Ky kompleks banesor në kryeqytet është i uzurpuar (Video)

Kompleksi banesor ka qenë projekt i ish-Jugosllavisë për kthimin e serbëve në Kosovë. Tash i tërë objekti është i banuar nga shqiptarët. Derisa asnjë institucion kosovar nuk ka dhënë sqarime për këtë, banorët kanë frikë se mund të pësojnë njësoj sikurse ata të lagjes Dardania.

Periskopi.com Lajme

Lufta e vitit 1999 në Kosovë, përveç pasojave në njerëz, kishte shkaktuar edhe shumë dëme materiale.

Njerëz që ishin larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, kur u kthyen nuk i gjetën më njësoj, raporton “038” i KTV-së.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me familjen Rexhepi, nga fshati Gërdoc i Komunës së Podujevës.

Kështu në pamundësi të kthehet në vendlindje, familja Rexhepi u vendos në këtë kompleks banesor.

I vetëdijshëm se nuk është pronar i banesës, Fadil Rexhepi thotë se në atë kohë nuk kishte pasur zgjidhje tjetër.

Në këtë objekt operojnë edhe lokale të ndryshme, ku disa nga pronarët kanë thënë t’i kenë blerë, pa dashur të tregojnë nga kush.

Ndërmarrja Publike Banesore, nëpërmjet postës elektronike, ka thënë se nuk ka informata dhe nuk është kompetente të flasë mbi statusin e këtij kompleksi banesor.

As Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë sqarime rreth këtij objekti.

Institucionet e drejtësisë gjithashtu kanë deklaruar se deri më tash nuk është zhvilluar ndonjë hetim lidhur me këtë çështje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se deri tash nuk është marrë asnjë hap lidhur me këto banesa, pasi nuk ka pasur ndonjë ankesë apo padi nga askush.

 

Shpërndaje në: