Personi që shkroi deklaratën e Pavarësisë ende nuk u pagua nga qeveria

Periskopi.com Lajme

17 shkurti i vitit 2008 kaligrafistin Shyqri Nimanin e gjeti duke i bukurshkruar 6.991 karakteret që formuan 1254 fjalët e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, që u kaligrafuan në pergamenën e dhuruar nga Londra. Mirë, ai thotë se ende nuk është paguar nga qeveria.

Nimani në një rrëfim për KosovaPress, ka shpalosur emocionet dhe presionin e atyre 16 orëve punë, si dhe ka shprehur indinjatën e tij ndaj udhëheqësve politik që asnjëherë nuk ia shpërblyen financiarisht mundin e tij, ashtu siç vepruan ndaj të gjithë tjerëve që mundësuan realizimin sa më të kompletuar të ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Nimani duke rrëfyer për 17 shkurtin e vitit 2008, tha se kaligrafimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovë në rend të parë ka qenë historik, por edhe përgjegjësi e madhe për të.

Për bukurshkruesin e këtij dokumenti të rëndësishëm për momentumin e pavarësisë së Kosovës ishte e vështirë ta kryente gjithë atë punë për vetëm 16 orë, ndonëse, ai kishte kërkuar 1 javë kohë.

“Për mua ka qenë një përgjegjësi e madhe. Unë kam qenë 10 ditë më herët para se ta shpallim këtë deklaratën e pavarësisë, kam qenë i njoftuar dhe u kam thënë kompetentëve atje që mua më nevojitet një javë ditë që ta bukurshkroi, ta kaligrafoi dhe kam thënë se nevojitet një letër A4, dhe unë duhet të punoj një javë ditë për ta ilustruar, t’ia bëjë këto inicialet e bukura tjera dhe të jetë tamam një deklaratë zakonisht çfarë janë në botë në këto raste, sepse ato punohen njëherë gjatë jetës së një artisti….Unë kam qenë shumë i emocionuar për arsye se atë natë kur e pashë ishin katër faqe A4 dhe mua më duhej prej atij momenti kisha në dispozicion vetëm 16 orë, dhe normal ajo ma mori të gjithë prokupimin dhe unë u deshtë ta lexoja tekstin, ta studioja”,tha ai.

Kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës edhe më të vështirë ia bënë gabimet drejtshkrimore, të cilat po ashtu ai thotë se i morën kohën e çmuar dhe të paktë që kishte në dispozicion.

Duke i parë pamundësitë për ta zbukuruar deklaratën, profesori tregon se si erdhi deri tek përzgjedhja e stilit të shkronjave të këtij dokumenti, i cili po shkruhej në një pergamenë të vërtetë që ishte dhuratë nga Londra.

“Kam qenë nën tension të përhershëm, nuk kam qenë kurrë nën tension në jetën time dhe me një moment kur ka kaluar pas mesnate, edhe 4 apo 5 orë kam menduar që do të dështoj përherë të parë thash në jetën time nuk kam me mundur me e kryer një detyrë. Mu kujtua formula e pagëzimit e cila është e shkruar në italik edhe unë thash po e bëjmë një vazhdimësi edhe historike edhe është shumë e bukur , subtile, shkruhet shpejt, është e pjerrët edhe arrita me këtë stil me të vërtet e kam përdorë shumë here dhe arrita me e përfundua”,ka theksuar ai.

Për shkruesin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, mëkat i madh ka qenë mënyra se si nuk u lejuan mediat kosovare të merrnin pjesë në këtë ngjarje historike për shtetësinë e Kosovës.

Derisa po mendonte se si t’ia dilte ta kaligrafonte Deklaratën e Pavarësisë, profesori tregon se si i ishte ofruar shefi i protokollit të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe i kishte propozuar që në kontratë për punën që bënte ai, autore të figuronte edhe Qeveria. Kontratë të cilën ai thotë se asnjëherë nuk e nënshkroi, dhe nuk mori asnjë cent për kontributin e tij që e dha.

“Abedin Çupeva i ndjeri, një djalosh i jashtëzakonshëm në atë kohë ishte zëdhënës i Qeverisë edhe ai më tha profesor mund ta bëjmë këtë kontratën sonte nuk mundemi, por të hënën që vije për arsye se kemi dëshirë që përpos jush të jetë edhe Qeveria ta ketë autorësinë. Unë po i them Abedin i dashur nuk kam kohë të mendoj për kontratën, nuk është me rendësi ajo për mua. Unë kam menduar që në atë kohë janë ndarë 600 mijë euro edhe sot dëgjova që kanë ndarë gjithashtu për festimin , për përvjetorin e 11-të, 500 mijë euro, kam dëgjuar gjithashtu që të gjithë që kanë marrë pjesë me orkestra, me tjera ai që ka bërë flamurin, ky që e ka bërë himnin, për NEË BORN-in. Por unë asnjëherë deri më sot nuk kam shkuar për të kërkuar me bë kontratën, as që dikush më ka thirrë që të ma bëjë kontratën dhe të ma bëjë pagesën”, u shpreh kaligrafuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Sipas bukurshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani 11 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vendin e gjen në nivel të dobët, çoftë në aspektin e punësimit dhe perspektives për të rinjtë.

Kujtojmë që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës  me iniciativë nga Muzeu i Kosovës, nga tetori i vitit 2017, u shpall nën mbrojtje me Listën e përkohshme të mbrojtjes së monumenteve të kulturës.

Përmbajtja e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u bë shtet i pavarur. Sot bëhen 11 vjet që vendi ynë feston shtetësinë.

Me rastin e shënimit të këtij përvjetori ju sjellim deklaratën e plotë të Pavarësisë së Kosovës.

Delarata ishte lexuar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian.

Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

 

Deklarata që e shpalli Kosovën shtet niset për në shtatë qendrat kryesore

Periskopi.com Lajme

Për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, deklarata që e shpalli të pavarur Kosovën u nis nga Kuvendi i Kosovës, për në shtatë qendrat kryesore të Kosovës.

Të rreshtuar për një, ushtarët e gardës ceremoniale po qëndronin para deklaratës se pavarësisë për të nderuar atë.

Drejtori i protokollit të shtetit, Orhan Hajrizi tha se këto deklarata do të qëndrojnë deri të hënën në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shohin nga afër këtë akt të veçantë të shtetit.

Deklarata e Pavarësisë u nis me siguri maksimalë, ku nën përcjelljen e policisë gjatë gjithë rrugëtimit do të mbërrijnë në destinacionet e caktuara.

Ndërsa, qyteti i parë ku do të mbërri deklarata e pavarësisë është vet kryeqyteti, pastaj qyteti i Mitrovicës, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Ferizaj.

​Deklarata e Pavarësisë niset për në 7 qendrat e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Sot niset Deklarata e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, për në 7 qendrat kryesore të Republikës së Kosovës.

Deklarata do të dërgohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj.

Nisja e Deklaratave përcjellet në mënyrë ceremoniale nga Garda Shtetërore. Shoqërimi deri në komunat respektive do të kryhet nga një patrullë e Policisë së Kosovës dhe nga një zyrtar përgjegjës i secilës komunë, i cili do të jetë përgjegjës për vendosjen e Deklaratës së Pavarësisë në sheshin kryesor të qytetit.

Krasniqi: Emocione të njëjta si kur kemi nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se sot më shumë se të gjithë janë dëshmorët e lirisë ata që duhet të jenë në mendjet dhe zemrat e të gjithëve.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për projektligjin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Reagimi i plotë i Krasniqit:

Kam pas nderin jetësor qe te jem një ndër nënshkruesit e Deklaratës se Pavarësisë se Republikës se Kosovës, me 17 Shkurt 2008. Sot, emocionet janë gati te njëjta, kur po votojmë Ligjet qe do te themelojnë Ushtrinë e Republikës se Kosovës.

Urime te gjithëve për këtë vepër madhore dhe nderime te përjetshme për te gjithë brezat qe sakrifikuan aq shume për lirinë dhe sovranitetin tone. Sot, me shume se te gjithë, janë dëshmorët e lirisë qe duhet te jene ne mendjet dhe zemrat tona. Urime Kosove!

Sot 28 vjet nga miratimi i Deklaratës së Pavarësisë

Periskopi.com Lajme

Në këtë datë të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Kushtetuta e republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviqit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Deklarata për pavarësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në revistën britanike të vitit 1880

Revista ndërkombëtare britanike, nëpërmjet korrespondentit të saj në Lindje, Pierre Guerraz, – (Correspondance d’Orient – Constantinople, 14 mai 1880) – trajton çështjen shqiptare, më saktësisht dëshirën e bashkombasve tanë për liri. Shkrimi, i publikuar në gjuhën frënge, vë në dukje fillimisht interesat dhe strategjinë italiane – në konkurrencë me Austrinë e cila kishte marrë asokohe Bosnjen dhe Hercegovinën – për të sunduar trojet shqiptare.

Periskopi.com Lajme

Pavarësisht qëllimeve italiane, revista shkruan se shpallja përfundimtare e pavarësisë  shqiptare nuk mund të shmangej më, sepse dëshira për liri ekzistonte prej kohësh. Madje, ajo shkruan se Lidhja Shqiptare (Bëhet fjalë për Lidhjen e Prizrenit, megjithëse revista nuk e citon) kishte vendosur të mos lëshonte qoftë edhe një pjesë të vogël toke Malit të Zi.

Gjithashtu, Lidhja kishte marrë vendimin të punësonte vetëm shqiptarë në funksionet administrative dhe juridike. Si arsye, ajo kishte pushuar katër funksionarë të lartë turq, të cilët ia dërgoi Muktar Pashës. Ky i fundit nuk guxoi të ndërhyjë në favor të bashkombasve të tij dhe si rrjedhim i riatdhesoi.

Në vijim të këtyre veprimeve për pavarësi, Shqiptarët publikuan thirrjen patriotike, e cila nuk lë asnjë dyshim mbi qëllimet  e mëparshme për liri :

«Shqiptarë! Evropa ka krijuar një principatë për Bullgarët. Bonsja dhe Hercegovina i janë dorëzuar Austrisë. Serbia dhe Mali i Zi kanë fituar pavarësinë dhe disa territore më shumë, ndërsa Rumelia autonominë; po ne, çfarë kemi marrë ? Ne, Shqiptarët, ne nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi; ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet. Thesalia, Epiri, Shqipëria aktuale, ja pra trashëgimia e kombit shiptar, i cili numëron tri milion shpirtra. Atdheu ynë duhet të jetë i lirë, i pavarur dhe i qeverisur nga një princ i zgjedhur nga ne. Pra, këtë duam ne, ose në të kundërt vdekjen. Duhet të marrë fund kjo ekzistencë e turpshme.»/ bota