Sherifi: Demarkacioni nuk i merr as 70 vota

Periskopi.com Lajme

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, është shprehur i bindur se Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të kalojë në Kuvend për ratifikim, pasi, sipas tij, edhe nëse do të sillej në Kuvend, marrëveshja nuk do të merrte as 70 vota.

Duke folur për rikthimin e Nismës në Kuvend, Sherifi e ka quajtur sukses bojkotimin e seancave si kundërshtim për demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshjen e Asociacionit të komunave serbe.

“Vendimi për të bojkotuar Kuvendin erdhi si rezultat i punës të cilën dy partitë opozitare e bëmë për të kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit dhe AKS-në”, ka thënë Sherifi.

“Marrëveshja e demarkacionit është çështje e kryer. Qeveria u detyrua ta heqë nga rendi i ditës. Kërkesa jonë mund të konsiderojmë se është realizuar dhe marrëveshja nuk do të kalojë më në Kuvend për ratifikim. Mund ta kthejnë në Kuvend, por ky version i demarkacionit nuk mund t’i mbërrijë as 70 vota, e lëre më 80 vota”, ka shtuar ai.

“Ky version tani duhet të bie, qoftë me tërheqje nga qeveria, qoftë me marrëveshje të të gjitha partive për të hequr nga Kuvendi. Ne jemi të gatshëm që të shkojmë në Kuvend për ta rrëzuar”.

Shpërndaje në: