Pse populli turk po investon kaq shumë në Bitcoin?

Periskopi.com Lajme

Investitorët po i kthehen kriptovalutave pasi Erdogani shkarkoi guvernatorin e Bankës Qendrore duke shkaktuar një tjetër rënie të Lirës turke.

Çajtorja e mëhallës është fokusi i jetës së përditshme në mbarë Turqinë, një traditë osmane që ka zgjatur për shekuj me radhë.

Në çajtoren “Vetëtime e Kuçe” në Çorum, pronarët e kanë një këmbë në të kaluarën dhe një tjetër në të ardhmen: është i vetmi lokal në shtet ku myshterinjtë mund të paguajnë me bitkoinë [bitcoin].

“Të gjithë që njohim në Çorum po nisin të investojnë në kriptovaluta. Ne mendojmë që brenda pesë vitesh, valutat e rregullta do të bien, dhe do të zëvendësohen me ato digjitale. Kështu që donim të ishin në pozitë të mirë,” thanë bashkëpronarët e çajtores, Hysejin Nalçë, dhe Kerem Kutay Jëlldërëm.

“Myshterinjtë më të vjetër mendojnë se është pak absurde. Na përqeshin. Por tash edhe dyqani afër po na kërkon që t’i mësojmë.”

Lira turke ra në mënyrë dramatike muajin e kaluar pasi presidenti Rexhep Taip Erdogan mori një vendim shokues, raporton The Guardian, përkthen në shqip Periskopi.

Ai vendosi të shkarkonte guvernatorin e Bankës Qendrore, Naci Agballin. Rezervat tash kanë guvernatorin e katërt në më pak se dy vjet, dhe lira ka humbur gjysmën e vlerës që prej krizës së valutës më 2018.

Inflacioni mbërriti pikën më të lartë në gjashtë muaj në muajin mars me 16,9 për qind, ose më shumë se 5 për qind se që ishte paraparaë, derisa papunësia mbetet e lartë, në shifrat 12,2 për qind.

Këto telashe të fundit ekonomike kanë çuar në rritjen e tregtisë me kriptovaluta në Turqi, me investitorët që po shpresojnë të përfitojnë nga bitkoini dhe të gjejnë strehë nga inflacioni.

Të dhënat nga hulumtuesi amerikan të analizuara nga Reuters tregojnë se vëllimi i tregtisë mes fillimit të shkurtit dhe 24 marsit ka arritur në 128 miliardë lira [rreth 15 miliardë euro], me kulmin që u arrit në vikend kur Agballi u shkarkua.

Edhe kërkimet në Google në Turqi për kriptovaluta e arritën kulmin gjatë javës para se Agball të shkarkohej.

Guvernatori, që e mori postin në nëntor, u raportua se ishte në mosmarrëveshje me Erdoganin.

Ky i fundit, për dallim nga shumica e ekonomistëve, beson se ratat e larta të interesit shkaktojnë inflacion.

Rritja e Bitcoinit në 62 mijë dollarë ka bërë që edhe interesat në valutën digjitale të rriten në mbarë botën: investitorët dhe kompanitë kanë mbështetur asetin që sapo doli pavarësisht paralajmërimeve për paqëndrueshmërinë e saj.

“Populli turk kërkon asete stabile për shkak të historisë tonë të inflacionit të lartë,” tha Yzgyr Gyneri, drejtori ekzekutiv i BtcTurk. “Kjo është arsyeja pse brez pas brezi të turkëve kanë invetuar në ar, në pasuri të paluajtshme dhe në dollarë.”

Interesi i turqve në kriptovaluta është rritur vazhdimisht përgjatë viteve, pjesërisht edhe për shkak se janë resurse të fundme dhe edhe për shkak të reputacionit se janë imune nga inflacioni.

Deri tash, Ankaraja nuk ka bërë asnjë lëvizje për të rregulluar apo për të taksuar hapësirën e valutave digjitale.

Erdogani së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj popullit turk që të investojnë në ar dhe në valuta të huaja.

Shpërndaje në: