Kujtim Shala bindshëm i pari në preferencat për kryeministër nga LDK: Lë pas Abdixhikun, Hazirin e Gashin

Periskopi.com Lajme

“Cili mendoni se do të ishte kandidati i duhur i LDK-së për kryeministër?” – ka pyetur lexuesit e saj Periskopi në njërën nga faqet e saj në Facebook.

Mbi 1,600 lexues iu përgjigjën pyetjes, ndërsa mendimet ishin të ndara – duke treguar edhe një herë mbi rëndësinë e madhe që do ta ketë bartësi i listës/kandidati për kryeministër nga kjo parti politike.

Alternativat e vëna nga Periskopi ishin Kujtim Shala, Arben Gashi, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku – ndërsa shumë prej komentuesve kritikuan redaksinë për mos-përfshirjen e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.

Madje, shumë prej tyre dhanë emra krejtësisht të tjerë, që përfshinin këta politikanë:

Lista e votave të të painkuadruarve:

Agim Veliu – 27 vota;

Isa Mustafa – 12 vota;

Driton Selmanaj – 7 vota;

Avdullah Hoti – 4 vota;

Skënder Hyseni – 2 vota;

Natyrisht se kishte edhe emra të tjerë si Besjan Mustafa, Fatmir Rexhepi, Lirije Kajtazi, Anton Quni etj. Bile, komentuesit shkuan edhe më tej duke përmendur edhe Richard Grenellin, Aleksandër Vuçiqin, Ismet Munishin dhe – merreni me mend – gazetarin Valon Syla (që i mori katër vota). Për më keq, pati një votë edhe për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Një vërejtje që mund të bëhet këtu është se në seksionin e komenteve ka pasur komentues nga të gjitha partitë politike, shumë prej të cilëve ishin cinikë – veçanërisht në raport me Agim Veliun dhe Driton Selmanajn.

Por, si u votuan alternativat e vendosura nga Periskopi?

Nga komentet që redaksia vendosi t’i konsideronte të vlefshme – e të cilat nuk përmbanin fyerje e urrejtje – del se më i votuari ishte Kujtim Shala me 191 vota. 132 i mori Lumir Abdixhiku ndërsa 100 Lutfi Haziri e 49 Arben Gashi.

Duke hequr të gjitha komentet që ishin tallëse, mosvotuese, apo që zgjedhnin alternativa krejt të tjera – ishin pra gjithsej 472 vota nga 702 komente të shqyrtuara nga Periskopi (në tërësi ishin mbi 1600 sosh).

40% të votave të numëruara pra i fitoi Kujtim Shala. 27,9% i fitoi Lumir Abdixhiku. 21,2% shkuan për Lutfi Hazirin. 10,4% ishin për Arben Gashin.

Për më shumë shih vegëzën e mëposhtme.

Shpërndaje në: