Selmanaj i bindur: Disa deputetë do ta votojnë Haradinajn për kryeministër

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj shprehet i bindur se mandatari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj do të sigurojë votat për formimin e Qeverisë, pasi edhe disa deputetë nga parti të tjerë do ta votojnë atë, transmeton Periskopi.

Në një prononcim për Periskopin, Selmanaj tha se nga takimi i djeshëm mes Ramush Haradinajt e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dihet se seanca konstituive do të mbahet javën që vjen.

Ndërsa, thotë se ka gjasa që pikërisht në atë seancë të votohet Qeveria e re e Kosovës.

“Po punohet vazhdimisht që pikërisht në ditën kur do të mbahet seanca konstituive, të votohet edhe Qeveria e re e Kosovës”, tha Selmanaj për Periskopin.

Ai foli edhe deklaratat e vazhdueshme të përfaqësuesve të koalicionit LAA, se Haradinaj nuk do të ketë votat e deputetëve të tyre.

“Disa përfaqësues të tyre po shprehin mendimet e lira të tyre. Aleanca dhe PAN është e interesuar që me hy në Qeveri me LDK’në”, tha Selmanaj.

Selmanaj u pyet edhe lidhur me kërkesat që Haradinaj ka marrë nga komunitetet joserbe dhe Lista Serbe, e cila madje kërkoi edhe pozitën e kryeparlamentarit.

“Lista Serbe dhe komunitetet gjithherë shkojnë me atë që është mandatar, e në këtë rast është Haradinaj. Komunitetet i kanë postet e garantuara me Kushtetutë dhe kjo do të jetë krejt”, shtoi Selmanaj.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri sot deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që ndonjë deputet i LDK-së të dalë nga Grupi Parlamentar dhe të votojë në dobi të PAN-it.

Qëndrim të njëjtë pati edhe Korab Sejdiu nga AKR, i cili u shpreh i bindur se Haradinaj nuk do t’i ketë votat e kësaj partie për formimin e Qeverisë./Periskopi

 

Shpërndaje në: