Kontrata e pilotit italian me narkotrafikantët shqiptarë

Periskopi.com Lajme

Hetimet për të zbuluar rrjetin e narkotrafikut që vuri në lëvizje pilotin italian Guido Andrea Guidi janë shtrirë edhe në Itali.

Piloti që ngeci në Ishëm u dha prokurorëve të krimeve të rënda emra shqiptarësh dhe italianësh, numra telefoni e kontakte të tjera.

Ai kishte bërë një kontratë me ta: “20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë”. Ky fakt është zbuluar nga gazeta italiane Corriere Della Sera, e cila u referohet burimeve të shërbimeve sekrete në Itali.

Autoritetet italiane po verifikojnë informacionin e dhënë nga piloti Guidi dhe të gjitha lëvizjet e këtij të fundit.

Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar nga rrjeti. Dy janë emrat e dhëna nga piloti italian; i një shqiptari dhe një italiani. Por pas tyre besohet se fshihet një grup i strukturuar kriminal që do të trafikonte tonelata me marijuanë nga pista 1.5 kilometër e gjatë që narkotrafikantët kishin ndërtuar në Ishëm.

Rrjeti, – sipas burimeve nga prokuroria, – i ka drejtuesit e tij në Itali dhe në Shqipëri, në zonën e Krujës, ku dyshohet se gjenden me qindra plantacione me kanabis sativa, që tani është në fazën e mbledhjes.

Rasti i Guidit, – shkruan Corriere Della Sera, – ka rihapur edhe njëherë hetime mbi trafikun e drogës me avionë nga Shqipëria.

Më 26 gusht të vitit 2015 u godit një tjetër rast i tillë. Një avion ishte ngritur nga Vlora me 120 kg marijuanë dhe u kap në Brindizi. 14 persona u arrestuan, 8 prej tyre në Itali dhe 6 në Vlorë.  Piloti i avionit ishte Sokol Burhamaj. Kreu i bandës u Vilson Lamaj, ndërsa bashkëpunëtor i tyre rezutloi shefi i personelit të Policisë Vlorë, Vladimir Zanaj.

Në maj të vitit 2014 në Divjakë ngeci avioni i Giorgio Riformato. Edhe ai kishte ardhur në Shqipëri për të marrë afro 400 kg hashash. /Lapsi.al

 

Shpërndaje në: