Pikat e zeza të ekspertizës, shteti s’është melaqe !

Përse u nxorën nga loja ekspertët e pavarur ? Këtyre nuk iu lejua të "prekin" autopsinë që iu bë të riut 26 vjeçar, Astrit Deharit, i cili u shua në qelinë e burgut të Prizrenit ! Atyre nuk iu lejua t'i kenë në dispozicion as fotografitë nga vendi i ngjarjes. "Fotografitë ekskluzive" qenkan sekret shtetëror ! Mbeti dilema: Kush e futi në qelinë e tij "arsenalin e armëve", zhiletat, peshqirin, sapunin... Filmi nuk ka mbaruar, ai rinis me superekspertizën.

Shkruan: Agim Muhaxheri Op-Ed

Prokurori i shtetit tha: Astrit Dehari u vetëvra !

Kjo nuk don të thotë se mbaroi filmi.

Filmi rinis atëherë kur të behët ekspertiza e dytë, superekspertiza.

Vetëm atëherë rafshohen zemrat, jo vetëm të familjes Dehari.

Vetëm atëherë çohet në vend drejtësia !

Për hirë të drejtësisë, që ajo të çohet në vend, superekspertiza do të ishte një “conditio sine qua non”, ngase ajo e para është e mbështjellur me pika të zeza.

Në historinë e proceseve gjyqësore, superekspertizat kanë përmbysur raportet e ekspertëve, kanë ndërruar gjendjen e faktit juridik, vetëvrasja ka dalë të jetë vrasje.

Pas 13 ditësh, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, transmetoi ekspertizën, atë çfarë shkruan lidhur me autopsinë që u bë në trupin e të riut, 26 vjeçarit Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i dyshuar për terrorizëm.

Shkak i vdekjes, sipas ekspertëve, tha ai është asfiksia, mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes me mjet të fortë.

Hoxha përjashtoi mundësinë që Astriti të jetë përleshur me ndokë ditën kur ndodhi e papritura, më 5 nëntor 2016, meqë në kafazin ku qendroi s’ka mundur të hyjë askush !

Ekspertët e pavarur u nxorën nga loja. Nuk i lejuan të “prekin” autopsinë, t’i kenë në dispozicion fotografitë nga vendi i ngjarjes.

“Fotografitë ekskluzive” dalin të jenë fshehtësi e shtetit !

Ky kryeprokuror nuk sqaroi se kush i futi në qeli “aresenalin e armëve”, shishen e plastikës, peshqirin, zhiletat, sapunin, lapsin kimik të lidhur me një tojë…

Ndoshta për të kjo gjendje faktike është “cikërrimë”, e që s’është kështu.

Gjithashtu, prokurori i shtetit, njoftoi se për rastin “Dehari” qenkan marrë në pyetje 17 persona.

Kush janë ata 17 persona ?

Tri ditë më herët, përkatësisht më 15 nëntor, në “Rubikon” të KTV-së, mbrojtësi i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi rrëfeu se më 7 nëntor, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, e ka parë trupin e pajetë të Astrit Deharit.

Gashi tha:

Fytyra e Astritit ishte e pastër, më e pastër se imja dhe e juaja, ua kujtoi këtë gjendje pjesëmarrësve të tjerë në debatin televiziv. Hollësitë flasin për inskenimin e  ngjarjes..

Meqë fytyra e Astritit ishte e pastër, nga doli gjaku, si u përgjak sapuni, peshqiri ?

Askush deri më tash nuk u mor në përgjegjësi për atë çfarë ngjau me Astrit Deharin.

Të rrimë shtrembër, të flasim drejtë, të shuhet jeta e njeriut brenda grilave, askush të mos jep përgjegjësi, kjo i kalon caqet e normales.

Në rastin konkret, shteti s’është melaqe !

Shpërndaje në: