Prezantohen dy studime rreth fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) sot prezanton studimet e radhës brenda serisë së studimeve rreth fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Çështjet që janë studiuar janë ajo e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Kosovës në kontekstin e “finales së madhe” eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe raportet bilaterale Kosovë-Serbi në sektorin e energjisë në kontekstin e marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përveç tjerash, në konferencë do të shpalosen disa nga gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga studimet në fjalë.

Këto studime trajtojnë tema specifike që mund të jenë pjesë e marrëveshjes finale eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Punimet hulumtuese ofrojnë këshilla dhe sugjerime konkrete për institucionet e Kosovës se cili duhet të jetë pozicioni specifik i Kosovës në secilën prej çështjeve të lartëpërmendura.

Ja çka thotë Rexhep Selimi për dialogun, taksën e Gjykatën Speciale

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e parakohshme Vetëvendosjen fituese. Ende pa u formuar legjislatura e shtatë kreu i kësaj partie Albin Kurti ka premtuar reforma të thella në drejtësi, ekonomi, arsim e shëndetësi.

Por një nga çështjet me prioritet të kësaj Qeverie, do të mbetet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Bashkëpartiaku i Kurtit, Rexhep Selmi, konsideron se Qeveria e udhëhequr nga Kurti, do të ketë qasje dhe raport tjetër ndaj dialogut, duke u shprehur se VV-ja nuk do ta lëndojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Ne do të kemi raport  dhe qasje krejt tjetër kundrejt Serbisë pa e lënduar asnjëherë Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Republikës dhe poashtu me një transparencë maksimale do ti qasemi këtij problemi një problem që kërkon zgjidhje”.

“Tashmë Lëvizja Vetëvendosje  dhe kryeministri i ardhshëm Kurti  ka dhënë qëndrimet dhe deklarimet e tij se si do ti qasemi raportit me Serbinë. Raporti me Serbinë nuk do të thotë që do të ketë patjetër negociata, raporti me Serbinë fillimisht duhet të ketë raport reciprociteti  politik, tregtarë dhe ekonomik e pastaj përtej kësaj shohim e bëjmë”, tha Selimi.

Selimi është shprehur se procesi i dialogut i zhvilluar deri më tani ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, ka qenë plotësisht gabim, duke e parë Kosovën si palë humbëse.

Madje ai është shprehur se presidentët Thaçi e Vuqiq, ishin dakorduar për një sërë marrëveshjesh të fshehta.

“Ne nuk e shohim asnjë marrëveshje veç e veç dhe nuk i ndajmë këto marrëveshje nga i gjithë procesi. I gjithë procesi ka qenë gabim, në gjithë atë proces Kosovë veçse ka humbur sepse në atë proces janë diskutuar kërkesat e Serbisë kundrejt Kosovës që kanë qenë kërkesa kundër kushtetutës, kundër rendit kushtetues, kundër ndërtimit të brendshëm shtetëror të Kosovës, prandaj ne nuk i ndajmë marrëveshjet ne e denoncojmë të gjithë procesin si një proces i gabueshëm për Kosovën”.

“Në raport me Serbinë ne duhet të kemi krejt qasje tjetër ju kujtohet opinionet që të gjitha marrëveshjet apo bisedimet janë bërë prapa syve të opinionit kanë qenë marrëveshje të fshehta, në mes Thaçit dhe Vuçiqit ose më herët mes Thaçit dhe Daçiqit. Marrëveshje të cilat janë ratifikuar akoma pa i ditur se çfarë janë si të tilla në Parlamentin e Kosovës”.

“Marrëveshja për Demarkacionin ka qenë një marrëveshje e cila për fat të keq është bërë nga dy qeveritë dhe është ratifikuar nga dy parlamentet respektive nga i Malit të Zi dhe Kosovës ne atëherë qeverisjes së   atëhershme  u kemi thënë  se po bëjnë gabim të madh që po e ratifikojnë  sepse ratifikimi i jep vulë asaj marrëveshje sepse këto janë rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sikur ne të  mos e  kishim ratifikuar këtë tashmë do ta kishim të shpëtuar  pjesën që Mali i Zi tashmë po e administron për fat të keq pas ratifikimit nga qeveria e kaluar në Kuvendin e Kosovës”.

Përveç dialogut Kosovë-Serbi, Qeveria Kurti pritet që përgjegjësi të mbajë edhe për taksën 100 për qind të vendosur gjatë mandatit të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, për të cilën Selimi shprehur se Kosova nuk duhet të jetë inferiore ndaj Serbisë, por të mbajë reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik e politik, me shtetin fqinjë.

“Ne do të vendosim reciprocitet të plotë politik tregtarë dhe ekonomik, këtë e kemi thënë edhe kur kemi qenë në parlament edhe kur kemi qenë në opozitë edhe para se me vu taksën Haradinaj, e kemi thënë gjithmonë sa kemi qenë në Kuvendin e Kosovës që, Kosova nuk duhet të ketë inforiritet ndaj Serbisë por reciproritet të plotë tregtarë, ekonomik e politik. Taksa do të zëvendësohej me nivele më të larta të shtetësisë kundrejt Serbisë  e jo të ishte e izoluar vetëm në tarifa dhe në masa tarifore”.

Selimi Gjykatën Speciale e sheh si një institucion të padrejtë të drejtësisë, madje sipas Selimit, kjo gjykatë është tërësisht e padrejtë kur bëhet fjalë për UÇK-në, raporton EO.

“Parlamenti i Kosovës për fat të keq e ka ratifikuar me shumicë me 2/3 e kemi kundërshtuar si padrejtësi dhe jo si drejtësi, ka ardhur si drejtësi padrejtësia më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë shqiptarëve të Kosovës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, proceset janë në një fazë të tillë që tash parlamenti duhet të ketë numrat e njëjtë për ta zhbërë eventualisht por procesi është shkuar deri atje sa që disa procese tashmë janë të pakthyeshme”.

“Sido që të jetë ne vazhdojmë ta konsiderojmë si një padrejtësi ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar e sidomos ndaj kauzës së popullit shqiptar për liri e çlirim”, përfundoi Selimi.

Vonesat në konfirmimin e Komisionit Evropian ndikojnë në angazhimin e BE-së në dialog

Periskopi.com Lajme

Sikur një tërmet politik është kuptuar në Bruksel vendimi i Komisionit për Industri dhe Tregti të Parlamentit Evropian për të refuzuar kandidaten nga Franca Sylvie Goulard për të qenë komisare për tregun e brendshëm.

Ajo ishte paraqitur dy herë para këtij Komisioni dhe, ndonëse kishte dëshmuar aftësi të mëdha për të ushtruar detyrën, nuk i kishte bindur ata se ka integritet personal që të ushtrojë detyrën e komisares, shkruan sot Koha Ditore.

Ajo nuk kishte arritur t’i bindë se si ishte dashur të jepte dorëheqje nga posti i ministres në Francë pasi ndaj saj po bëhen hetime, ndërkaq mund të jetë komisare e BE-së. Dy grupimet më të mëdha politike, Partia Popullore Evropiane ( EPP) dhe Social demokratët (S&D) e kanë parë këtë si një standard të dyfishtë dhe me një dallim të madh votash e kanë rrëzuar.

Pasi prapa saj ka qëndruar personalisht presidenti i Francës, Emanuel Macron, dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të dy këta ky vendim ishte një grusht i rëndë. Prandaj, tash diplomatët janë në pritje të reagimit nga Franca dhe përmendin rrezikun që të mos konfirmohet i tërë Komisioni Evropian.

Në fakt, Parlamenti mund ta konfirmojë vetëm Komisionin e tërë si ekip me 27 komisarë e jo vetëm pjesërisht. Liberalët, pjesë e të cilëve janë edhe Goulard dhe presidenti Macron, e kanë quajtur këtë vendim si një “vendim i motivuar nga interesat e ngushta politike”, ndërsa në Bruksel gjithnjë e më shumë flitet për një hakmarrje nga ana e konservatorëve të udhëhequr nga Manfred Weber, pasi Macron kishte rolin kryesor që ta parandalojë zgjedhjen e Weberit për president të Komisionit Evropian edhe pse ai ishte “Spitzen kandidat” (kandidat udhëheqës) i EPP-së fituese në zgjedhjet evropiane.

 

Dialogu, sfidë e vështirë për qeverinë e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Përfaqësuesit e dy subjekteve më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, LVV-së dhe LDK-së, janë zotuar se nuk do të ketë dialog me Serbinë, i cili do të shkojë në dëm të Kosovës. Por vlerësohet se zgjidhja përfundimtare e këtij procesi mund të mos jetë plotësisht e favorshme për Republikën e Kosovës.

Procesi i dialogut Kosovë – Serbi pritet të jetë njëra prej sfidave kryesore të qeverisë së ardhshme. Tash kur po bëhet një vit i plotë prejse ka ngecur ky proces, bashkësia ndërkombëtare po kërkon me ngulm që negociatat Kosovë – Serbi të rifillojnë sa më parë.

Ky presion ndërkombëtar ka rinisur menjëherë pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, rrjedhimisht ende pa u formuar qeveria e re.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, kanë thënë se në momentin që LVV-ja vjen në krye të Qeverisë, fillimisht do të bëhet një analizë e marrëveshjeve të deritanishme – të arritura në kuadër të dialogut, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Edhe zyrtarët e LDK-së, partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet sipas rezultateve preliminare, kanë konsideruar se duhet të bëhet një vlerësim i gjithë procesit të deritanishëm të dialogut me Serbinë.

Ata kanë përjashtuar çdo marrëveshje, e cila mund t’i sjellë dëm Kosovës.

Edi Rama: Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke vizatuar kufi etnik

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mbahet peng.

“Duhet përmbushur kushtet që s’kanë qenë të përmbushura deri sot. Duhet mirëkuptim në mes liderëve politikë shqiptarë dhe se duhet pranuar se ka opsione të ndryshme në diskutim. Kam qenë gjithnjë kundër shkëmbimit të territoreve për t’i rënë shkurt një procesi”, ka thënë Rama, njofton Klan Kosova.

“Por është e pamundur që të arrihet një përfundim nëse nuk ka dakordësi për kufirin. Një gjë duhet të jetë e qartë që nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke vizatuar kufi etnik. Ata që do të kenë barrën për ta ndërmarrë këtë proces duhet të jenë të hapur për ta gjetur rrugën që të ketë një zgjidhje”.

Rama ka thënë në intervistën e dhënë për Klan Kosova se ajo që është thelbësore është që krerët politikë shqiptarë të mos e etiketojnë njëri-tjetrin me terma si tradhtar por që ta shohin njëri-tjetrin si mundësi më shumë.

“Kam qenë, jam dhe do të jem mbështetës dhe respektues ndaj atyre që i ka zgjedhur populli i Kosovës. Asnjëherë nuk kam dalë publikisht për të bërë politikë të brendshme duke keqpërdorur marrëdhëniet e mia të mira me të gjithë”.,

“Unë nuk shoh filxhan dhe nuk jam profet. Është gjëja më normale që të përpiqemi që të bëjmë më të mirën për të zgjidhur ngërçin historik por jo me çdo çmim – jo në kurriz të Kosovës dhe Kombit Shqiptar. Për të zgjidhur një ngërç të tillë duhet të palët, ajo nuk mund të bëhet në mënyrë unilaterale”, u shpreh Rama.

Kurti tregon se çka i tha sot të dërguarit të SHBA’së për dialogun

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është takuar me emisarin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi.

Richard Grenell, i cili njëherësh është ambasador i SHBA’së në Gjermani, sot ka qëndruar në Prishtinë, ku, përveç me Kurtin, është takuar edhe me presidentin e vendit dhe me zyrtarë të tjerë institucionalë e politikë.

Kurti, partia e të cilit ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ka treguar, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, në internet, se çfarë qëndrimi ka mbajtur para të dërguarit të Trumpit.

“Sot u takova me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett”, ka shkruar Kurti.

“E falënderova z. Grenell për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA’së në Kosovë, në kohë lufte e në kohë paqeje”, ka bërë të ditur Kurti.

“Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë thash se përmbajtja e tij është më e rëndësishme sesa afatet”, ka treguar Kurti.

 

 

Osmani pret në takim ambasadorin e Norvegjisë, diskutojnë për dialogun

Periskopi.com Lajme

Sot, kandidatja e LDK-së për kryeministër,  Vjosa Osmani, takoi diplomatët norvegjez, Jens Erik Grondahl, Ambasador në Kosovë dhe Arne Sannes Bjornstad, Përfaqësues Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit diplomatët norvegjez ritheksuan gatishmërinë e shtetit të tyre për të ndihmuar në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, përkrah BE-së dhe shteteve të Kuintit.

Osmani falënderoi Grondhal dhe Bjornstad për bashkëpunimin e deritanishëm Kosovë-Norvegji në rrafshin diplomatik dhe ekonomik.

Njëkohësisht,  Osmani ripërsëriti qëndrimin e LDK-së për fqinjësi të mirë në Ballkan duke përfshirë gatishmërinë e LDK-së për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

 

Thaçi flet në telefon me ambasadorin Grenell, e mirëpret rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar sot një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel të cilin dje Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Udhëheqja e dialogut, obligim ligjor i qeverisë së ardhshme

Periskopi.com Lajme

Në rast se kandidatët për kryeministra vazhdojnë t’i mbajnë zotimet e tyre se do të udhëheqin me dialogun nëse e marrin mandatin e shefit të Qeverisë, roli i presidentit Thaçi në këtë proces do të zbehet.

Një gjë e tillë, sipas njohësve të çështjeve politike, ka mbështetje edhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin për Dialogun, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Të gjithë kandidatët për kryeministër nga të gjitha partitë politike janë shprehur të gatshëm ta udhëheqin dialogun Kosovë – Serbi në rast se vijnë në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ky proces konsiderohet të jetë ndër çështjet më të rëndësishme me të cilat do të merret qeveria e ardhshme. Por, ndryshe nga qeverisja e kaluar, e cila ia kishte kaluar kompetencat e dialogut presidentit Hashim Thaçi e njëjta nuk pritet të ndodhë me qeverinë e re, së paku jo sipas asaj që partitë po deklarojnë në fushatë.

Njohës të çështjeve politike konsiderojnë se presidenti Thaçi duhet të largohet nga ky proces dhe timoni i drejtimit të dialogut t’i kalojë qeverisë në ardhje.

Se Qeveria duhet të ketë rol udhëheqës në dialog e thotë edhe aktgjykimi i datës 27 qershor i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë aktgjykim Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria ka rol udhëheqës në dialogun me Serbinë, presidenti rol këshillues, ndërsa Kuvendi i Kosovës rol mbikëqyrës

Besa Luzha tregon cili është pozicioni i koalicionit AAK-PSD për dialogun dhe marrëdhëniet me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Besa Luzha duke shpërndarë një video nga debati në RTK i kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka treguar qëndrimin e këtij koalicioni për dialogun dhe marrëdhëniet me Sërbinë, përcjellë Periskopi.

Ajo ka thënë se është koha të besojmë fillimisht në subjektivitetin e shtetit tonë 100%.

Për më shumë lexoni postimin e plotë të Luzhës në facebook të cilin e gjeni më poshtë:

Haradinaj: Kosova nuk do të kushtëzohet më për dialog

Periskopi.com Lajme

Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, ka takuar sonte qytetarët e Vushtrrisë.

Haradinaj, veç tjerash, ka folur edhe për logjikën e gabuar të udhëheqësve paraprakë të Kosovës për dialogun.

Ai ka thënë se ata kanë vënë standard të keq duke lejuar që Kosova të kushtëzohet për dialogun.

Tash, kur po kërkohet heqja e taksës për dialogun, ai thotë se këto kushtëzime më nuk do të ndodhin.

“Kërkohet qysh tash që ne të paguajmë diçka, për t’u kthyer në dialog me Serbinë. Është një logjikë e gabuar, që e kanë sjellë udhëheqësit e mëhershëm”, ka thënë Haradinaj në Rubikon.

 

Kuçi: Taksën e negociojmë në Bruksel, në ftesën e parë duhet të ulemi në tavolinë

Periskopi.com Lajme

Numri dy i PDK-së dhe i dyti në listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo parti ka qenë më konkretja në çështjen se si duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë.

“Kadri Veseli ua ka dhënë një dokument të shkruar partive, se si duhet të bëhet kjo punë. Ajo që është me rëndësi është që të arrihet konsensusi nacional, në dy pika. E para, jo vetëm në politikë, por edhe në autoritetet morale të shoqërisë, gazetarë e të tjerë. Dhe e dyta konsensusi kushtetues, që arrihet me së paku 80 deputetë”, ka thënë Kuçi, teksa ka shprehur kritika për ekipin e kaluar të dialogut, që e bashkëdrejtonin Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

“Pa të keq po e them, unë kam thënë se nuk do të mundet ky ekip të arrijë marrëveshjen. Një dialog që nuk e udhëheq PDK-ja dhe nuk merr pjesë LDK-ja dhe partitë e tjera, nuk mund të arrihet konsensusi”, ka thënë Kuçi, në Interaktiv të KTV-së.

“Duhet të krijojmë një unitet brenda nesh, ta prezantojmë atë para bashkësisë ndërkombëtare dhe të kërkojmë një unitete edhe brenda faktorit ndërkombëtar. Sa herë ka pasur hendek brenda faktorit ndërkombëtar, kemi pasur probleme”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se vetë ai më herët e ka përmendur një marrëveshje të mundshme me Serbinë, të cilën e ka quajtur Traktat i Paqes.

“Ne kemi nevojë ta mbyllim çështjen me Serbinë. Nuk duhet t’i frikësohemi SHBA-së dhe BE-së. Kosova me Serbinë nuk merren vesh kurrë, edhe 100 vjet. Ne duhet të negociojmë në partneritet me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë Kuçi.

Kur ka folur për taksën, Kuçi ka thënë se ajo duhet të shqyrtohet në Bruksel, por se dialogu duhet të vazhdojë.

“Ftesa e parë që na vjen për bisedime duhet ta prejmë biletën dhe të ulemi në tavolinë. Taksa nuk është problemi më i madh që e kemi me Serbinë. Nëse dikush më thonë se problemi kryesor është taksa, nuk e pranoj”, ka thënë Kuçi.

“Ulemi dhe e diskutojmë heqjen taksës. Heqja e taksës negociohet në Bruksel, si pjesë e marrëveshjes së paqes, Traktat ose si të doni t a quamë, e cila pos që duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Serbisë, duhet të miratohet edhe në OKB”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta hartojë planin e saj të marrëveshjes dhe të shkojë në Bruksel dhe ta prezantojë atë.

Duke folur se kush duhet ta drejtojë dialogun, dhe nëse atë do ta drejtojë Kadri Veseli nëse arrin që të bëhet kryeministër, Kuçi ka thënë se “Qeveria e Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë e veta kushtetuese”.

Sipas tij, me këto përgjegjësi kushtetuese as Presidenti nuk mund të hiqet prej loje.

“Nuk duhet të kemi frikë nga kjo. Kosovën nuk mund ta dëmtojë një njeri. Në demokraci, asnjë njeri, i gjallë as i vdekur, nuk mundet ta dëmtojë një shtet”, ka thënë Kuçi.

 

Molliqaj: Sa për LDK’në e VV’në, s’do të kishim fare zgjedhje – Dialogun e ndali Ramush Haradinaj

Periskopi.com Lajme

Kandidati për deputet të PSD’së, Dardan Molliqaj sonte në Magazina Zgjedhore ka thënë se LDK dhe VV nuk e ndalën dialogun, se sa për këto dy parti, nuk do të kishte fare zgjedhje, transmeton Periskopi.

‘’Sa për LDK e VV, dialogu do të vazhdonte dhe s’do të kishte fare zgjedhje. Njeriu që ka më së shumti merita për ndaljen e këtij procesi, është Haradinaj. Sa për LDK do të vazhdonte cështja deri në fund’’,ka thënë Molliqaj.

‘’Vetë LDK nëse mendon që është transparencë me ardh Mustafa dhe me thënë këtë marrëveshje e arrita pa asnjë takim me partitë opozitare. Dikush që shkon e kryen krejt marrëveshejn dhe vjen në Kuvend, aty s’ka më’’, shtoi Molliqaj./PERISKOPI/

 

 

 

 

Haradinaj për herë të parë: Serbia i kërkoi 950 kilometra katrorë nga Kosova

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka zbuluar për herë të parë se sa territor të Kosovës ka kërkuar Serbia.

Ai ka thënë se Serbia ka kërkuar t’ia marrë Kosovës 950 kilometra katrorë.

“950 kilometra të Kosovës i ka lypë Serbia. Konkretisht. Tema e ndarjes nuk është më në tavolin, kanë evolu gjërat. Vuçiq e përdor ende ndarje. Ata e bëjën punën e vet”, tha ai.

Haradinaj tha se Vuçiq ende ankohet në qarqe të ndryshme pse Kosova nuk është pajtuar me marrëveshjen.

Haradinaj tha se serbët janë të koordinuar, por në Kosovë mungon ky koordinim,

“E luajnë policinë e mirë e të keq. Vuçiqi policin e mirë, Daçiqi të keqen. Ata kanë koordinim, por na jo. Hashim po e lun policin e mirë, por kundër vendit të vet. Unë policin e keq, por po e mbroj Kosovën”, tha Haradinaj.

Hoxhaj: Për dialog të ketë konsensus politik

Periskopi.com Lajme

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, sonte në Rubikon duke folur për dialogun me Serbinë ka thënë se  duhet të arrihet consensus politik për këtë çështje, transmeton Periskopi.

‘’Dialogu e ka determinuar fatin e kësaj qeverie sikurse demarkacioni i cili poashtu i ka dhënë fund qeverisë në vitin 2017.Të gjitha partitë politike në Kosovë nuk kanë dallime të mëdhaja. Së pari duhet të ketë konsensus politik’’, ka thënë Hoxhaj.

‘’Shpesh herë është përdor për qëllime të brendshme edhe pse ka qenë e jashtme.Dialogu duhet të jetë në dy nivele, atë të kuvendit dhe të qytetarëve të Kosovës’, përfundon Hoxha./PERISKOPI/

Gorani: Dialogu ose do ta fuqizojë Qeverinë e ardhshme ose do ta rrëzojë

Periskopi.com Lajme

Dukagjin Gorani nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të rikthehet fuqishëm aty ka stagnuar dialogu me Serbinë, transmeton Periskopi.

Gorani sonte në Rubikon ka theksuar se dialogu ose do ta fuqizojë qeverinë e ardhshme ose do ta rrëzojë.

‘’Cilado qeveri që vjen duhet me vazhdu përpjekjen. Sikurse edhe në Qeverinë e mëhershme, edhe kjo e ardhmja do të definohet përmes procesit të dialogut. Dialogu do ta fuqizojë Qeverinë e ardhshme, ose do ta rrëzojë’’, ka thënë Gorani.

‘’Qeveria e mëhershme për shkak të qëndrimeve të kundërta, nuk ka mujt me përfundu mandatin e vetë të plotë. Komuniteti politik i  takon të rikthehet aty ku ka mbetur ky proces. Gjetja e konsesusit’’/PERISKOPI/

 

 

Haradinaj në SHBA takon Palmerin: Dialog pa kushte dhe me kornizë të qartë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë, gjendet në SHBA në ditën e parë të fushatës dhjetëditore që ka nisur në Kosovë.

Nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se ka takuar një zyrtar të lartë amerikanë. Ai ka publikuar një fotografi me Zëvendësndihmës Sekretarin, Metthew Palmeri, i cili është i dërguar i posaçëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Si duket Haradinaj ka marrë mbështetje nga Palmer për dialog pa kushte me Serbinë dhe me kornizë të qartë për formatin e temat që do të bisedohen.

“Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me SHBA-në. Rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike. Caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Mattheë Palmer, si i dërguari i posacëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga ShBA-ja”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Haradinaj ka thënë se ka shprehur gatishmërinë para Palmerit që të arrihet një marrëveshje ligjore për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues. “Në takim me Palmer, në Neë York, theksova edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues , ka shkruar ai në fund.

 

Molliqaj: Kush voton për LDK’në, voton për konceptin e Zajednicës

Periskopi.com Lajme

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Dardan Molliqaj, ka thënë se LDK për vazhdimin e shtetit e ka idenë e Asociacionit të komunave serbe (Zajednicën), shkruan Periskopi.

Molliqaj u shpreh se LDK do ta përkrah idenë e Zajednicës.

“Koncepti i LDK për vazhdimin e shtetit te Kosovës e përfaqëson këtë linjën (Zajednicën)”, u shpreh ai në Klan Kosova.

“Kush voton për LDK’në voton për konceptin e Zajednicës”, ka thënë ai.

Tutje, ai theksoi se qeveria e ardhshme është qeveri ekskluzive për dialogun me Serbinë./Periskopi/

 

A do të ketë emisarë të tjerë në dialogun Kosovë-Serbi?

Periskopi.com Lajme

Emërimi i amerikanit Mathew Palmer, si i ngarkuar special për Ballkanin ka shtuar zërat që edhe BE-ja duhet të emërojë një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Emërimi nga administrata amerikane i Mathew Palmer-it, si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor që do të jetë edhe lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, ka shtuar zërat që edhe Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë e emërimit të një të ngarkuari special për bisedimet Kosovë-Serbi. Burime diplomatike nga Brukseli, thonë se gjatë muajit tetor kjo çështje do të diskutohet ndër strukturat e reja të BE-së.

Shefi i ri i diplomacisë evropiane, Jozep Borrel, i cili pason Federika Mogherinin, që ndërmjetësoi dialogun Kosovë-Serbi, vjen nga Spanja, shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe sipas analistëve në Prishtinë, kjo e bën shumë delikate situatën, nëse zoti Borrel mund ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi.

Pikërisht kjo ka bërë që në qarqet e BE-së të flitet gjithnjë e më shumë që gjatë muajit tetor, pas konfirmimit të spanjollit Jozep Borrel nga Parlamenti Evropian si shef i diplomacisë evropiane, që ai ta emërojë një të dërguar special të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi. Në mediet në Prishtinë shkruhet se edhe Gjermania mund ta emërojë një të dërguar special në dialogun Kosovë-Serbi, por kjo tash për tash është hedhur poshtë nga ambasada gjermane në Prishtinë, e cila thotë se ky proces duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, shkruan DeutcheWelle.

“Gjermania e mbështet dhe ndjek nga afër dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Gjermania do të vazhdojë ta bëjë këtë përzemërsisht me Komisionin e ri të Bashkimit Evropian”, kanë thënë zyrtarë të ambasadës për mediet lokale.

Edhe njohësi i çështjeve në Ballkan, Naim Rashiti nga Instituti për Politika Ballkanike, i tha DW-së, se ai “nuk mendon se Gjermania do ta emërojë një të dërguar special për dialogun, sepse Gjermania dhe Franca, duan ta ruajnë kredibilitetin e BE”.

“Gjermania është e interesuar që të ketë sukses, një marrëveshje Kosovë-Serbi si një lloj shpërblimi për përmbylljen e mandatit të zonjës Merkel. Gjermania do të udhëheqë me BE-në në pjesën e dytë të vitit 2020 dhe pastaj Gjermania pas vitit 2020, do ta kryesojë edhe Këshillin e Sigurimit dhe ajo është e interesuar që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të marrë një përmbyllje gjatë këtyre viteve, kur ka një rol të shtuar të Gjermanisë. Unë mendoj që Gjermania do të kërkojë nga Jozep Borrel, shefi i ri i diplomacisë evropiane që të emërojë një përfaqësues të lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa çështje tjetër mbetet koordinimi SHBA-BE në këtë dialog”, thotë Naim Rashiti.

Analisti Rashiti ka dyshime nëse Jozep Borreli, mund të jetë i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi për këto arsye:

“Nëse shefja e deritashme e BE-së, Federika Mogherini, Gjermania, Franca, përkatësisht zonja Merkel dhe Presidenti Macron, nuk arritën që të rifillojnë dialogun Kosovë-Serbi, është pak e besueshme që tash Jozep Borrel do t’i bindë vetë palët që ta rifillojnë dialogun dhe kjo për mua përbën skepticizëm për fazën e ardhshme të dialogut”, thotë Naim Rashiti.

Ndërkohë, një ekspert tjetër amerikan për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, Janos Bugajski, thotë se nëse Bashkimi Evropian emëron emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, ai patjetër duhet të punojë ngushtë me emisarin amerikan Mathew Palmer, duke koordinuar veprimet dhe duke pamundësuar kështu që edhe Rusia të kërkojë një ndërmjetës të vetin në këto bisedime.

“Nëse emërohet një emisar special i BE-së për Ballkanin ai duhet të punojë ngushtë me Mathew Palmer, të jenë në një linjë dhe të kenë të njëjtin qëllim. Të gjitha marrëveshjet në rajon janë realizuar deri tash pikërisht për faktin që rusët nuk kanë qenë të përfshirë. Çdo përfshirje e tyre do të nënkuptonte sabotim të procesit dhe të çfarëdo lloj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve do të duhej të rezultonte me njohje reciproke”, tha Janos Bugajski në një intervistë për mediat publike në Kosovë.

Kosova në këtë fazë është në periudhë zgjedhjesh që do të mbahen me 6 tetor. I ngarkuari amerikan për Ballkanin Methew Palmer, ka deklaruar se ai do ta bëjë të qartë se “pritshmëria e tij nga qeveria e ardhshme e Kosovës është një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë taksat ndaj mallrave serbe, të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, ta formojë një ekip negociator të fuqizuar, i gatshëm të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka deklaruar Palmer.

Sipas tij, pezullimi i taksave ndaj mallrave të Serbisë dhe fundi i fushatës diplomatike serbe për bllokimin e njohjeve të Kosovës është një bazë e mirë që palët të kthehen në tavolinën e bisedave drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në nëntorin e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave serbe. Kjo masë e Prishtinës ishte si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë kundër dhe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Analistët në Prishtinë thonë se emërimi i Matthew Palmer, si i ngarkuar amerikan për Ballkanin perëndimor, tregon qartë se Shtetet e Bashkuara duan të përfshihen shumë më tepër në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të zgjidhet para përfundimit të mandatit të administratës së Donald Trump-it.

Sherifi: Para dialogut me Serbinë, Limaj do të kërkojë dialog për taksën

Periskopi.com Lajme

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se nëse i fitojnë zgjedhjet kanë plane se si do t’i qasen dialogut me Serbinë.

“Dialogut i jemi përgjigjur që në këtë legjislaturë. Limaj ka qenë njëherë i emëruar nga qeveria si udhëheqës i delegacionit shtetëror, pastaj së bashku me Shpend Ahmetin janë zgjedhur nga Kuvendi si bashkëkryesues dhe gjithashtu Parlamenti i Kosovës ka miratuar një platformë për dialog me Serbinë. Pra, Limaj nuk do të bëjë asgjë tjetër pos platformës së miratuar nga Kuvendi, në rast se do të zgjidhet kryeministër do ta riaktualizojë dhe bisedimet do t’i zhvillojë mbi bazën e kësaj platforme”, thotë ai.

Por para se ta vazhdojë dialogun për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Nisma për Kosovën ka në plan që të fillojë një dialog me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për taksën.

Sherifi thotë se taksa nuk duhet hequr pa kushte, por shton se Limaj ka një plan për këtë problem, i cili ka bllokuar dialogun me Serbinë.

“Të gjithë e dimë se kushti i Serbisë për të heqë taksën ka bllokuar dialogun dhe jo përmbajtja e platformës, apo përmbajtja  e delegacionit. Tani ne të gjithë e dimë që meqë taksa është bërë pengesë për të ecë përpara në dialog, gjithsesi që qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë këtë çështje. Limaj do ta ketë këtë qëndrim, para se të fillojë dialogu për marrëveshjen me Serbinë, duhet të fillojë një dialog me ndërmjetësim të partnerëve ndërkombëtarë për taksën”.

“Pra, dialog për taksën, para se të fillojë dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ne nuk mendojmë se taksa duhet të hiqet me automatizëm, por mendojmë se gjatë dialogut Limaj do të shtojë një numër të madh të kushteve që duhet të plotësojë Serbia për t’u suspenduar taksa në funksion të vazhdimit të dialogut për një periudhë 30 apo 40 ditore. Mirëpo, para kësaj Serbia duhet të plotësojë një numër të madh të kushteve”, thotë ai.

Sherifi thotë se Nisma për Kosovën nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike parlamentare dhe se do të bashkëpunojnë me secilën parti.

“Nisma ka një pozicion shumë parimor. Na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në fuqi dhe e precizon që kushdo që i fiton e ka të të garantuar që askush nuk mund të bëjë qeveri pa të. Pra, meqë askush nuk mund të zgjedhë as kryetarin e Kuvendit, as të konstituojë kryesinë e Kuvendit dhe as të fillojë procesi i zgjedhjes së qeverisë, atëherë ne vetëm mund të bëjmë lojë fjalësh para zgjedhjeve sepse pas zgjedhjeve askush nuk do të mund të mbajë pozicione kundër njërit apo kundër tjetrit”, thotë ai.

Megjithatë, sekretari i Nismës Socialdemokrate thotë se një marrëveshje me partinë fituese për bashkëqeverisje do të jetë e mundshme vetëm nëse merren parasysh kërkesat e tyre që ndërlidhen me platformën politike.

“Nëse i fitojmë zgjedhjet si koalicion do të bisedojmë me të gjitha partitë politike që janë në parlament dhe do të vendosim të bëjmë qeverinë me ato parti që mund të harmonizojmë programin. Nëse kushdo që del e para dhe ka një ofertë për Nismën ne do të jemi të gatshëm që ta shqyrtojmë atë ofertë dhe do të mundë të bëhemi pjesë e qeverisë vetëm në rast se në program qeveritar do të mund të zënë vend do çështje shumë të rëndësishme kauzale për Nismën Socialdemokrate që ka të bëjë me të drejtat e punëtorëve, me pagën minimale, me reformën sociale, me sigurimet shëndetësore dhe disa pika për të cilat ne konsiderojmë që në periudhën e ardhshme 3 deri 4 vjeçare duhet gjithsesi të gjejnë vend në programin qeveritar. Në parim qëndron programi i Nismës, e jo emri i partisë”, thotë ai.

Nisma Socialdemokrate këtë mandat ishte në koalicion me PDK-në, AAK-në dhe AKR-në, ndërsa udhëhoqi me dy ministri, atë të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të Arsimit./eo