Isa Mustafa kërcënon hapur Haradinajn dhe Limajn: Qeveria të jetë gati t’i largojë ata me agjenda personale e partiake

Periskopi.com Lajme

Duket se takimi i djeshëm mes tre liderëve të partive në koalicionin qeveritar nuk ka shkuar aspak mirë. Së fundi, Isa Mustafa në mënyrë të hapur ka kërcënuar dy partnerët e koalicionit me largim nga Qeveria nëse nuk i përmbahen përcaktimeve fillestare. 

Ai ka deklaruar se “LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëj rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.”

Gjatë ditës së djeshme nuk pati fare prononcim për media nga z.Mustafa, e as nga kryeministri Hoti, shkruan Periskopi.

Një goditje e tillë nga Mustafa thellon edhe më tej përçarjet në koalicionin aktual qeverisës mes tri partive në Qeverinë Hoti.

Mustafa gjatë këtij statusi foli edhe për dialogun duke përsëritur qëndrimet e mëparshme.

Statusi i plotë: 

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.
Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.
Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.
Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.
LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM

Shpërndaje në: