Ekskluzive: Reagojnë trajnerët e Superligës pas vendimit për rikthim më 2 qershor

Periskopi.com Sporti

Të premten në mesditë Ministria e Shëndetësisë mori vendim që të mos ketë aktivitete sportive deri më 2 qershor.

Kjo nënkupton se, deri në këtë datë, nuk do të jenë të lejuara stërvitjet në grup, shkruan Periskopi.

Sidoqoftë, është evidente se nuk ekzistojnë kushtet e duhura që të vazhdohet fushata e rregullt, derisa zgjidhjet e tjera si përshembull, zhvillimi i dy-tri ndeshjeve brenda javës do të ishin edhe më problematike.

Gazetari dhe opinionisti i Periskopit, Andin Lokaj kishte propozuar që takimet të luhen në formatin playoff, ide të cilën edhe presidenti i FFK-së kishte deklaruar se do ta konsideronte, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka reaguar me asnjë komunikatë rreth hapave të mëtutjeshëm, gjë që lë të nënkuptohet se ekziston mundësia që kampionati të anulohet, opsion të cilin presidenti i këtij institucioni, Agim Ademi nuk e përjashtoi kur u kontaktua nga Periskopi.

Se është gati e pamundur të vazhdohet me futboll në këtë situatë, pajtohen edhe trajnerët e disa klubeve të Superligës.

Periskopi ka kontaktuar me teknikun e Drenicës, Gani Sejdiun i cili ka thënë se nuk ka kohë të mjaftueshme për përgatitje.

“Ne jemi të gatshëm për t’u rikthyer, por periudha dyjavore për stërvitje absolutisht nuk mjafton,” tha fillimisht ai.

Gani Sejdiu: Kjo dukuri negative po vazhdon në futbollin e Kosovës ...

“Nëse rikthehemi mund të jetë shumë e rrezikshme që lojtarët të lëndohen dhe pastaj pasojat të barten edhe në edicionin e ardhshëm.”

“Sidoqoftë, cilido vendim që merret ne do ta respektojmë.”

Edhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina tha se nuk ka kohë të mjaftueshme të luhet pjesa e mbetur, duke shtuar se fjalën e fundit e thonë organet shëndetësore së bashku me Federatën.

“Ministri ka mendu me 2 qershor me fillu me stërvitje në grup, e kjo domethënë se nuk do të ketë kohë të luhet pjesa e mbetur, sepse ritmi ka me qenë shumë i ngjeshur,” u shpreh Morina për Redaksinë.

E thotë Arbnor Morina: Gjilani po bëhet klub i madh

“Fjalën kryesore do ta kenë ekspertët shëndetësor.

“A duhet të ndërpritet, apo të vazhdohet, vendos FFK me instancat mjekësore e shtetërore, e jo klubet sipas qejfit të tyre.

“Mbi të gjitha, bëhet fjalë për shëndetin e futbollistëve, sepse janë të ri dhe e kanë jetën përpara.”

I qartë dhe i vendosur se nuk ka kushte të vazhdohet edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës është edhe ndihmës-trajneri i Ballkanit, Agim Maliqi i cili është shprehur:

“Ne jemi të gatshëm për të vazhduar gjithmonë, por sa ka kushte? Aspak nuk ka,” tha Maliqi i pyetur nga Periskopi nëse duhet të vazhdohet apo të anulohet sezoni.

Agim Maliqi: Edhe nëse ndërprehet Kampionati, Ballkani e meriton ...

“Dy javë përgatitje është shumë pak, kur e dimë se disa klube kanë stërvitur që dy javë pandërpre.

“Neve na duhen së paku tre deri në katër javë të përgatitemi, mos të harrojmë se lojtarët nuk janë robotë me përballu tërë këtë ngarkesë. Nuk ka kushte për vazhdim të kampionatit.”

Krejt ndryshe nga këtë më lart është shprehur trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani.

Ai ka thënë se kampionati duhet të vazhdojë, pasi tërë situatë pandemike është një panikë dhe lojë e bizneseve.

“Të gatshëm si duhet nuk jemi, por jam për të vazhduar aty ku kemi mbetur,” tha ai.

Image may contain: 1 person

“Në fillim do të jetë e vështirë por me kalimin e kohës besoj se do të stabilizohemi.

“Po e shohim që shtet e rajonit dhe Evropës po insistojnë që fusha të vendos. Nëse nuk vazhdohet do të ketë shumë pakënaqësi dhe llafe të kota. Janë lehtësuar disa profesioni që do të kenë kontakt të afërt më shumë se ne që mund të punojmë në grupe.

“Sinqerisht po më duket e pakuptimtë mos të lejohet puna në grupe dhe të bëhemi gati për futboll kur tashmë mbarë bota po mendon të fillojë.

“Nëse nuk luajmë do të jetë katastrofale, pauzë e gjatë për futbollistët. Tek e fundit grip është, dhe cdo ditë e më shumë po e shohim se ka qenë një panikë në mbarë rruzullin dhe një lojë e madhe biznesore.”

Mbetet të shihet cilat hapa do t’i ndërmarrë Federata e Futbollit të Kosovës në vazhdim, pasi ekziston presioni edhe nga UEFA për vazhdim të fushatës. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: