Hamilton pozitiv me Covid-19, humbet garën e radhës

Periskopi.com Sporti

Piloti i njohur i Formula 1 Luis Hamilton është infektuar me koronavirus. 7-herë kampioni i botës rezultoi në analizat e fundit pozitiv me COVID-19.

Lajmi u konfirmua nga skuaderia britanike Mercedes mëngjesin e sotëm nëpërmjet një komunikate zyrtare. Për rrjedhojë, 35-vjeçari nuk do të marrë pjesë në garën e së dielës në Bahrein.

“Skuderia Mercedes-AMG Petronas bën me dije se Luis Hamilton ka rezultuar pozitiv për COVID-19 dhe nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në garën e fundjavës në Sakhir (Bahrein).

Ai rezultoi negative në 3 testet, ku hera e fundit ishte pasditen e së dielës. Sidoqoftë, ai u zgjua herët sot me simptoma. Pavarësisht shenjave, Hamilton është në gjendje të mirë dhe e gjithë skuadra i uron më të mirën”, shkruhet në komunikatën e Mercedesit.

Nga ana tjetër, piloti britanik i ka bërë me dije skuadrës se para mbërritjes në Bahrein ka patur kontakt fizik me një person.

Hamilton sapo ishte kurorëzuar kampion bote për herë të shtatë në historinë e Formula 1, ndërsa ka thyer rekordet e legjendës Majkëll Shumakerit për sa i përket fitoreve në gara dhe provat zyrtare.

Shpërndaje në: