Partia Demokratike me plan për grevë urie

Opozita shqiptare radikalizon dhe ekstremizon aksionin e saj politik, në përpjekje për të detyruar koalicionin PS-LSI që të dorëzojnë pushtetin, për krijimin e një qeverie të përbashkët.

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike ka vendosur të ngujohet para Kryeministrisë, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë një grevë masive urie.

Në shkelje të lejes së dhënë nga Policia e Shtetit, për afatin dhe modalitetet e protestës, organizatorët e protestës, në drejtimin e ish-drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ngritën një çadër në bulevard, para Kryeministrisë. Ata kërkojnë krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas PD, do të garantonte zgjedhje të lira dhe ndershme.

Me sipërfaqe disa qindra metra katrorë dhe disa metra e lartë, në këtë çadër qëndrojnë të rinj të FRPD, militantë, anëtarë forumesh dhe deputetë.

Herë pas here tek çadra do të shkojnë edhe ish-kryetari i PD Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha.

Çadra është quajtur nga të rinjtë e FRPD: “Shtëpia e re e demokratëve, çadra e lirisë, qëndresës dhe protestës”.

Edhe pse ngritja e çadrës, ku do të qëndrojnë një numër i kufizuar protestuesish, është një strategji e përdorur nga Partia Socialiste, gjatë qeverisjes së djathtë, opozita pretendon se po zbaton skenarin rumun.

Përfaqësues të opozitës, konkretisht deputeti Luçiano Boçi dhe kreu i FRPD Belind Këlliçi kanë paralajmëruar mundësinë e kalimit në një grevë urie.

“Tek çadra do të ketë grevë urie, ne nuk largohemi. Protestuesit nuk do largohen nga Bulevardi deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha Boçi.

Deputeti tjetër i PD Ristani ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri sa të largohet qeveria, ndërsa Aldo Bumçi ka nënkuptuar kalim në një aksion dhune. Ai tha se nëse Rama nuk largohet butësisht, do të përdoren, sipas tij mjete të tjera për ta larguar.

Shpërndaje në: