Në Kosovë vetëm 330 persona kanë leje për të mbajt armë

Periskopi.com Lajme

Aktualisht në Republikën e Kosovës janë rreth 330 persona zyrtarë, të cilët kanë leje për të mbajtur armë.

Një person mund të pajiset me leje për  armë nëse është i rrezikuar si dhe nëse është pjesëtar i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.

Leja për armë merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por zyrtarw tw kwsaj tw fundit nuk ka treguar se cilët persona publik kanë armë me leje pasi që sipas tyre është dokument i klasifikuar.

E sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme leja për armë lëshohet vetëm nëse paraqitësi i kërkesës i plotëson kriteret sipas rregullores 04/2012 për armëmbajtje në Kosovë.

Udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa, tha pëtr KosovaPress se një person fizik mund të aplikojë për leje të armëmbajtjes vetëm nëse i plotëson arsyet e justifikueshme dhe legjitime.

Sipas tij, leje mund të kërkojë,  një person i rrezikuar, i cili është vlerësuar nga Komiteti për Vlerësim të Rrezikut (Policia e Kosovës), si subjekt që i nënshtrohet rrezikut dhe se nuk i është ofruar mbrojtja në asnjë mënyrë tjetër; apo që dëshmon me shkrim një vlerësim të tillë nga ndonjë institucion tjetër të cilit i është dhënë mandati ligjor për një vlerësim të tillë.

Mustafa tregon edhe kriteret që një person duhet t’i plotësojë për të pasur një armë me leje.

Mustafa: Që një qytetar të marrë leje për armë duhet të jetë shtetas i Kosovës

“Që një qytetar të marrë një leje për armë duhet që fillimisht të jetë shtetas i Republikës së Kosovës ose i huaj me leje qëndrimi të përhershëm në Republikën e Kosovës, duhet të ketë arritur moshën 21 vjeçare dhe janë disa certifikata që duhet dorëzuar: certifikata që nuk është nën hetime, një vërtetim i Policisë së Kosovës që paraqet të kaluarën e tij kriminale ose penale, duhet të kalojë testin teorik dhe praktik për përdorim të sigurt të armës dhe vërtetimi që nxirret në qendrën për punë sociale i cili vërteton se nuk i është marrë e drejta e veprimit ligjor”, tha Mustafa.

Sipas tij, këto janë kritere të bollshme që vërtetojnë se ai person atë armë do ta përdor vetëm për qëllimin për të cilin edhe ka kërkuar leje.

Mustafa: Janë kritere të bollshme që një person mund të posedojë që të mbajë një armë

“Fillimisht nisemi nga ajo se ai person e ka gjendjen e mirë, nuk ka një të kaluar kriminale, është i aftë psiçikisht dhe mendërisht dhe kalon të gjitha testet teorike dhe praktike. Këto janë arsyet që ai person mund të mbajë një armë  për arsye të gjahut apo shenjëtarisë sportive. Kjo arsye e shenjëtarisë është rekreacion. Këto janë kritere të bollshme që një person mund të posedojë që të mbajë një armë”, tha Mustafa.

Ndërsa sipas tij kur kanë  kërkesa lidhur me sigurinë publike ato raste trajtohen në mënyrë të veçantë.

Përveç numrit rreth 320 lejeve për armë, sipas Mustafës, nga viti 2009 e deri më tani kanë lëshuar rreth 13 mijë lejet për armë gjahu, shenjëtarie dhe koleksionimi.

Rregullorja nr. 04/2012, për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, neni 4 paragrafi 1, thotë se leja për armëmbajtje jepet edhe për “1.2. zyrtarë të Sigurimit që janë punonjës të personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore; zyrave, agjencive apo misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës, 1.3. kur armëmbajtja është e nevojshme për ruajtjen dhe ngritjen e rendit dhe sigurisë publike dhe në veçanti që lidhet me sigurinë e aeroportit, mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe pyjet nacionale”, thuhet në rregulloren për lëshimin e lejeve për armëmbajtje.Në Kosovë janë edhe disa kompani të licencuara që merren me shitjen e armëve dhe kanë poligonin e qitjes.

Njëra ndër to është edhe “Katana”, në Obiliq ku edhe bëhen trajnimet për armë për personat e interesuar.

Osman Hajrizi, nga kjo kompani tregon se numri i qytetarëve për t’u trajnuar me armë zjarri është rritur kohëve të fundit.

Hajrizi: Interesimi është shumë më i madh në krahasim me të kaluarën

“Fatbardhësisht tani kur ligji është në funksion, interesimi është shumë më i madh në krahasim me të kaluarën, sepse normalisht se çdo qytetarë dëshiron të ketë mënyrë legale një armë të cilën e merr për veti në posedim si pasion i ndonjë aspekti të rekreacionit i cili dëshiron ta përdor në poligonin e qitjes për shenjëtari”, tha Hajrizi.

Sipas Policisë së Kosovës nga janari i këtij viti deri në qershor janë 553 raste të konfiskimit të armëve ilegale. Ndërsa, për vitin 2016 Policia e Kosovës ka arritur të konfiskojnë rreth 1.300 armë dhe numër të madh të municionit.

Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 300 mijë armë ilegale. Para disa ditësh institucionet e Kosovës kanë bërë shkatërrimin e disa armëve të konfiskuara nga Policia./

Shpërndaje në: