtinë miratoi ligjin e ri. Për të dhe mundësinë e aplikimit të një ligji të njëjtë edhe në Shqipëri ka folur në një lidhje direkte për emisionin “Sport News”, në “News 24” presidenti I Federatës së Kosovës, Agim Ademi.

“Ne kishim një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë. Shpresoj që edhe në Shqipëri palët të gjejnë një zgjidhje të shpejtë. Ligji i Sportit në Kosovë afron sponsorat në futboll dhe në të gjitha sportet me anë të lehtësimeve fiskale në tatime, apo në tatimet mbi fitimet. Nga ana tjetër, qeveria ka marrë përsipër krijimin e infrastrukturës, fushave, palestrave etj. Në këtë mënyrë, klubet mund të kenë mundësi për krijimin e një buxheti të nevojshëm. Mendoj se ai mund të aplikohet edhe në Shqipëri, pasi ligjet e dy vendeve nuk janë shumë të ndryshëm. Sa I përket bojkotit, nuk mund të them nëse ishte zgjidhja e duhur apo jo. Por shpersoj edhe një herë që të gjehet sa më shpejt zgjidhja dhe futbolli të kthehet në fushë, pasi edhe kalendari nuk premton”, ka thënë mes të tjerash presidenti i FFK, Agim Ademi.

Kur kthehen fansat nëpër stadiumet e Superligës? Erol Salihu zbulon zhvillimin e fundit

Periskopi.com Sporti

Superliga e Kosovës në futboll nisi këtë fundjavë, ku u zhvilluan katër ndeshje tejet interesante, megjithatë Liga e Parë dhe ligat tjera ende nuk kanë filluar.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka deklaruar se ky divizion mund të nis që në mesjavën e ardhshme.

Tutje, ai tha se po presin vendimin formal nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Provimin e kemi dhënë, me Ligën e Parë mendojmë të nisin në mesjavë, pastaj të nisin edhe ligat tjera”, ka thënë Salihu në “Kanal10”.

“Besojmë se edhe shkollat e futbollit do të nisin përgatitjet, por një vendim na nevojitet formalisht nga Qeveria e Kosovës. Kjo xhiro ishte vetëm test”, deklaroi ai.

I pyetur se kur mund të rikthehen tifozët në tribuna, Salihu tha:

“Do të udhëtojmë në Budapest për një takim në UEFA në mesjavën e ardhshme, në lidhje me lejimin e tifozëve në tribuna, por gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike në vend”.

“Sharmi i futbollit janë tifozët, shpresoj që sa më shpejt të bëhet ndonjë zgjidhje”, përfundoi

FFK sot vendos për fillimin e kampionatit

Periskopi.com Sporti

Kjo fundjava mund të shënojë edhe fillimin e kampionatit të Kosovës në futboll.

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll që ishte paraparë të nis me 12 shtator u shty për shkak të kërkesës së qeverisë, derisa sipas të gjitha gjasave do të nisë këtë fundjavë.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka konfirmuar për “Zeri.info” se sot do të takohet Komiteti Ekzekutiv i FFK-së dhe do të marrë vendim për fillimin e kampionatit.

“Po, sot do të kemi një takim dhe do të vendoset për fillimin e kampionatit. Gjasat janë të mëdha që të nisim këtë fundjavë”, ka thënë Salihu.

Presioni i komitetit sportiv në adresë të institucioneve vendore që të nisin aktivitetet sportive në Kosovë së fundmi është shtuar maksimalisht, pasi Kosova është vendi i vetëm në rajon që vazhdon të mbetet i mbyllur.

FFK kërkon largimin e fushave me bari sintetik në Superligë

Periskopi.com Sporti

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e klubeve të Superligës, derisa është diskutuar shtyerja e edicionit të ri futbollistik, sipas ”Gazetasheshi”, transmeton Periskopi.

FFK tashmë prej kohëh ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e kampionatit, mirëpo për shkak të situatës me “COVID-19” në Kosovë, Ministria e Shëndetësis ende nuk ka dhënë ‘dritën jeshile’ për startin e sezonit.

Gjithashtu në këtë takim klubet janë dakorduar që ndarja e të hollave nga drejtat televizive të bëhet në mënyrë të barabartë, ashtu siç ka qenë edhe në edicionet e kaluara.

Ndër të tjerash është diskutuar edhe për klubet që ndeshjet i zhvillojnë në terren me bari sintenik, teksa është propozuar që ato të zëvendësohen me bari natyral.

Për fillimin e sezonit 2020/21 dhe ndeshjen finale të Superkupës do të merret vendimi më vonë nga Komiteti Ekzekutiv.

Krerët e FFK-së u takuan me përfaqësuesit e klubeve të Superligës

Periskopi.com Sporti

Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti Agim Ademi së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu takuan përfaqësuesit e klubeve të Superligës për t’i njoftuar ata për të gjitha parapërgatitjet dhe përgatitjet për edicionin e ri të futbollit.

Krerët e FFK-së i njoftuan përfaqësuesit e klubeve në detaje për të gjitha zhvillimet dhe kështu të gjithë njëzëri u dakorduan për shumicën nga to.
Presidenti Agim Ademi i njoftoi përfaqësuesit e klubeve për shtyrjen e kampionatit dhe se është në koordinimin të vazhdueshëm me Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë në futboll, njofton FFK, transmeton Periskopi.

Gjithashtu presidenti Ademi theksoi se federata i ka bërë të gjitha përgatitjet profesionale për fillimin e edicionit të ri dhe se janë të përgatitur për çdo rrethanë që pandemia Covid-19 mund të na sjellë në futbollin tonë.

Presidenti Ademi i dëgjoi me vëmendje edhe kërkesat dhe sugjerimet e klubeve, duke i mirëkuptuar që pandemia i ka atakuar shumë, e veçmas futbollin si sportin më të popullarizuar në vend. Presidenti Ademi njëkohësisht e shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e federatës për t’i ndihmuar klubet në të gjitha format për aq sa ka kapacitet. Gjithashtu, ai, konfirmoj edhe ndihmën e radhës që FFK do ta bëjë për klubet qysh në fillim të edicionit të ri.

Në takim u diskutua edhe për të drejtat televizive të Superligës, ku krerët e FFK-së sqaruan në tërësi procesin dhe ofertuesin fitues. Me këtë rast presidenti Ademi kërkoi nga klubet që të shpalosin opsione dhe modalitete për menaxhimin dhe ndarjen e mjeteve nga të drejtat televizive, por klubet në mënyrë unanime vendosen për ndarjen e mjeteve në mënyrë të barabartë siç ka qenë deri më tash.

Krerët e FFK-së ofruan gatishmëri maksimale për të gjitha klubet dhe gjithashtu së bashku u darkorduan që të bëjnë më të mirën që niveli i futbollit në Kosovë të ngritet sa më lart në të gjitha aspektet.

Presidenti Ademi uroi dhe lavdëroi klubet për një afat të pasur të transferimeve të futbollistëve cilësor, me çka shprehu bindjen se këto përforcime dhe formati i ri i Superligës me 10 ekipe do të bëjnë që kampionati të shënojë ngritje të konsiderueshme dhe futbolli i Kosovës të arrijë në nivel tjetër.

Në fund të këtij takimi u diskutua edhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe për atë që të gjitha ndeshjet kampionale të zhvillohen në terrene me bar natyral sa më shpejt që është e mundur.

Pas këtij takimi presidenti Ademi shtroi drekë të përbashkët për krerët e klubeve.

FFK nuk i harron klubet, planifikon t’i ndihmojë financiarisht përsëri

Periskopi.com Sporti

KE i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin e Kosovës para fillimit të edicionit të ri të garave si dhe çështjet tjera me rëndësi.

KE analizoi gjendjen aktuale që është krijuar pas pandemisë Covid-19, duke kujtuar se me pandeminë gjendja vazhdon të jetë e rëndë dhe kjo po reflekton edhe në fillimin e garave për edicionin e ri, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton Periskopi.

Ndonëse më herët kishim marrë vendim që garat të fillojnë më 12 shtator, por në takimin e sotëm me institucionet e vendit u vendos shtyrja e kampionatit për një javë.

Kjo gjendje ka vënë në vështirësi edhe aspektin financiar të klubeve, kështu që FFK-ja do të mundohet që t’i ndihmojë klubet brenda mundësive të veta buxhetore dhe përmes donatorëve tjerë, në mënyrë që të përballohet sa më lehtë kjo situatë.

KE analizoi edhe zhvillimin e dy ndeshjeve të Kombëtares A në Ligën e Kombeve dhe Kombëtares U-21 duke konstatuar shumë mungesa të mëdha në përbërje për shkak të gjendjes së pandemisë, gjë që ka reflektuar edhe në rezultatet e synuara.

Por KE konstatoi se organizimi i këtyre dy ndeshjeve ishte në nivel të lartë, por gjithsesi u ndje shumë mungesa e shikuesve.

Tutje KE theksoi se tash prioritet i të gjithëve është ndeshja e ‘play-off’-it për kualifikim në Evropian kundër Maqedonisë së Veriut që do të zhvillohet në tetor.

KE shpreson që Kombëtarja do të jetë e kompletuar dhe mbase nuk do të dalin pengesa për shkak të gjendjes së Covid-19.
KE miratoi edhe Listën e vëzhguesve dhe personave tjerë zyrtarë të ndeshjeve.
KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.

Zyrtare: Shtyhet sezoni në Superligën e Kosovës

Periskopi.com Sporti

Sezoni 2020/21 në Superligën e Kosovës në futboll është shtyer për një javë.

Pas një takimi mes krerëve të FFK-së me zyrtaret e IKSHP-së, është marr vendim për shtyrjen e fillimit të edicionit të ri për një javë.

Kujtojmë se sezoni i ri në Superligë pritej të fillonte më 12 shtator, por tash ai është vendosur të startojë më 19 shtator.

Lajmin e ka konfirmuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi për Periskopin. /Periskopi.com/

FFK e konfirmon se cila kompani do t’i transmetojë ndeshjet e Superligës

Periskopi.com Sporti

FFK përmes një njoftimi zyrtar ka treguar se cila kompani ka fituar të drejtat televizive të Superligës për sezonin e ri.

Në këtë njoftim është treguar se të drejtat i ka fituar kompania “Art Motion & Klan Kosova”.

Ja njoftimi i plotë:

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës për lidhje të kontratës me ofertuesin më të suksesshëm dhe çmimin më të lartë – ofertuesin “Art Motion & Klan Kosova” nga Prishtina.

Komisioni ad hoc për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës së Kosovës në futboll i formuar nga ana e Këshillit për Çështje Emergjente dhe aprovuar nga Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, konform autorizimeve të marra nga KE dhe pas hapjes se ofertave ka gjetur se dy ofertues i kishin plotësuar kriteret për shqyrtim të ofertës së tyre, “Kujtesa&T7” dhe “Art Motion&Klan Kosova”, derisa ofertuesi i tretë “Nimi-Tv” është eliminuar, pasi nuk i ka plotësuar kushtet esenciale sipas ftesës për ofertë.

Duke marrë për bazë përshtatshmërinë juridike, profesionale, teknike dhe financiare si dhe çmimin më të lartë të ofruar, Komisioni ka gjetur që ofertuesi “Art Motion & Klan Kosova” i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me ftesën për ofertë dhe ka ofruar çmimin më të lartë prej 380.000 euro. Prandaj, Komisioni i ka rekomanduar KE të FFK-së për lidhje të kontratës me këtë ofertues. Ndërkohë, KE me unanimitet e ka miratuar rekomandimin e Komisionit, duke e shpallur fituese të të drejtave televizive të Superligës ofertuesin “Art Motion – Klan Kosova” dhe i njëjti do t’i marrë këto të drejta pas nënshkrimit të kontratës.

Njëherësh KE i FFK-së ka falënderuar edhe ofertuesin tjetër “Kujtesa & T7” për interesimin dhe ofertën e bërë që gjithashtu ishte mjaft serioze por që e kishte çmimin më të vogël se ofertuesi i suksesshëm.
Vlen të theksohet se sivjet për dallim nga vitet e kaluara KE i FFK-së ka vlerësuar se është shënuar ngritje e konsiderueshme e çmimit të shitjes së të drejtave televizive. Kjo është e mirëseardhur për klubet, pasi e gjithë shuma e kësaj kontrate do t’i ndahet 10 klubeve të Superligës, të cilat këtë vit do të kenë të ardhura dukshëm më të mira nga të drejtat televizive se sa në vitet paraprake.

TEB vazhdon përkrahjen e “Dardanëve”

Periskopi.com Lajme

Banka TEB vazhdon të jetë përkrahëse e fuqishmë e përfaqësueses së Kosovës të futbollit edhe për edicionin e ardhshëm kualifikues.

Një bashkëpunim i filluar katër vite më parë kur filloi edhe rrugëtimi i futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka vazhduar me një bashkëpunim të ri ndërmjet bankës TEB Sh.A. dhe Federatës së futbollit të Kosovës (FFK).

Marrëveshja e sponsorizimit është zyrtarizuar me një konferencë rasti sot në Prishtinë, sipas të cilës Banka TEB vazhdon përkrahjen e përfaqësueses së Kosovës në futbolli edhe për dy vite të ardhshme.

Drejtori menaxhues i TEB Sh.A., Orcun Ozdemir u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e zgjatur. “Kemi filluar përkrahjen e futbollit të Kosovës që në ditët e parë të përafqësimit ndërkombëtar dhe këtë po e vazhdojmë edhe sot. Falenderojmë Federatën e futbollit të Kosovës dhe presidentin, Ademi i cili ka aprovuar bashkëpunimin tonë që shpresojmë të vazhdojë edhe më tutje”, tha ai.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi shprehu falenderim për Bankën TEB për mbështetjen e dhënë. “E vlerësojmë larttë bashkëpunimin me Bankën TEB që nga ditët e para të ndërkombëtarizimit dhe shpresojmë se këtë besim përveq obligimeve kontraktuale do ta shpërblejmë edhe me paraqitje të mirë”, tha ai.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u shpreh falendërues që bashkëpunimi me një sponsor si TEB do të vazhdojë edhe për një periudhë kualifikuese, e cila fillon me ndeshjen e 3 Shtatorit në Parma të Italisë ndaj Moldavisë nikoqire dhe tri ditë më vonë ne “Fadil Vokrri” me Greqinë mysafire.

TEB Bankë për një botë në lëvizje!