Këshilli Prokurorial: Deklaratat politike për rastin e Limajt, të dëmshme

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se po i përcjell me vëmendje reagimet dhe komentet politike, pas ngritjes së aktakuzës kundër Fatmir Limajt për krime lufte.

Periskopi.com Lajme

Lidhur me këtë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka gjetur të arsyeshme që të informoj publikun, duke thënë se” këto reagime janë të papranueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për Sundimin e ligjit në vend”, në kohën kur prokurorë vendorë “kanë marrë mbi vete kompetenca të plota për ti trajtuar krimet e luftës”.

“Duam të theksojmë se aktakuza në këtë rast, si edhe në çdo rast tjetër, nuk është veprim privat i prokurorit të rastit, por rezultat i vlerësimit profesional të prokurorëve në bazë të kompetencave dhe autorizimeve të tyre ligjore”, thuhet në sqarimin e KPK-së.

KPK konsideron se sulmet dhe propagandat politike kundër prokurores së rastit Limaj dhe sulme të tilla të ngjashme ndaj prokurorëve tjerë “nuk paraqesin vetëm ndërhyrje në parimin fundamental të pavarësisë së sistemit prokurorial” por njëkohësisht “edhe shkelje ligjore”.

“Andaj, sulme të tilla do të konsiderohen sulme ndaj sistemit prokurorial dhe KPK do të reagoj në mbrojtjen e tyre”, përfundon reagimi i KPK-së.

Shpërndaje në: