Hysaj nuk gabon, Memushaj e Manaj në hije

Periskopi.com Sporti

Serie A zbriti të shtunën në fushë tre lojtarë të Kombëtares së Shqipërisë. Elseid Hysaj, Ledian Memushaj dhe Rey Manaj siguruan minutazh të mjaftueshëm në dy sfidat e së shtunës ku Napoli dhe Lazio rezpektuan parashikimet duke fituar. Në “San Paolo” nuk kishte asnjë surprizë përsa i përket formacionit zyrtar pasi mbrojtësi shkodran zbriti në fushë titullar duke u konfirmuar edhe një herë i padiskutueshëm për trajnerin Sarri në krahun e djathtë të mbrojtjes. Hysaj u vlerësua me notën 6 nga mediat italiane për këtë sfidë pasi nuk arriti të shkelqente edhe pse në fazën mrbojtëse bëri gjithçka shumë mirë duke mos lejuar hapësira. Kreijci e vendosi disa herë në vështirësi por pavarësisht kësaj, Hysaj u tregua i kujdesshëm. Mbrojtësi shqiptar duhet të rritet ende në fazën sulmuese për të mbështetur sa më shumë aksione nga e djathta ku aktivizohet edhe Callejon.

Më e komplikuar ishte ndeshja e “Olimpicos” për mesfushorin dhe kapitenin e Pesracas, Ledian Memushaj. Edhe pse është ai lideri i skuadrës së Massimo Oddos, Memushaj gaboi 11-metërshin e pjesës së parë që mund ta kishte futur takimin në një rrjedhë tjetër. Vlonjati vlerësohet me notën 5 në një grup ku nota më e lartë është 6. “Penalltitë i humbet ai që ka kurajo t’i godasë”, shkruajnë mediat italiane për momentin e 11-metërshit, duke e vënë theksin gjithashtu në volumin e madh të lojës së shqiptarit në mesfushë. Në pjesën e dytë ishte edhe Rey Manaj ai që u aktivizua në sfidën mes Lazios e Pescaras. Trajneri Oddo shpresoi në një gol të shqiptarit por sulmuesi i shpresave nuk arriti të tregonte klasin e tij duke u vlerësuar me notën 5. Një fundjavë që duhet fshirë sa më shpejt nga kujtesa e dy shqiptarëve të Pescaras pasi skuadra abruceze ka nevojë urgjente për pikë dhe Memushaj e Manaj në maksimum janë një garanci më shumë për trajnerin Massimo Oddo./Supersport/

 

Shpërndaje në: