Ku mbeti Demarkacioni? Kurti asnjë fjalë s’guxoi t’ia thoshte Gjukanoviqit, Bulliqi kërkon të bëhet kryetar i Podujevës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë Kurti ka biseduar sot me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Po sot, Vetëvendosje ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale në Podujevë të mbahen më 14 qershor. Të dyja këto çështje janë të lidhura ngushtë me temën e harruar të demarkacionit me Malin e Zi. 

Para disa javësh, anëtari i Komisionit për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, Florim Isufi kishte njoftuar se ai dhe kryetari i këtij komisioni Shpejtim Bulliqi kishin dhënë dorëheqje. Pra, përkundër gjithë protestave të bëra dhe pasojave të pariparueshme politike që i pësoi Kosova, komisioni po hiqte dorë nga korrigjimi i kufirit mu në kohën kur kryeministër ishte Albin Kurti.

Megjithatë, më vonë Isufi e kishte “edituar” njoftimin e tij për t’i hequr inicialet e z.Shpejtim Bulliqi nga letra e dorëheqjes.

Që nga ardhja e Qeverisë Kurti në pushtet, nuk është ndërmarrë asnjë hap i rëndësishëm për çështjen më polarizuese në Kosovë, atë të Demarkacionit, shkruan Periskopi.

Shpejtim Bulliqi, njeriu kryesor që mbështeste idenë e opozitës së atëhershme se komisioni i kaluar kishte gabuar u kandidua për kryetar të Podujevës. Vetëvendosje tashmë po kërkon që zgjedhjet e shtyra shkaku i pandemisë të mbahen jo më larg se më 14 qershor dhe që Bulliqi të bëhet kryetar i Podujevës.

Ndërkohë që sot u bë e ditur se kryeministri në detyrë kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Milo Gjukanoviq. Zyra e kryeministrit njoftoi se ata kishin folur mbi pandeminë, dëmet ekonomike e po ashtu edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë. Por, çështja e demarkacionit as që ishte përmendur.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh Qeveria Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të korrigjuar çështjen e cila e ngriti popullaritetin e saj dhe votat në zgjedhje.

Kujtojmë se kjo parti politike e kishte bllokuar ratifikimin e Demarkacionit përmes një varg veprimesh të dhunshme në Kuvend. /Periskopi 

 

Shpërndaje në: