Haradinaj: Kosovës nuk i duhet kreativitet në dialog me Serbinë, i duhet njohja në kufijtë ekzistues (Video)

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj njëherit kandidat për kryeministër nga AAK, thotë se Kosova nuk mund të tregohet kreative për një marrëveshje me Serbinë dhe ta dëmtojë veten.

“Ajo që ka mbetë të zgjedhet mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm njohja, pra njohja në kufijtë ekzistues dhe marrëdhëniet bilaterale, Kosova s’mundet me qenë kreative dhe me ofru një kreativitet për një marrëveshje duke e dëmtu veten, liderët e Kosovës nuk munden me vazhdu me logjikën e robit, më falni që po them kështu. Ideja që me qenë kreativ është një mashtrim për compromise tjera të dhimbshme për marrëveshje me Serbinë. Qëndrimi që ne e hekim taksën me njohje, është maksimumi që Kosova mund ta bëjë për njohje”, ka thënë Haradinaj shkruan Periskopi.

“Kthimi i dialogut në tavolinën e Kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe angazhimi i SHBA’së me Palmer, flet për seriozitetin e këtij procesi. Por Kosova nuk guxon të çojë sinjale për ndonjë kreativitet sepse nxit të kërkohet ky kreativitet. Nuk ka mbetë hapësirë për kreativitet të ri, por jemi të gatshem për marrëveshje për njohje me Serbinë në kufijtë ekzistues”, ka thënë Haradinaj./Periskopi/

KDI LIVE Q&A: Dërgo tani pyetjen tënde përmes komentit dhe Ramush Haradinaj do të përgjigjet.

Posted by Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova on Friday, 20 September 2019

Veseli: SHBA kurrë s’e ka hapur opsionin e ndarjes së Kosovës – Unë s’ia maroj qejfin Vuçiqit

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli,  ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përmendur asnjëherë opsionin e shkëmbimit të territoreve.

“Aq kanë spekuluar, aq kanë dëmtuar edhe në raport me SHBA-të që është e pandershme sepse SHBA-të kurrë nuk e kanë hapur opsionin e ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve”.

‘’Mitrovicën  s’mundet askush me përmend, vec andërr mundet me pa, S’ia maroj qejfin Vuçiqit.  Kemi me bashkëbisedu me Serbinë. Kam me u ulë me partnerët tanë ndërkombëtar. Ulem me Vuciqin, edhe pse malli nuk merr kur me  i pa, por sa herë të do. Dua ulëse në organizatën e Kombeve të Bashkuara’’

Veseli thotë se u kemi thënë ndërkombëtare se ‘’Ne nuk preferojmë asnjë opcion, por ashtu siç merremi vesh’’./PERISKOPI/

​Limaj: Dialogu me Serbinë, problemi më i madh i qeverisë së ardhshme

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha se deri më tani ka munguar vullneti politik, që të bëhet presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Sipas tij, Serbia ka të gjitha informacionet për personat e zhdukur, por që edhe pas 20 viteve ende nuk janë hapur arkivat e Sigurimit Shtetëror, Ushtarak e Policor, për çka tha se aty janë të gjitha të dhënat për këta persona.

Kreu i Nismës Socialdemokrate gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me qytetarë në platformën e KDI-së me temën “Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha se problemi më i madh me të cilin do të ballafaqohet qeveria e ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë.

Sipas Limajt, është në interes që të përmbyllet kapitulli me Serbinë. Ai tha se marrëveshja finale do të sjell zhvillimin ekonomik të vendit, derisa ka shtuar se aktualisht nuk ka në Kosovë investime direkte, duke u njohur si vend i pasigurtë.

Ai ka theksuar parakushtet për një marrëveshje finale me Serbinë.

Krahas kësaj, Limaj tha se asgjë nuk duhet të diskutohet pa njohjen e Kosovës, madje shtoi se nuk duhet të bëhet as vijëzimi i kufijve.

Limaj mes tjerash ka shtuar se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll çdo konflikt, e jo të ketë marrëveshje me ‘plagë të hapura’, e që sipas tij, kjo varet nga kryeministri i ardhshëm.

Limaj: Duhet t’i kthehemi dialogut, asnjëherë s’kemi humbur nga bisedimet

Periskopi.com Lajme

Kryetari i NISMA-s dhe njëherësh kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj ka theksuar se partia e tij ka merita të mëdha që për zgjedhjet e tetorit është duke u zhvilluar një garë interesante dhe e barabartë.

“Në të kaluarën partitë i kanë shpalosur objektivat, tani është një mundësi reale edhe për qytetarët sepse kandidatët për kryeministër drejtpërdrejt po ballafaqohen me qytetarët dhe po e sqarojnë atë çfarë janë objektivat e tyre”, ka thënë Limaj.

Sipas tij nëse NISMA do të shkonte me njërën prej grupeve apo partitë politike atëherë gara do të ishte e mbyllur dhe fitorja e atij grupi do të ishte e sigurt.
“Ne kemi marrë një vendim strategjik edhe për partinë, por njëkohësisht kam vlerësuar se është një moment i rëndësishëm që t’u jepet mundësi të gjitha grupeve politike që në mënyrë të barabartë të dalim para qytetarëve. Neve na kanë shkuar tri vjet garë në parlament se kush është partia e parë. Tani është ajo mundësi dhe mendoj se NISMA e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që ta kemi një garë çfarë e kemi sot – shumë të barabartë dhe shumë interesante, si një mundësi që përmes angazhimit dhe shpalosjes së programeve të tyre secili kandidat për kryeministër apo parti politike të ketë mundësi që nesër të jetë në drejtim të institucioneve në vend”, ka shtuar Limaj në RTK.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Limaj ka thënë se ai e di çka e pret vendin dhe qeverinë e Kosovës pas formimit të saj.

“Pozicioni ynë është se Kosova asnjëherë nuk ka humb nga tavolina e bisedimeve. Kosova duhet shumë seriozisht t’i kthehet tavolinës së bisedimeve me shumë kompetencë e me kujdes me partneritet me miqtë tanë. Kur jeni në tavolinë mund të refuzoni opsione të ndryshme, por asnjëherë nuk mund t’ia ktheni shpinën tavolinës dhe të ikni, ajo është e dëmshme për vendin. Ne si Kosovë duhet të jemi në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur Limaj.

Ai ka thënë se si parti e kanë qëndrimin e tyre për këtë çështje. “Ky dialog që po vjen duhet ta ketë një emërtim. Kosova është futur në dialogun në Rambuje për ta ndërprerë luftën, pra kanë qenë negociata për paqen, kanë pasur emër ato negociata. Më pas kemi pasur negociatat në Vjenë për statusin dhe nga ato negociata ka ardhur pavarësia”, ka shtuar tutje lideri i NISMA-s.

Ai ka thënë se gabimi më i madh ka qenë hyrja në bisedimet teknike në Bruksel. Por tash sipas tij jemi para këtij realiteti dhe ato bisedime teknike kanë prodhuar dokumente, disa prej të cilave janë obligime ndërkombëtare si shtet.

Limaj vlerëson që sa më parë duhet t’i kthehemi tavolinës së bisedimeve dhe të përmbyllet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“E rëndësishme është të shkojmë të ulemi në tavolinë dhe së bashku me partnerët tanë  t’i bëjmë të gjitha përpjekjet tona  që me përmbyllë një herë e mirë  marrëveshjen me Serbinë që brenda e ka njohjen dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar”, është shprehur Limaj.

 

 

Shteti gjerman nuk synon dërgimin e një emisari të posaçëm për dialogun

Periskopi.com Lajme

Gjermania nuk synon ta dërgojë një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç u raportua së fundi. Nëpërmjet ambasadës së vet në Prishtinë, shteti i cili kundërshton idenë e korrigjimit të kufijve, ka thënë se ky proces duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Gjermania e mbështet dhe ndjek nga afër dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Gjermania do të vazhdojë ta bëjë këtë përzemërsisht me Komisionin e ri të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane, dërguar gazetës “Koha Ditore”.

Aktualisht, ambasadorja Susanne Schütz në Zyrën Federale Gjermane është Drejtore për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet e EFTA-s. Në këtë rol, siç ka thënë Ambasada gjermane, ambasadorja Schütz është e Dërguara Speciale për Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha çështjet që lidhen me të.

“Nuk kemi synime për të emëruar një të dërguar kombëtar për dialogun, pasi ky proces është nën kujdesin e Bashkimit Evropian”, kanë thënë ata…

Kurti vazhdon me mendjemadhësi kundër Osmanit: Ajo s’mund ta udhëheq dialogun, do të jetë kryeparlamentare

Periskopi.com Lajme

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka vazhduar ta gozhdojë kandidaten për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, duke thënë se ajo nuk ka kapacitet për t’u marrë me dialogun në raport me Serbinë, transmeton Periskopi

Kurti sot në ‘Fol Hapur’ , me mendjemadhësi tha se ai do të jetë kryeministri pas 6 tetorit, kurse rivalja e tij,  Osmani do të mbetet kryeparlamentare.

‘’Unë besoj që kryeministri i ardhshëm pas 6 tetorit do të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së dialogut. Këtë nuk mund ta bëjë rivalja ime sepse ajo do të bëhet kryeparlamentare, e kryeministër do të jem unë pas 6 tetorit. Njëherë na duhet të kemi një komision që shpejt e mbyll kapitullin e 33 marrëveshjeve. Disa janë realizuar, disa jo. Duhet ta kemi një bilanc, sepse pa të nuk është mirë të ecim përpara. Duhet të fillojmë dialogun tonë të brendshëm.’’, ka thënë Kurti.

Kujtojmë që VV dhe LDK nuk arritën koalicion parazgjedhor shkaku i postit të kryeministrit./PERISKOPI/

 

A po zhvillohet garë mes fuqive të mëdha në dialogun Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të prodhojë një garë mes fuqive të mëdha. Pas Shteteve të Bashkuara nuk përjashtohet mundësia që edhe Gjermania të emërojë një emisar të posaçëm për dialogun.

Serbia nuk e ka problem ta zgjerojë tryezën e negociatave me këdo që mund të ndërmjetësojë dhe të ndihmojë në heqjen e taksës, shkruan Koha Ditore.

Dialogu me Serbinë është tema kryesore me të cilën duhet të merret Qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pas raportimeve se shteti gjerman planifikon ta emërojë një emisar për dialogun, në Ambasadën e këtij shteti në Prishtinë të hënën nuk kanë komentuar rreth kësaj çështjeje.

Gjermania është kundërshtar i fuqishëm i ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe këtë qëndrim e ka shprehur disa herë kancelarja Angela Merkel.

Për analistin Krenar Shala, përfshirja eventuale e Gjermanisë do të sillte një garë mes të fortëve. Sipas tyre, “rivaliteti” ka të bëjë me atë se kush do të ketë ndikimin më të madh dhe projektin më të mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

 

Janjiq: Në dialog pritet të përfshihet edhe Rusia

Periskopi.com Lajme

Dusan Janjiq nga Forumi i Marrëdhënieve Etnike ka thënë se mund të krijohet një format i ri i dialogut Beograd-Prishtinë, ku do të përfshiheshin edhe akterë të tjerë, pa përjashtuar as Rusinë, transmeton Periskopi.

Në një prononcim për Politico, ai tha se përveç të dërguarit të SHBA’së,  Matthew Palmer, është e mundur të jetë edhe një përfaqësues i përbashkët i Gjermanisë dhe Francës.

“Të gjithë ata, si Palmer, do të jenë të dërguar të veçantë për Ballkanin Perëndimor rreth dialogut Beograd-Prishtinë, ku do të marrin pjesë në seanca, por kryenegociatori do të jetë personi i caktuar nga BE në vend të Federika Mogerinit. Ka shumë mundësi  të jetë edhe Laszlo Trochani, Komisioner për Zgjerim , por kjo nuk është vendosur ende’’, ka thënë  Janjië.

Ai njoftoi edhe për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialog.

“Një nga opsionet është të kesh një sekretariat të veçantë, i cili gjithashtu do të përfshijë Rusinë me përfaqësuesin e saj’’, përfundoi Janjiq./PERISKOPI/

Brnabiq për dialogun: Le të përfshihet kushdo që mund të ndihmojë

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq tha se të mërkurën do të diskutojë në takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ajo tha se Serbia mbështet përfshirjen e secilit që mund të ndërmjetësojë dhe të ndihmojë në heqjen e taksës dhe të vazhdojë dialogun.

E pyetur nga mediat të komentojë se Gjermania dhe Franca dëshirojnë të përfshihen në dialog njësoj si SHBA, Brnabiq tha se Gjermania dhe Franca kishin bërë përpjekjen më të drejtpërdrejtë për të ndërmjetësuar midis Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e taksës, e sidomos pas takimit në Berlin të organizuar nga Merkel dhe Macron.

Ajo kujtoi që takimi në Paris u anulua pasi nuk kishte rezultate konkrete.

“Gjermania dhe Franca kanë bërë thirrje për anulimin e vendimit për tarifat, por Prishtina ka kundërshtuar. Gjermania, më qartë, i bëri thirrje Prishtinës lidhur me këtë çështje në takimin e Berlinit,” tha Brnabiq.

“Nëse ata mund të ndihmojnë, shpresoj se dialogu do të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi Brnabiq.

 

Shefi i BE’së në Tiranë: Dialogu të nis nga reforma zgjedhore

Periskopi.com Lajme

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare IPA 2018 mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, ku 42 milionë euro jepen për reformën në drejtësi, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka folur për krizën politike, reformën në drejtësi dhe negociatat.

“Unë mendoj se Shqipëria është gati për të hapur negociatat. Qytetarët kanë shpresë te reforma në drejtësi dhe ajo vjen në një moment të rëndësishëm. Ne presim që Shqipëria të kthehet në familjen që ka qenë gjithnjë pjesë. Duhet të vazhdojnë kontaktet mes Qeverisë shqiptare dhe aktorëve dhe marrëveshja (e firmosur sot) tregon angazhimin e BE-së ndaj Shqipërisë”, tha Soreca.

“Në tetor shpresoj të japim një përgjigje pozitive lidhur me negociatat”, shtoi ambasadori.

Ai theksoi se BE ka kërkuar nga partitë politike që të bashkohen në dialog dhe se dialogu duhet të nisë nga disa specifike siç është reforma zgjedhore, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

“Gjithë politikanët duhet të përfshihen në dialog për të çuar në hapje negociatash. Shumica e qytetarëve kanë dëshirë të integrohen në BE”, u shpreh Soreca.

 

Limaj fton subjektet politike të zotohen se do të kontribuojnë në dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, Fatmir Limaj ka ftuar të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita, meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli.

Sipas Limajt, Nisma Socialdemokrate zotohet publikisht se pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën e VII-të do të kontribuon, së bashku me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe të re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor.

“Edhe pse në këtë garë elektorale hyjmë me besim se koalicioni ynë do të dalë fitues, zotimin publik se do të jemi pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të përmbushet nga ana e jonë pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare: Interesi i Kosovës është mbi të gjitha! Meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli, ftoj të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita. Vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do të kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur. Përmes këtij veprimi do të përmbushim obligimin moral ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Fundi i fundit, bashkëveprimi në interes të Kosovës është një obligim edhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh”, ka shkruar ai.

Të nderuar kandidat/e për kryeministër të qeverisë së Kosovës në zgjedhjet e 06. Tetorit 2019!

Për të gjitha anët pozitive apo dobësitë që e karakterizuan Legjislaturën e VI të Kuvendit të Kosovës kemi folur vazhdimisht dhe do të flasim edhe në të ardhmen. Nga tërësia e veprimeve tona politike dëshiroj të veçoj një çështje që na ka kushtuar shumë si shtet dhe si shoqëri: Çështja e konsensusit politik lidhur me strategjinë në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë.

Mungesa e gatishmërisë për t’u bashkuar të gjitha forcat politike dhe shoqëria civile, pati pasoja jashtëzakonisht të mëdha si në rrafshin e kohezionit të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në rrafshin e brendshëm, partitë opozitare të Kosovës nuk pranuan të merrnin pjesë në procesin e dialogut dhe tërë energjitë e veta i përqendruan në kërkesën për zgjedhje të reja të parakohshme.

Refuzimi i opozitës për të qenë pjesë e përfaqësimit të Kosovës në dialog me Serbinë edhe duke qenë në opozitë pamundësoi krijimin e një delegacioni e strategjie të përbashkët shtetërore në funksion të përmbylljes së këtij procesi.

Përçarjet brenda spektrit politik dhe institucional të Kosovës u reflektuan tejet negativisht në imazhin e Kosovës dhe, fatkeqësisht për të gjithë ne, gishti i fajësimit për bllokimin e dialogut u drejtua në drejtim të Kosovës.

Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë.

Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk duhet të konsiderohen thjesht si zgjedhjet e radhës, sepse kur të kemi parasysh sfidat që e presin vendin tonë, bëhet e qartë se këto zgjedhje, pa asnjë dilemë, do të jenë zgjedhje të një rëndësie të veçantë për ardhmërinë e Kosovës.

NISMA Socialdemokrate zotohet publikisht se pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën e VII-të do të kontribuon, së bashku me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe të re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor.

Edhe pse në këtë garë elektorale hyjmë me besim se koalicioni ynë do të dalë fitues, zotimin publik se do të jemi pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të përmbushet nga ana e jonë pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare: Interesi i Kosovës është mbi të gjitha!

Meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli, ftoj të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita.

Vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do të kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur. Përmes këtij veprimi do të përmbushim obligimin moral ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Fundi i fundit, bashkëveprimi në interes të Kosovës është një obligim edhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh.

Bashkë për Shtetin!

Me respekt, Fatmir Limaj

Kandidat për Kryeministër!

 

Palmer: SHBA përkah një Qeveri që do të jetë e përkushtuar në dialog

Periskopi.com Lajme

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer tha se është i bindur se mund të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë

Palmer po thotë se bisedimet mes dyja vendeve duhet të jenë më serioze dhe të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Do të ishte ideale të bazohej në njohjen e ndërsjellë. Në kohën kur të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, ne do të jemi atje si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje që do të jetë e pranueshme për të gjithë, e qëndrueshme dhe e drejtë dhe që do të ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së ”, tha Palmer  për RTCG e Malit të Zi.

Palmer po ashtu ka deklaruar se vendi i tij do ta përkrah Qeverinë e Prishtinës që është e përkushtuar në dialog, dhe se Rusia dëshiron një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim.

“Një nga qëllimet tona kryesore është të mbështesim formimin e një qeverie në Kosovë e cila është e angazhuar për dialog, që do të thotë pezullimin e taksës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve”, tha Palmer.

Ai krejt në fund shtoi se me arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte shumë e rëndësishme edhe për rajonin pas rritjes së ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

 

Beogradi thotë se Prishtina s’ka shumë opsione për vazhdimin e dialogut pos heqjes së taksës

Periskopi.com Lajme

Zyrtarët serbë, gjatë ditës kanë dhënë deklarata të shumta lidhur me Kosovën dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut.

Kryeministrja, Ana Bërnabiq, gjatë ditës ka qëndruar në Luksemburg. Ajo nga aty, ka thënë se shpreson që pas zgjedhjeve, në Kosovë do të mund të vazhdohen negociatat për zgjidhje afatgjate dhe të kompromisit mes Beogradit e Prishtinës.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve, do të kemi njerëz që do të jenë mjaftueshëm të guximshëm dhe të përgjegjshëm, fillimisht para qytetarëve të tyre dhe të aftë për të biseduar rreth zgjidhjes afatgjate. Ne do të jemi aty”, ka thënë Bërnabiq.

“Nëse ndaloni qarkullimin e mallrave, atëherë nuk kemi çfarë të flasim,” tha Bërnabiq, duke shtuar se Prishtina duhet të tërheqë vendimin për taksën, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar.

Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, foli edhe homologu i saj, Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Bettel tha se është e rëndësishme që Beogradi e Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dyja palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.

“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së, të siguroni paqen për vendet tuaja dhe të arrini kompromis, në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin”, ka thënë Bettel.

E për dallim nga Bërnabiqi, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq ishte më i ashpër, duke theksuar se ‘herët ose vonë, Prishtinës do t’i duhej që të kryejë obligimet e veta. Gjuriqi ka theksuar se Prishtina nuk pranon asgjë tjetër përpos njohjes nga Serbia, por se kjo nuk do të ndodhë.

“Nuk do të ketë zgjidhje të lehtë e të qëndrueshme lidhur me Kosovën. Kjo nuk do të na lëkundë, derisa përkrahja ndaj serbëve në Kosovë, vetëm sa do të fuqizohet”, tha Gjuriqi për gazetën Veçernje Novosti.

Ai shtoi se nga ndërmjetësuesi i ri i BE-së në dialogun mes Beogradit e Prishtinës, që do të zëvendësojë Mogherinin, pret të jetë neutral dhe t’ia kthejë kredibilitetin dialogut, i cili tashmë u dëmtua me veprimet e Prishtinës.

Gjuriqi porositi autoritetet në Prishtinë që të heqin taksën ndaj produkteve serbe dhe t’i kthehen dialogut, sepse siç shtoi, votuesit e tyre nuk mund të hanë fantazi të Shqipërisë së Madhe, por meritojnë të jetojnë në shoqëri normale.

Kryeministri i Luksemburgut: Marrëveshja Kosovë-Serbi, e rëndësishme për paqen dhe rrugën drejt BE-së

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel tha sot se ishte e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë një kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dy palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren serbe Ana Brnabiq, Bettel tha se Serbia dhe Ballkani luajnë një rol kryesor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kontinent, për të cilin ai tha se nuk duhet të merret si e mirëqenë.

“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së dhe të siguroni paqen për vendet tuaja, dhe të arrini një kompromis në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin”, tha Bettel.

Pacolli: Qeveria e re është e obliguar t’i kthehet dialogut

Periskopi.com Lajme

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se koalicionin me Nisman e sheh si krah për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas Qeveria e re duhet të formohet në afatin më të shpejt pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Detyrë kryesore e çdo qeverie që do të formohet si rezultat i këtyre zgjedhjeve do të jetë spastrim i rrugës për të filluar dialogu. Kërkesa që vjen nuk është vetëm që vjen prej një njeriu, që është kyç i SHBA-së për Ballkanin”, ka theksuar ai duke u ndërlidhur në takimin që ka pasur me Përfaqësuesin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Qeveria e ardhshme do të jetë e obliguar që të fillojë dialogun me Serbinë. Këtë ma ka thënë jo vetëm ky, por ky artikulim është i të gjithë miqve tanë. Ishte gjuhë e ashpër e Palmer por ishte miqësore. Unë besoj se Qeveria e ardhshme ajo duhet të fillojë me spastrim të rrugës për nisjen e dialogut me Serbinë”.

“Detyra numër një që Kosova duhet ta bëjë është përfundimi i dialogut me Serbinë. Traktati i paqes me Serbinë i hap Kosovës perspektivën e gjerë, që të jetë shtet i kompletuar. Unë besoj se më askush nuk do ta përkëdhel Kosovën. Deshëm ose jo nuk mund ta mbajmë peng qytetarin e Kosovës. Duhet të arrijmë te kontrata e paqes që i sjell Kosovës njohje reciproke dhe anëtarësim në organizatat kryesore botërore”.

Haradinaj kërkon unitet në vazhdimin e dialogut

Periskopi.com Lajme

“Nuk duhet eliminuar njerëzit, por temat e rrezikshme” Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, në emisionin Argument Plus ka deklaruar se në vazhdim të dialogut me Serbinë Kosova ka nevojë të përfaqësohet në mënyrë unike sepse vetëm kështu ka siguri që marrëveshjet eventuale të kalojnë në Kuvend me dy të tretat.

I pyetur rreth përbërjes së delegacionit, Haradinaj deklaroi se nuk duhet eliminuar njerëzit, por temat e rrezikshme./Periskopi/

Ymeri: Qëllimi i koalicionit AAK-PSD është që dialogu të sjellë njohjen nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Visar Ymeri nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se plani i tyre i dialogut është që të sjellë njohjen e Serbisë për Kosovës.

“Problematike është të shtrohet tema e dialogut dhe jo më të analizohet në nivel statistikash. Statistikat nuk mund ta tregojnë të vërtetën dhe madje ka rrezik që ta fshehë të vërtetën. Dialogu deri tani ka qenë një proces që s’ka pasë fund dhe kryet e ka pasë të paqartë. Mendoj që ky dialog i ka treguar limitet e veta”.

Ymeri në Zona Zgjedhore në Klan Kosova tha se dialogu duhet të kalojë nga një dialog për normalizimin në atë për njohje.

“Nuk mund të ketë dialog ku palët nuk dakordohen paraprakisht që e njohin dialogun si të tillë, pra që është dialog për njohje. Nëse i kemi dy palë që mendojnë se janë ulur për arsye të ndryshme, në dialog mund të ketë pasur rezultatet pozitive, por jo njohje”.

“Kjo është parimi numër një për ne. Pra ne kemi vendosur që dialogu duhet të fillojë me rezultat njohjen dhe pastaj të vijnë çështjet tjera”.

Për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Ymeri tha se do të shfrytëzojnë edhe praktikat dhe rezultatet nga e kaluara për të pasur më shumë qëndrueshmëri parimore dhe fleksibilitet për të garantuar pjesëmarrje më të madhe.

 

 

Hoxhaj: PDK ka kapacitet të shtyjë përpara dialogun me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Enver Hoxhaj nga PDK-ja në Zona Zgjedhore ka folur rreth dialogut me Serbinë.

Ai në debat tha se falë dialogut Kosova ka arritur të shpërbë policinë serbe në veri, përcjell Periskopi

Hoxhaj është shprehur optimist që partia e tij ka kapacitet të shtyjë përpara këtë proces.

“Falë dialogut kemi shpërberë policinë serbe në veri. Po ashtu edhe na ka mundësuar ta zgjerojmë sovranitetin në vend. Ne kemi kapacitet dhe mendoj që mund ta shtyjmë përpara këtë proces” tha Hoxhaj në Zona Zgjedhore në Klan Kosovë/Persikopi

Dhjetori muaji i rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rinis sa më parë. Ky është edhe insistimi i SHBA’së dhe Gjermanisë, shtete këto që janë duke bërë përpjekje që të zhbllokojnë bisedimet dhe të rikthejnë Prishtinën dhe Beogradin në tryezën e bisedimeve.

SHBA’ja ka caktuar Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor i cili ka deklaruar se dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pikë kryesore e agjendës së tij.

Përveç caktimit të Palmer, në Kosovë sot do të mbërrijnë edhe dy senatorë amerikan, të cilët vijnë në Prishtinë për të vetmen arsye, dialogun Kosovë-Serbi.

Për të njëjtën çështje, Kosovën dje e ka vizituar edhe deputeti i CDU’së se kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Beyer, i cili bëri thirrje për rinisje të dialogut, duke ripërsëritur qëndrimin gjerman se janë kategorik kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

Peter Beyer teksa ka folur për vendimin e SHBA’së që të caktojë një përfaqësues special për Ballkanin, duke thënë se do të ishte mirë që edhe Bashkimi Evropian të caktonte një përfaqësues të tillë që do të merrej vetëm me dialogun.

Ndërkohë dialogu pritet që të rinis në fund të këtij viti, saktësisht në muajin dhjetor. Një gjë të tillë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, pas një takimi që ka pasur në Brdo, me zv.ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.

Daçiq ka thënë se ka pritje që të ketë bisedime më intensive nga dhjetori, duke shtuar se pret presion më të madh nga SHBA’ja drejt Prishtinës për të hequr taksën dhe për të krijuar kushte për vazhdimnin e dialogut.

“Pritjet e tyre janë që këto bisedime të intensifikohen. Kemi një periudhë tranzicioni në Bashkim Evropian, nga Mogherini tek Josep Borell dhe më pas do të jenë edhe zgjedhjet në Serbi”, ka thënë Daçiq.

Ditë më parë në Ëashington ka qëndruar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, e me të cilin kanë biseduar për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç është raportuar në mediat gjermane, thuhet që Pomepo i ka bërë presion të madh Vuçiqit që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ndërkohë është thënë që SHBA’ja është duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje deri në verën e vitit 2020.

Ekspertë të ndryshëm një afatizim të tillë po e shohin të ndërlidhur me zgjedhjet presidenciale në ShBA, pasi që sipas tyre Trump kërkon të shfrytëzojë rezultatin në fushatën e tij.

Përveç kësaj janë ngritur shqetësime që mund të rikthehet në tryezë përsëri ideja për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve.

Për një gjë të tillë ka folur ditë më parë euro deputeti sllovak, Eduard Kukan.

“Unë pres që çështja e njohjes së Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të kthehet prapë. Sido që të jetë, ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnje e Hercegovinës” ka thënë Kukan teksa ka treguar kundërshtinë e tij për një ide të  tillë të prekjes së kufijve.

Për rikthimin e idesë së ndarjes së Kosovës ka ngritur shqetësime edhe profesori amerikan, Edward Joseph.

“A është për të shpejtuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të rrezikshme për ndarjen e Kosovës? Nëse po si do të adresohen aspektet negative të kësaj ideje. Po në lidhje me paralajmërimet publike, jo vetëm nga ekspertë si unë por edhe nga zyrtarë të vendeve fqinje në rajon se ata do të duhet të jetojnë me pasojat e një zgjidhje të tillë . Si do të tejkalohet kundërshtimi nga disa vende, veçanërisht nga Gjermania?” pyet eksperti për Ballkanin.

Dialogu, test pa alternativë për qeverinë e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, do të jetë një nga çështjet parësore, por edhe sfidë kryesore për qeverinë e ardhshme të vendit, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që presioni ndërkombëtar për të rifilluar dialogun me Serbinë, ashtu siç ishte ndaj Qeverisë së Kosovës në largim, do të jetë edhe ndaj qeverisë së ardhshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve, është mirë që të jetë një qeveri e spektrit të gjerë dhe të ketë numër të mjaftueshëm të votave, që në mënyrë të zotërueshme dhe kompetente t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, drejtë arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Këto bisedime duhet të çojnë në njohje reciproke, por para së gjithash, duhet t’i hapin Kosovës perspektivën euroatlantike”, tha Tahiri.

Kupchan: Çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që rifillimi dialogut me Serbinë, për qeverinë e ardhshme të vendit do të jetë prioritet, madje edhe i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, është bërë e qartë edhe nga deklarata e ambasadorëve të vendeve të Quint-it, por sinjale të qarta, siç thotë ai, janë dërguar edhe me emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Maliqi, vlerëson se të gjitha këto janë shenja që vendet perëndimore, e në veçanti SHBA-ja, do të insistojnë që tema parësore e qeverisë së re, të paktën në vitin e ardhshëm, të jetë dialogu. Çështja e dialogut, sipas tij, mund të jetë edhe tema që do ta përcaktojë edhe koalicionin e mundshëm për formimin e qeverisë së re.

“Meqë tema parësore do të jetë dialogu, kjo do të jetë temë që ndoshta edhe e përcakton natyrën e koalicionit. E dyta, pastaj, meqë dialogu ose çfarëdolloj marrëveshjeje, nëse arrihet, do të kërkojë njëfarë lloj konsensusi më të gjerë, ndoshta do të shkohet edhe me ndonjë formë – por, kjo është shumë spekulative në këtë moment – që të zgjerohet, të jetë më gjithëpërfshirëse. Kushdo që të jetë në qeverinë e re, për shkak të përvojës së kaluar, duhet ta ketë parasysh që nuk mundet të shkojë të negociojë pa u siguruar që e ka një lloj shumice kushtetuese, nëse jo në qeveri, të paktën parapa procesit të dialogut”, theksoi Maliqi.

Vuçiq: Dialogu me Prishtinën mund të vazhdojë në dhjetor
Ai ka theksuar se qeveria e re mund të shpëtojë nga kjo rrethanë vetëm për arsye të tjera të jashtme, që ndërlidhen me atë se cili do të jetë roli i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe a do ta trashëgojë shefi i zgjedhur i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell punën e paraardhëses së tij, Federica Mogherinit, si dhe zgjedhjet në Serbi, të cilat priten në pranverën e vitit të ardhshëm. Në të kundërtën, presioni ndërkombëtar ndaj saj do të jetë mjaft i madh, për rifillimin e dialogut dhe arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Politologu Tahiri, shpreh mendimin që dialogu do të jetë sfidë e paalternativë për Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Sipas tij, dialogu është detyrues për Kosovën dhe për Serbinë, për shkak se për këtë i obligon rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e 10 shtatorit të vitit 2010, të cilën e kishin propozuar 27 vende të Bashkimit Evropian.

“Qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveri e mendjes së hapur, qeveri që i respekton të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare. Si e tillë, duhet një qeveri, e cila nuk frikësohet të marrë vendime dhe e cila e ka autoritetin të marrë vendime. Në këtë rast, duhet të jetë qeveri, e cila që në javën e parë do të suspendonte taksën e institucioneve të Kosovës për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës”, vlerësoi Tahiri.

Gordy: Kosova nuk do të bëjë asnjë hap derisa të zgjidhet qeveria e re
Marrë parasysh që çështja e dialogut me Serbinë dhe përfolja e opsionit të ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e mundshme, kanë krijuar rrethana që kanë çuar në ndërprerjen e dialogut, e më pas edhe arsye shtesë për rënien e qeverisë në Kosovë, analisti Maliqi vlerëson që nuk përjashtohet mundësia që situata të përsëritet.

“Në një kohë kur nuk e dimë se cila do të jetë përbërja e qeverisë dhe nuk e dimë se për çfarë lloj marrëveshje përfundimtare po flasim, është vështirë të parashikohet. Por, edhe nëse Qeveria e Kosovës ndoshta do të mund ta përballojë ndonjë presion dhe të mund t’i rezistojë bashkësisë ndërkombëtare, kjo do të jetë me kosto dhe pasoja afatgjate për Kosovën, në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare qoftë në Bruksel, qoftë në Uashington. Duket sikur ka një lloj përafrimi në bashkësinë ndërkombëtare në insistimin që Kosova të ecë përpara në dialog dhe Kosova mund të refuzojë pafundësisht, po me një kosto të lartë që nënkupton humbjen e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Maliqi.

Sidoqoftë, senatorët amerikan, Chris Murphy nga radhët e demokratëve dhe Ron Jonson nga radhët e republikanëve, kanë paralajmëruar se bashkë më një delegacion të Kongresit, gjatë kësaj jave do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur, siç kanë thënë, mbështetje për dialogun midis dy vendeve.