Osmani i kërkon Thaçit të deklarohet për korrigjimin e kufijve, reagon Blerta Deliu

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeparlamentares, Vjosa Osmani e cila ka thënë se Thaçi duhet të deklarohet para qytetarëve dhe t’i garantojë ata se ka hequr dorë nga ideja e tij për korrigjim të kufijve.

“Të provosh të bësh politikë duke mbjellur paranoja, shpërndarë të pavërteta e përhapur mjegull mund të kuptohet në njëfarë mënyre prej pozicionit opozitar. Por, kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, ofendon institucionin që përfaqëson”, ka shkruar Deliu.

Derisa shtoi se “Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizëm përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese”.

Postimi i plotë:

Fati i Kosovës është përcaktim kolektiv dhe tingëllon qesharake kur provohet të reduktohet në një individ të vetëm, pavarësisht pozitës shtetërore që bart.

Kuvendi i Kosovës, si institucion burimor i vullnetit të popullit është bartësi i vetëm i sovranitetit. Ai është deklaruar dhe çdo dilemë e ngritur me qëllim të personalizimit të kësaj çështje është thjesht një lojë e ulët politike për poena të ulët elektoral.

Një proverb i amerikanëve autoktonë (native americans) thotë: Tokën nuk e trashëgojmë nga paraardhësit, atë e huazojmë nga fëmijët tanë!

Integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm. Atë do t’ua dorëzojmë fëmijëve tanë në tërësinë që ua kem huazuar!

P.S. Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizëm përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese.

Shpërndaje në: