“Qeveria e ka në dorë heqjen e vizave për qytetarët”

Institucioneve të Kosovës edhe një herë u është rikonfirmuar se do t’u duhet të punojnë shumë në luftimin e korrupsionit për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë.

Periskopi.com Lajme

Po aq e rëndësishme është vlerësuar edhe marrëveshja e demarkacionit, konkluzione këto që kanë dalë nga forumi “Ecja nëpër akull: : Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”, raporton KTV.

“Kosova ka bërë progres të madh, sa i përket liberalizimit dhe institucionet janë në formë më të mirë. Duhet të dini se bllokada me demarkacionin duhet të zgjidhet dhe duhet natyrisht të jetë e qasshme edhe për partnerët, sepse në fjalë është interesi kombëtar i Kosovës. Progresi i liberalizimit s’është vetëm në duart e kosovarëve. Dhe ky bllokim është një çështje e brendshme politike që duhet të zgjidhet dhe i apeloj partitë politike që të shohin më shumë për interesat kombëtare dhe të mos ndiqen agjenda të ngushta politike. Ky proces tashmë është në dorën e kosovarëve. Ne dëshirojmë të kemi 0 tolerancë për korrupsion dhe kjo do të kontribuonte në implementimin e marrëveshjes, i cili nënkupton që të mbajë llogaridhënës liderët për ato që bëjnë”, ka thënë Natalya Apostolova, shefe e BE-së në Kosovë.

Ndërkaq, publicisti Veton Surroi, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë ide religjioze dhe nuk mjafton të betohemi gjithnjë se do të jemi në BE.

Tha se problemi që ka krijuar paralizë politike është ai i negociatave me Serbinë dhe marrëveshja për demarkacion që janë paraqitur pa konsensus.

Derisa kreu i ekzekutivit është zotuar se do të përpiqen për të fuqizuar zbatueshmëri të ligjit dhe çkapjen e shtetit, Surroi theksoi se me këtë trend Kosova është larg BE-së edhe për së paku 10 vjetët e ardhshme.

Përfaqësues të BE-së kanë ritheksuar se do të përkrahin Kosovën në integrimin e saj evropian.

Në këtë forum është prezantuar edhe një raport i punuar nga Augustin Palokaj dhe Gjeraqina Tuhina me titull “Çfarë pas MSA-së në raportet Kosovë-BE”.

Shpërndaje në: