Hetimi i FBI-së ndaj Clintonit “rrëzon” në sondazhe kandidaten demokrate

Pas njoftimit të FBI-së mbi rinisjen e hetimeve në skandalin e e-maile-ve të Hillary Clintonit, realizuesit e sondazheve janë përpjekur në mënyrë frenetike të përcaktojnë sesi ka ndikuar mbi situatën e kandidatëve zhvillimi që erdhi vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Periskopi.com Lajme

Shifrat kanë nisur të qartësohen vetëm tani. Edhe pse anketime si ai i “Politico”-s e vendosën Hillary Clintonin në krye me tre pikë përqindje, ai i “ABC News”/“Washington Post” i publikuar të dielën i jepte demokrates vetëm një pikë diferencë, 46% me 45% që merr Donald Trumpi, ndërsa një sërë sondazhesh të tjera tregojnë se rivalët janë kokë më kokë, transmeton Tch.

Mbi 80% e republikanëve ishin dakord me deklaratën e Donald Trumpit se skandali i e-maile-ve është i madh se “Watergate”. Të njëjtin mendim ndajnë 45% e të intervistuarve në total.

Nisur nga kjo situatë, prestigjiozja “The Guardian” ngre pyetjen: A do t’i humbë Hillary Clinton zgjedhjet për shkak të hetimit të FBI-së? Ka votues që thonë se ndërhyrja e re nuk do ta ndryshojë vendimin e tyre në 8 nëntor, por shumë të tjerë, lëvizja e Byrosë Federale të Hetimit nuk i lë indiferentë.

Përpara një jave, u duk se zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, mund të konsideroheshin të mbyllura. Clinton kishte siguruar një epërsi dërrmuese pas serisë së gafave të rivalit saj, të cilit skandalet me sfond seksual dhe videoja e komenteve denigruese mbi gratë ia zbehen ndjeshëm perspektiven e fitores.

Lëvizja shokuese e FBI-së mbase nuk mjafton e vetme për ta ndryshuar tërësisht këtë rrjedhë, por ndikimi ishte padyshim i madh dhe situata u përmbys duke i vështirësuar sërish parashikimet.

Shpërndaje në: