Familja e Naser Makollit kërkon hetim të ri për vdekjen e tij pas raportit zviceran për Deharin

Periskopi.com Lajme

Naser Makolli e Astrit Dehari ishin shokë dhome në qelinë e paraburgimit në Prizren për disa muaj.

Ata ishin lidhur e Makolli ishte personi i parë që pasditen e 5 nëntorit e gjeti të vdekur Deharin në qeli.

Por, sipas familjes së tij, vetëm disa muaj pas kësaj ngjarjeje, atij filluan t’i shfaqen probleme shëndetësore, e rreth 5 muaj më pas, ai vdiq, siç u tha nga organet, për shkak të problemeve në lukth.

Megjithëkëtë, tani, familja e Naser Makollit ka dyshime për rrethanat e vdekjes së tij.

Për ta, shtytje për të kërkuar drejtësi është ekspertiza zvicerane që konstatoi se në vdekjen e Deharit kishte dorë edhe një person i tretë.

Ndërkaq, bashkëshortja e Naser Makollit, Suzana Makolli, beson se ai u vra pikërisht për shkak të afërsisë me Astrit Deharin.

Sipas saj, Makolli, pas vdekjes së Astritit, kishte filluar të kishte probleme.

Bashkëshortja e Naser Makollit thotë se ndryshimet më të mëdha i ka vërejtur në fizikun e tij, për shkaqe që nuk dihen.

Familjarët e Naser Makollit thonë që posedojnë materiale që lidhen me Astrit Deharin e që tregojnë për relacionin që ky i fundit kishte me Makollin.

Ndërkaq, njoftojnë se ligjërisht do të kërkojnë edhe sqarime për vdekjen e tij.

Zharku: Jam ftuar si dëshmitar në hetimet për 53 milionëshin, rast korruptiv

Periskopi.com Lajme

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i është kthyer edhe njëherë çështjes së 53 milionë eurove, të cilat Qeveria Haradinaj ia dha Bechtel & Enkas, në emër të vonesave të pagesave.

Për këtë, Pal Lekaj, ministër aktual i Infrastrukturës, si dhe qeveria aktuale e akuzojnë qeverisjen e kaluar dhe Lutfi Zharkun si ish-ministër i Infrastrukturës.

Por ky i fundit vazhdon të insistojë se shuma që është dashur që Kosova t’ia paguajë Bechtelit vetëm pak mbi 14 milionë euro.

“Po bëhen gati 1 vit kur e kemi pasur në Kuvend interpelancën për këto 53 milionë, unë kam mbajtur gjysmë ore duke ua marrë kohën edhe kolegëve deputetë të LDK-së. Kjo shumë, pra 53 milionë euro, nuk është në përputhje as me kontratën me Bechtel & Enkan të cilën e menaxhon Hill International si dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Zharku në KTV.

“Shuma e vetme ligjore që është dashur të paguhet ka qenë rreth 14 milionë euro. Çdo shumë tjetër që është paguar përtej kësaj shume, është e jashtëligjshme”, ka thënë Zharku.

Ai ka konfirmuar çështjen e hetimeve mbi këtë shumë.

“Jam thirr në cilësinë e dëshmitarit nga Policia e Kosovës për çështjen e 53 milionëshit”, ka thënë Zharku.

“Nuk e di si ta quaj, por rastet e tilla janë tipike korruptive”, ka thënë Zharku. “Çka ka ndryshuar që brenda 7 muajsh 14 milionëshi u bë 53 milionë”, ka thënë ai si pyetje që duhet shtruar.

Seanca për rastin ‘Syri i Popullit’ përfundon me Hashim Thaçin dëshmitar

Periskopi.com Lajme

Seanca për rastin “Syri i Popullit”, ka përfunduar. Dëshmitari i fundit ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kishte kërkuar që seanca të mbahet e mbyllur, sepse sipas tij do të rrezikohet sekreti shtetëror.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi ka përsëritur se do të paraqes kallxim penal ndaj Kadri Veselit.

Ai ka shkuar edhe më tej. Sipas tij sjellja e këtij të fundit gjatë seancës së sotme, ka dëshmuar se gjykatat nuk janë të pavarura.

“Sot ka ndodhur diçka e çuditshme, kryeparlamentari i Kosovës shkel me dy këmbët ligjin. Kryeparlamentari i Kosovës sulmon të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës fyen të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës i fyen edhe mbrojtësit e tyre. Andaj ky nuk është nivel i një kryeparlementari dhe kjo flet mjaft se në çfarë gjendje jemi. Është vërtetuar që ky gjyqësor me të vërtetë nuk është i pavarur. Ky gjyqësor nuk guxon t’ia tërheq vërejtjen kryeparlamentarit. Ky gjyqësor tregoi që kryeparlamentari i Kosovës është më i madh se gjykatësit”, tha ai.

Sipas Krasniqit, për politikanët që udhëheqin, Vetëvendosja është obsesion.

“Unë do të paraqes kallximin penal në momentin që do e marr proces verbalin e këtij shqyrtimi, sepse në deklaratën e Kadri Veselit ka shpifje të natyrës më të rëndë që mund t’i bëjë një kryetar i parlamentit ndaj të akuzuarit. Shpifje pa asnjë bazë. Shpifje drejtuar ndaj Ramabajës dhe Vetëvendosjes dhe unë i thashë edhe presidentit që me gjasë Vetëvendosje është obsesion i këtyre njerëzve që udhëheqin politikën”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka njoftuar se në këtë seancë është vendosur, që seanca e radhës të mbahet me 25 janar.

 

E padëgjuar më parë: 907 dëshmitarë në aktakuzën kundër Milaim Zekës

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka pritet të dalë më 2 tetor të këtij viti para drejtësisë. Atë po e akuzon shteti për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë një aktakuzë prej 58 faqesh. Ka renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit. Ka propozuar fiks 907 dëshmitar kundër tij. Zeka akuzohet se me anë të mashtrimit përfitoi 345 mijë e 700 euro së bashku me Ilir Krasniqin. 145 mijë euro akuzohet se i ka pastruar në bashkëpunim me biznesmenin, Edmond Kërliu. Akuzohet po ashtu se shtetit nuk ia ka paguar 141 mijë e 173 euro. Insajderi sjell të plotë aktakuzën kundër tij.

Gjykimi i Milaim Zekës, mund të jetë një prej gjykimeve më të gjata që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Jo për shkak të kompleksitetit të rastit, por për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro.

354 personave u janë kthyer paratë pas nisjes së hetimeve kundër deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Shuma e parave të kthyera kap vlerën e 83 mijë e 850 euro. 546 vetave nuk u janë kthyer akoma paratë.

Insajderi ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, kundër Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, të cilët akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Në aktakuzë janë renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit, të cilët janë propozuar si dëshmitarë.

Me anë të provave materiale dhe dëshmitarëve, Prokuroria po pretendon ta dërgojë në burg Zekën, për një kohë të gjatë.

Insajderi ka mësuar se tashmë është caktuar edhe seanca e parë kundër të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ata do të dalin para drejtësisë më 2 tetor të këtij viti.

Pika e parë e aktakuzës ngarkon Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin për veprën penale të mashtrimit. Aty thuhet se që nga fillimi i vitit 2016, deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, Zeka e Krasniqi kanë hapur biznesin me emrin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” si agjenci punësimi, dhe kanë paraqitur fakte të rrejshme kinse punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani.

Ata, siç thuhet në aktakuzë nëpërmjet emisionit “Pa Rrotlla” që transmetohet në RTK, kanë joshur kosovarët që të aplikojnë për viza pune në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Zeka e Krasniqi, akuzohen se kanë mashtruar 90 kosovarë duke ua marrë nga 500 deri në 3 mijë e 50 euro. Vlera totale e këtij mashtrimi arrin në 345 mijë euro.

Për biznesin e mashtrimeve me viza, deputeti i Nismës së udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi akuzohen edhe për shmangie nga tatimi.

Kësisoj, ata akuzohen se e kanë vjedhur shtetin duke mos i paguar tatimet, në vlerë prej 59 mijë e 981 euro e 85 centë.

Me një pikë të vecantë të pastrimit të parave, akuzohen Milaim Zeka dhe biznesmeni nga Maqedonia, Edmond Kërliu.

Kërliu, akuzohet se Milaim Zekës ia ka pastruar 153 mijë e 901 euro të cilat dyshohet se i pa përfituar nga mashtrimi me viza të 900 kosovarëve.

“Gjatë periudhës kohore nga data 1 korrik 2016, deri më 31 dhjetor 2016 në Prishtinë, fillimisht i pandehuri Milaim Zeka me qëllim të fshehjes dhe shmangies nga tatimi të biznesit të tij, N.Sh. Qendra Mediale ‘Mozaiku i Kosovës’, ka bërë transfero të dyshimta nga llogaria e tij bankare, në llogarinë e kompanisë ‘ENK&CO”, pronë e të pandehurit, Edmond Kërliu”, thuhet në aktakuzë.

Aty përmenden 11 transaksione bankare në shumë të përgjithshme prej 153 mijë e 901 eurove, në emër të blerjes së tri banesave. E gjithë kjo shumë parash, ia ka kthyer Kërliu Zekës kinse në emër të huazimit.

Banesat që thuhet se janë blerë nga Zeka të cilat gjenden në kompleksin banesor-afarist, “Nartel Center”, janë sekuestruar nga Gjykata deri në përfundim të gjykimit. Nëse të akuzuarit shpallen fajtor, atëherë shteti do të bëhet pronar i këtyre tri banesave.

Deputeti Milaim Zeka, akuzohet po ashtu se me anë të kompanisë mediatike “Mozaiku i Kosovës”, me dashje i është shmangur detyrimeve ndaj shtetit. Ai akuzohet se në bazë të gjetjeve të Administratës Tatimore, 81 mijë e 192 euro e 72 centë i është shmangur shtetit.

Me një pikë të veçantë të aktakuzës për pastrim parash akuzohet edhe, Ilir Krasniqin. Ai akuzohet se ka pastruar 57 mijë euro me anë të kinse blerjes së një lokali afarist dhe një veture.

Krasniqi, akuzohet se më 18 nëntor 2016, nga llogaria e tij bankare ka transferuar 46 mijë euro në llogarinë bankare të Arsim Retkocerit, në emër të blerjes së një lokali në Matiçan në sipërfaqe prej 86.7 metra katrorë.

Mbi provat materiale të siguruara nga hetimet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, Shteti pritet që muajin tjetër ta nxjerr Milaim Zekën, para drejtësisë për të dhënë llogari për krimet që dyshohet se i ka kryer, si ndal 900 kosovarëve duke i mashtruar ata, ashtu edhe ndaj shtetit duke pastruar para dhe duke mos paguar tatimet e obligueshme.

Vitin e kaluar Insajderi zbuloi mashtrimet e Milaim Zekës, duke botuar një seri shkrimesh për këtë veprimtari. Disa ditë më vonë ai u arrestua dhe u mbajt nën masën e arrestit shtëpiak. Hulumtimi dëshmonte se si, Zeka i cili qante nëpër studio televizive duke iu dhimbsur njerëzit në Kosovë, dhe akuzonte secilin që i dilte përpara për korrupsion, ishte i përfshirë në një aferë të madhe mashtrimi e përfitimi të kundërligjshëm.

Lista e dëshmitarëve kundër Milaim Zekës:

Gjykata Speciale: Paraqiten dëshmitarët e parë të krimeve në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Viktima të të gjitha llojeve të krimeve që do të trajtohen nga Gjykata Speciale, siç i referohen në Kosovë Dhomave të Specializuara, janë lajmëruar në Hagë.

Secili ka një histori lufte për të rrëfyer para drejtësisë.

Disa prej tyre tashmë kanë vënë kontakt me shefen e zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave Silke Studzinsky, e cila rrëfen ekskluzivisht për Gazetën inFokus, punën e saj që do të ketë me ata të cilët kanë pësuar nga krimet e mundshme në Kosovë.

Ajo është në pritje të publikimit të aktakuzave të para për të ditur saktësisht akuzat dhe vendet e krimit.

“Pastaj, njerëzit që kanë pësuar dëm si rezultat i një prej krimeve në aktakuzë mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse”, tregon Studzinsky për inFokus, e cila vazhdimisht i inkurajon të dëmtuarit që të mos kenë frikë të flasin.

Sipas saj viktimat mund të aplikojnë menjëherë pas publikimit të aktakuzave, që do të thotë se ata mund të kontribuojnë në një rast tashmë të përgatitur nga prokuroria.

Por, çfarë do të ndodhë me viktimat e tjera që nuk do të kenë mundësi të dëshmojnë nëse nuk do të ketë aktakuzë për “agresorët” e tyre?

Në këtë intervistë, Studzinsky tregon në detaje arsyet përse një pjesë e vuajtjeve të qytetarëve gjatë luftës në Kosovë nuk do të mund të gjykohet.

“Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar”, tregon ajo për të rrëfyer në hollësi punën që do të ketë deri në përfundim të mandatit të Gjykatës Speciale.

inFokus – Cili është roli i Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave?

Silke Studzinsky- Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave (ZPP) është pjesë e zyrës Administrative, që është organi përgjegjës për administratën dhe shërbime të tjera në Dhomat e Specializuara.

Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave administron sistemin e Pjesëmarrjes së Viktimave, listën e avokatëve të viktimave dhe sistemin e pagesës për përfaqësimin ligjor të viktimave.

Përveç kësaj, zyra ime mund të ofrojë ndihmë për viktimat në lidhje me procedurat penale.

inFokus – Si do ti arrini viktimat e krimeve që mund të kenë ndodhur 20 vjet më parë?

Silke Studzinsky- Deri më tani nuk e di kush janë viktimat. Vetëm kur një padi bëhet publike do ti dimë akuzat dhe vendet e krimit. Pastaj, njerëzit që kanë pësuar dëm si rezultat i një prej krimeve në aktakuzë mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse.

Për momentin, unë u drejtohem komuniteteve të ndryshme dhe i informoj ata për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe sistemin e pjesëmarrjes së viktimave.

inFokus – A besoni se të gjitha viktimat do të jenë në gjendje t’ju kontaktojnë me anë të postës elektronike ose postës direkte? Si do t’i bëni të aplikojnë për statusin e viktimës?

Silke Studzinsky– Viktimat e mundshme të krimeve mbi të cilat kanë juridiksion Dhomat e Specializuara mund të jetojnë në Kosovë apo gjetkë. Unë vazhdoj t’i drejtohem viktimave të mundshme dhe përfaqësuesve të këtyre komuniteteve. Sapo aktakuza të bëhet publike, personat do të jenë në gjendje të aplikojnë përmes një formulari aplikimi. Mesazhi do të shpërndahet jo vetëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara, por edhe përmes mediave të tjera. Përveç kësaj, po punojmë në ndërtimin e një rrjeti me OJQ-ve që lidhen me komunitete të ndryshme në Kosovë.

Shpresoj që të gjithë ata që janë viktima të krimeve që do të akuzohen do të jenë të informuar mjaftueshëm në mënyrë që ata të mund të shfrytëzojnë forma të ndryshme për të marrë aplikacionet në zyrën time në Hagë.

inFokus – A mund të jenë viktimat edhe dëshmitarë në të njëjtën kohë?

Silke Studzinsky- Po, kjo është e mundur. Ata mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse me një numër të të drejtave në procedurë. Në të njëjtën kohë, njëra nga palët mund të vendosë t’i thërrasë ata si dëshmitarë.

inFokus – Për aq sa dimë, viktimat mund të aplikojnë menjëherë pas publikimit të aktakuzave, që do të thotë se ata mund të kontribuojnë në një rast tashmë të përgatitur. Çfarë do të ndodhë me viktimat e tjera që nuk do të kenë mundësi të dëshmojnë nëse nuk do të ketë aktakuzë për “agresorët” e tyre?

Silke Studzinsky- Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar.

Në lidhje me politikën dhe strategjitë e prokurorisë, do të ishte e përshtatshme të diskutohej me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Duhet të rikujtoj se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion mbi krimet e kryera ose të filluara në Kosovë gjatë periudhës përkatëse nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 dhe që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën Raporti i Dick Marty.

Ligji i jep Prokurorit të Specialuzuar autorizimin për të zgjedhur rastet që do t’i sjell Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

inFokus – A është paraqitur ende ndonjë viktimë në zyrën tuaj dhe pse?

Silke Studzinsky – Viktima të të gjitha llojeve të krimeve kanë kontaktuar me mua për të marrë informacion në lidhje me sistemin e pjesëmarrjes së viktimave. Vetëm pasi të jetë konfirmuar dhe publikuar aktakuza ne do ti dimë akuzat dhe rrjedhimisht kush mund të bëhet viktimë pjesëmarrëse në procedurë.

inFokus – Shumica e njerëzve në Kosovë kanë frikë të flasin për krimet e mundshme të zyrtarëve të UÇK-së. Çfarë ju bën të besoni se viktimat nuk do të kenë frikë të flasin?

Silke Studzinsky- Është shumë e rëndësishme të kuptohet se sipas Rregullores së Punës së Dhomave të Specializuara, formularët e aplikimit do të mbahen konfidencial. Ato nuk do t’i zbulohen Mbrojtjes apo Prokurorisë. Kjo do të thotë që nëse viktimat nuk duan të zbulojnë se ata kanë aplikuar për pjesëmarrje, identitetet e tyre do të mbrohen nga zbulimi.

Në këtë rast, megjithatë, ata duhet të jenë gjithashtu të kujdesshëm dhe të mos ndajnë me këdo faktin (informacionin) se po marrin pjesë.

Natyrisht, pjesëmarrja e viktimave është vullnetare. Shpresoj shumë që më shumë viktima do të aplikojnë për pjesëmarrje sapo të kuptojnë se nuk janë vetëm dhe se janë shumë.

inFokus – Në histori, të gjithë kriminelët i njohin viktimat e tyre. A mendoni se zyrtarët e dyshuar të UÇK-së mund të arrijnë viktimat para jush dhe t’i detyrojnë ata të mos flasin?

Silke Studzinsky- Siç tregojnë rastet nga gjykatat dhe tribunalet e tjera, nuk është domosdoshmërisht rasti që autorët e veprave penale i njohin viktimat që do të marrin pjesë në procedurë. Për shkak të pozicionit dhe vendndodhjes së tyre, disa keqbërës nuk mund të dinë identitetin aktual të viktimave.

Për më tepër, mund të ndodhë që më shumë viktima “indirekte” do të aplikojnë dhe t’u jepet e drejta për pjesëmarrje – për shembull, anëtarët e familjes së atyre që kanë vuajtur drejtpërdrejt nga krimet. Shpesh, ata nuk do të dinë se çfarë ka ndodhur, dhe në këtë rast, ata nuk do të bëhen dëshmitarë të fakteve.

Përveç kësaj, nëse viktimat ose dëshmitarët kërcënohen ose frikësohen, kjo mund të çojë në ndjekje penale për krime kundër administrimit të drejtësisë, të cilat janë krime mjaftë serioze.

inFokus – Si do ti mbroni viktimat?

Silke Studzinsky- Procesi i aplikimit siguron disa mbrojtje sepse aplikimet nuk do të zbulohen për publikun, as për Mbrojtjen dhe Prokurorinë.

Nëse dëshmojnë si dëshmitarë, ata do të gëzojnë masa të plota mbrojtëse që Dhomat e Specializuara kanë në dispozicion, me mësimet e nxjerra nga përvojat e mëparshme.

Kryeimami Bajgora nuk do të ftohet si dëshmitar siç kërkoi i akuzuari për terrorizëm

Periskopi.com Lajme

Ardian Mehmeti, i akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, ka kërkuar nga trupi gjykues që në cilësi të dëshmitarit të ftohet kryeimami i Bashkësisë Islame, Sabri Bajgora.

Së bashku me Mehmetin, në këtë rast po akuzohen edhe Valon Shala, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni.

Në seancën e së hënës, i akuzuari Mehmeti tha se kryeimami i Bashkësisë Islame mund të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit sa i përket ideologjisë ekstreme fetare, për të cilën ai tha se akuzohet nga ana e prokurorisë, si dhe lidhur me ideologjinë fetare radikale, pasi që sipas tij Bajgora kishte qenë edhe profesor i tij gjatë kohës së studimeve në shkenca islame.

Mirëpo, propozimi i Mehmetit u refuzua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Naser Foniqi, kurse të njëjtit iu aprovua vetëm kërkesa për dëgjimin e dëshmisë së hetuesit A.O.

Ndryshe, gjatë seancës në fjalë u bë edhe prezantimi i provave nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Afrim Shefkiu, të cilat me miratimin e avokatëve mbrojtës dhe të akuzuarve vetëm u lexuan.

Por, provat e prezantuara nga prokurori Shefkiu u kundërshtuan nga mbrojtësit Nikë Shala, Murat Demolli, Bekim Kafegjolli, Zahide Gjonaj dhe Drita Alihajdari.

Ndër ta edhe i akuzuari Ardian Mehmeti, i cili sipas detyrës zyrtare mbrohet nga avokati Demolli, tha se të gjitha gjërat e sekuestruar në shtëpinë e tij përveç dy armëve ishin gjëra të zakonshme të cilat i përdorte për nevoja shtëpiake.

Ai tha se bateritë që përdoren për orë e gjëra tjera nuk janë mjete piroteknike, e as nuk është plehu artificial e pajisjet teknologjike.

Sipas të akuzuarit Mehmeti, në raportin e bërë nga ana e hetuesve shkruante se janë pajisje të kompletuara për inicim të eksplozivëve, për çka ai tha se të gjitha mjetet që janë gjetur në shtëpinë e tij kanë qenë secila në vendin e vet e jo të kompletuara në një.

Tutje, Mehmeti deklaroi se nga gjërat që i ishin gjetur kishte qenë një dritë led e cila kishte qenë e papërdorshme, por që atë mundohej ta rregullonte për ta vendosur në një kioskë 150 metra larg prej shtëpisë së tij, pasi që aty nuk kishte pasur energji elektrike.

Ndërsa sa i përket ditarit të gjetur, i akuzuari deklaroi se aty ka pasur shënime të dedikuara për bashkëshorten e tij, dhe se ende nuk e di si ka mundur të sekuestrohej një pronë e tillë.

Mbrojtësi i Genc Selimit, avokati Bekim Kafegjolli tha se ka vërejtje lidhur me raportin e drejtorisë kundër terrorizmit, ku thuhet se pas arrestimit të të pandehurve ka pasur kërcënime, duke thënë se i mbrojturi i tij kishte qenë në paraburgim në atë kohë.

Kurse avokati Nikë Shala, mbrojtës i të akuzuarit Valon Shala, tha se si provë dëshiron të evidentohet fatura e tatimit në pronë e shtëpisë që shihet se është në emër të Ejup Shalës e jo të klientit të tij, dhe se pushka e gjuetisë e cila ishte gjetur gjatë sekuestrimit sipas tij kishte qenë në emër të babait të Valon Shalës, e jo e të akuzuarit.

Tutje avokati Shala tha se përmendet edhe një revole pneumatike ajrore, e cila sipas tij kishte qenë në dhomën e prindërve të Valon Shalës, e që sipas ekspertizës së përpiluar për armë të zjarrit thuhej se kjo pistoletë nuk ishte funksionale.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 7 shtator, në ora 13:00. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”, “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”, “zjarre vënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi rrezikut të përgjithshëm”, “armëmbajtje pa leje”.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.

Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria me veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale “armëmbajtja pa leje”.