Gjasa të mëdha që Lajçak të jetë përfaqësues special i BE’së për dialog

Periskopi.com Lajme

Edhe pse ende nuk është sqaruar se a do të ketë BE-ja një “të dërguar të posaçëm” apo “përfaqësues të posaçëm”, duket se është zgjidhur dilema se kush do të jetë personi që do ta ketë atë rol.

Nga disa burime diplomatike në BE, “Koha Ditore” mëson se është “pothuajse punë e kryer” që Miroslav Lajçak të jetë përfaqësues i lartë për dialog Kosovë-Serbi. Disa vende kanë pasur më parë rezerva ndaj tij pasi vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën.

Por në fund këto rezerva i ka mbajtur vetëm Franca. Si kandidat tjetër është përmendur edhe ish-ministri i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, por Borreli ka preferuar më shumë sllovakun Lajçak.

Ministri aktual i Sllovakisë ka disa muaj që është përmendur më së shumti si në media ashtu edhe në qarqet diplomatike. Përmendja e ish- këshilltarit të kancelares Merkel, ambasadorit të tashëm në OKB, Hojskens, nuk ka qenë shumë e besueshme, thonë këto burime, pasi ai do të qëndrojë së paku edhe një vit në selinë e OKB-së si ambasador i Gjermanisë.

Burimet diplomatike thonë se Lajçak ka siguruar që Gjermania të mos jetë kundër emërimit të tij, duke pasur parasysh se ai publikisht ishte shprehur kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe asaj që është quajtur “shkëmbim territoresh”, duke e quajtur si ide të rrezikshme për rajonin.

Disa burime diplomatike në BE thonë se gjatë vizitës në Kosovë bashkëpunëtorët e përfaqësuesit të lartë, Borrel, ua kanë përmendur partnerëve kosovarë idenë e të dërguarit të posaçëm, duke përmendur si ide edhe emrin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Lajçak, “për t’ua matur pulsin”, më saktësisht, për të parë se sa janë të vërteta pohimet se ai do të ishte i papranueshëm për Kosovën, pasi do të ketë “tepër shumë njerëz në postet kyç të BE-së që vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën’’.

Shpërndaje në: