Shteti ashpërson gjobat e trafikut, por nuk e lufton rrjetin korruptiv të autoshkollave me ekzaminerët

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës ka vendosur që t’i ashpërsojë dënimet ndaj vozitësve që shkelin rregullat e komunikacionit. E gjithë kjo, për shkak të shtimit të aksidenteve në trafik, shumë prej të cilave kanë rezultuar fatale. Dhjetëra qytetarë e kanë humbur jetën në komunikacion vetëm në këtë vit. Qindra të tjerë janë lënduar.

Problemi kryesor del të jetë mospërshtatja e shpejtësisë. Por, ka edhe të tjera raste me të tjerë shkaktarë.

A janë vetëm vozitësit fajtorë për aksidentet e shpeshta? Përgjigjja është jo. Secili qytetar që dëshiron të pajiset me patentë shofer, për të vozitur një automjet në rrugët e Kosovës, duhet të kryej testin e vozitjes dhe testin me shkrim.

Duke marrë parasysh gjithë këto aksidente, natyrshëm shtrohet pyetja: mos ka dallavere në këto testime? Dyshime të tilla janë plotësisht të përligjura nëse marrim parasysh numrin e madh të lejeve që lëshohen çdo vit, dhe numrin e madh të aksidenteve.

Dihet tashmë se instruktorët autoshkollave në bashkëpunim me ekzaminerët e Ministrisë së Infrastrukturës rrjepin me para kandidatët që dëshirojnë të pajisen me këtë dokument. Secili tregon se për të kaluar provimin e vozitjes detyrohesh me një pagesë prej 50 eurosh. Dhe, secili njeh të paktën një person që është detyruar të paguaj një shumë të tillë.

Si për ironi, Ministria e Infrastrukturës kishte marrë masa për të parandaluar këtë rrjet korruptiv mes autoshkollave dhe punonjësve të saj, duke vendosur kamera për të parandaluar këtë metodë korruptimi. Nuk ka ndryshuar asgjë. Ministria veç sa ka rritur shifrën prej 50 eurosh në 70, e me raste në 100. Kjo, sepse është ngushtuar hapësira dhe është vështirësuar korruptimi i papenguar deri më tash nga ekspozimi para kamerave.

Është e nevojshme t’i bëhet një hetim i tërësishëm procesit të testimit me shkrim dhe atij të vozitjes.

Ashpërsimi i masave ndaj qytetarëve që shkelin rregullave mund të jetë plotësisht i gabuar kur dihet se dënimet nuk kanë munguar as deri më tash.

Pyetja që duhet shtruar është: a dinë me të vërtetë vozitësit kosovarë t’i vozisin automjetet e tyre? /Periskopi/

Shpërndaje në: