Shaip Kamberi: Prishtina e Tirana nuk po e ndihmojnë Luginën e Preshevës, po japin arsyetime shterpë

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi ka thënë se Tirana e Prishtina nuk mund ta arsyetojnë mungesën e ndihmës për shqiptarët e Luginës së Preshevës me përçarjen e shqiptarëve atje dhe as me mungesën e kërkesave politike të vetë shqiptarëve në Luginë.

Periskopi.com Lajme

Kamberi hedh akuza të rënda ndaj Prishtinës e Tiranës, duke thënë se në vend të gjetjeve të arsyetimeve shterpë për mosangazhim duhet të paraqiten me projekte konkrete për Luginën e Preshevës.

Reagimi i plotë i kryetarit Kamberi:

Nuk është as e arsyeshme as njerëzore që mungesën e ndihmës më konkrete ndaj Luginë së Preshevës, qoftë Prishtina, qoftë Tirana ta arsyetojnë me “përçarjen” në mes shqiptarëve në vetë Luginën e Preshevës. Aq më pak, qëndrimet e deritashme të dy shteteve nuk mund të arsyetohen me “mungesën e kërkesave politike të vetë shqiptarëve në Luginë të Preshevës”.

Ka, së paku tre marrëveshje politike që nga viti 2001, edhe ndërkombëtarisht të konfirmuara, mes shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe Beogradit zyrtar, të cilat ky i fundit, pa kurrëfar pasoja, po refuzon t’i realizojë.

Këtu, edhe në rastin e Prishtinës edhe atë të Tiranës më tepër kemi të bejmë me një tentim për shfajsim të vetëvetës për mosangazhim për të drejtat e shqiptarëve, se sa për pasoja reale të “përçarjes ndërshqiptare” në Luginë të Preshevës.

Në cilësinë e shteteve amë, Prishtina dhe Tirana, në vend të gjetjes së arsyetimeve shterpe për mosangazhim duhen të paraqiten me projekte konkrete për Luginën e Preshevës.

Shembuj të angazhimit të përkushtuar të shteteve amë ndaj pakicës së vet, në rajon ka mjaftueshëm dhe kjo është e realizueshme, mjafton dëshira dhe vullneti politik për ta bërë këtë.

Nuk besoj se edhe “miqtë ndërkombëtare” do të kenë të drejtë morale të bëjnë pengesa në këtë drejtim.

Dialogu i Brukselit është një mundësi e mirë që, së paku në sferat e caktuara, të vendoset reciprociteti me Beogradin zyrtar.

Shpërndaje në: