Pesë vjet pas vrasjes,  Prokuroria pezullon hetimet për rastin e Diana Kastratit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pezulluar hetimet në rastin e vrasjes së Diana Kastratit.

Periskopi.com Lajme

Ky rast është pezulluar, pasi organet e drejtësisë nuk po mund ta bëjnë ekstradimin e të dyshuarit  për vrasjen e Dianës,  Adnon Jashari, i cili gjendet në duart e autoriteteve  spanjolle.

“Ju informoj se procedura për rastin në fjalë është pezulluar  për shkak të mungesës të të pandehurit”, është shprehur  zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ekrem Lutfiu.

Prokuroria nuk ka treguar se kur është bërë pezullimi i hetimeve dhe çfarë informacione ka rreth mundësisë së ekstradimit të të dyshuarit Adnon Jashari në Kosovë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë  Drejtësisë,  thonë se i gjithë komunikimi me autoritetet spanjolle tash e tutje po bëhet përmes zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar lidhur me rastin në fjalë njofton se rreth një muaj më parë i gjithë komunikimi me autoritetet spanjolle është bërë nëpërmjet EULEX-it, dhe tani bëhet përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë”, është shprehu zyrtarja për informim e kësaj ministrie, Saranda Salihu.

Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, sipas saj,  ka dërguar një kërkesë të serishme tek kjo zyre, për përcjellje të mëtutjeshme për tek autoritetet spanjolle.

Ajo rikujton se  kundër këtij personi ishte lëshuar Urdhër Arrest Ndërkombëtar dhe rreth çështjeve operacionale është duke punuar Policia e Kosovës/FAST KOSOVA.

Babai i Dianës, Gëzim Kastrati, thotë se informacioni i fundit që ka ai për rastin e vajzës së tij, është që i dyshuari është kapur në Spanjë, por që nuk po mund të ekstradohet për shkak të mos  të mosnjohjes së shtetit të Kosovës

Ai thotë se nuk është në dijeni për pezullimin e hetimeve ndaj këtij rasti, dhe kërkon që i dyshuari sa më shpejt të paraqitet para drejtësisë kosovare. Sipas tij, neglizhenca e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka barë që të vije deri të vrasja e vajzës së tij.

“Mos interesimi i shtetit, përfshirë  policinë,  prokurorinë  dhe të  gjitha institucionet tjera  të vendit,  e ka shty këtë rast deri këtu. Po të kishin qenë në nivel institucionet nuk kishte me ndodh vrasja”, ka thënë për “Indekonline”, babai i Dianës, Gëzim Kastrati.

Ndryshe, Diana Kastrati është vrarë në maj të 2011-së  disa metra larg shtëpisë së saj, dhe i dyshuari kryesor për kryerjen e këtij krimi është ish-bashkëshorti i saj,  Adnon Jashari, me të cilin ajo kishte qenë e martuar për 10 vjet dhe ka një vajzë.

Shpërndaje në: