Connect with us

Op-Ed

Mësimet e një emisioni

Pse Netanjahu ka ndonjë pedigre morale ? Netanjahu është një katil serik që bota i’a dëgjon kutet. Njejtë si Assadi. Edhe Putini e Obama janë katilë serik. Kurse Erdogani njeri që njëkohësisht vajton e pranon sirianët, por që edhe ulet në tavolinë me vrasësit e tyre. Sarkozy s’të linte kurrfarë përshtypjesh akademike. Dukej më shumë si një sharllatan që s’mund të besoje se ka dalur nga shkolla franceze. Për shumë të praruarin Çeda Jovanoviq, nuk tregohet se si kishte ofenduar me “siptar” Haki Eminin, një shqiptar nga Medvexha, anëtar i kahershëm i partisë së tij. Të mos hyj këtu tek kredoja morale a gjuha e Vuçiqave e Gjuriqave.

Published

on

Shkruan: Fatlum SADIKU

Në thelbin e diskursit së një politikani, nuk qëndron mendimi, por veprimi. Jo e vërteta, por gjysmë e vërteta, dhe jorralleherë edhe e rrena. Politika më shumë sesa që mendon, vepron. Vërtet ushtrimi i politikës mendohet nga Akademitë që përbëjnë boshtin antologjik se kah atashohet/orientohet mendimi politik i politikanëve të një një kombi, por as ne e as Shqipëria s’kemi traditë të shkollës politike, dhe diçka e tillë është luks për ne. Diskursi politik i takon fushës se partikularizmave ditorë. Rrjedhës së ditës.  Jo mendimit të situr e akademik.

Pse Netanjahu ka ndonjë pedigre morale ? Netanjahu është një katil serik që bota i’a dëgjon kutet. Njejtë si Assadi. Edhe Putini e Obama janë katilë serik. Kurse Erdogani njeri që njëkohësisht vajton e pranon sirianët, por që edhe ulet në tavolinë me vrasësit e tyre. Sarkozy s’të linte kurrfarë përshtypjesh akademike. Dukej më shumë si një sharllatan që s’mund të besoje se ka dalur nga shkolla franceze. Për shumë të praruarin Çeda Jovanoviq, nuk tregohet se si kishte ofenduar me “siptar”  Haki Eminin, një shqiptar nga Medvexha, anëtar i kahershëm i partisë së tij.  Të mos hyj këtu tek kredoja morale a gjuha e Vuçiqave e Gjuriqave.

Por ku po dua të dal me këto. Te fakti se nga një politikan nuk mund të presësh versete nga Bibla, Kurani a Torah. As shitje induligjencash. As poetikë të Hölderlinit a Rilkes. Edhe nëse u dalin nga gojët gjëra të këtij soji, e kanë për kute politike. Rama është një politikan, jo nxënës i akademisë së Platonit, ku ndalohej hyrja nëse s’dije gjeometri. E shumta mund të merret si lexues praktik i Makiavellit. Fundja a nuk jemi populli i njejtë që disi me njëfarë nënkuptimi felin, e merrnim Berishën, “pak për t’hupt, po s’ka lidhje”, teksa politikanët gojtarë na duken se vazhdimisht po rrejnë? Duket pra se ky milet me gjasë i do Idriz Ajetin e Fehmi Aganin që mezi flisnin, e që krejt çka na sollën janë dofarë daljesh publike për konferenca.

Në thelbin e gazetarisë, thellë-thellë qëndron thashethema përkatësisht rënia pas gjurmëve të (pa)saktësisë së një lajmi a dyshimi.  Madje tek ne jo thellë-thellë, por mjedis fushe, në zemër të saj. Kjo nuk do të thotë se thashethema s’mund të jetë reale ashtu siç deklamohet, apo se gazetaria është profesion pa lavd. Jo bota, nuk mund të paramendohet pa ta. Por sot, për mendimin tim ky profesion po lufton seriozisht të ruaj diçka nga magjia e vet, kryesisht në atë të raportimit nga vendet e luftës dhe zbulimeve serioze të skandaleve.

Baton Haxhiu edhe mund ta ketë të parën, por nuk e ka kurrë të dytën (nga e cila patëm diçka por që shpejt u hesht).  Kjo sepse Baton Haxhiu, nuk është qëndrestar i kohërave, por njeri i devrit.  Jo njeri që i qëndron kohës, por njeri i të gjitha kohrave. I devër-dynjasë. Si të jetë devri, njashtu edhe Batoni. Ka pasur mësues të mirë: Surroin, Maliqin, Zatriqin. Madje në komemoracionin e djeshëm të këtij të fundit, Zatriqin e quajti politikan. Ske se si të mos pajtohesh. Njejtë është edhe vetë.  Të kesh monopol medial për gati 30 vite flet diçka.

Në thelbin e atashimit të një studenti duhet të jetë i ngulitur pyetësimi dhe kërkimi, jo pjesëmarrjet prej hutini. Pyetja dhe kërkimi i përgjigjes se çfarë kërkoj në një emision të një njeriu që ka përshkuar edhe devrin e babait tim? E vërtetë, vetë Rama ka karrierë politike sa vetë vjetët e atyre studentëve të IPSE-së, por nëse s’ke çka i bën Ramës, pyete bile  njëherë veten përse të  përshkohet jeta nga dikush si Batoni. Tjetra,  teksa të bombardon në fakultet me dijetari mbi BE-në, cili është qëndrimi i Mazrekut ndaj Prontos ? E jo të marrësh pjesë si hutini.

Në thelbin e shikuesit/dëgjuesit të emancipuar duhet të konsistoj qytetaria. Por para kësaj vetëdija se është i manipuluar dhe i braktisur. Ta kujtoj diku nga Shkolla e Mesme, edhe më e lodhura në past qenë, lëndën e Ekonomisë, respektivisht kapitullin mbi koncentrimin e kapitalit. Pse Prishtina duhet të jetë vetë Kosova? Ta pyes veten kur për herë të fundit ka ndryshuar për së mbari diçka në qytezën e tij, para se të gjykojë për Ramën.

Mësimi i nxjerrur: nuk heqim keq për politikanë, por për qytetari, student kërkues, e ç’monopolizim medial.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Op-Ed

Mëngjes në fashizëm

Published

on

Fashizmit nuk ia duron lehtë mideja mjetet e informimit. Për shembull, fashizmi i Vetëvendosjes e ka një parullë orwelliane: Mediet duhet të informojnë KREJT dhe DREJT

Vetëvendosje, e kam thënë e stërthënë, është lëvizje fashiste. Ka qenë një puro fashizëm gjatë aktivizmit të saj parapolitik dhe e ka përforcuar edhe më shumë prej se është kthyer në lëvizje politike dhe ka synuar marrjen pushtetit. Herën e parë kur erdhi në pushtet, ishte një lloj lehtësimi për të gjithë ata që si unë ia kanë frikën fashizmit, sepse ishte në bashkëqeverisje të plotë me një subjekt tjetër, ideologjikisht të kundërt dhe kështu gjasat e balansimit ishin të mëdha. E megjithatë ajo qeverisje nuk pati jetë veçse për pak ditë. Gabonim. Fashizmi nuk ka bashkëshorte. Është beqar përdhunues.

Nuk është një fashizëm që ka pikur nga qielli. Nuk është fashizëm që ka mbirë nga ferri, në ndonjë natë të errët të ndonjë frike a kiameti. Është thjesht fashizmi i rëndomtë, të cilit ia ka shtruar rrugën me lule për njëzet vjet një qeverisje banditësh të rrugës (subjektet e dala nga lufta, ose lëvizja e armatosur) dhe banditëve me kravatë (lëvizja paqesore). Është fashizmi që në kohë normale demokracie e zhvillimi thjesht rri i strukur në gjirize, duke u cakërruar dhëmbët nga frustrimi, pa mundur ta nxjerrë kokën as për të marrë pak diell.

Për njëzet vjet LDK, PDK dhe AAK në vend se ta ushtronin qeverisjen, e kanë ushtruar banditizmin dhe krimin e organizuar. Kanë shkuar deri aty sa nuk ka një gjë të vetme për të cilën do të mund të thoshin: në rregull, nuk kemi lënë të zezë pa bërë, por ja këtë nuk do ta bëjmë. Thjesht, nuk ka pasur të zezë që nuk do ta bënin, deri aty ku nuk ndërhynte presioni ndërkombëtar. Aty ndaleshin, sigurisht. Arsyet mund të jenë të ndryshme.

Pushteti i tyre ishte pushteti i arrogancës së liderit dhe të bëmës. LDK përdorte aurën e liderit, Ibrahim Rugovës, që i kishte prirë lëvizjes paqesore për një dekadë. Kjo është arroganca e liderit. Subjektet e dala nga lëvizja e armatosur përdornin aurën e bëmës së tyre, natyrisht të hiperbolizuar dhe mitizuar. Pak rëndësi kishte. Arroganca e bëmës ua mundësonte ta ushtronin arrogancën e rrugës, pushtetit. Si rezultat, nuk ka mbetur e mirë e përbashkët pa u keqpërdorur, vjedhur e plaçkitur. Vetëm sepse mundnin dhe vetëm sepse, si ata banditët e lagjës, shkonin me mendjen se askush nuk guxon t’u thotë se i kanë sytë e zinj.

Kjo, me pak fjalë (pa e injoruar rrezikun që mund të sjellë ky thjeshtëzim), është rruga e shtruar me lule për fashizmin. Fashizmin e Vetëvendosjes. Kjo ka bërë që Vetëvendosje, fashizmi, sot ta ketë arrogancën e popullit (përkatësisht votës). Arroganca e popullit është, s’do mend, ku e ku më e rrezikshme se ajo e banditizmit të rrugës. Sepse, në fund, edhe fashizmi është banditizëm, por banditizëm ideologjik. Dallimet janë esenciale. Banditizmin e rrugës një ditë edhe e mposht, atë ideologjik është bukur më zor.

Arroganca e popullit (votës) sot ia lejon fashizmit të përpiqet ta kontrabandojë ligjin për zgjedhjet. Atë që e bëjnë për të mirën e tyre, duan ta shesin për të mirën e përbashkët. Arsyetimet i kanë para veprimeve. Sepse së pari prodhojnë arsyetime, pastaj veprime që nuk janë veprime në vetvete e për vete, por si pasojë direkte të arsyetimeve. Arsyetimi është e mira e tyre, dobia e tyre; madje, parimi i tyre.

Arroganca e popullit (votës) ua mundëson të kenë lehtësinë fashiste ta imponojnë ligjin për konfiskimin e pasurisë, duke ua mësyrë kundërshtarëve dhe të tjerëve pa asnjë provë dhe pa asnjë aktgjykim. Tjetri është armiku. Drejtësia është ajo që ndien dhe mendon fashizmi. Një herë ndalohesh, pastaj i gjejnë (sajojnë) provat dhe i nxjerrin përfundimet. Kur të harxhohen kundërshtarët, të tjerët janë populli (votuesit).

Arroganca e popullit (votës) bën që dështimet e pushtetit (fashizmit) të shihen si sajesë e mediave, kundërshtarëve, armiqve të popullit. Mediet duhet të hetohen. Duhet të mbahen nën kontroll. Duhet të informojnë DREJT dhe KREJT.

Janë zbythur në këto tri raste? Me gjasë po. Asnjë lehtësim. Asgjë nuk ka përfunduar. Për më tepër, më e rëndësishmja: zbythja tregon se jemi duke ngrënë kafjall. Kafjalli është i lehtë. Në drekë servohet ushqim më i fortë.

*Shkruar për GazetaExpress.com

Continue Reading

Op-Ed

Çfarë ka ndodhur me Donald Trump?

Published

on

By

Ai ishte shumë këmbëngulës gjatë kohës që po largohej nga Shtëpia e Bardhë:”Unë do të mbetem në politikë!”. Ishte një fund i trazuar i presidencës – fajësimi, faljet skandaloze, por edhe një debat i fortë mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale – por Trump e dinte se kishte pas ndjekës të përkushtuar, ndaj ai synonte të mbetej një zë i fortë në politikën amerikane.

Dhe jo vetëm ai:Familja e tij ishte e etur të përfitonte nga suksesi i tij elektoral. Zakonisht një ish-president mban një profil të ulët pasi lë detyrën. Ai nuk do ta bënte atë. Por do të mbetej figura dominuese në partinë e tij. Por planet nuk i shkuan mirë.

Presidenti u vendos në shtëpinë e tij të re, duke u bërë thirrje miqve që ta ngrinin zërin mbi mënyrën e padrejtë se si ishte trajtuar, dhe të anoheshin për prokurorët që ishin më shumë sesa duhej të zellshëm kundër tij. “Ai të lodh duke e dëgjuar përherë më këto gjëra!”- rrëfeu një mik.

Ishte viti 2001, dhe ish-presidenti ishte Bill Clinton. ”Kur një president largohet nga detyra, ne presim që ai të zhduket nga skena për një farë kohe, që t’ia lëshojë skenën presidentit të ri, dhe të na japë pak kohë për të harruar se përse nuk u penduam që e lamë të largohej”-shkruante “Time”.

Nuk ka gjasa që Donald Trump ta telefonojë Bill Clinton për t’u takuar. Dhe kjo jo sepse Klinton do ta refuzonte ftesën. Por sepse nëse do të uleshin të bisedonin, të dy burrat mund të zbulonin se kishin diçka të përbashkët për të diskutuar. Trump ka mbetur papritur shumë i mënjanuar që nga largimi i tij nga detyra.

Shumë pak njerëz mund ta kishin imagjinuar këtë. Philip Bump i “Washington Post”shkroi kohët e fundit se nëse kërkon në Google imazhet e fundit të Trump, të dalin në shumë ato të kohës para se ai kandidonte për president.

Teoria më popullore për zhdukjen e Trump nga skena, është se ndalimi që i bëri Twitter (dhe faqet e tjera të mediave sociale), e kanë dëmtuar shumë aftësinë e tij për të arritur një audiencë të gjerë. Me llogarinë e tij në Twitter në majë të gishtave, ai mund të shfrynte dufin ndaj kujtdo dhe ndaj gjithçkaje, dhe do të pëlqehej dhe komentohej nga miliona ndjekës.

Media do të raportonte me siguri mbi qëndrimin e tij të fundit. Eklipsimi i Trump duket se fillon rreth 8 janarit, kur Twitter njoftoi ndalimin e profilit të tij. Është e qartë se Trumpit i mungojnë postimet në shkurtra në Twitter, dhe marrja e reagimeve të menjëhershme nga audienca.

Ai ua dërgon me e-mail gazetarëve deklaratat e tij – ndonjëherë disa në ditë – me shpresën se ata do t’i postojnë në Twitter, por nuk është e njëjta gjë. Por edhe teoria e Twitter-it ka të meta. Postimet e Trump mund të shkaktonin drithërima tek zyrtarët qeveritarë, por ato kishin nisur ta humbnin forcën e tyre që pas vitit 2019.

Më pak njerëz kishin filluar që të reagonin ndaj tyre, dhe përpjekjet e Trump për ta kompensuar atë rënie thjesht duke postuar më shpesh, e dobësuan më tej efektin. Amerikanët dukej se po bëheshin më të ngopur me deklaratat e vrazhda të presidentit.

Përveç kësaj, dikush që ka famën e Trump s’ka nevojë për të pasur doemos një llogari në Twitter. Si një kandidat presidencial rebel në vitin 2015, Trump zbuloi se llogaria në atë platformë, i siguronte një mënyrë të dobishme për të drejtuar diskursin, edhe pse pak gazetarë apo politikanë e morën në fillim seriozisht kandidimin e tij.

Por kur ishte president, Trump kishte edhe shumë mënyra të tjera në dispozicion për të diktuar vëmendjen e medias:konferencat për shtyp, intervistat zyrtare, dhe adresat e Zyrës Ovale. Megjithëse ndonjëherë u shmangej këtyre metodave si president – ai nuk dha një adresë të Zyrës Ovale deri gati 2 vjet pas nisjes së mandatit të tij – ai po përdor tani mjetet që i mbeten në dispozicion.

Për disa kohë pas përpjekjes për grusht shteti më 6 janar 2001, Trump qëndroi çuditërisht i heshtur, me sa duket duke dëgjuar këshillat e ndihmësve, të cilët i sugjeruan që të mbante kokën ulur ndërsa Senati ishte ende duke shqyrtuar fajësimin e tij. Por që kur Senati nuk arriti ta dënojë, Trump ka qenë më i zëshëm.

Ai ka vazhduar të bëjë deklarata publike, përfshirë ato në mbledhjen e Komitetit Kombëtar Republikan fundjavën e kaluar, dhe ka dhënë intervista në disa prej stacioneve televizive të  të preferuara prej tij. Gjithashtu ai ka dhënë të paktën një duzinë intervistash për librat e shkruara rreth presidencës së tij.

Trump mund të tërhiqte më shumë vëmendje, nëse do jepte një intervistë për një gazetar më kundërshtar. Trump mund të jetë viktimë e suksesit të tij të dikurshëm në diktimin e ciklit të lajmeve. Së pari, ndoshta media ka filluar më në fund ta kuptojë leksionin në lidhje me mbulimin e “karremave” të tij, që ishin deklarata gjithnjë e më boshe.

Së dyti, aftësia e Trump për të diktuar lajmet, varej pjesërisht nga provokimet e tij gjithnjë e më të forta. Dhe pasi ke provuar të përmbysësh një palë zgjedhje presidenciale, nuk ke shumë hapësirë ​​për të përshkallëzuar më tej. Trump pati sukses duke u shndërruar në një zëdhënës të ankesave të bazës së tij të mbështetësve.

Por ankesat e tij në lidhje me zgjedhjet – edhe pse ai është përpjekur t’i cilësojë ato si vjedhje të zgjedhjeve – janë në thelb vetëm për atë që ai e sheh si një fyerje personale ndaj tij, dhe jo si një kauzë kombëtare.

Sondazhet tregojnë se shumë republikanë besojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara, dhe dëmi që do t’i sjellë kjo besimit tek demokracia në planin afatgjatë, është i rrezikshëm. Megjithatë në një të ardhme më të afërt, askush nuk do të mbetet aq i zemëruar personalisht për këtë sesa vetë Trump.

Disa ndjekës që e shihnin atë si një njeri që mund të sfidonte establishmentin, do ta shohin tani humbjen e tij si provë se politika është e pandryshueshme, dhe do të zhyten në apati apo do të shkëputen prej tij. Për të tjerët, humbja e Trump e bën atë një humbës. Ndaj ata do të kërkojnë tani “heronj” të tjerë.

Edhe pse ka humbur ndikimin në media, Trump mbetet në kontrollin e Partisë Republikane. Një pakicë e konsiderueshme e popullsisë e mbështet ende atë. Ai kryeson në sondazhet mbi votuesve e Partisë Republikane për kandidatin zyrtar të presidencialeve të vitit 2024. Republikanë të njohur si Kevin Mccarthy dhe Steve Scalise, bëjnë vazhdimisht pelegrinazh në rezidencën e Trump Mar-a-Lago për të forcuar pozitat e tyre. Komiteti i fushatës për republikanët e Senatit duket se shpiku një çmim enkas për Trump.

Edhe figura të tilla si Mitch Mcconnell dhe Nikki Haley, që e kritikuan ashpër Trumpin për ngjarjet e 6 janarit, kanë deklaruar se do ta mbështetin atë, nëse ai ishte do të ishte i nominuari për zgjedhjet e vitit 2024. Por ajo që zotëron Trump është fuqia negative – fuqia për të siluruar çdo republikan që nuk është dakord me të. Ai e ka humbur pjesën më të madhe të fuqisë së tij pozitive – aftësinë për t’i bërë gjërat të ndodhin, për të falur, dhe për të çuar përpara kauzat.

Problemi themelor për Trump është se pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira po edhe atyre më të poshtra, ai nuk është më president. Ai thjesht nuk ka shumë rëndësi tani në SHBA. Kjo gjë i ndodh çdo presidenti sapo largohet nga detyra – madje edhe atyre si Bill Clinton, që largohen nga posti relativisht popullorë, në një kohë që Trump nuk ka qenë kurrë i tillë.

Përgjatë karrierës së tij politike, Trump ka vepruar sikur të jetë imun jo vetëm ndaj pasojave ligjore për veprimet e tij por edhe ndaj të gjitha rregullave tradicionale të politikës, dhe ka arritur të bindë shumë analistë se kjo është e vërtetë. Deri më sot, ai ka qenë i suksesshëm në shmangien e ligjit, por rregullat tashmë e kanë zënë mat. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Continue Reading

Op-Ed

Qysh duhet me u dënu Shefqet Krasniqi për seksizëm?

Published

on

Një hoxhë i njohur shprehu qëndrime seksiste në një emision debatues. Ai tha pak a shumë që “gruaja e ka vendin në kuzhinë, e burri në odë”. Dhe, rrjeti social Facebook gjëmoi në protestë kundër kësaj ndarjeje territoresh në baza gjinore. Një gjëmim, absurditetin dhe realitetin e të cilit duhet me e trajtu fort seriozisht.

Unë nuk besoj aspak që dikush ka pritë prej të pandehurit, Shefqet Krasniqi, me shpreh qëndrime feministe. Unë nuk besoj aspak që dikush, kushdo, pret prej një hoxhe, cilitdo hoxhë, që me shpreh qëndrime feministe.

Po e them troç atë që e dimë të gjithë: feja islame, ashtu si dy fetë tjera abrahamike, është qysh në thelb seksiste parë prej cilësdo perspektivë feministe. E matanë këtij thelbi, nëse mund të dilet matanë thelbit, gjallon një histori e gjatë dhe tmerruese e shtypjes së grave. Një shtypje e bërë bash prej çdo sekti e bash ndaj çdo gruaje.

Prandaj, me reagu ndaj një deklarate të caktuar seksiste të një hoxhe nënkupton fillimisht me e mbulu seksizmin blatant që përfaqëson vetë ekzistenca e hoxhës dhe e fesë. Sidomos në vendin tonë.

Por, ka diçka shumë më të rëndësishme. Është një formë specifike e këtij reagimi që po dënon thjesht praninë e hoxhës në debatin publik.

Ky reagim specifik na kallëzon së pari ‘marshin automatik’ në të cilin është vendos feminizmi kosovar në rrjetet sociale. Duke shfrytëzuar papërcaktueshmërinë gati të plotë teorike, e për rrjedhë edhe ideologjike, ky feminizëm në kërkesën për mobilizim bëhet pseudo-feminizëm, e si i tillë tepër i adoptueshëm dhe tepër fleksibil – siç nuk ekziston tjetërkund pos Kosovës.

Dhe pikërisht ky mobilizim na çon në karakterin e tij ekskluziv e jopolitik [jostrategjik].

Unë nuk njoh ndonjë feministe apo feminist që nuk ka mbetje seksiste. Bile, sa më shumë të ketë lexuar në fushën e studimeve gjinore, aq më të vetëdijshëm janë për ato mbetje. Ta zëmë, shumica prej nesh ende mbiemërohemi me emrat e familjes së babait, veç të babait, e jo edhe të nënës. Dhe s’ka as kërkesë që kjo të ndryshojë. Disa prej nesh, gra, i shtojnë ende mbiemrit të tyre edhe atë të burrit derisa kjo nuk ndodh me burrat. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi me nacionalizmin toksik shqiptar dhe kemi kontestuar figura historike seksiste. Përkundrazi, ne vazhdojmë t’i himnizojmë ato. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi për himnin shqiptar që ka gjuhë eksplicite seksiste.

Pra, ne nuk jemi puritanë në feminizëm. E as nuk mund të jemi duke marrë parasysh ngushtësinë e gjuhës. Por, është e rëndësishme të kemi qëndrime radikale. Dhe, të kesh qëndrime radikale nuk nënkupton domosdo t’i shprehësh ato me metoda radikale. Të kesh qëndrime radikale, në varësi të vetë qëndrimeve natyrisht, nënkupton t’i kuptosh ato prej rrënjës së tyre. Të mos jesh laraman.

Pra, ne duhet të jemi radikalë e qartë të përcaktuar në atë që besojmë – e njëkohshëm edhe pranues ndaj atyre që kanë bindje tjera. Pranues, para së gjithash, sepse përveç që nuk i dimë aq mirë rrënjët e bindjeve tona feministe, ende po mësojmë gjëra elementare.

Dhe, duke qenë në këtë marsh automatik reagues tepër përjashtues, kjo na çon drejt kërkesës aktualisht absurde për hoxhallarë feministë. Një kërkesë që e çkuptimëson angazhimin e deritashëm për zgjerim të fushës së luftës për barazi.

Duhet me e kuptu që jemi të kurthuar brenda një gjuhe e një politike gjuhësore që duhet me u ndërru. Me plot ofshama, sharje, fraza, emra, fjalë, togfjalësha, nënkuptime e parakuptime seksiste. Dhe, meqë gjuha është ndodhi shoqërore, që ekziston vetëm duke qenë e përbashkët, e prandaj e kuptueshme, seksizmit është e zorshme t’i shpëtojmë. Dhe pikërisht kjo fushë duhet zgjeruar me urgjencë.

Në intervistën e hoxhës Krasniqi unë nuk u befasova nga ndarja në baza gjinore që i bëri hapësirës. Në fakt, ajo që më befasoi është se ky hoxhë – me të drejtë – denoncoi pikërisht diskriminimin e grave në kanunin e Lekë Dukagjinit. Edhe kjo na tregon që metodat radikale e përjashtuese që shprehin qëndrime laramane e të papërcaktuara duhet me u ndërru. Në vend të përjashtimit – që potencialisht mund të prodhojë edhe kundër-reagim të madh e të fuqishëm ose thjesht vetizolim në hapësirat ‘private’ të diskutimit – do të duhej promovuar gjithëpërfshirja dhe përballja.

Shoqëria jonë është qartazi e ndarë në dy grupe. Në konservatorë dhe në liberalë. Konservatorët, ani pse shumicë dërrmuese, kanë një përfshirje tepër të vogël në sferën publike. E liberalët, edhe pse pakicë dërrmuese, kanë përfshirjen dominante. Kjo pashmangshëm prodhon ndjesi të represionit e më pas edhe dezintegrimit te pjesa konservatore e shoqërisë.

Emancipimi – besoj është e qartë për secilin – në vende kapitaliste derdhet njësoj si vetë kapitali: vertikalisht, prej lart poshtë. Përgjithësisht, janë njerëzit të cilët kanë më shumë pasuri e mundësi që marrin arsimim më cilësor e qasje më të madhe në këtë ‘produkt’. Prandaj, qasja përjashtuese përveç që në mënyrë direkte sulmon pjesën më të lëndueshme edhe ekonomikisht të shoqërisë, gra e burra bashkë, ajo kufizon vrazhdë edhe hapësirën për emancipim ndaj këtyre njerëzve.

Prandaj, dënimi i seksizmit të hoxhallarëve nuk duhet bërë nga lëngimi për t’i zgjatur jetën laramanisë tonë gërditëse. Që në një anë të kemi feminizëm në publik, dhe seksizëm të tolerueshëm në hapësirat private. Hoxhallarët duhet të dënohen nga lëngimi për emancipim të gjithmbarshëm shoqëror. Dënimi duhet të jetë në atë mënyrë që hoxhë Shefqet Krasniqi nga denocnimi i Kanunit të kalojë – me të njëjtat parime – edhe te denoncimi i praktikave islame, e edhe te denoncimi i vetes së tij.

Secili, sado i varfër qoftë, ka të drejtë të ketë qasje në emancipim.

Continue Reading

Trending