Presidenti i vetëshpallur i Çamërisë, i vrarë ditë më parë, kishte ushtrinë e tij private në Holandë

Periskopi.com Lajme

Festim Lato, politikani shqiptar që u gjet i vrarë ditë më parë në kanalin Rijn të Amsterdamit, kishte ushtrinë e tij private në fshatin Gelderland të Afferdenit, ku edhe jetonte. Autoritetet holandeze ishin të vetëdijshme për këtë, por s’kishin intervenuar, ka raportuar mediumi holandez “Telegraaf” duke u thirrur në burime të veta.

Lato, 43 vjeç, ishte president i vetëshpallur i Çamërisë. Ai jetonte në një shtëpi fermë në Kerkdam në Afferden. Sipas gazetës, viteve të fundit ferma dukej si një kazermë e mbushur me forca të ushtrisë së ardhshme të Çamërisë të cilët qëndronin në krevate dykatësh në shtëpinë e Latos. Një burim i ka thënë “Telegraafit” se forcat e Çamërisë ishin ushtruar nga ushtarë nga Kosova.

Gjatë një kremtimi kohëve të fundit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, një paradë ushtarake u mbajt në kopshtin e Latos. Një video e publikuar në Facebook shfaq Laton duke inspektuar ushtarët në uniforma ushtarake, me fytyrat e ngjyrosura me ngjyra kamuflazhi. “Kjo është ushtria që po e ndërtoj”, i ka thënë Lato një ish-punëtori, sipas gazetës. Në Youtube mund të gjeni video teksa Latos shfaqet me armë të ndryshme automatike.

Komuna e Drutenit, e cila mbulon Afferdenin, ishte e njoftuar për prezencën ushtarake në komunë, ka konfirmuar për gazetën një zyrtar që deshi të mbetej anonim. I vetmi veprim që është ndërmarrë ka qenë një inspektim komunal në fermën e Latos, për të parë nëse po i përmbahej plani zonal për ‘strehim’. Ndërtesa ishte mbyllur për disa ditë me urdhër të komunës, pas së cilit rast ajo ishte përdorur thjesht si kazermë sërish, raporton “Telegraaf”, transmeton Koha.net.

Shkurtin e vitit 2018, videoja e paradës ushtarake e postuar në Facebook i ishte dërguar një detektivi special në policinë e Hagës. Ai shkëmbeu disa emaile me njerëzit përreth Latos, përfshirë një person që ka thënë se “ata dinë gjithçka” për Laton dhe ishin të gatshëm të flisnin. Por, sipas gazetës, asnjë veprim konkret nuk ishte ndërmarrë. Policia e Hagës kishte nisur një hetim për mashtrim vitin e kaluar, pasi dy prej partnerëve të biznesit të Latos e raportuan atë. Ata u ftuan në polici për intervistim, por “kurrë s’dëgjuam më asgjë prej tyre”, ka thënë ata për gazetën.

Një zëdhënës policie ka konfirmuar hetimet për mashtrim, dhe ka thënë se policia ka është e informuar për videon e paradës ushtarake, por nuk ka mundur të thotë se pse nuk është ndërmarrë asgjë rreth saj. Prokurori Publik dhe Komuna e Drutenit nuk janë përgjigjur ndaj pyetjeve të gazetës.

Një sipërmarrës holandez, që ishte prezent në paradën ushtarake, i ka thënë “Telegraafit” se ishte mrekulluar nga ushtria private në brendësi të Gelderlandit. “Se këtë e lejuan politikanët holandezë, nuk mundem ta kuptoj fare. Si ia doli Lato të bënte gjithë këtë? E shikoja me çudi”, ka thënë ai. “Por po, presidenti më premtoi se do të ndërtojë 210 kilometra rrugë të reja në shtetin e tij të ri, Çamëri. Për këtë do të ofroja 50 traktorë dhe 100 vinça, që secili prej tyre kushton rreth një çerek milioni euro. Dhe normalisht po e mendoja ta fitoja atë kontratë”.

Kush ishte Festim Lato, presidenti i vetëshpallur i Çamërisë që u vra në Holandë

Periskopi.com Lajme

Personi i cili shpalli pavarësinë e Çamërisë dhe u vetëshpall president i çamëve i cili sot u gjet i vrarë në Holandë. Deri më tash nuk dihen as arsyet e vrasjes dhe as nëse ka lidhje me veprimtarinë e Latos për pavarësinë e Çamërisë.

Kohë më parë ai ishte edhe në Kosovë, kjo para se të shpalltë Çamërinë shtet.

Gazeta Fjala atë kohë kishte siguruar agjendën të cilën planifikonin të zhvillonin edhe në Kosovë, ne kohën kur në Holandë do të shpallej pavarësia.

Ky aktivitet vlerësohet se do ta përkeqësonte edhe më shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos që Lato në Shqipëri sipas informacioneve akuzohet edhe si agjent i shërbimeve sekrete greke.

Burime të gazetës thonë se Implementimi i kësaj agjende në Kosovë, do të kthente vendin në  lajm ndërkombëtar duke e shfaqur si faktor destabiliteti për rajonin, por në të njëjtën kohë kjo e dëmton edhe vetë kauzën çame, pikërisht tash kur ka filluar të përmendet edhe nga njerëz të rëndësishëm në Bashkimin Evropian.

Festim Lato, në vitin 2005 kishte shpallur edhe Ushtrinë Çlirimtare të Çamërisë, e cila në qytetin e Janinës asokohe i kishte shpërndarë disa fletushka për çlirimin e Çamërisë nga Greqia.

Kjo organizatë kishte vendosur edhe disa eksplozivë që shpërthyen pa ndonjë dëm pranë shtyllave elektrike të tensionit të lartë. Kurse, në vitin 2006, ajo kishte dalë edhe në ekranet e televizioneve greke me flamurin shqiptar, ku disa persona të maskuar mbanin në krahët e tyre automatikët kallashnikovë, prodhim shqiptar.

Në atë kohë ishte duke u diskutuar për pavarësinë e plotë të Kosovës.

Burime të Gazetës Fjala tregojnë se ishte viti 2006 dhe e gjithë diplomacia serbe dhe shërbimet sekrete të saj, të ndihmuara nga ato ruse, po bënin të pamundurën që të ndalonin pavarësinë e Kosovës dhe, me të gjitha mjetet, kërkonin një shkak që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit politik dhe shoqëror.

“Lato ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1994, kurse edhe babai i tij dyshohet se kishte qenë në shërbim të agjenturës greke dhe ishte përcjellë për vite me radhë nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë. Lato, kishte marrë pjesë edhe në luftën e UÇK-së në Kosovë, por gjatë gjithë kohës ai kishte bërë fotografi dhe xhirime, për të cilat ata që e kanë njohur tregojnë se i raportonte dikujt jashtë vendit”, thonë burime të Gazetës Fjala.

Festim Lato, ai që mbrëmë paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Çamërisë, prej atëherë më nuk shkonte shpesh në Shqipëri.

Atje nuk do të ketë as aktivitet, sipas informacioneve që posedon Gazeta Fjala.

Shteti shqiptar ka ndaluar aktivitetin e tij atje dhe çdo aktivitet i njerëzve të afërt të tij monitorohet zyrtarisht.

Sipas raporteve të SHISH-it, një nga detyrat kryesore që i ishin ngarkuar atij ishte ajo e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Çamërisë për luftë kundër Greqisë, në një moment vendimtar për Kosovën, e cila prej asaj kohe është zhdukur tërësisht.

Burime të gazetës thonë se asokohe, Greqia në njërën anë synonte ta theksonte kinse provokimin shqiptar për Çamërinë dhe implikimin e Kosovës në çështjet greke, duke i dhënë një armë e fuqishme Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

Në Nju Jork, parada shqiptare për Çamërinë

Periskopi.com Lajme

Komuniteti shqiptar i Nju Jorkut shpalosi ngjyrat e tij edhe një herë të shtunën, me paradën që organizon tashmë çdo vit në Manhatan.

Mes mijëra njerëzve që morën pjesë kishte shqiptarë edhe nga shtete të tjera.

Këtë vit parada shqiptare kishte si temë Çamërinë.

Parada shqiptare krijoi edhe këtë vit një det flamujsh të kuq në qendër të Manhatanit, me shqiptarët që këndonin dhe kërcenin këngë popullore nga krahina të ndryshme.

E veçanta këtë vit ishte se parada i kushtohej Çamërisë.

Organizatorët thanë se duan që qeveria greke të njohë masakrat ndaj popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga trojet 75 vjet më parë, në vitin 1944.

Marko Kepi, drejton shoqatën Rrënjët Shqiptare, që bashkërendon organizmin e paradës.

“Ne kërkojmë nga Greqia thjesht një falje, nuk duam hakmarrje. Gjithashtu duam që t’i lejojnë viktimat, t’i lejojnë të mbijetuarit të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku janë me shekuj, tha Kepi.

Vera Cosgrove Xhafo, agjente imobiliare, ka ardhur për t’i bërë një homazh të atit që arriti në Nju Jork nga fshati Filat i Çamërisë mbi një shekull më parë.

“Im atë erdhi këtu në vitin 1917 kur ishte 18 vjeç. Mbiemri i tij ishte Xhafo. Ai u largua nga Filati për shkak të gjenocid. Grekët erdhën dhe i vranë të gjithë. E gjithë familja u largua dhe përfundoi në Tiranë, ndërsa ai erdhi i vetëm në Shtetet e Bashkuara, tha Xhafo.

Njerëzit kishin ardhur të nderonin shqiptarët e Çamërisë secili në mënyrën e tij dhe simbolet shqiptare dominonin kudo.

Kreu ceremonial i paradës ishte gazetari nga Shqipëria Marin Mema.

Sali Bollati është veprimtar aktiv i komuniteti. Ai ka lindur në Paramithi.

“Ne kemi ardhur të falënderojmë Amerikën për këtë mundësi që na ka dhënë që këtu të ngremë flamurin shqiptar dhe të kërkojmë të drejtën e Çamërisë, e cila pas 75 vjetësh, mbasi na masakruan dhe dëbuan, vuan për të drejtën e saj.” “Unë jam nga Paramithia, kam lindur atje, isha 7 vjeç kur më vranë 7 njerëz të familjes. Si Rolling Stones përfundova këtu në Amerikë dhe është me të vërtetë vend i bekuar për mua”, tha Bollati.

Në paradë ka ardhur si çdo vit me Kadillakun e tij antik ish kongresmeni me origjinë arbëreshe Joe Dioguardi.

“Jam shumë krenar që jam shqiptar arbëresh amerikan. Jam shumë i lumtur që jam me ju sot,” thotë ai.

Ilir Ademi i organizatës Çamëria thotë se familja e tij është nga Filati.

“Në vitin 1944 familja jonë u dëbua nga trojet tona amtare për shkak të dhunës që u krye ndaj saj dhe u vendos në Sarandë. Por do të theksoja gjithashtu që edhe gjatë kohës së komunizmit, komuniteti shqiptar i Çamërisë u përndoq për arsye të origjinës së tyre dhe për arsye të atij sistemi, siç e dini edhe ju”, tha ai.

Parada nisi me një flamur të madh shqiptar në Avenunë 6, e cila ishte zbrazur nga trafiku.

Sipas të dhënave të policisë, në paradë morën pjesë të paktën gjashtë mijë vetë.

Ndër paradat e komuniteteve të ndryshme që organizohen në Manhatan në muajin qershor, ajo e shqiptarëve dallohet nga pjesëmarrja e madhe dhe nga dinamizmi që krijojnë këngët e vallet popullore.

Presheva në rrezik të bëhet Çamëri e dytë

Periskopi.com Lajme

Çdo vit në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, në Preshevë ka 100 nxënës më pak që vijojnë mësimin. Ani pse nuk ka shifra të sakta se sa banorë gjatë vitit janë shpërngulur nga vendi, Presheva është në rrezik të bëhet Çamëri e dytë.

Banorë të kësaj komune fajësojnë qeverisjen, duke shtuar se varfëria e madhe, po i shtyn ata që ta lënë vendin.

Sevdie Halimi, këtë vit shkollor e nisi me mungesën e pesë nxënësve të saj. Këta nxënës kishin lënë në gjysmë, mësimet, kishin lënë edhe shokët e shoqet e bankës për të emigruar në shtetet e Evropës. E për këtë mësuesja Sevdije thotë se e ka shumë të vështirë.

“Këtë gjeneratë i kom pas pesë nxënës, tash çdo vjet duke u shpërngul, vitin që shkoj dy nxënëse, më herët dy, kështu që gradualisht po shpërngulen, po ka më pak nxënëse nëpër  klasa. Shumë, se sigurisht kanë shkuar për një jetë më të mirë, për kushte ndoshta më të mira, besoj që kanë zgjedhur ndonjë problem, kom pas kontakte me 3-4 nxënës, dy më duket janë vendosur në Francë, pak është vështirë për mësusin, sidomos për këta që kanë përvojë pak më të gjatë”, tha Halimi.

Numri i nxënësve në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, në Preshevë, sa vjen e ulet. Një gjë të tillë pohon edhe vet drejtoresha e kësaj shkolle, Besa Sahiti, ku thotë se vetëm gjatë këtij viti kishin 100 nxënës më pak.

“Në shkollën tonë gati çdo vit, bie numri i nxënësve, kemi vërejt në bazë të statistikave të numrit të nxënësve që gati 100 kemi më pak çdo vit. Këtë vit kemi të regjistruar rreth 1350 nxënës, ndërsa në vitin që kaloj, kemi pasur 1450 nxënës. Në vitin e kaluar në shkollën tonë kemi pas 74 paralele, ndërsa këtë vit shkollor kemi 73 paralele. Pra çdo vit e shohim një mungesë të studentëve”, tha ajo.

Ani pse sipas kryetarit të komunës së Preshevës nuk ka shifra të sakta se sa njerëz kanë migruar kohëve të fundit, ai thotë se është vërejtur se ky vend është duke u boshatisur.

“Presheva është në rrezik të bëhet një Çamëri e dytë, në atë drejtim që jo të mos ekzistojë një komunë shqiptare, por të mos ketë më mjaft shqiptarë që jetojnë këtu. Tek ne është më e dhimbshme dhe është më e prekshme sepse ne jemi të lënë anash nga të gjithë, ne jemi të lënë anash edhe nga Serbia, ata po e dijmë mo, jo vetëm të lënë anash por edhe direkt na kanë stimuluar që të migrojmë prej vendit tonë, por ne jemi të lënë anash edhe nga vet Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në drejtim të asaj që nuk kanë pasur në program edhe strategji  për shqiptarët e luginës së Preshevës që të mos migrojnë. Kështu që në këtë drejtim për neve është më e dhimbshme”, ka thënë  Arifi.

Sipas tij, bazamenti ekonomik është mënyra më e mirë që të rinjtë mos ta lënë këtë vend.

Besim Saqipi, banor në komunën e Preshevës thotë se varfëria në vend është shkas për emigrimet.

“Po ikin njerëzit prej fukarallëkut, se politikanë po këqyrin me i mbush xhepat e vet me pare dhe për popull nuk po mendojnë hiç, pse mileti  ikin prej Preshevës tonë ata veç për veti mendojnë”, tha Saqipi.

Ndërsa, Nehat Zylfiju, 71 vjeçar thotë se vendi nuk duhet lënë, mirëpo banorët e këtij vendi po detyrohen për shkak të kushteve të rënda.

“Prej zori se nuk po kanë çka me punu, nuk ka fabrika nuk ka punë, prej zori po shkojnë në Kosovë ose në Evropë, për me gjet punë. Vendin nuk duhet me lon, por prej zorit qe këqyri, asnjë njeri nuk lun këtu pari”, tha ai .

Të njëjtin mendim nuk e ndan Jetish Kurtishi.

Sipas tij, shteti nuk po i do banorët e Preshevës, dhe për atë ai sugjeron që të gjithë ta lëshojnë vendin.

“Të rinjtë nuk kanë perspektivë, nuk ka punë edhe po ikin krejt jashtë, me mujt diçka me ja siguri vetës, të paktën kafshatën e gojës, qajo është në pyetje. Nuk duhet me lshu vendin kur është i mirë, po shteti neve nuk po na don, edhe duhet me lshu vendin krejt me shku në Evropë”, ka shtuar ai. /Sh.Pajaziti/

 

Ministri grek: Çamët janë kriminelë lufte

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos ka deklaruar se “çamët janë kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me nazistët”.

Në një deklaratë për mediat në orët e para të mëngjesit ai tha se ato që thuhen për çështjen e pronave nuk kanë lidhje me çamët.

Në lidhje me Zonat Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë ai tha se kjo çështje po mbyllet, por do të komunikohet nga ministri i Jashtëm, shkruan ora news.

“Ato që kërkonte Greqia nga Shqipëria po realizohen. Epiri i Veriut është një zonë ku grekët ekzistojnë dhe do të ekzistojnë. Minoriteti do të mbrohet”, tha Kammenos.

Profesori grek pranon gjenocidin ndaj çamëve: U vranë 3 mijë njerëz, u dëbuan 25 mijë

Çështja Çame këtë periudhë ka qenë në fokusin e mediave në Shqipëri, Evropë dhe Greqi.

Periskopi.com Lajme

CNN grek i ka kushtuar shumë hapësirë ngjarjeve të ditëve të fundit rreth vizitës të ministrit grek Nikos Kotzias në Tiranë si dhe në përgjithësi ngjarjeve pas kësaj vizite për çështjen çame.

Ky televizion më 12 qershor i mori një deklaratë Konstandinos Tsitselikis, profesorit i historisë ballkanike, sllavëve dhe të lindjes në Universitetin e Maqedonisë në Selanik.

Ndër të tjera profesori Konstandinos Tsitselikis tha:

“Gjërat janë tensionuar tej mase pas viteve 1925-1926, kur qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Venizellos sekuestroi pronat e çamëve pa i kompesuar. Kështu, shpërtheu vala e dhunës midis grekëve dhe çamëve.

Pika kulmore arrin, kur një pjesë e çamëve bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët. Është artificiale ideja se të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve.

Në vitet 1943-1944 forcat e EDES të udhëhequr nga Napoleon Zerva dëbuan me forcë për në Shqipëri rreth 20.000-25.000 çamë. Nga ky dëbim i dhunshëm u vranë rreth 3.000 njerëz, pjesa tjetër arriti të shpëtojë duke ikur në Shqipëri.

“Kjo është padyshim gjendja më dramatike për çamët dhe pasardhësit e tyre, sepse ata humbën pronat e tyre dhe nënshtetësinë greke. EDES e udhëhequr nga Zerva nuk ishte ushtri shtetërore greke, por ata kryen krime lufte. Greqia nuk duhet ta fshehë këtë temë nën rrogoz. Pala greke duhet të ulet dhe të diskutojë politikisht këtë temë për t’u mbyllur. Ajo po e vendos këtë temë nën rrogoz, kur ajo duhet ta hapë për të diskutuar se çfarë ka ndodhur atë periudhë për ta mbyllur më tej. Për fat të keq kanë ndodhur ato që ndodhën, padyshim, por që atëherë kanë kaluar tre breza.”/ Arben Llalla