Kush ishte presidenti George H.W. Bush – Jeta dhe karriera e tij

Periskopi.com Lajme

George Herbert Walker u lind më 12 qershor 1924 dhe ndërroi jetë dje, më 30 nëntor 2018, në moshën 94-vjeçare. Ai ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shërbeu në këtë pozitë nga viti 1989 deri në vitin 1993. Para se të bëhej president, ai shërbeu edhe si zëvendëspresident i SHBA-së nga viti 1981 deri në vitin 1989. Bushi ishte anëtar i Partisë Republikane, ndërsa ka pasur edhe disa pozita tjera të larta shtetërore. Ai ka qenë kongresmen, ambasador dhe drejtor i CIA-s.

Gjatë karrierës së tij në shërbim publik, ai ka qenë i njohur si George Bush, por nga viti 2001 emrit të tij është dashur t’i shtohen incialet e atësisë, për ta dalluar nga George W. Bush, i cili është djali i tij i madh dhe i cili u bë presidenti i 43-të i SHBA-së. Ai shërbeu si president i SHBA-së për vetëm një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-presidentit Bill Clinton.

Bush u bë shef i Partisë Republikane për rajonin e Harrisit të Teksasit në vitin 1963. Në vitin 1966 arriti të bëhet pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shërbeu në dy mandate. Më pas, ai shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1971, kryetar i Komitetit Kombëtar të Republikanëve dhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në vitin 1976.

Në vitin 1980, ai kishte dështuar të bëhej kandidat i partisë së vet për president, pasi e humbi garën kundër ish-presidentit Ronald Reagan. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe ai u zgjodh zëvendëspresident i presidentit Reagan dhe shërbeu në këtë pozitë për dy mandate, aq sa presidenti Reagan. Më në fund, ai u bë president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1989, pasi i kishte fituar zgjedhjet e vitit 1988, ku për kundërkandidat e kishte demokratin Michael Dukakis.

Gjatë presidencës së tij, ai u përball suksesshëm më shumë çështje të jashtme, në një kohë të vështirë për vendin e tij. Ai u mor me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndërhyri me trupa ushtarake për ta larguar nga pushteti diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega. Sidoqoftë, suksesi më i madh i tij në rrafshin ndërkombëtar vlerësohet sulmi ndaj ushtrisë së ish-presidentit irakian, Saddam Hussein, i cili në vitin 1990 e kishte pushtuar Kuvajtin, një vend i pasur me rezerva të naftës.

Kur djali i tij i madh, George W. Bush, u zgjodh president, ai bënte shpesh paraqitje publike, në të shumtën e rasteve për ta mbështetur djalin e tij. Në vitin 2005, ai doli në përkrahje edhe të ish-presidentit Clinton për t’iu ndihmuar njerëzve që ishin goditur nga uragani Katrina. Fondi “Bush-Clinton Katrina Fund” kishte arritur t’i mblidhte më shumë se 100 milionë dollarë brenda pak muajve. Në vitin 2011, Bush u nderua me Medalje Presidenciale të Lirisë nga ish-presidenti Barack Obama.

Në nëntor të vitit 2012, kur Bush ishte tashmë 88-vjeçar, u detyrua të shtrihej në spital. Dyshohej se ai vuante nga bronkiti, që është  një sëmundje e ndezjes së mushkërive. Më vonë, ai u diagnostifikua edhe me sëmundjen e Parkinsonit në pjesën e poshtme të trupit, sëmundje e cila e la në karrocë. Në vitin 2015, ishte rrëzuar dhe e kishte thyer një unazë të qafës. Më 2017, u shtrua sërish në spital për shkak të problemeve të frymëmarrjes që lidheshin me pneumoninë. Ai ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare, më 30 nëntor 2018, në orën 22 e 10 minuta, shkruan “Biography”.

Shpërndaje në: