Shtyhet raporti për gjendjen në Shërbimin civil, mungojnë përfaqësuesit e Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Prezantimi dhe shqyrtimi i raportit të Qeverisë së Kosovës për gjendjen në shërbimin civil i paraparë të diskutohet në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, është shtyrë për ditën e hënë të javës së ardhshme, me qëllim që të ftohet edhe një përfaqësues së Administratës Publike për të dhënë llogari rreth të gjeturave të raportit.

Ky vendim u mor në pajtim të të gjithë anëtarëve të Komisionit, pasi sipas tyre, deputetët janë të interesuar të dinë për çështje të caktuara rreth raportit dhe se përgjigjet për këto pyetje, duhet t’i japë dikush që e ka hartuar raportin.

Shqipe Pantina nga VV-ja, tha se si përgjegjëse për raportin, duhet të jetë dikush nga Ministria e Administratës Publike. Edhe Zafir Berisha i Nismës për Kosovën,  pati mendim të njëjtë me Pantinën.

Kurse Pal Lekaj nga AAK-ja u shpreh se diskutimi në mes anëtarëve të Komisionit për raportin pa prezencën e anëtarëve të qeverisë, do të ishte monolog.

Xhevahire Izmaku nga PDK-ja,  e cila pas mbledhjes së ardhshme do ta kryesojë këtë komision, propozoi që mbledhja të shtyhet për javën e ardhshme, kur edhe do të ftohet një përfaqësues i ministrisë.

Në mbledhje të Komisionit po ashtu Pantina tha se ka dy çështje për diskutim:

Shqyrtimin e raportit pas monitorimit të ligjit për komunitete i cili sipas saj ka filluar kohë më parë, si dhe që të ftohet ministri i Pushtetit Lokal në një mbledhje të radhës për të diskutuar rreth formimit të një grupi punues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të raportohet edhe për këtë çështje, pasi sipas saj, për këtë temë kanë dëgjuar vetëm nga mediat. Të gjitha këto u shtynë për diskutim në mbledhjen e së hënës.

Shpërndaje në: