Syla për pezullimin e Ligjit të Pagave: Pas pandemisë, masa radikale

Periskopi.com Lajme

Blerim Syla, Kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e pezullimit të Ligjit të Pagave, është një zhgënjim për të gjithë personelin shëndetësorë.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, Syla ka shprehur mllefin për pezullimin e ligjit deri më 30 qershor, i cili erdhi pikërisht në kohën kur vendi po përballet me pandeminë Covid-19.

 

 

“Kemi dhënë argument e argumente me mbërri deri në pikën që kemi arritur. Kemi dhënë kontribut maksimal. Nuk e kemi ditur që do të vije pandemia, e ja erdhi koha kur po quhemi heronj. Por si mund të quhemi heronj, kur një grup i njerëzve aty merr guximin t’i atakojë këta heronj?”.

Sa i përket arsyetimit të vendimit nga ana e Kushtetueses, Syla tha se kjo nuk qëndron.

“Si paska pasur mundësi që disa çështje politike t’i shoh shumë shpejt? Janë disa muaj në pyetje që kanë pasur kohë ta shqyrtojnë lëndën. Kjo është për të ardhur keq”.

“Gjykata Kushtetuese ndërmori vendim të turpshëm. Gjykata ka pasur material sa të duash dhe ka pasur kohë.  Kjo është gënjeshtër e kulluar, thjeshtë nuk ka dashur ta kryejë punën siç duhet”.

Kreu i FSSHK-së paralajmëroi edhe ndërmarrjen e masave radikale nëse nuk zgjidhet çështja e Ligjit të Pagave.

“Do t’i thërras në bojkot të plotë të gjithë stafin shëndetësorë, pas periudhës së koronavirusit. Ne popullin nuk do ta lëmë deri kur të përfundojë pandemia”.

“Kur të përfundojë pandemia, duket se në vend të festës punëtorët shëndetësorë do të detyrohen të ndërmarrin masa radikale”.

Shpërndaje në: