Replika të ashpra mes Ramës dhe Berishës për investitorin e rrahur brutalisht

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një përgjigje ndaj deputetëve të mazhorancës, ka akuzuar qeverinë e kësaj të fundit për dëbimin e biznesmenëve nga vendi, duke iu referuar rastit të kompanisë libaneze “Omnix”.

“Qeverisë i është ankuar konsulli shqiptar në Liban sepse e ka kërcënuar Besnik Sula me jetë vetëm sepse gjeti një investitor”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “ndaj kompanisë “Omnix” ka qenë kryeministri Edi Rama që i anuloi dokumentin”. “Pastaj e rikthyet sepse i morët rryshfet, por i donit rryshfet më të madh, prandaj ai iku”, ka thënë Berisha.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave duke i cilësuar “lotë krokodili” shqetësimet e opozitës për largimin e biznesmenit libanez. Në fjalën e tij, Rama ka akuzuar qeverinë e kaluar dhe drejtësinë e ngritur prej saj për “kalvarin e pengesave” që i ishin shkaktuar investitorit të huaj.

“Ai sipërmarrës që u largua ka ardhur në zyrën time pasi ne kemi marrë detyrën dhe më ka parashtruar të gjithë kalvarin e zvarritjeve dhe tmerreve të viteve të tëra, kur nuk merrte dot zgjidhje për probleme të natyrës administrative. Qeveria jonë ia ka zgjidhur një më një të gjitha problemet dhe pas këtyre, papritur e pakujtuar, jep dajak një gjykatëse që kthen në mënyrën më abuzive pronë brenda zonës së investimit. Dhe e kthen tek kositësi i barit pronën në korrik të këtij viti, që bëhet shkaku i shpërthimit të konfliktit. Kjo është e vërteta. Dhe atë goditje atij, ata që ia dhanë ia dhanë sepse e morën fuqinë nga gjykatat e tua, Sali”, ka thënë Rama, i cili ka akuzuar parardhësin e tij se, “nuk the asnjë fjalë për biznesmenin e dhunuar”.

Ai ka shtuar se, “këtë drejtësi ne duam ta përmbysim me reformën në drejtësi dhe me vetting-un”, në mënyrë që, siç ka thënë ai, “gjykatëse si ajo të japin llogari”.

Duke iu përgjigjur, Berisha ka cituar reagimin e tij të disa ditëve më parë, të transmetuar gjerësisht në media. “Ai tha se Sali Berisha nuk tha asnjë fjalë, por në reagimin tim e kam thënë se ata që e rrahën biznesmenin ishin anëtarë të mafias qeveritare”, ka thënë Berisha.

Shpërndaje në: