Maliqi pas vendimit të Kushtetueses: Kurti i prirë për vendime të kundërligjshme, e bëri më të arsyeshëm shkarkimin e tij

Periskopi.com Lajme

Gjykata Kushtetuese sot ka pranuar kërkesën e Presidentit dhe ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë Kurti për “orën policore”.

Kushtetuesja thotë vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për kufizimin e lirisë gjatë pandemisë Covid-19 është në kundërshtim me Kushtetutën.

Lidhur me këtë, IndeksOnline, ka kontaktuar me analistin Shkelëzen Maliqi, i cili ka vlerësuar se Qeveria i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas Maliqit, ka qenë gabim refuzimi i kërkesës së Presidentit, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Ka qene e qartë që nga fillimi se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pas drejtë të marrin vendime që kufizojnë të drejten e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

Për masa të tilla duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme që kerkon aprovimin e Kuvendit.

Në fazat fillestare të epidemisë Qeveria ka vepruar sipas ligjit duke kufizuar lëvizjen dhe izoluar vendbanimet ku është shfaqur koronavirusi, por ajo i ka tejkaluar kompetencat duke i zgjeruar në tërë territorin.

Kuptohet, masat qe janë marre kanë qenë të duhura”, ka thënë ai.

Maliqi ka theksuar që kërkesa e Presidentit për gjendjen e jashtëzakonshme ka qenë legjitime e jo komplot dhe puç.

Analisti shtoi se “kryeministri në detyrë gjithnjë e më shumë po shfaq prirje për veprime dhe vendime arbitrare dhe të kundërligjshme, që e bënë edhe më të arsyeshëm shkarkimin e tij.

“Si reagim ndaj përhapjes së pandemisë, por gabimi ka qenë refuzimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, që kishte siguruar ligjshmërinë e procesit dhe mobilizimin më të gjerë të institucioneve.

Pra, kërkesave që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme kane qenë legjitime dhe jo komplot dhe puç, si i kualifikonte Albin Kurti”, përfundoi ai.

Gjykata Kushtetuese sot e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Qeverisë që ka marrë më 23 mars 2020, për kufizimin e lirisë.

“II. TË SHPALLË që Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;”.

Ky aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020; dhe.

 

 

Shpërndaje në: