Nxënësit e Smirës pushojnë gjatë ditëve të punës, mësojnë gjatë fundjavës

Rreth 130, nga afro 500 nxënës të shkollës “Dëshmorët e 5 prillit”, në fshatin Smirë të Vitisë, po mbajnë mësim vetëm gjatë ditëve të fundjavës, derisa pushojnë gjatë ditëve të tjera.

Periskopi.com Lajme

Ky çrregullim i orarit ka ardhur për shkak të vonesave në rinovimin e objektit të shkollës, i cili ka filluar më 28 gusht, raporton KTV. Mësimi aktualisht, është duke u mbajtur në katër klasat e aneks-objektit, që është ngjitur me objektin e vjetër të shkollës.

Ky improvizim, sipas drejtorit të shkollës, Xhavit Sahiti, është bërë në bashkëpunim me prindërit dhe këshillin e shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos ngecin.

Derisa objekti po rinovohet, nxënësit, gjatë fundjavës, mbajnë nga 10 orë mësimi në ditë. Sahiti e pranon se kjo mund të jetë ngarkesë për fëmijët, por ata janë konsultuar edhe me prindërit, që fëmijët t’i pajisin me ujë dhe ushqim para nisjes në shkollë.

Ndërkohë, në njërën klasë, në fundjavë, në mungesë të hapësirave, dy paralele mbajnë mësim në të njëjtën kohë e të njëjtën klasë, me dy mësuese.

Ndërsa, në komunë e pranojnë se ka pasur vonesa, dhe se rinovimi është dashur të bëhet gjatë pushimit. Por, sipas tyre, kjo ka ndodhur, për shkak të vonesës së granitit, të cilin thonë se nuk kanë guxuar ta rrezikojnë.

Shpërndaje në: