S’ka riformatim të thellë, Qeveria e Kosovës mbetet me numër enorm të ministrave

Ndonëse ishte proklamuar riformatim i thellë i Qeverisë së Kosovës, nga partnerët në koalicion PDK e LDK, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë.

Periskopi.com Lajme

Koha Ditore ka shkruar gjatë javës se Partia Demokratike e Kosovës, më nuk është e interesuar që Qeveria t’i nënshtrohet një riformatimi të thellë, ashtu siç ka proklamuar kryeministri Isa Mustafa. Koalicioni do të mjaftohet me plotësimin e pozitave të lëna bosh.

Duhet kujtuar se Qeveria e Kosovës është ndër më të mëdhatë në rajon e në Evropë. Kurse kabineti i këtij mandati është më i madhi që prej pasluftës.

Janë 24 anëtarë, midis të cilëve kryeministri, tre zëvendëskryeministra dhe 21 ministra, përcjell Koha.net. Në secilën ministri ka nga prej një deri në tre zëvendësministra.

Prej mandatit të parë në vitin 2002 e deri tash qeveria në vazhdimësi ka pësuar ndryshime në strukturë, ku janë ndërruar ministritë, duke bërë që numri i tyre të rritet në secilin mandat.

Krahasuar me vendet fqinje për nga madhësia e kabinetit, Kosovës ia kalon vetëm Maqedonia që ka 26 anëtarë. Qeveritë e shteteve të tjera janë më të vogla në numër. Kështu kabineti qeveritar i Malit të Zi ka 22 anëtarë, ai i Shqipërisë 21 anëtarë, i Serbisë 19 anëtarë, i Kroacisë ka 21 anëtarë, ndërsa i Bosnjë-Hercegovinës 17 anëtarë.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për zmadhimin në vazhdimësi të kabinetit qeverisës, që nuk është përkthyer edhe në efikasitet në kryerjen e detyrave. Instituti GAP e ka hartuar edhe një udhërrëfyes për uljen e numrit të ministrive dhe posteve ministrore.

Sipas këtij instituti, Qeveria mund të ulë numrin e ministrive nga 19 sa ka aktualisht në 13, përcjell Koha.net. Në këtë analizë është rekomanduar edhe ulja e numrit të posteve të zëvendësministrave sipas së cilës numri më i madh i zëvendësministrave që duhet të këtë një ministri është një.

Kjo analizë u është dërguar të gjitha palëve përfshirë edhe Qeverinë, por përfaqësues të këtij instituti kanë thënë se deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje për uljen e numrit të ministrive nga ana e Qeverisë dhe ende nuk është proceduar as Ligji për Qeverinë i paraparë me programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2016.

Shpërndaje në: