Connect with us

Op-Ed

Letër Liljanës

Published

on

E dashur Ljiljana,

Jemi në verën e vitit 2017.

Më kujtohet, në pranverën e vitin 1999, kur më kishin shpallur të “vdekur” dhe pastaj, si nëpër ëndrra, e kisha parë veten time në mes të Europës. Me kolege dhe kolegë nga Kosova po qëndronim në Bonn të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, gazeta, televizione e miq nga Europa e Amerika, në Paris, Romë, Washington dhe New York, na prisnin dhe na inkurajonin për një situatë të pashpresë që ishte krijuar në Gadishullin Ballkanik.

Prapa vetes kisha lënë atdheun, Kosovën.

Nuk e dija ku e kisha familjen, miqtë, kolegët, të njohurit.

Kosova ishte në qendër të vëmendjes së opinionit botëror. Edhe nëse doja t’i ikja atij ferri që kisha përjetuar, ndjenja dhe fakti që çdo gjë ishte në flakë e frikë nuk më bënte edhe aq krenar pse vet isha atje ku isha kurse vendi im ishte kapur nga kthetrat e armatës dhe paramilitarëve të Millosheviqit. Them “vendi”, sepse njerëzit e këtij vendi ose ishin vrarë, ose ishin përndjekur, ose ishin në male ku ushqeheshin dhe mbroheshin nga kryengritësit e UÇK-së.

S’e besoj ta kesh përjetuar ndonjëherë ndjenjën e të përndjekurit nga vendi yt. Them se çdo njeriu që i ngjet diç e tillë kur prapa vetes len kujtimet për fëmijërinë, rininë, dy dekada pune (në gazetari), nëse vetëm edhe njëherë kthehesh në atë botë, deshe – nuk deshe, me ty ka ngjarë diçka që nuk është lehtë e shpjegueshme. Ngjet një ngjizje e brendshme e cila nuk të rrëzon, por të ngurtëson. Edhe më saktësisht, të forcon. Një jetë, shikuar nga koha e sotme, si banor i një gadishulli gjithmonë konfliktuoz që kishte kaluar në thyerje të mëdha botërore.

S’kishte si të mbyllej ndryshe ai shekull. Këtu kishte nisur Lufta e Parë Botërore, këtu ku pas Luftës së Dytë “ndaheshin” botërat (NATO dhe BRSSS), këtu duhej të përfundonte sërish e tëra.

Natyrisht që atëbotë, ne si shqiptarë, ju si serbë, dhe krejt popujt tjerë të ish-Jugosllavisë, e kishim zor t’u jepnim përgjigje krejt atyre lëvizjeve tektonike. Për shqiptarët: të deziluzionuar  dhe pavetëdijshëm që ishim komb jo edhe aq i rëndësishëm, donim të ishin si krejt hemisfera perëndimore dhe për këtë naivisht shpresonim që asnjë barrierë nuk do na ndalte synimin ta fitonim lirinë.

Si do bëhej kjo gjë, këtë fakt s’e dinte askush. As ne si shqiptarë që pas shkatërrimit të Jugosllavisë së Titos dhe lindjes së dhunshme të Jugosllavisë së Milosheviqit nuk e pranonin atë regjim të ri, por as perëndimorët të cilët ishin krejtësisht të hutuar, edhe pse për gati një dekadë kishin pasur punë me atë njeri, gruan e tij, gjeneralët e tij, intelektualët e tij, popullin e tij: në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë. Nga Vukovari e Srebrenica, e deri në Reçak… (për të cilin pikërisht në Bonn, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, më thoshte se në publik e kishte thënë se ishte “Pika e Kthesës”, por përtej asaj, mua dhe kolegëve të mi na bindte që nuk del asgjë që do ta ndalë çlirimin e Kosovës, me çfarëdo çmimi, me çfarëdo angazhimi që do të duhej).

Ecja e perëndimit drejt bashkimit pa perden e hekurt me rënien e regjimit të DDR-it dhe me zonat e shteteve ish-komuniste të cilat ishin në fazën gri – pa parti komuniste, por për këtë edhe pa parti demokratike, të djathta e majta, për krejt popujt e ish-Jugosllavisë shënonte kthim prapa. Në hullitë e nacionalizmit agresiv i cili, për hir të historisë dhe gjeneratave të reja që na lexojnë, “rrënjët” i pati tek babai dhe baballarët në Francuska 7, pastaj në Memorandumin e Akademisë së Shkencave e Arteve të Serbisë, në RTS, në Politika…

Është një situatë absurde dhe sot kur e mendoj atë kohë nuk them që do të mund ta mbijetoja edhe një herë. Si një fëmijë që herë luan me veten e herë bëhet lodër e tjerëve, isha i vendosur që megjithatë të vazhdoja luftën: në frontin e profesionalizmit me gazetarët e mi në Koha Ditore, të cilën derisa fronti – ai i vërteti i luftës – zhvillohej në Kosovë, ne si refugjatë e bënim nga Maqedonia, esetë në Frankfurter Allgemeine Zeitung, intervistat e gjata në New Yorker, por edhe bisedat, sidomos bisedat e pafundme për të cilat edhe sot e kësaj dite u jam mirënjohës miqve: Ismail Kadaresë në Paris, Bora Qosiqit atëbotë në Këln, apo Bogdan Bogadoviqit në Vjenë, që çdo të zezë që u ngjante serbëve, krejt fatkeqësitë që u ngjanin shqiptarëve, i kishin parashikuar me një precizet të frikshëm.

Nuk dua të flas këtu edhe për diskursin perëndimor që lufta e Kosovës, sidomos e Kosovës, hapi në qarqet intelektuale europiane. Nga frika e të majtëve europianë, prej Jelcinit deri tek vula e Jurgen Habermasit pro intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Lufta e Kosovës ishte beteja e fundit e serbëve me MiIlosheviqin dhe beteja e parë e shqiptarëve prapa të cilëve qëndronte tërë civilizimi perëndimor.

Prej ngazëllyes deri në delirant ishte kthimi në Kosovën e çliruar nga regjimi serb në fund të qershorit të vitit 1999. Me këtë rast nuk kam si të mos ta tregoj një skenë që më kishte ngjarë duke u futur në Kosovë, katër muaj pas ekzilit në Europë, Amerikë dhe Maqedoni.

Atë pasdite në kaosin e rrugëve të Prishtinës shiheshin gjithandej makina e tanke të NATO-s, vetura pa tabela, semaforë që nuk punonin, duke hyrë në qytet për të shkuar në apartament, me mallin e madh të një ekzilanti më priste babai (tashmë i ndjerë), nëna, motrat dhe bashkëshortja me Andin, asokohe djalin tim të vetëm – në rrugë e vërejta Fatos Lubonjën.

E kisha takuar disa herë nëpër Europë, në Beograd dhe asnjëherë në Tiranë. Lubonja i cili ishte dhe vazhdon të jetë si një prej shpirtrave me diskursin më të kthjelltë intelektual shqiptar dhe ballkanik, shumë më shumë u gëzua që pa një fytyrë të njohur sesa që ishte i magjepsur me Kosovën e çliruar. Pa e pyetur shumë, siç ne shqiptarët e kemi zakon, e futa në makinë dhe u nisëm tek familja ime në drekë. Gëzimi, për të mos e quajtur patosi, që mund të ngjante dukshëm më i fortë me familjen që e takoja pas disa muajsh dramash lufte dhe ekzili, u shua paksa sepse me mysafirin e paftuar nga Tirana, i cili në Prishtinë ishte për herë të parë, ma shpëtoi atë pasdite pasi që me Lubonjën u aranzhuam që pas drekës të fillonim me punën –  gazeta, biseda, intervista.

Sot, gati dy dekada pas luftës, mund të them vetëm një gjë për lirinë: ardhja e saj, në çfarëdo forme dhe sidomos në formën e pasluftës, është shumëfish më e komplikuar sesa lufta për të.

Prapa kishim një dekadë aparteidi në mes të Europës. Kur them “aparteid” atëherë duhet ta precizoj për gjeneratat e reja: pakica serbe me aparatin e shtetit në Beograd shtypte shumicën shqiptare. Që i bie: dy milion njerëz komandoheshin dhe udhëhiqeshin nga 100.000 njerëz. Dallimi i tyre: 100.000 njerëzit flisnin serbisht: 1,9 milionët tjerë ishin shqiptarë. Këta ishin përjashtuar nga shkollat dhe institucionet. Nuk kishin as edhe një të drejtë elementare njerëzore. Sfida para së cilës regjimi i Millosheviqit i shtronte ishte një: ose e pranoni shtetin serb (që atëherë ishte veshur me gëzhojën e jugosllavizmit), ose do të vazhdoni të qëndroni në rrugë.

Shqiptarëve u printe intelektuali pacifist Ibrahim Rugova.

Si një profet, me lëvizjen e tij paqësore ai i shpëtoi shqiptarët të mos binin pre e kthetrave të tigrit të uritur për gjak – Millosheviqit. Ajo që Rugova e definoi si lëvizje paqësore doli të ishte një profeci. Sepse poligonet e tmerreve të përgjakshme u zhvendosën në Slloveni për disa ditë, Kroaci për disa vite dhe Bosnje e Hercegovinën e kthyen në humnerën e madhe të tmerreve që s’kishin si të mos krahasoheshin me kampet dhe vrasjet të cilat ishin asociacioni i drejtpërdrejtë me Luftën e Dytë Botërore. Në këtë mes duhet ta bëj një digresion: gjermanët sidomos s’e kanë parapëlqyer krahasimin e fushatave ndëshkuese të Millosheviqit me ato të Hitlerit. Si atëherë,  edhe sot, gjithmonë kam përfaqësuar tezën se “nuk ka krahasime, por ka kontekste”. Kontekstet kohore të Gjermanisë naziste dhe Serbisë milosheviqiane ishin tjera. Modelet, strukturat, ishin tjera, por qëllimi i njëjtë: zhvendosja ose edhe shfarosja e popujve.

Kapitulli i fundit i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë në Kosovë ishte një luftë e tmerrshme në të cilën 1 milion njerëz ishin përndjekur, mijëra civilë të vrarë, mijëra gra të dhunuara, shkatërrime xhamish, kishash, shkollash, lagjesh të tëra të shqiptarëve, por edhe të serbëve e romëve.

Vërshimi ndërkombëtar në vendin e vogël të ish-Jugosllavisë ishte sa iluminues aq edhe absurd. Sepse çdo medalje ka dy anë.

Njëra anë e kësaj medaljeje të angazhimit ndërkombëtar ishin ushtarët e Aleancës Veriatlantike (NATO), dhe ana tjetër ndërkombëtarët e OKB-së, antidoti me përmasa absurdi. Për të qenë sa më preciz me këtë angazhim ndërkombëtar duhet të shtoj: shqiptarët e shihnin NATO-n si aleaten e tyre. Serbët si armiq që i kishte bombarduar. Dy palët e kishin gabim. Sepse vet paqëtimi që NATO asokohe i bëri Kosovës, përkundër krejt humbjeve në njerëz, civilë shqiptarë dhe serbë, të vrarë apo të shpërngulur pas luftës – ishte ai çmim që duhej paguar në një zonë paslufte.

Çdo gjë që vjen më pas është pjesë e dokumentuar nga secili prej nesh. Edhe sprovat për ta gjetur veten në atë vend të lirë, edhe sukseset, por edhe disfatat personale, edhe lavdia, por edhe rrëzimet profesionale.

Ajo që dua të them është kjo: secili prej nesh ka dorëshkrimin personal në kronikat e përditshmërisë publike. Këtë natyrisht që mund ta them për Prishtinën dhe Kosovën. Aspak për Beogradin dhe Serbinë.

Kurrë s’i kam nënçmuar dramat e mëdha njerëzore përfshirë edhe rënie/ngritjet profesionale të kolegëve atje. Por, ja që koha bën të veten, Kur kjo kohë ka të bëjë me drama të mëdha shtetërore përfshirë edhe ristrukturimet shtetërore, atëherë aspekti personal është pothuajse i padukshëm. Mbeten vetëm gjurmët që secili prej nesh lë në familje, profesion, ambientin që e rrethon. Vlen për një pastrues nëse punën e tij e bën me ndërgjegjen që dikush nesër do ta vlerësojë punën e tij edhe pa ia njohur emrin. Po aq sa për një intelektual i cili me diskursin e tij shfaq anën e ndritshme apo të errët të popullit që i takon.

Edhe sot, sidomos sot, më shumë se kurrë më parë, mund të them që regjimit serb të Millosheviqit dhe intelektualëve të tij që ishin sa protege aq edhe instrumente të asaj periudhe të errët, u jam mirënjohës për një gjë: mësimin që Prishtina elitare nuk guxonte të shndërrohej në Beograd. Në kaosin e pasluftës në Kosovë nuk guxonim të lejonim të ngjante ajo që kishte ngjarë në Beograd. Heshtja. Sepse ajo ishte miratim. Barazohej me bashkëfajësinë. Nuk kam dëshmitarë të fshehtë. As miq privatë të cilët e dinë rrëfimin “tim”.

As sot dhe as kurrë nuk turpërohem për atë që është botuar në Koha Ditore, qoftë nga unë apo edhe nga gazetarët e mi. Kur Koha Ditore ka dënuar krimet shqiptare ndaj serbëve në Prishtinë, por edhe lagjeve të fshatrave e qyteteve të Kosovës, nuk mund të them që kemi bërë trimëri. Jo. Ajo që kemi bërë ishte vetëm evidentimi i kronikave të turpeve shqiptare që shikuar nga prizmi i historisë së luftërave të përgjakshme u kishte ngjarë edhe gjermanëve në Vojvodinë, Çekosllovaki, Poloni e vise tjera pas Luftës së Dytë Botërore.

Përmasat janë tjera.

Konteksti është tjetër.

Por, kontinuiteti i kontekstit komparativ qëndron.

Prandaj, them që ndjej një superioritet, një ndjenjë ngadhënjimi që edhe sot, këtë verë të vitit 2017, mund ta them: përkundër disfatave të përditshme që pësonim kur nga Kosova e pasluftës përndiqeshin apo vriteshin serbë e romë të pafajshëm në Kosovën e mbërthyer nga kaosi, ishte vegjëlia ime, ishte gazeta që unë e drejtoja, gazetë e shqiptarëve dhe më e lexuara në Kosovë, ajo që e shkruante me ngjyrë të zezë në të bardhë: “Krimet e shqiptarëve ndaj serbëve të pafajshëm të Kosovës janë turpi kombëtar!”.

E them këtë jo për të shitur mend. As për ta arsyetuar atë që ka ngjarë. Por, thjesht për ta shtruar një pyetje retorike: kurrë, në Beogradin e para, gjatë dhe pasluftës, nuk ka ngjarë që gazeta qendrore (Politika?) apo gazetat kryesore serbe të shtypnin shkronja të zeza në faqe të bardha për krimet serbe ndaj shqiptarëve. Krime këto pakrahasueshëm më të ndryshme me ato që regjimi i Millosheviqit në mënyrë të orkestruar kishte bërë ndaj shqiptarëve. I kemi shënuar dhe botuar edhe kur serbët linçoheshin pas luftës, edhe kur në rrugë e restorante të kryeqytetit nuk mund të flitej serbisht, edhe kur masat orkestroheshin të shkatërronin çdo gjë në protestat e marsit të vitit 2004, edhe, edhe, edhe…

Dhe sot jemi në një situatë kur në Prishtinë dhe në krejt Kosovën mbishkrimet e rrugëve janë të shkruara edhe shqip por edhe serbisht, në restorante mund të porositet, flitet e këndohet serbisht, në eterin publik dhe privat serbishtja është gjuhë (zyrtare) e Republikës së Kosovës.

Çdo gjë që shkon përtej këtij konteksti, përfshirë edhe librat e shkruar nga shqiptarët për krimet serbe, është në kontekstin e asaj që në detyrën time prej gazetari dhe udhëheqësi për më shumë se një dekadë të gazetës kryesore të Kosovës, më jep jo ngazëllim, por ndërgjegjen e qetë se përkundër pamundësisë për të ndërruar potenciale situatash konfliktuoze megjithatë në nënvetëdijen e diskursit publik kemi bërë që përkundër post-traumës, të kthehemi në kontura “normaliteti”.

Më duhet ta pranoj: atëbotë i kisha mëdyshjet e mia për krejt takimet, bisedat, tryezat, dialogët, letrat dhe esetë e anasjellta që shkëmbenim me kolegët nga Beogradi për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. E bëja sepse kisha shpresën që ende mund të flitej dhe provohej të kuptohej e pamundshmja: urrejtja e ndërsjellë, përndjekja e një populli të tërë, vrasjet mizore të fëmijëve, pleqve, plakave, civilëve, varrezat masive… E bëja edhe pse na thoshin miqtë ndërkombëtarë t’i bënim. Me të drejtë na i përmendnin modelet gjermano-franceze, hebrejo-gjermane, polako- gjermane… Dhe siç shihet, gjithandej janë tjerët dhe “gjermanët” e gjermanët.

Ajo që atëherë, dhe për fat të keq edhe sot, nuk mund ta definonim me kolegët serbë ishte – dhe bazuar në krejt këto shkëmbime në këtë platformë vazhdon të jetë – se ende s’ka një përcaktim se kush në këtë rastin tonë janë “gjermanët” dhe gjermanët.

Nëse gjermanët janë serbët atëherë i bie që modeli i krimeve serbe ishte si i gjermanëve pas luftës, kurse shqiptarët (por edhe kroatët e boshnjakët) do të duhej të ishin francezët, hebrenjtë, polakët. Nëse serbët s’e pranojnë “rolin” gjerman nën regjimin e Millosheviqit, atëherë detyrimisht shqiptarët do të ishin “kriminelët” dhe kjo nuk do t’i shkonte postulatit të shefit të shtetit serb, Aleksandar Vuçiqit, i cili sa herë flet për gjermanët thotë se Beogradi për Ballkanin duhet të jetë model i Gjermanisë për Bashkimin Europian. Por, për këtë pak më vonë.

Më duhet shumë sinqerisht ta pranoj që sidomos pasi kam lexuar letrën tuaj të fundit kam menduar që ta lë këtë punë fare.

Sepse nuk ia vlen.

Nuk e kam kohën, por as vullnetin, të duroj morfologji frazash me plot fyerje të cilat s’kanë të bëjnë me mua. Me botën tuaj të fantazisë mbase po. Por, jo me realitetin – atë që e jetoj dhe e jetojmë ne në Kosovë e Ballkan. Sepse edhe kur i merrni kontekstet e librave të Veton Surroit, edhe kur i ktheheni subjektit tuaj të preferuar Ramush Haradinajt, por edhe kur merreni me biografinë time në kontekstin e Hagës, këtë e bëni me një urrejtje e cila më bënte dhe vazhdon të më bëjë të ndjej vetëm keqardhje për juve.

Të gjitha këto me kontura arkaike prej ad hominem sulmesh të cilave nuk mundem, nuk dua, nuk e lejoj veten t’u përgjigjem sepse jam edukuar dhe rritur me frymë mirëkuptimi dhe respekti. Pos kësaj nuk do më lejonte etika para familjes, bashkëshortes e djemve të mi, miqve dhe sidomos më shumë se 300 bashkëpunëtorëve në Klan Kosova, t’u përgjigjem me të njëjtin ton.

Jo pse nuk mundem të “zhbiroj” në biografinë tuaj. Jo pse nuk mund të kërkoj në internet dhe të lexoj të gjitha fitoret dhe humbjet tuaja në betejën profesionale, apo disfatat private. Tekefundit, vazhdoj ta posedoj armën e moçme: gjuhën serbe me të cilën viteve të fundit për fat të keq shërbehem aq pak.

Që të jem edhe më i saktë: me serbishte nuk shërbehem fare, sepse gazetarët e rinj, mediat vizive dhe ato të internetit, gjeneratat e reja të shqiptarëve të Kosovës edhe kur ka lajme nga Serbia për Kosovën shërbehen me Reuters, AP, CNN, BBC, AFP, DPA, apo edhe shërbimet në anglisht të mediave serbe pasi që serbishtja më nuk është e detyrueshme të mësohet në Kosovë nga shqiptarët. Ishim ne brezat e fundit që për të bërë diçka duhej ta mësonim dhe flisnim këtë gjuhë.

Ishte regjimi i Millosheviqit dhe instrumentet e tij që kanë bërë diçka që kurrë nuk kishte bërë një fuqi koloniale: t’ua ndalonte fëmijëve të kolonisë (që i thonë Kosovë) që të mos e mësonin gjuhën dhe vizitonin shkollën – as atë amtare (shqipe) as atë zyrtare (serbishte).

Imagjinojeni një Algjeri në të cilën sot nuk do flitej frëngjishtja, apo një Indi ku s’do flitej anglishtja. Kolonitë kanë shkuar – gjuha ka mbetur. Në Kosovë ka ngjarë diçka edhe më epike: Kolonia ka shkuar dhe gjuha e kolonialistit bashkë me të – serbishtja. Ajo flitet vetëm tek pjesëtarët e mbetur të kombit serb në Kosovë. Përtej kësaj – e përmendi këtë fakt sepse Ju, e nderuara Liljana, duket që ende s’e keni të qartë një element esencial në jetën, përditshmërinë, politikën, diskursin intelektual të shqiptarit dhe me këtë edhe vdekatarit të zakonshëm të Kosovës.

Serbia dhe serbishtja nuk paraqesin as edhe një për qind të nukleusit jetësor në këtë nënqiell.

Beogradi nuk përcillet.

Serbishtja nuk lexohet.

Televizioni juaj nuk shikohet.

Thënë edhe më shkoqur: tash 17 vjet në çdo mikrokozmos shqiptar në Kosovë nuk ka Serbi. Kjo vlen edhe për mua. Jo pse nuk duam apo e kemi të orkestruar këtë zhdukje të Serbisë. Por, thjesht pse kemi punët tona: kemi shtet për të ndërtuar dhe politikë jo edhe aq të lehtë për ta vëzhguar (si gazetarë që jemi).

Prandaj them se qasja juaj recidiviste është ky keqkuptimi i parë dhe me siguri edhe më tragjiku kur njeriu e lexon sidomos letrën tuaj të fundit. Por, edhe trajtesat tjera tuaja në krejt këtë “dialog”. E fus në thonjëza shprehjen “dialog”, sepse ju nuk keni bërë dhe nuk bëni asgjë tjetër pos një monologu të gjatë me çdo gjë që ju hyn në punë dhe e ngritni konstruktin tuaj virtual i cili është aq larg, oh sa larg, realitetit që ju rrethon.

Dhe realiteti është ky: Kosova është Republikë, është shtet i pavarur i cili ende nuk është pranuar në OKB, por mos dyshoni që së shpejti, brenda disa muajsh apo vitesh, do të pranohet edhe në OKB.

Republika e Kosovës ka një aeroport ndërkombëtar i cili mban emrin “Adem Jashari”.

Republika e Kosovës ka një autostradë ndërkombëtare e cila kryeqytetin, Prishtinën, e lidh me Tiranën me 180 kilometra. Rrjedhimisht, nëse deri pas luftës dikujt i duheshin 6 orë për të udhëtuar deri në Beograd, kurse 13 orë për t’i kaluar Bjeshkët e Nemuna dhe me këtë edhe 180 kilometra për të shkuar në Tiranë, atëherë sot situata ka ndryshuar dramatikisht.

Emri i Autostradës është “Ibrahim Rugova”.

Dy orë vozitje nga Prishtina në Tiranë.

Nuk është më raritet kur e shoh Fatos Lubonjën apo Edi Ramën rrugëve të Prishtinës, por edhe gjysmën e punës dhe angazhimeve i kam në Tiranë – aq sa në Prishtinë.

Republika e Kosovës ka edhe një stadium ndërkombëtar të futbollit: emri i tij është “Adem Jashari”.

Republika e Kosovës ka një President emri i të cilit është Hashim Thaçi.

“Hashim Thaçi është George Washingtoni i Kosovës”.

Nuk e thash unë.

E ka thënë Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Republika e Kosovës e ka një Kryeministër në ardhje emri i të cilit është Ramush Haradinaj. “Kalorësi i madh i Ballkanit dhe çlirimtari i popullit të tij është Ramush Haradinaj”.

Nuk e thash unë.

E ka thënë Otto von Habsburg.

Aeroporti, Autostrada, Stadiumi, Thaçi, Haradinaj, janë realiteti i Kosovës, Ljiljana.

Dhe sa herë flisni apo mendoni për ta, ndaleni tek viti 1999.

Edhe pse jemi në vitin 2017.

Më lejoni, ju lutem, t’ua shpjegoj: Autostrada, Stadiumi, Aeroporti… dhe shumë ndërtime tjera që janë bërë dhe bëhen janë dëshmi të pavarësisë së Kosovës dhe ato më bëjnë krenar sepse fëmijët e mi, gazetarët e mi, pasardhësit tanë do të vazhdojnë rrugën tonë drejt përcaktimit të patundur që të jemi pjesë e civilizimit perëndimor. Sepse janë baballarët tanë, ata që këtij përcaktimi ia kanë vënë themelet qysh në Lidhjen e Prizrenit.

Jo rastësisht këtë trajtesë e nisa me qëndrimin tim në Gjermani dhe me periudhën e errët të vitit 1999.

Po. Them se Gjermania duhet të jetë modeli i Ballkanasve. Jo ndaras por të gjithëve: serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve…

Nurnbergu i Gjermanisë ishte Haga e ish-Jugosllavisë. Kjo është tema e madhe me të cilën dhe për të cilën do të duhej të diskutohej gjatë.

Ju keni qëndruar në Hagë dhe unë kam qëndruar në Hagë.

Për qëndrimin tim në Hagë nuk jam penduar dhe e përsëris sërish: do ta bëja sërish sepse është detyra e gazetarit ta zbulojë dhe ta thotë atë që e di se është për të mirën e opinionit publik.

Për qëndrimin tuaj në Hagë nuk kam çfarë të them sepse, ua thash edhe më lartë, nuk do të ishte në nderin tim të merrem me atë që prej atje keni publikuar. E dini ju, e njeh opinioni serb atë që keni komentuar prej atje.

Mua më mjafton Hannah Arendt. Më mjaftojnë trajtesat e saj për Eichmannin dhe zakonshmërinë, pra, banalitetin e krimeve të kryera prej tij. Shumica e intelektualëve ballkanas e përfundojnë rrëfimin këtu për Arendt sa herë flasin e shkruajnë për kontekstin arendtian dhe Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

Askush s’dëshiron të merret me segmentin e dytë të trajtesës së saj i cili kur qe botuar në New Yorker pati ngjallur shumë më shumë reagime sesa “zakonshmëria” e Eichmannit. Ishte akuza e saj, sa e tmerrshme aq edhe e vërtetë, për kooperimin e këshillave të hebrenjve me nazistët vetëm e vetëm të shpëtonin vet. Ishte akuza e saj edhe më e rëndë – hebrenjtë kishin dështuar të (vetë)organizoheshin për (vetë)mbrojtje nga nazistët.

Ky është dallimi i madh.

Ajo që serbët s’i bën nazistë, por edhe shqiptarët – e me ta edhe kroatët e boshnjakët – s’i bën hebrenj.

Dhe kjo i jep kapitullit të Tribunalit të Hagës peshën e duhur.

Prandaj Ramush Haradinaj ka shkuar në Hagë vullnetarisht. Prandaj Haradinaj është liruar sepse ka luftuar për lirinë e kombit të tij. Apo e doni edhe Naser Oriqin dhe Ante Gotovinën?!

Të tre këta të lirë. Nëse ju ndjeheni e obliguar se kush ata ishin, janë apo do të jenë? Mund edhe ta bëni. Nëse për këtë paguheni nga tatimpaguesit e shteteve të Kosovës, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës…

Dhe vijmë tek lufta e Kosovës. Pse është formuar Gjykata Speciale për Krime të Luftës të supozuara që janë kryer nga UÇK?

Shqiptarët kanë luftuar. Janë vetëmbrojtur dhe nëse kanë kryer krime do të dënohen nga Gjykata Speciale.

Këtë themelim të Gjykatës e ka votuar Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pa kërcënime për sanksione, izolime, burgosje.

Do t’ju çudis nëse ju them që si publicist, gazetar, opinionbërës, kam qenë, jam dhe do të jem për themelimin e Gjykatës Speciale!

Le të shkojnë të gjithë: le ta provojnë fajësinë apo pafajësinë.

Dhe le të vazhdojmë me ndërtimin e shtetit të ri.

Sepse rruga ime, rruga jonë, ka qenë, është dhe do të jetë, e ndërtuar mbi ideale që shkojnë përtej çdo lufte çlirimtare.

Rruga është qëllimi.

Caku është perëndimi dhe Europa – si vlerë e përbashkët e kombeve të lira.

Shihemi atje – nëse e keni ndërmend të vini!

E nëse ne nuk do të shihemi, do të jenë pasardhësit tanë ata që do të flasin me njëri-tjetrin.

Gjithsesi këtë gjë do ta bëjnë në anglishte e pse jo nëse është nevoja edhe në gjermanisht.

Shqip po se po.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Op-Ed

Mëngjes në fashizëm

Published

on

Fashizmit nuk ia duron lehtë mideja mjetet e informimit. Për shembull, fashizmi i Vetëvendosjes e ka një parullë orwelliane: Mediet duhet të informojnë KREJT dhe DREJT

Vetëvendosje, e kam thënë e stërthënë, është lëvizje fashiste. Ka qenë një puro fashizëm gjatë aktivizmit të saj parapolitik dhe e ka përforcuar edhe më shumë prej se është kthyer në lëvizje politike dhe ka synuar marrjen pushtetit. Herën e parë kur erdhi në pushtet, ishte një lloj lehtësimi për të gjithë ata që si unë ia kanë frikën fashizmit, sepse ishte në bashkëqeverisje të plotë me një subjekt tjetër, ideologjikisht të kundërt dhe kështu gjasat e balansimit ishin të mëdha. E megjithatë ajo qeverisje nuk pati jetë veçse për pak ditë. Gabonim. Fashizmi nuk ka bashkëshorte. Është beqar përdhunues.

Nuk është një fashizëm që ka pikur nga qielli. Nuk është fashizëm që ka mbirë nga ferri, në ndonjë natë të errët të ndonjë frike a kiameti. Është thjesht fashizmi i rëndomtë, të cilit ia ka shtruar rrugën me lule për njëzet vjet një qeverisje banditësh të rrugës (subjektet e dala nga lufta, ose lëvizja e armatosur) dhe banditëve me kravatë (lëvizja paqesore). Është fashizmi që në kohë normale demokracie e zhvillimi thjesht rri i strukur në gjirize, duke u cakërruar dhëmbët nga frustrimi, pa mundur ta nxjerrë kokën as për të marrë pak diell.

Për njëzet vjet LDK, PDK dhe AAK në vend se ta ushtronin qeverisjen, e kanë ushtruar banditizmin dhe krimin e organizuar. Kanë shkuar deri aty sa nuk ka një gjë të vetme për të cilën do të mund të thoshin: në rregull, nuk kemi lënë të zezë pa bërë, por ja këtë nuk do ta bëjmë. Thjesht, nuk ka pasur të zezë që nuk do ta bënin, deri aty ku nuk ndërhynte presioni ndërkombëtar. Aty ndaleshin, sigurisht. Arsyet mund të jenë të ndryshme.

Pushteti i tyre ishte pushteti i arrogancës së liderit dhe të bëmës. LDK përdorte aurën e liderit, Ibrahim Rugovës, që i kishte prirë lëvizjes paqesore për një dekadë. Kjo është arroganca e liderit. Subjektet e dala nga lëvizja e armatosur përdornin aurën e bëmës së tyre, natyrisht të hiperbolizuar dhe mitizuar. Pak rëndësi kishte. Arroganca e bëmës ua mundësonte ta ushtronin arrogancën e rrugës, pushtetit. Si rezultat, nuk ka mbetur e mirë e përbashkët pa u keqpërdorur, vjedhur e plaçkitur. Vetëm sepse mundnin dhe vetëm sepse, si ata banditët e lagjës, shkonin me mendjen se askush nuk guxon t’u thotë se i kanë sytë e zinj.

Kjo, me pak fjalë (pa e injoruar rrezikun që mund të sjellë ky thjeshtëzim), është rruga e shtruar me lule për fashizmin. Fashizmin e Vetëvendosjes. Kjo ka bërë që Vetëvendosje, fashizmi, sot ta ketë arrogancën e popullit (përkatësisht votës). Arroganca e popullit është, s’do mend, ku e ku më e rrezikshme se ajo e banditizmit të rrugës. Sepse, në fund, edhe fashizmi është banditizëm, por banditizëm ideologjik. Dallimet janë esenciale. Banditizmin e rrugës një ditë edhe e mposht, atë ideologjik është bukur më zor.

Arroganca e popullit (votës) sot ia lejon fashizmit të përpiqet ta kontrabandojë ligjin për zgjedhjet. Atë që e bëjnë për të mirën e tyre, duan ta shesin për të mirën e përbashkët. Arsyetimet i kanë para veprimeve. Sepse së pari prodhojnë arsyetime, pastaj veprime që nuk janë veprime në vetvete e për vete, por si pasojë direkte të arsyetimeve. Arsyetimi është e mira e tyre, dobia e tyre; madje, parimi i tyre.

Arroganca e popullit (votës) ua mundëson të kenë lehtësinë fashiste ta imponojnë ligjin për konfiskimin e pasurisë, duke ua mësyrë kundërshtarëve dhe të tjerëve pa asnjë provë dhe pa asnjë aktgjykim. Tjetri është armiku. Drejtësia është ajo që ndien dhe mendon fashizmi. Një herë ndalohesh, pastaj i gjejnë (sajojnë) provat dhe i nxjerrin përfundimet. Kur të harxhohen kundërshtarët, të tjerët janë populli (votuesit).

Arroganca e popullit (votës) bën që dështimet e pushtetit (fashizmit) të shihen si sajesë e mediave, kundërshtarëve, armiqve të popullit. Mediet duhet të hetohen. Duhet të mbahen nën kontroll. Duhet të informojnë DREJT dhe KREJT.

Janë zbythur në këto tri raste? Me gjasë po. Asnjë lehtësim. Asgjë nuk ka përfunduar. Për më tepër, më e rëndësishmja: zbythja tregon se jemi duke ngrënë kafjall. Kafjalli është i lehtë. Në drekë servohet ushqim më i fortë.

*Shkruar për GazetaExpress.com

Continue Reading

Op-Ed

Çfarë ka ndodhur me Donald Trump?

Published

on

By

Ai ishte shumë këmbëngulës gjatë kohës që po largohej nga Shtëpia e Bardhë:”Unë do të mbetem në politikë!”. Ishte një fund i trazuar i presidencës – fajësimi, faljet skandaloze, por edhe një debat i fortë mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale – por Trump e dinte se kishte pas ndjekës të përkushtuar, ndaj ai synonte të mbetej një zë i fortë në politikën amerikane.

Dhe jo vetëm ai:Familja e tij ishte e etur të përfitonte nga suksesi i tij elektoral. Zakonisht një ish-president mban një profil të ulët pasi lë detyrën. Ai nuk do ta bënte atë. Por do të mbetej figura dominuese në partinë e tij. Por planet nuk i shkuan mirë.

Presidenti u vendos në shtëpinë e tij të re, duke u bërë thirrje miqve që ta ngrinin zërin mbi mënyrën e padrejtë se si ishte trajtuar, dhe të anoheshin për prokurorët që ishin më shumë sesa duhej të zellshëm kundër tij. “Ai të lodh duke e dëgjuar përherë më këto gjëra!”- rrëfeu një mik.

Ishte viti 2001, dhe ish-presidenti ishte Bill Clinton. ”Kur një president largohet nga detyra, ne presim që ai të zhduket nga skena për një farë kohe, që t’ia lëshojë skenën presidentit të ri, dhe të na japë pak kohë për të harruar se përse nuk u penduam që e lamë të largohej”-shkruante “Time”.

Nuk ka gjasa që Donald Trump ta telefonojë Bill Clinton për t’u takuar. Dhe kjo jo sepse Klinton do ta refuzonte ftesën. Por sepse nëse do të uleshin të bisedonin, të dy burrat mund të zbulonin se kishin diçka të përbashkët për të diskutuar. Trump ka mbetur papritur shumë i mënjanuar që nga largimi i tij nga detyra.

Shumë pak njerëz mund ta kishin imagjinuar këtë. Philip Bump i “Washington Post”shkroi kohët e fundit se nëse kërkon në Google imazhet e fundit të Trump, të dalin në shumë ato të kohës para se ai kandidonte për president.

Teoria më popullore për zhdukjen e Trump nga skena, është se ndalimi që i bëri Twitter (dhe faqet e tjera të mediave sociale), e kanë dëmtuar shumë aftësinë e tij për të arritur një audiencë të gjerë. Me llogarinë e tij në Twitter në majë të gishtave, ai mund të shfrynte dufin ndaj kujtdo dhe ndaj gjithçkaje, dhe do të pëlqehej dhe komentohej nga miliona ndjekës.

Media do të raportonte me siguri mbi qëndrimin e tij të fundit. Eklipsimi i Trump duket se fillon rreth 8 janarit, kur Twitter njoftoi ndalimin e profilit të tij. Është e qartë se Trumpit i mungojnë postimet në shkurtra në Twitter, dhe marrja e reagimeve të menjëhershme nga audienca.

Ai ua dërgon me e-mail gazetarëve deklaratat e tij – ndonjëherë disa në ditë – me shpresën se ata do t’i postojnë në Twitter, por nuk është e njëjta gjë. Por edhe teoria e Twitter-it ka të meta. Postimet e Trump mund të shkaktonin drithërima tek zyrtarët qeveritarë, por ato kishin nisur ta humbnin forcën e tyre që pas vitit 2019.

Më pak njerëz kishin filluar që të reagonin ndaj tyre, dhe përpjekjet e Trump për ta kompensuar atë rënie thjesht duke postuar më shpesh, e dobësuan më tej efektin. Amerikanët dukej se po bëheshin më të ngopur me deklaratat e vrazhda të presidentit.

Përveç kësaj, dikush që ka famën e Trump s’ka nevojë për të pasur doemos një llogari në Twitter. Si një kandidat presidencial rebel në vitin 2015, Trump zbuloi se llogaria në atë platformë, i siguronte një mënyrë të dobishme për të drejtuar diskursin, edhe pse pak gazetarë apo politikanë e morën në fillim seriozisht kandidimin e tij.

Por kur ishte president, Trump kishte edhe shumë mënyra të tjera në dispozicion për të diktuar vëmendjen e medias:konferencat për shtyp, intervistat zyrtare, dhe adresat e Zyrës Ovale. Megjithëse ndonjëherë u shmangej këtyre metodave si president – ai nuk dha një adresë të Zyrës Ovale deri gati 2 vjet pas nisjes së mandatit të tij – ai po përdor tani mjetet që i mbeten në dispozicion.

Për disa kohë pas përpjekjes për grusht shteti më 6 janar 2001, Trump qëndroi çuditërisht i heshtur, me sa duket duke dëgjuar këshillat e ndihmësve, të cilët i sugjeruan që të mbante kokën ulur ndërsa Senati ishte ende duke shqyrtuar fajësimin e tij. Por që kur Senati nuk arriti ta dënojë, Trump ka qenë më i zëshëm.

Ai ka vazhduar të bëjë deklarata publike, përfshirë ato në mbledhjen e Komitetit Kombëtar Republikan fundjavën e kaluar, dhe ka dhënë intervista në disa prej stacioneve televizive të  të preferuara prej tij. Gjithashtu ai ka dhënë të paktën një duzinë intervistash për librat e shkruara rreth presidencës së tij.

Trump mund të tërhiqte më shumë vëmendje, nëse do jepte një intervistë për një gazetar më kundërshtar. Trump mund të jetë viktimë e suksesit të tij të dikurshëm në diktimin e ciklit të lajmeve. Së pari, ndoshta media ka filluar më në fund ta kuptojë leksionin në lidhje me mbulimin e “karremave” të tij, që ishin deklarata gjithnjë e më boshe.

Së dyti, aftësia e Trump për të diktuar lajmet, varej pjesërisht nga provokimet e tij gjithnjë e më të forta. Dhe pasi ke provuar të përmbysësh një palë zgjedhje presidenciale, nuk ke shumë hapësirë ​​për të përshkallëzuar më tej. Trump pati sukses duke u shndërruar në një zëdhënës të ankesave të bazës së tij të mbështetësve.

Por ankesat e tij në lidhje me zgjedhjet – edhe pse ai është përpjekur t’i cilësojë ato si vjedhje të zgjedhjeve – janë në thelb vetëm për atë që ai e sheh si një fyerje personale ndaj tij, dhe jo si një kauzë kombëtare.

Sondazhet tregojnë se shumë republikanë besojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara, dhe dëmi që do t’i sjellë kjo besimit tek demokracia në planin afatgjatë, është i rrezikshëm. Megjithatë në një të ardhme më të afërt, askush nuk do të mbetet aq i zemëruar personalisht për këtë sesa vetë Trump.

Disa ndjekës që e shihnin atë si një njeri që mund të sfidonte establishmentin, do ta shohin tani humbjen e tij si provë se politika është e pandryshueshme, dhe do të zhyten në apati apo do të shkëputen prej tij. Për të tjerët, humbja e Trump e bën atë një humbës. Ndaj ata do të kërkojnë tani “heronj” të tjerë.

Edhe pse ka humbur ndikimin në media, Trump mbetet në kontrollin e Partisë Republikane. Një pakicë e konsiderueshme e popullsisë e mbështet ende atë. Ai kryeson në sondazhet mbi votuesve e Partisë Republikane për kandidatin zyrtar të presidencialeve të vitit 2024. Republikanë të njohur si Kevin Mccarthy dhe Steve Scalise, bëjnë vazhdimisht pelegrinazh në rezidencën e Trump Mar-a-Lago për të forcuar pozitat e tyre. Komiteti i fushatës për republikanët e Senatit duket se shpiku një çmim enkas për Trump.

Edhe figura të tilla si Mitch Mcconnell dhe Nikki Haley, që e kritikuan ashpër Trumpin për ngjarjet e 6 janarit, kanë deklaruar se do ta mbështetin atë, nëse ai ishte do të ishte i nominuari për zgjedhjet e vitit 2024. Por ajo që zotëron Trump është fuqia negative – fuqia për të siluruar çdo republikan që nuk është dakord me të. Ai e ka humbur pjesën më të madhe të fuqisë së tij pozitive – aftësinë për t’i bërë gjërat të ndodhin, për të falur, dhe për të çuar përpara kauzat.

Problemi themelor për Trump është se pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira po edhe atyre më të poshtra, ai nuk është më president. Ai thjesht nuk ka shumë rëndësi tani në SHBA. Kjo gjë i ndodh çdo presidenti sapo largohet nga detyra – madje edhe atyre si Bill Clinton, që largohen nga posti relativisht popullorë, në një kohë që Trump nuk ka qenë kurrë i tillë.

Përgjatë karrierës së tij politike, Trump ka vepruar sikur të jetë imun jo vetëm ndaj pasojave ligjore për veprimet e tij por edhe ndaj të gjitha rregullave tradicionale të politikës, dhe ka arritur të bindë shumë analistë se kjo është e vërtetë. Deri më sot, ai ka qenë i suksesshëm në shmangien e ligjit, por rregullat tashmë e kanë zënë mat. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Continue Reading

Op-Ed

Qysh duhet me u dënu Shefqet Krasniqi për seksizëm?

Published

on

Një hoxhë i njohur shprehu qëndrime seksiste në një emision debatues. Ai tha pak a shumë që “gruaja e ka vendin në kuzhinë, e burri në odë”. Dhe, rrjeti social Facebook gjëmoi në protestë kundër kësaj ndarjeje territoresh në baza gjinore. Një gjëmim, absurditetin dhe realitetin e të cilit duhet me e trajtu fort seriozisht.

Unë nuk besoj aspak që dikush ka pritë prej të pandehurit, Shefqet Krasniqi, me shpreh qëndrime feministe. Unë nuk besoj aspak që dikush, kushdo, pret prej një hoxhe, cilitdo hoxhë, që me shpreh qëndrime feministe.

Po e them troç atë që e dimë të gjithë: feja islame, ashtu si dy fetë tjera abrahamike, është qysh në thelb seksiste parë prej cilësdo perspektivë feministe. E matanë këtij thelbi, nëse mund të dilet matanë thelbit, gjallon një histori e gjatë dhe tmerruese e shtypjes së grave. Një shtypje e bërë bash prej çdo sekti e bash ndaj çdo gruaje.

Prandaj, me reagu ndaj një deklarate të caktuar seksiste të një hoxhe nënkupton fillimisht me e mbulu seksizmin blatant që përfaqëson vetë ekzistenca e hoxhës dhe e fesë. Sidomos në vendin tonë.

Por, ka diçka shumë më të rëndësishme. Është një formë specifike e këtij reagimi që po dënon thjesht praninë e hoxhës në debatin publik.

Ky reagim specifik na kallëzon së pari ‘marshin automatik’ në të cilin është vendos feminizmi kosovar në rrjetet sociale. Duke shfrytëzuar papërcaktueshmërinë gati të plotë teorike, e për rrjedhë edhe ideologjike, ky feminizëm në kërkesën për mobilizim bëhet pseudo-feminizëm, e si i tillë tepër i adoptueshëm dhe tepër fleksibil – siç nuk ekziston tjetërkund pos Kosovës.

Dhe pikërisht ky mobilizim na çon në karakterin e tij ekskluziv e jopolitik [jostrategjik].

Unë nuk njoh ndonjë feministe apo feminist që nuk ka mbetje seksiste. Bile, sa më shumë të ketë lexuar në fushën e studimeve gjinore, aq më të vetëdijshëm janë për ato mbetje. Ta zëmë, shumica prej nesh ende mbiemërohemi me emrat e familjes së babait, veç të babait, e jo edhe të nënës. Dhe s’ka as kërkesë që kjo të ndryshojë. Disa prej nesh, gra, i shtojnë ende mbiemrit të tyre edhe atë të burrit derisa kjo nuk ndodh me burrat. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi me nacionalizmin toksik shqiptar dhe kemi kontestuar figura historike seksiste. Përkundrazi, ne vazhdojmë t’i himnizojmë ato. Pak prej nesh kemi shpreh pakënaqësi për himnin shqiptar që ka gjuhë eksplicite seksiste.

Pra, ne nuk jemi puritanë në feminizëm. E as nuk mund të jemi duke marrë parasysh ngushtësinë e gjuhës. Por, është e rëndësishme të kemi qëndrime radikale. Dhe, të kesh qëndrime radikale nuk nënkupton domosdo t’i shprehësh ato me metoda radikale. Të kesh qëndrime radikale, në varësi të vetë qëndrimeve natyrisht, nënkupton t’i kuptosh ato prej rrënjës së tyre. Të mos jesh laraman.

Pra, ne duhet të jemi radikalë e qartë të përcaktuar në atë që besojmë – e njëkohshëm edhe pranues ndaj atyre që kanë bindje tjera. Pranues, para së gjithash, sepse përveç që nuk i dimë aq mirë rrënjët e bindjeve tona feministe, ende po mësojmë gjëra elementare.

Dhe, duke qenë në këtë marsh automatik reagues tepër përjashtues, kjo na çon drejt kërkesës aktualisht absurde për hoxhallarë feministë. Një kërkesë që e çkuptimëson angazhimin e deritashëm për zgjerim të fushës së luftës për barazi.

Duhet me e kuptu që jemi të kurthuar brenda një gjuhe e një politike gjuhësore që duhet me u ndërru. Me plot ofshama, sharje, fraza, emra, fjalë, togfjalësha, nënkuptime e parakuptime seksiste. Dhe, meqë gjuha është ndodhi shoqërore, që ekziston vetëm duke qenë e përbashkët, e prandaj e kuptueshme, seksizmit është e zorshme t’i shpëtojmë. Dhe pikërisht kjo fushë duhet zgjeruar me urgjencë.

Në intervistën e hoxhës Krasniqi unë nuk u befasova nga ndarja në baza gjinore që i bëri hapësirës. Në fakt, ajo që më befasoi është se ky hoxhë – me të drejtë – denoncoi pikërisht diskriminimin e grave në kanunin e Lekë Dukagjinit. Edhe kjo na tregon që metodat radikale e përjashtuese që shprehin qëndrime laramane e të papërcaktuara duhet me u ndërru. Në vend të përjashtimit – që potencialisht mund të prodhojë edhe kundër-reagim të madh e të fuqishëm ose thjesht vetizolim në hapësirat ‘private’ të diskutimit – do të duhej promovuar gjithëpërfshirja dhe përballja.

Shoqëria jonë është qartazi e ndarë në dy grupe. Në konservatorë dhe në liberalë. Konservatorët, ani pse shumicë dërrmuese, kanë një përfshirje tepër të vogël në sferën publike. E liberalët, edhe pse pakicë dërrmuese, kanë përfshirjen dominante. Kjo pashmangshëm prodhon ndjesi të represionit e më pas edhe dezintegrimit te pjesa konservatore e shoqërisë.

Emancipimi – besoj është e qartë për secilin – në vende kapitaliste derdhet njësoj si vetë kapitali: vertikalisht, prej lart poshtë. Përgjithësisht, janë njerëzit të cilët kanë më shumë pasuri e mundësi që marrin arsimim më cilësor e qasje më të madhe në këtë ‘produkt’. Prandaj, qasja përjashtuese përveç që në mënyrë direkte sulmon pjesën më të lëndueshme edhe ekonomikisht të shoqërisë, gra e burra bashkë, ajo kufizon vrazhdë edhe hapësirën për emancipim ndaj këtyre njerëzve.

Prandaj, dënimi i seksizmit të hoxhallarëve nuk duhet bërë nga lëngimi për t’i zgjatur jetën laramanisë tonë gërditëse. Që në një anë të kemi feminizëm në publik, dhe seksizëm të tolerueshëm në hapësirat private. Hoxhallarët duhet të dënohen nga lëngimi për emancipim të gjithmbarshëm shoqëror. Dënimi duhet të jetë në atë mënyrë që hoxhë Shefqet Krasniqi nga denocnimi i Kanunit të kalojë – me të njëjtat parime – edhe te denoncimi i praktikave islame, e edhe te denoncimi i vetes së tij.

Secili, sado i varfër qoftë, ka të drejtë të ketë qasje në emancipim.

Continue Reading

Trending